Paradokset e numrave të papunësisë

6 Qershor 2016 - 08:15 - Lumir Abdixhiku      

Sivjet, norma e joaktivitetit prej 62.4% e rendit Kosovën, besoni ose jo, në vendin e parë në botë. Po, pra – në vendin e parë në botë. Kosova, me këso numra, del të jetë vendi me më së shumti popullsi joaktive. E kalon Timorin Lindor me 62.2%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordaninë me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%

-1-

Tashmë është bërë tërësisht e zakonshme që të dhënat e prodhuara në Kosovë të mos kenë kuptim. Është bërë edhe e zakonshme që secila kritikë e vërejtje e ngritur ndaj tyre të trajtohet me mostrajtim. Dhe kështu, secilin vit pas tjetrit, institucione të njëjta, dalin me të dhëna të njëjta për të prodhuar konkluzione të njëjta – të pakuptimta e të pavërteta gjithsesi.

Javën që shkoi, Agjencia e Statistikave e Kosovës kishte dalë me një komunikatë për shtyp, në të cilën prezantoheshin të dhënat e përmbledhura të anketës me fuqi punëtore; përkatësisht të dhënat e intervistimit të 4.800 familjeve, shpërndarë në 600 qarqe territoriale – mostër e mjaftueshme për të konkluduar me rezultate të përgjithshme. Anketa e fuqisë punëtore, përndryshe, do të duhej të përbënte një ndër matjet më të rëndësishme që Kosova ka. Në fund të ditës, bëhet fjalë për problemin kryesor dhe më kronik të saj, për papunësinë.

Sipas komunikatës në fjalë, thuhet se – fillimisht – dy të tretat e popullsisë së Kosovës janë në moshë pune. Bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit të popullsisë, të përditësuara pra, Kosova ka rreth 1.2 milionë banorë në moshë pune.

Komunikata vazhdon, se, 37.6% e popullsisë në moshë pune janë aktiv, ndërsa nga ta shkalla e papunësisë është 32.9%. Thënë ndryshe, nga 1.2 milionë banorë, vetëm 450 mijë sish bëjnë pjesë në llogaritjet e papunësisë; 750 mijë të tjerë nuk llogariten. E besoni dot?!

-2-

Ka disa observime që njeriu nxjerr nga një prezencë e numrave të tillë. E para, dhe më e rëndësishmja, ajo për të cilën kam përshtypjen se shkruaj përvjet, është shkalla e joaktivitetit që metodologjia e aplikuar në Kosovë nxjerr. Pra, vetëm 37.6% e popullsisë së Kosovës (gjithmonë popullsisë në moshë pune pra) është aktive, e pjesa e mbetur prej 62.4% janë joaktivë – pra janë individë që nuk kërkojnë punë. Përkthyer në numra – në jetë pra – plot 750 mijë kosovarë konsiderohen si joaktivë, rrjedhimisht largohen nga të gjitha llogaritjet e papunësisë në vend.

Një normë kaq e lartë joaktiviteti është rekord për Kosovën. Kujtoj se një vit më parë, kjo normë e joaktivitetit ishte 58.4%; dhe, si e tillë, e rendiste Kosovën në vendin e 6-të në botë për nga fuqia joaktive. Edhe ajo renditje, e vitit të shkuar pra, ishte jo natyrale e disproporcionale me shumë karakteristika kulturore e regjionale të Kosovës.

Sivjet, norma e joaktivitetit prej 62.4% e rendit Kosovën, besoni ose jo, në vendin e parë në botë. Po, pra – në vendin e parë në botë. Kosova, me këso numra, del të jetë vendi me më së shumti popullsi joaktive. E kalon Timorin Lindor me 62.2%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordaninë me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%.

