Përtej shpërthimit

16 Shkurt 2015 - 08:59 - Lumir Abdixhiku      

Një hap përtej përgjithësimit, gjithëfajësimit, dorëzimit dhe amnistisë

-1-

David Benihoff në novelën “Ora e 25-të” ka një paragraf mallkimi për gjithë qytetin e tij; për gjithë Nju- Jorkun. Në një paragraf të vetëm ai mallkon xhampastruesit e rrugëve që më shumë zhysin se sa pastrojnë; taksistët pakistanezë me kabina të rrënuara që fluturojnë shpejtë; pemëshitësit koreanë që pas dhjetë viteve në shtet s’flasin dot një fjalë anglisht; rusët mafiozë të Brighton Beach që sjellin e pështjellin punët pistë gjersa kapërcejnë nëpër dhëmbë kokrra e sheqerit; kasidimët hebraikë me flokë e zbokth shumë që shesin diamante të aparteidit afrikan si hiçgjë; mjeshtërit e vetëshpallur të universit – dua të jenë Gordon Gekkot e Wall Street – që s’pushojnë së kërkuari rrugë të reja për të rrjepur punëtorët e shkretë; portorikanët e dominikanët që rrojnë në ndihma të mirëqenies, por s’ndalin dot gjithë paradat patetike përvjet; italianët me flokë plot pomadë, shkope bejsbolli, kostume najloni e medaljone të Shën Antonit – në përpjekje të përjetshme për të imituar sopranot thuajse janë në audicion jetësor; vëllezërit afroamerikanë që në lojë basketbolli s’kalojnë topin asnjëherë tek tjetri, bëjnë gjithmonë pesë hapa deri në kosh, e fajësojnë të bardhët për gjithçka, ani pse skllavërimi ka përfunduar plot 100 e kusur vjet më parë; policët e korruptuar dhe heshtjen prapa murit blu; homoseksualët e rrugës Chelsea që i shfaqen në kanalin 35 pandërprerë; priftërinjtë që vënë duart poshtë pantallonave të fëmijëve bashkë me kishën që i mbron ata; ekstremistët terroristë dhe gjithë përkrahësit shpellarë që do të piqen e digjen në ferr me karburant të fluturakeve. Ai mallkon dhe babanë e tij me pikëllimin e tij të pafund; mikun e tij më të ngushtë Xavier që kurrë s’pushon ta gjykojë atë, të dashurën Naturela, bushtrën që e tradhtojë në polici; ai mallkon gjithë qytetin për t’i uruar një tërmet që e rrafshon, një zjarr që e bën shkrumb e hi, e në fund një ujë vërshues që mbulon e shpëlanë gjithë pisllëqet e qytetit të tij të mjerë. Në fund, natyrisht, ai mallkon dhe veten.

-2-

Novela e David Benihoffit dhe paragrafi i tij mallkues, i interpretuar në përsosmëri nga Edward Norton në një set me titull të njëjtë, shpërfaq shpërthimin e mendjes përballë gjithçkaje; në nevojë profetike për të marrë qëndrime ekstreme që krijojnë qëllime e qëndrime – përfundimisht – të prekshme e herë- herë dhe bindëse. Përgjithësimi i shpërthimit (sado iluminues për të pailuminuarit) megjithatë, është dorëzim. Dhe në këtë dorëzim, mallkimi i vetës e i gjithë të tjerëve është jo vetëm disfatist, por edhe amnistues. Duke bërë të gjithë fajtorë, të ligj e meritorë për mbytje, me shembje, zjarr e përmbytje – kataklikë tipikë të Noas e trashëgimtarë pas tij – duke përgjithësuar pra gjithkënd njëjtë në një kandar, ne megjithatë lejojmë shpëlarjen dhe daljen pastër të fajtorëve kryesorë njëtrajtësisht e mbarë.

