Mbi disfatat tona

16 Nëntor 2015 - 08:28 - Lumir Abdixhiku      

Mosanëtarësimi i Kosovës dhe marrja e një goditjeje të tillë, nuk ishin veçse një kapërcim i një beteje të dhënë – që mund dhe të përsëritet. Nuk ishte as fitore e Kosovës, siç u provua të shpërfaqet pas disfatës nga bartësit e saj. Ngjarja mund dhe të përsëritet – pas dy viteve – por në kohën e dhënë ishte rrënim i gjithë përpjekjes e politikës sonë ndërkombëtare tash e sa vite

-1-

Java në Kosovë filloi me lajmin më të rëndë të mundshëm që nga fitorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me mospranimin e Kosovës – si shtet – në një organizatë të Kombeve të Bashkuara, siç ishte UNESCO. Në të vërtetë, rëndesa e pranimit të lajmit ishte edhe më e madhe pas gjithë atyre fryrjeve e trumbetimeve politike, të fotove e shëtitjeve që jepeshin gjithandej nga politikanë turistë.

Si duket, ministri i Punëve të Jashtme, Thaçi, duket t’i ketë dalë huq percepcioni mbi aftësinë tonë dhe të tij për anëtarësim; rrjedhimisht, një terren i ngjizur për festë – që përngjante më shumë në fushatë elektorale sesa angazhim diplomatik – iu kthye, mu në rrugën e shtruar nga ai, në bumerang prej disfate. Në fund të ditës, u bë e qartë se njeriu më përgjegjës për ngecjen e brendshme tash e sa vjet, nuk është në gjendje të bëjë as punën më të lehtë të mundshme jashtë; marrjen e aprovimit nga njohësit e shtetësisë sonë.

Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO dhe marrja e një goditje si kjo, nuk janë veçse një kapërcim i një beteje të dhënë – që mund dhe të përsëritet pas dy viteve; siç na u tha. Nuk ishte as fitore e Kosovës, siç u provua të shpërfaqet trupërisht nga bartësit e saj. Ngjarja mund dhe të përsëritet – pas dy viteve – por në kohën e dhënë ishte rrënim i gjithë përpjekjes e politikës sonë ndërkombëtare tash e sa vite. Ishte pra goditje e mënyrës së politikëbërjes së jashtme të Kosovës, që gjithë barrën e kompromiseve e ndërtonte mbi përfitime të jashtme, që duket pra se nuk vijnë. Mbi të gjitha, ishte tregues se klasa e paaftë politike nuk mund të bëjë gjëra të afta.

Ngjarja gjithashtu ishte gjithçka veçse fitore. Sepse, në fund të ditës, mosmarrja e të gjitha votave nga shtetet që e kanë njohur Kosovën është dënim; i rëndë madje. Është, në të vërtetë, diçka e pabesueshme vetëm ditë më parë. Nëse asgjë tjetër, përkrahja e shteteve që kanë njohur Kosovën do të duhej të ishte veçse e garantuar para se një kërkesë për anëtarësim të bëhej. Kjo përkrahje, do të mjaftonte, siç dhe u pa nga votimi, për anëtarësim.

-2-

Në politikë, një rrjedhë si kjo do të duhej të merrej me shqetësim; me shumë shqetësim madje. Politika këtë e ka. Sukseset shpërblehen me ngritje, dështimet faturohen me rënie; me dorëheqje. Tek ne e gjitha u shfaq me heshtje; thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Thuajse i gjithë sistemi ministror, i këshilltarëve e shëtitësve të tjerë, e gjithë struktura e ambasadorëve – sidomos në vendet njohëse e refuzuese – të njerëzve që paguhen majmë e mirë përvjet, nuk kishin pse të thoshin diçka. Dhe është pikërisht ky stil i politikëbërjes, ky komfort i papërgjegjësisë që ka mbajtur këtë vend dhe këtë shtet në rendet më të trishtueshme shoqërore, ekonomike e demokratike. Pa një presion të tillë – presion sepse vetëpërgjegjësia është luks në këso kohë – ngjarjet si këto do të jenë veçse të zakonshme.

Mbi të gjitha, disfata e fundit tregoi se diçka e rëndë duhet të ketë ndodhur me imazhin tonë në gjithë këtë kohë; aq e rëndë sa edhe shtetet që kanë njohur shtetësinë tonë të hezitojnë për anëtarësime tona në organizata ndërkombëtare. E fatkeqësisht shumëçka ka ndodhur në këtë kohë. Kosova, me gjithë elitën e vet politike të padijshme, korruptive, të patakt e të paenergji, nuk ka dhënë asnjëherë shembull që e meriton shansin e rrallë të pasjes së shtetësisë. Nëpër botë ne jemi shpërfaqur si një shtet i hajnave – që vjedh veten pra – që prodhon emigrantë e refugjatë sikurse vatrat e luftërave të tmerrshme nëpër Siri e Afganistan, ani pse s’kemi luftë qe gati shtatëmbëdhjetë vjet, e që nuk arrin për asnjëherë të tregojë veten si shtet të hapur, demokratik e të qëndrueshëm.