E vërteta natyrisht se është krejt ndryshe. Kosova nuk ka karakteristikat kulturore e religjioze si shumica e vendeve që renditen para saj. Në vende të tilla, gruaja nuk është fare aktive, sepse normat shoqërore të vendeve përkatëse e trajtojnë si të tillë. Vendet e rajonit, me të cilat edhe Kosova ndan më së shumti karakteristika kulturore, religjioze e gjeografike, kanë normë joaktiviteti prej 46.8% - në mesatare. Mali i Zi ka normë prej 50.1%; Serbia prej 47.5%, Shqipëria prej 44.9% e Maqedonia prej 44.8%. Në secilën rrethanë të mundshme, Kosova do të duhej të kishte normë joaktiviteti si në Shiqpëri e Maqedoni.

Observimi i dytë që del nga një llogaritje të tillë, është se vendi ynë për një vit, me numra natyrisht veç, ka rritur joaktivitetin e fuqisë punëtore, siç dhe thash më parë, nga 58.4% në 62.4%. Për hiq më pak se 4 pikë përqindjeje – apo përkthyer në numra e jetë, për plot 50 mijë kosovarë. Pra, brenda një viti, 50 mijë kosovarë nuk i janë shtuar tregut të punës, por u janë shtuar atyre që nuk duan punë. Me llogaritje të tilla, natyrisht se numrat e papunësisë mbesin ku janë.

-3-

Heqja e 750 mijë kosovarëve nga 1.2 milionëshi, bën pra që si popullsi e llogaritur për punë të mbesin vetëm 450 mijë. Nga ta, sipas statistikave kosovare, 300 mijë janë të punësuar, e 150 mijë janë të papunë. Rrjedhimisht, papunësia 32.9%.

Ka disa probleme interpretuese në këtë logjikë. Fillimisht, se vitin e kaluar, sipas po së njëjtës llogaritje, Kosova kishte 323 mijë të punësuar. Një prezantim i tillë, nëse asgjë tjetër do të tregonte se në vendin tonë, përgjatë dymbëdhjetë muajve të shkuar, janë humbur plot 23 mijë vende pune. Pra, përveç se rreth 50 mijë janë shtuar si joaktivë, edhe 20 e kusur të tjerë kanë mbetur pa punë.

E dyta, numri prej 150 mijë banorëve të papunë është skandaloz në secilën përputhje me secilën të dhënë tjetër ekonomike në vend. Është madje, në mospërputhje edhe me ato premtimet elektorale qesharake – të 200 mijë vendeve të reja të punës. Si duket, partitë politike në Kosovë paskan premtuar më shumë punë se sa për çfarë vendi ka nevojë.

-4-

Metodologjia e aplikuar mund të jetë konform ndonjë standardi të mirënjohur, por konformiteti nuk e bën atë të përdorshme në Kosovë, sepse po prodhon – tash e sa vjet rresht – numra të pakuptimtë.

Për t’u kthyer me këmbë në tokë; dhe për t’i dhënë sens numrave, them se ne duhet të nisim llogaritjen nga joaktiviteti i fuqisë punëtore. Nëse joaktiviteti në Shqipëri e Maqedoni është jo më shumë se 45%, e të njëjtin e aplikojmë në Kosovë, del se në Kosovë, në rastin më të keq të mundshëm, janë rreth 500 mijë joaktivë – pra aso që nuk kërkojnë punë. Këta mund të hiqen nga llogaritja e numrave, por natyrisht, s’mund të hiqen nga barra sociale e Kosovës. Sepse llogaritjet e lapsave nuk japin zgjidhje socioekonomike.

Tashti, pjesa e mbetur prej 700 mijë janë – në secilin argument të mundshëm logjik; krahasues me rajonin – si aktiv. Nëse shkalla e punësimit është 300 deri në 350 mijë; atëherë papunësia në Kosovë del të jetë rreth 50%.

Sa më parë që fillojmë t’i korrigjojmë mënyrën e llogaritjes së numrave, sa më parë që konstatojmë gjendjen në të cilën jemi, aq më parë i japim zgjidhje edhe problemeve. Sepse, ka dallim esencial nëse politikat ekonomike bëhen për 30% të papunë apo për 50% të papunë. Ka rëndësi enorme nëse 750 mijë kosovarë janë të papunë por s’llogariten si të tillë. Sepse, ata megjithatë jetojnë në këtë vend, presin zgjidhje nga ky vend.

abdixhiku@facebook.com 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...