Një shpërthim të tillë – profetik në argumentim pra – lexova dhe këtë javë në një shkrim shpërthyes të akademik Krajës; i cili, në pjesë të mëdha dha shpjegim për gjithëfajtorët – argumentim që vështirë se mund ta kundërshtosh. Në anën tjetër, kundërshtarët e shkrimit të tij, në pjesën më të madhe pra, ishin sipërfaqësorë, aty-këtu personalë (tipike e fukarallëkut diskutues tonit), por pa fije brumi për të rrënuar shtyllat e argumentimit të tij gjithëfajësues. Madje, në rastin më të shpeshtë e njëtrajtësisht më të trishtë, replikimi bëhej jaka jakë me titull (mos vet e thjeshtëzuar) për të sjellë kundërpyetje për aktivizimin ose jo të autorit; po çfarë diference do të bënte kjo në fund të fundit?! Argumentin e mirë nuk e bën argumentuesi, argumentin e mirë e bën vërtetësia e tij ose jo. E, e vërteta e tmerrshme megjithatë, është se këtë vend, siç dhe e thotë pra argumentuesi, e kemi bërë shkrumb e shkret; dhe për këtë ne mbesim të gjithë fajtorë – nëse dikush ndjenë veten të lënë jashtë, ta lexojë platformën e Krajës; janë të gjithë aty.

Natyrisht se jemi të gjithë fajtorë – në fund mund të jesh fajtorë edhe për pranim e mosveprim; për çfarë duhet gjykuar pjesën më të madhe të kosovarëve; nëse ka një adresë të tillë. Por në këtë mal fajtorësh, në këtë “azil të jashtëzakonshëm të vagabondëve, injorantëve, papunëtorëve, matrapazëve, derdimenëve, pushtave, kurvave dhe kurvarëve”, për t’iu shmangur amnistisë e shpëlarjes e shfajësimit, duhet domosdo të sjellim shpërthimin argumentues profetik në elaborim gishtëtregues e përfundimisht plot guxim; pra ta shpijmë atë një hap më tutje se sa vet shpërthimi duke renditur fajtorët – sepse nuk janë të gjithë gjithëfajëtorë të barabartë. Sepse, në këtë mal kontribuuesish, megjithatë kishte një hierarki. E në këtë hierarki, “vagabondët, injorantët, papunëtorët, matrapazët, derdimenët, pushtat, kurvat dhe kurvarët” e rendit të parë megjithatë ishin dhe mbesin më “vagabondë”, më “injorantë”, më “papunëtorë”, më “matrapazë”, më “derdimenë”, më “pushta”, më “kurva” dhe më “kurvarë” se sa ata pasivët e rendit të fundit; nga ku dhe dua të nis diskutimin tim në vijim.

-3-

Hiç më larg se katër vite më parë, secili diskutim politik e social mbi e për hajninë, krimin e uzurpimin, merrte epitet trimërie. Paradoksalisht, e drejta për të bërë me gisht e përbuzje drejt hajnit, kriminelit e zhvatësit ishte bërë këndej trimëri; të paktën të pyesnin se si po guxon. Katër vite më pas, këtë aftësi e kemi përsosur në skajshmëri – për ta përdorur gjithandej, në parlament, qeveri, parti, rrugë, rrugicë, gazetë e gulçim-komente virtuale; e kemi zhvlerësuar siç dhe dimë të zhvlerësojmë gjithçka. Gjithsesi, më mirë shumë guxim ani pse në zhvlerësim se sa hiç; e hiç kishim deri katër vite më parë.

Këtë hezitim shoqëror tonin, të hiçit pra, e merrnim si të qenë. Sepse, si të tillë na e kishte dhënë një elitë e tërë intelektuale – me aq intelektualitet sa kishim si vend. Kjo elitë pra, që do të duhej të afronte veten në bërje të Republikës siç kishte ofruar veten në zhbërje të Jugosllavisë, kishte zgjedhur heshtjen e tërheqjen ose bashkimin me të ligën. Kjo elitë me heshtjen apo bashkim zgjodhi dhe nënshtrimin, dhe rrënimin, dhe dorëzimin. S’u panë askund kur UNMIK-u pardje, EULEX-i dje e kush e di kush tjetër prej sot e deri nesër u pa duke na bërë shtetësinë. Ata u dhanë rend secilit tjetër të marrin parinë e vendit dhe devalvojnë moralisht, intelektualisht, e mendërisht gjithë shoqërinë tonë.