Dhe e gjithë kjo pamje është krijuar e ushqyer mu nga njerëz që edhe një fitore në pjatë e shndërrojnë në humbje – për të mos ndier më pas nevojën e dhënies së përgjegjësisë; përkundrazi, për t’u tallur me të gjithë se kjo ishte në të vërtetë një fitore.

-3-

E gjithë saga e mosanëtarësimit tonë në UNESCO duhet t’i japë vendit tonë disa mësime që medoemos do të duhej të formësojë mënyrën tonë të politikëbërjes; fillimisht atë të brendshme, për të ndryshuar natyrshëm pamjen e jashtme. Pra ky vend, nga procesi i djeshëm duhet t’i pranojë së paku pesë mësime kryesore.

I pari, dhe më i rëndësishmi, se kjo klasë politike nuk ka për të sjellë asnjëherë fitore e përparime të niveleve euroatlantike. Nuk kanë kapacitet, nuk kanë dije, dhe mbi të gjitha, shoqërohen me një imazh jokredibil. Është kaq e thjeshtë. Nëpër rrjedhat ndërkombëtare, fitorja nuk sigurohet me shantazhe, kërcënime e rivotime – me çfarë janë mësuar politikanët këndej; e edhe më pak duke ia bërë qejfin vetes nëpër fotografi. Për këtë na duhet një diplomaci serioze; që mobilizon njerëzit më të mirë që ka ky vend – pa dallim partie apo bindjeve politike. Në betejat e jashtme, Kosovës i duhet unitet. Kosovës më së paku i duhen kombinime të të paditurve me individë e biznesmenë nga Kazakistani. Me pallavraxhinj që muaj më parë thurnin elegji për miqësinë me presidentin e atjeshëm, tregonin për të arritjet e afërsitë e forta – por kur u erdhi puna ngushtë për vend, nuk arritën të marrin as edhe një votë nga ta.

I dyti, se për Kosovën nuk ka kuptim asnjë proces i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa ajo pengon anëtarësimin tonë nëpër organizata ndërkombëtare; ky relacion më së paku është normalizues. Kosova duhet të rishikojë e rimendojë seriozisht gjithë formatin e procesit bisedues. Në fund të ditës, përveç rregullimit të brendshëm, këto procese nuk po prodhojnë asgjë. E rregullimi i brendshëm – përfshirë dhe rirregullimin, pa një përparim të jashtëm është i pakuptueshëm. Disa madje mund të argumentojnë – me shumë të drejtë – se asnjë rirregullim i brendshëm nuk ka kuptim për asnjë çmim. Në këtë grup bëj pjesë dhe unë.

I treti, se vendet që japin miliona për trushpëlarje e radikalizëm këndej, nuk japin një votë për shtetësinë e Republikës sonë; abstenojnë e votojnë kundër pak kishte më rëndësi. Pse të mos ishin për të gjitha? Këto vende nuk e duan shtetësinë tonë; e duan rikthimin e nënshtrimin tonë nën Serbi. Të njëjtat – dhe promovuesit e tyre këtu – duhet trajtuar më së paku si dashamirë.

I katërti, se ata që e marrin të garantuar lirinë e shtetësinë, ta kuptojnë se pa shtetet mbështetëse të Kosovës, që sot diku përgojohen nga llafazanë neokomunistë e diku luftohen nga budallenj radikalë, ky vend veç pasaporta për Malishevë – sikurse dikur – do të mund të lëshonte. Fatkeqësia më e madhe është se jo gjithmonë mund të kemi një mbështetje të tillë.

I pesti, dhe jo më pak i rëndësishëm, se është e udhës, patriotike dhe në fund e domosdoshme, bërja e Republikës sa më shpejt. Bërja pra njëmend. Zhvillimi, përparimi, krijimi i punës, i drejtësisë, i barazisë, luftimi i hajnisë, i korrupsionit, mafisë, i zaptuesve, i të paditurve, kriminelëve, budallenjve e rrahagjoksëve të tjerë – është e gjitha në dorë tonën. Për këtë na duhet vetëm përkrahja jonë. Kjo mundësi e rrallë, një barrë e gjeneratës sonë, nuk na vjen shpesh; e as nuk zgjat përgjithmonë.

abdixhiku@facebook.com 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...