Zërat e nëntokës

8 Gusht 2016 - 08:16 - Lumir Abdixhiku      

Një i ri apo e re në Kosovë, sipas secilit parashikim, matje e skenarë, do t’i kalojë, sipas të gjitha gjasave, të gjitha të njëzetat pa asnjë ditë pune. Ky i ri, apo e re, që dëgjon teksa shefi i shefave, dhe shefat e tij, ndajnë vende pune për militantë e bashkëpartiakë, duhet ta kuptojë se janë mu vitet e tij, këto të njëzetat pra, që po i vidhen para syve. Dhe për këtë hajni, ai duhet të ketë zë. Heshtja, që kjo gjeneratë, jona pra, po prodhon para kapësve është motivim i kapësve për të bërë njëjtë dhe më shumë. Mosreagimi ynë është ushqim i tyre

-1-

Kur në nëntor të vitit 2012 kishin rrjedhur përgjimet e para të – çfarë shihej të ishte që nga atëherë – krimit të organizuar të instaluar brenda institucioneve të Republikës, reagimi publik ishte shokues. Në pak minuta biseda telefonike kishte dalë në pah i gjithë niveli i ulët, i gërditshëm e mbi të gjitha i trishtueshëm e i pasigurt i figurave kyç të Partisë Demokratike të Kosovës, që, në thelb, mbanin në duar të tyre, në gjithë atë padituri e provincialitet, fatin e gjithë vendit. Që nga atëherë, njëri nga ta ishte bërë president i Republikës, tjetri kryeparlamentar; i treti kishte mbetur shef grupi kuvendar – i njohur së këndejmi shef i shefave – e i fundit kishte përfunduar në burg.

Plot katër vjet më pas, një valë e re përgjimesh, të kohës së njëjtë pra – po shpërfaqeshin sërish. Bëhej fjalë, pra, për dy muaj përgjime dhe mbi një mijë telefonata komprometuese të rehatimeve, kapjes, promovimeve, punësimeve e koordinimeve të stilit tipik mafioz e parainstitucional. E merrni dot me mend, bëhet fjalë për vetëm dy muaj kohë dhe plot një mijë shkelje ligjore e veprime kapëse-kriminale. Paramendoni përmasën e kapjes të gjashtëmbëdhjetë viteve këndej.

-2-

Për gjeneratat e ardhshme, për ato që do të vijnë e do të lexojnë për kohën tonë, kapja e Republikës duket kështu:

Shefi: A je dakord për n’KOSTT?
Militanti: Ku?
Shefi: N’KOSTT.
Militanti: N’KOST. Qysh n’KOST mar?
Shefi: N’KOSTT, n’bord.
Militanti: Po.. n.. shka osht ajo?

Janë pjesë të shkëputura të bisedës së përgjuar. Bëhet fjalë për institucionin më të rëndësishëm energjetik në vend, për menaxhimin e transmisionit të Republikës. Bëhet fjalë për caktimin e njerëzve të partisë, të paditur e papërgatitur tërësisht, në udhëheqjen e institucioneve që as emrin e përmbajtjen e punës nuk ua dinë. I njëjti ishte caktuar më pas prokuror i shtetit – me gjasë me dije të ngjashme për vendin tjetër të punës. E tash, prokuroria që ishte dashur të niste hetimet për krim, është në duar të tij e të tillëve si ky. Është kapja kjo, shpërfaqur në formën më tragjikomike të mundshme.

-3-

Përgjigjja e kapësve natyrisht se ishte tallëse. E thanë se u kishin premtuar elektoratit të tyre punësim; pa kuptuar kështu pranimin e fajësisë. Se, para ligjit, në punësimin e administratës publike, të gjithë qytetarët e vendit janë të barabartë. Do të ishte e mjaftueshme një pranim si ky për prokurori; sikur të kishte një të tillë.

Problemi pra këndej është shumë më i rëndë. Fillimisht, duhet kuptuar se kjo strukturë parainstitucionale ka caktuar prokurorë, gjykatës, policë, mësues, mësimdhënës të tjerë në universitete publike, zyrtarë në media publike, vendimmarrës në të gjitha ndërmarrjet publike – nacionale e lokale; kanë caktuar komisione e borde të agjencive e institucioneve në thelb e ligje të definuara si të pavarura. Pra, kanë caktuar dhe kështu kanë përcaktuar fatin e gjithë sistemit publik në vend.

Stili i një kapjeje të tillë ka mundësuar natyrisht trajtimin e tyre si të paprekshëm. Kur ka nevojë për propagandë, janë mediat publike – siç ishte rasti i mosraportimit të skandalit nga televizioni – gjoja – publik. Kur ka nevojë për mbrojtje nga dora e ligjit, janë prokurorët e gjyqtarët, nga shkalla e parë e deri tek ajo e apelit. Edhe po guxoi dikush ta trajtojë “gabimisht” ndonjë element të kapove të mafisë parainstitucionale, do të jenë shkallët tjera për të korrigjuar këtë “gabim”.