Natyrisht se ka të tillë që edhe sot vazhdojnë të durojnë heshtjen e nënshtrimin e dorëzimin; madje nën mirëkuptimin e urdhrave të thënë e të pathënë marrin mund të rrënojnë secilën provim ngritje tjetër – edhe po u bë vetëm më fjalë madje; sidomos me fjalë ç’është e vërteta. Sepse fjalët, në fjalë të Alan Moore, mbajnë fuqinë, ato japin vet kuptimin dhe për ata që dëshirojnë, ato shpallin të vërtetën; e, e vërteta ishte se përgjatë gjithë kohës ky vend ishte bërë tmerr. Dhe fjalë, kjo elitë e heshtur dhe e dorëzuar pra, nuk kishte kurrë. Këtë të tmerrshme të këtij vendi nuk e kishin thënë kurrë. Si gjeneratë, kjo elitë, e ka humbur shansin për ta bërë atë ndonjëherë. Për këtë do të njolloset përgjithmonë.

Pse e bënë këtë? Nga u heshtën? Kush i mbylli? Mosdija? Vullneti? Të dyja? Natyrisht se mund të gjejmë shumë shkase prapa heshtjes e mbylljes së tyre – të gjitha zënë vend para tjetrës – por, për të thënë të vërtetën siç pra e thonë fjalët troç, nëse duhet shikuar në arsye e motive të zmbrapsjes, atëherë le t’i rendisim lakminë e frikën si të parat.

Lakminë sepse kompromisuan secili me idealet e veta kur ju ra rend për të marrë diçka nga një vend që kishte mbetur pa të zot. Nëpërmjet vetës, nëpërmjet fëmijëve, nëpërmjet të tjerëve afër tyre, secili nga ta në tregun e lirë të shitblerjes shitën idealin për hiçgjë, për pak rahati. Pazarxhinj të ligë madje. Provoj ndonjëherë të kuptojë fukarallëkun kapital e financiar që ka shtyrë këtë heshtje intelektuale të tyre, por sinqerisht nuk mund ta arsyetojë. Frikën sepse, fillimisht u ndanë, pra u përçanë me inate nga më të çoroditurat ndaj njëri tjetrit, diçka e panjohur për gjeneratat e reja; dhe më pas u ndjenë të ligë e të pafuqi (si të ndarë) përballë muskujve që kapitalizojnë – herë të atyre prej luftës si çlirimtarë, herë të atyre prej paqes si literar e shkrimtarë. Frika morri më të mirën nga ta, dhe në këtë dorëzim ata natyrshëm zgjodhën heshtjen; gjithsesi kishin dhe mbanin lakminë.

-4-

Në rendin më të lartë hierarkik të përgjegjësisë për rrënim gjithëshoqëror, pa dyshim mbesin të gjithë ata që kanë ushtruar një pushtet mbi shtet, secili proporcionalisht me kohëzgjatjen dhe fuqinë e pushtetbërjes nëpër kohë. Këta uzurpues të kontributit, në kohën e transformimit të vendit ishin të nxënë me transformimin e vetës, të familjes e fisit – provincial në sjellje, të paditur në mendje, të pangirë në bark. Kapitalizuesit e luftës, çlirimtarët pra, ishin të parët që ndërruan idealet me përvetësim – sot i themi zaptim e zaptues trashëgimisë e modelit të tyre. Këta nuk kishin frikën, kishin lakminë; por frikën ndërsa përdorën për të trembur e heshtur ata të rendit të prapmë; intelektualët pra.

Kështu duke pretenduar trashëgiminë e vënies së rendit sepse kishin larguar një të zot tjetër, këta vunë vetën si të denjë në politikë, arsim, shëndetësi, shkencë, teknologji, media e gjithçka tjetër; kapitali i tyre i luftës mjaftonte për t’i bërë ata të gjithëdijshëm e të gjithanshëm. Në vetëm pesëmbëdhjetë vjet jetë, përderisa krijonin modelin e shtetit qymez që pasqyronte gjithë dijen modeste të tyre, ata – si të paditur pra – ushqyen dhe ndjekësit, që sot dhe bëjnë shumicën. Kështu pra një vend u sforcua të matë fatin e tij me fatin e aftësisë së uzurpuesve për të nxënë e mësuar; sepse të panxënë e pamësuar kishin qenë përnjëherë.

