2 Maj 2016 - 08:26 - Lumir Abdixhiku
-1-
“Percepsioni për korrupsion dhe realiteti për korrupsion në Kosovë janë dy botë të ndryshme”, kishte thënë presidenti i Kosovës një ditë para se forcat policore të Kosovës në bashkëpunim me prokurorët e EULEX-it të nisnin një fushatë përndjekjeje ndaj bashkëpunëtorit më të afërt të tij, “Dajës”, Azem Sylës pra, me plot 51 bashkëpunëtorë të tjerë. Akuza e ngritur parashkruante procesin e tjetërsimit të paligjshëm të pronave – të tokës – në bashkëpunim me ish-oficerë të MUP-it serb, ish-gjykatës e zyrtarë komunalë në Kosovë. Dëmi ekonomik në këtë proces të vetëm kalonte mbi 30 milionë euro.
Natyrisht se percepsioni dhe realiteti nuk ishin dy botë të ndryshme – siç pretendonte miku i ngushtë i të përndjekurve, presidenti i vendit më të korruptuar në Evropë. Ishin një botë e vetme. Të dyja, percepsioni pra i ndërtuar mbi një realitet që tash e shtatëmbëdhjetë vjet kishte pasuruar këtë mik e miq të tjerë të presidentit të vendit më të korruptuar në Evropë, ishte reflektim real i një gjendjeje të mjerueshme.
Siç dhe e kishte shpjeguar Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) dy javë më parë këtë problem në raportin e tyre vjetor, “korrupsioni endemik në qeveri”, si dhe “mungesa e ndëshkimit për vepra korruptuese” përbëjnë shkeljen më të madhe të të drejtave të njeriut. Korrupsioni, pra, përbënte shkeljen më të rëndë të ardhmërisë së kosovarëve.
-2-
Natyrisht se presidenti i vendit më të korruptuar në Evropë, mik i të përndjekurit për 30 milionë dëm ekonomik, nuk e sheh problemin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në dioptrinë e syzeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. S’ka se si ta shohë ashtu. Sepse për ta parë me dioptri të tillë duhet parë nga vetja, nga familja e rrethi i pasuruar në po të njëjtën mënyrë. Duhet parë nga gjithë ata deputetë të afërt që sot i akuzohen për pasurim të paligjshëm; nga gjithë ata kryetarë komunash – të vendosur nga vetë ai – që sot akuzohen për krime ekonomike; nga gjithë ata ministra që tenderët e parasë publike i trajtonin si meny mëngjesi. Duhet parë, pra, nga i gjithë sistemi korruptues, “endemik” pra, i mbajtur e mirëmbajtur nga një strukturë paraqeveritare që kontrollon secilën euro publike në vend.
Një president i mirë i një vendi të korruptuar do ta shihte problemin siç është. Fatkeqësisht për ne të tjerët, ky i yni e mohon atë. E trajton si percepsion – si diçka iluzive, të pavërtetë. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të çmendur e halucinativë që mendojnë se politikanët kosovarë, miqtë e tyre milionerë të natës e familjarët me vetura, shtëpi, vila e tokë gjithandej të jenë pasuruar kaq lehtë në këto shtatëmbëdhjetë vjet.
Për presidentin e vendit më të korruptuar në Evropë, për mikun e të përndjekurit për 30 milionë euro dëm, i marrë duhet të jetë edhe i gjithë Departamenti Amerikan i Shtetit që e quan një percepsion iluziv si endemik. I marrë, ç’është e vërteta, për këtë president, duhet të jetë edhe raporti i “Transparancy International”, organizatës më kredibile në botë, që Kosovën e rangon në vendin e 103-të nga 167 vende më korruptuese në botë. Kosova është në rang me Etiopinë dhe Bjellorusinë. Dhe tragjedia më e madhe është se nga viti 2007 jemi ende në këtë grup shtetesh. Pra, gati dhjetë vjet të humbur e në stad të njëjtë.
Pra, ne kemi problem me pranimin e problemit. Në këtë fazë, pra, këta e mohojnë ekzistencën e problemit. Trajtimi i tij, që ta kemi të qartë ne pritësit e përjetshëm, as që është në rend. Fillimisht këta duhet bindur (jo që nuk e dinë) se ka korrupsion, e tek më pas se duhet luftuar atë. Dhe tragjedia më e madhe e trajtimit të tillë të korrupsionit nuk buron vetëm nga Presidenca. Të njëjtat fjalë ishin thënë pak më parë edhe nga kryeministri i vendit. Si ekonomist që është, do të duhej të dinte më mirë se kaq. Do të duhej të dinte se si matet shkencërisht korrupsioni – mu me percepsion.
-3-
Skandalet si ky i “Dajës” me 51 hajdutë do të duhej të ishin të përditshme në një Kosovë që synon përfundim evropian. Kosova është një liqe i vogël përplot me peshq të mëdhenj; vlon e përvëlon nga të tillët. Moskapja e përditshme e tyre është për rekordet e librit të mbrapshtësisë.
Kosova, fatkeqësisht, nuk ka për t’i kapur këta individë e këto grupe kriminale vetë asnjëherë. Është e papritshme se shkaktarët e korrupsionit e të krimit të jenë dhe zgjidhësit e tij. Nuk rezonon në asnjë rrethanë. Kapja e tyre, pra, dhe ndërtimi i sistemit të drejtësisë do të jenë vetëvrasje për ta.
Ka dy alternativa në këtë drejtim. E para, që klasa politike në Kosovë të ndërrojë. Një ndryshim i tillë sa është utopik është aq edhe i largët. E dyta, më realja ndërsa, që presioni ndërkombëtar, i rrugëtimit tonë evropian e investimit amerikan, të fillojë të prodhojë rezultate më të mëdha. Të dilet me lista emrash nga organizata e institucione partnere si këto; me emra të individëve të akuzuar për korrupsion e hajni, shërbyes publikë – emra që do të refuzohen për bashkëpunim. E kam thënë dhe më parë, një praktikë e tillë ka ngjarë në Shqipëri; duhet të ndodhë dhe këndej.
Deklarimi publik dhe distancimi me njerëz që në çdo rrethanë normale do të duhej të distancoheshin nga vetë elita, në i thoshin ashtu, politike në vend, do të rriste edhe presionin publik, por edhe përgjegjësinë politike të liderëve të tyre.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...