Kur ka nevojë për përfitime familjare, janë vendimmarrësit nëpër borde, nëpër universitete publike e punëdhënës të tjerë publikë. Kështu punësohen të gjithë nga familja – siç dhe kishin pranuar vite më parë, është parim yni, e thanë, të kujdesemi për familjen, pa kuptuar provincialët kapës e të pangopur sërish shkeljen e ligjshmërisë e thelbit të vet Republikës për të gjithë.

Kur ka nevojë për licenca e tenderë, për para e pasurim nga publiku, janë komisionet e anëtarët e tjerë të pavarur. Të gjithë të futur në sistem me stil të njëjtë – “A je për këtu?” dhe “Çka është ajo?”

Pra, kjo klasë parainstitucioanle e ka bërë këtë vend të shkojë drejt rrënimit. Ka kapur sistemin e parave, të privilegjeve, të rehatimit dhe të mosgjyqësisë për ta. Sistemi, i ndërtuar nga vetë ata, s’ka për t’i larguar ata.

-4-

Përveç rrënimit të Republikës, kapja dëshmoi edhe tri rrënime të tjera të jetës shoqërore këndej.

Rrënimi i parë ndërlidhej me ata që duhej të përndiqnin secilin, pavarësisht fuqisë politike që dikush mund të kishte. Në ditën e dytë të shfaqjes së përgjimeve, prokuroria e vendit kishte deklaruar se nuk kishte bazë ligjore për vepër penale. Jo që pritej ndryshe nga të përcaktuarit e kapjes. Shihni, ideja e kapjes është pikërisht kjo, që në ditët më të ngushta të kapove, kapësit të kthejnë shërbim. E vërteta është se, në një vend normal, përgjimi mund të mos shërbejë si material provues në gjykatë, por ai mund të shërbejë për nisje procedurash hetimore. Dhe për këtë punë qytetarët e një vendi normal ndërtojnë institucione prokurorie. Për këtë punë ata paguajnë prokurorë e shërbyes tjetër gjykate. Që t’i mbrojë ata, dhe të mos trajtojnë askënd – as edhe njërin – mbi ligjin; e jo që të dalin, në ditën e dytë të shfaqjes së përgjimeve, me qëndrim se nuk ka bazë ligjore për vepër penale.

Rrënimi i dytë ndërlidhej me mungesën e moralit politik në vend. Pra, po shpërthente një skandal që zhvishte gjithë krimin e kapjes në vend, po s’kishte as edhe një qëndrim institucional e politik për këtë. Hiç, asgjë. Edhe sikur, njëmend, përgjimet të shpalleshin të paligjshme si provë procedurale e hetimore, fakti se është bërë një krim i kapjes do të duhej të shërbente për reagim prej morali. Partia më e madhe do të duhej të shkarkonte të involvuarit në fjalë, institucionet duhej të pezullonin secilin të punësuar nëpërmjet kapjes, e Qeveria duhej të mbante qëndrim refuzues të heshtjes amorale. Natyrisht se partia më e madhe s’do të bënte reagim në baza të moralit; si mund të reagojë moralisht një parti përgjegjëse – në gjithë strukturën e saj – për krimin mafioz të nisur këndej. Nuk reagoi as Qeveria e partneri i saj – dikur më i madh – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila duket se është tërësisht e paaftë, tërësisht e pavullnetshme, e tërësisht e painteresuar për të bërë politike minimalisht të drejtë. Është i trishtueshëm niveli intelektual e reagues i LDK-së sot.

Dhe rrënimi më i rëndë e më i papërbishëm është ai i paralizës shoqërore, i qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë të dorëzuar kaherë. Shihni për pak. Një i ri apo e re në Kosovë, sipas secilit parashikim, matje e skenarë, do t’i kalojë, sipas të gjitha gjasave, të gjitha të njëzetat pa asnjë ditë pune. Ky i ri, apo e re, që dëgjon teksa shefi i shefave, dhe shefat e tij, ndajnë vende pune për militantë e bashkëpartiakë, duhet ta kuptojë se janë mu vitet e tij, këto të njëzetat pra, që po i vidhen para syve. Dhe për këtë hajni, ai duhet të ketë zë. Ai duhet të ndalet para zyrës së prokurorit për t’i kërkuar të bëjë kthimin e ardhmërisë së tij. Duhet të dalë para Qeverisë për t’i kërkuar të drejtën e kthimit të shtetit në shtet për të gjithë. Heshtja, që kjo gjeneratë, jona pra, po prodhon para kapësve është motivim i kapësve për të bërë njëjtë dhe më shumë. Mosreagimi ynë është ushqim i tyre.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...