Modeli i kapitalizimit të së shkuarës – pra i prirjes të së ardhmes për shkak të një kapitali nga e shkuara – u modelua dhe përdor edhe nga pacifistët; të njëjtit që sot vetëm duke u thirrur në një kontribut paraprak – madje të liderëve të vdekur e jo të vetës – projektojnë të ardhmen e vendit; natyrisht gjithmonë duke projektuar domosdoshmërisht veten aty. Pra sot është e pamundur të ngjitesh e ngritesh shkallëve të secilit rreth shoqëror pa serviluar e bashkërenduar me këta kapitalizues e uzurpatorë të kontributit. Pas tyre asnjë vlerë s’mund të ndodhë. Sot është e pamundur të japësh po nuk pate çfarë të kapitalizosh nga një e shkuar e 90-s; në luftë, paqe apo në mes. Të gjithë liderët partiakë e politikë bëjnë pjesë mu në këtë kontribut; të tjerë nuk ka. Dhe janë mu këta kapitalizatorë, çlirimtarë, pacifistë, të burgosur që mbajnë nën zotërim gjithë fatin – dhe me këtë dhe pjesën më të madhe të përgjegjësisë – për theqafje. Gjithçka tjetër nën ta, sado e dhimbshme, e trishtë, jokorrekte, e pamoralshme, komprometuese e pakurrizore, mbetet proporcionalisht më pak e dëmshme gjithsesi.

-5-

Në mes të të gjithëve, të atyre që heshtin nga lakmia apo frika (përjashto të paktit nga dëshpërimi) dhe të atyre që kapitalizojnë të shkuarën për të uzurpuar të tashmen dhe të ardhmen, ka një grumbull zërash, shkronjash, fjalësh e përpjekjesh, herë të qëlluara e herë jo – gjithsesi në vazhdimësi në rritje – që pretendojnë autoritetin e mirësisë dhe që përfundimisht ushqejnë e krijojnë masën kritike që – për dallim nga modeli i trashëguar nga përvetësuesit e kontributit dhe intelektualët e heshtur – s’mund e s’duhet të ketë emër kurrë. Dhe këta më duhet t’i heq nga shpërthimi gjithëfajsues.

Jo se nuk ka raste – të shpeshta madje – të perversitetit intelektual e moral në mes tyre, jo që nuk ka të tillë që vetëm nga pamundësia për të bërë nuk bëjnë, përndryshe do të bënin më zi e më keq se të deritanishmit – ka plot sosh e mund t’i numërosh plot sosh – në dreq të mallkuar dhe ta, por se, përmbledhja dhe thjeshtëzimi i të gjitha rasteve aksidentale në një teori gjithëfajësuese nuk bën vend bindës; mbetet vetëm shpërthim profetik e mallkues.

Dhe janë mu këta zëra, fjalë, shkronja e përpjekjesh që kanë mbajtur gjallë shpresën – nëse ka mbetur diçka nga ajo – kur intelektualët të lindur për reformatorë zgjodhën lakminë e frikën; e kaptializuesit zgjodhën uzurpimin e përvetësimin. Dhe nëse asgjë tjetër, janë mu këta që sot, në pak vite, kanë bërë të zakonshëm, deri në devalvim, guximin për të gishte-drejtuar. Këta, nëse asgjë tjetër, kanë ngjizur filet e një mase kritike që do të shpërthejë jo vetëm me fajësim, por me rrënim të secilës vlerë që të heshturit e kapitalizuesit çlirimtarë e pacifistë kanë ndërtuar për mjerim. Pra këta megjithatë kanë ndërtuar një sistem që do të reprodukojë vlerë e ide e guxim e idealizëm jo domosdo nëpërmjet vetes; përkundrazi nëpërmjet secilit tjetër që vjen në këtë sistem – ani pse defektoz, jo mjaftueshëm të mirë, të lëkundur e selektiv – por gjithsesi të vetëm. Prandaj dhe vlen përpjekja.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...