22 Dhjetor 2014 - 08:33 - Lumir Abdixhiku
Është fakt tashmë: e djathta kosovare është në krizë identiteti. Sepse flet, por nuk beson, kur beson nuk bën, dhe kur bën shkon herë majtë e herë ultramajtë, në të dyja rastet – për argumentin tim – mbrapsht.
Dhe ky mazohizëm u jep të tjerëve kundërshtarë të majtë atë momentin e krekosjes e ngritjes së pështymështyrjes për të gozhduar secilin argument të djathtë – filozofik pra – pavarësisht se asnjë argument i djathtë nuk zë vend në promovuesit tanë politikë. Kështu besimi i djathtë shndërrohet në një thes goditjeje nga secili antibesues i djathtë.
Por është luftë besimesh kjo, dhe e tillë ka për të ngjarë gjithmonë. Kosova, si asnjëherë tjetër, bëhet vend i mbledhjes dhe përmbledhjes së dy rrymave, të djathtëve që qeverisin tani dhe të majtëve që ndodhen pjesërisht në opozitë. Ky ballafaqim, ndërsa, nuk ka qenë asnjëherë ballafaqim orientimesh, as programesh – sepse nuk kishte sosh – por ballafaqim rrethesh shoqërore të bëra në grupe partiake, tipike kosovare.
Kështu, në mungesë të ideve e bindjeve e besimeve – kryesisht të djathta – sepse të majtët gjenden mirë të formuar, identiteti i djathtë mbrohet sot nga të majtë të natyralizuar në të djathtë, e të cilët gjatë procesit të natyralizimit kanë humbur disa mësime e besime thelbësore të bërjes së djathtizmit siç e do rendi. Kështu, dy parti të djathta ushqejnë një aparat të majtë; e të majtët që kritikojnë politikat quazi të djathta, në fakt e paradoksalisht, kundërshtojnë një aparat pikërisht të majtë.
Sepse është fakt se një megaqeverisje në përbërje dhe ndikim është pjesë kruciale e një aparati të majtë; siç është dhe fakt se prezenca e publikes në biznes është po ashtu element i majtë. Krijimi apo lejimi i këtyre dy elementeve të majta, nga të djathtët, përzier me një sërë politikash hiperpublike, antiprivate, tatim-progresive, monopoli e antirregullative bëjnë gjithë aparatin shtetëror në Kosovë të majtë sa nuk bëhet më.
Atëherë, çfarë të majtit propozojnë në Kosovë përbëjnë dy alternativa; e para që këtë mekanizëm të majtë ta përditësojnë vetëm me kapacitete humane – që ata argumentojnë që i kanë më të mira; pra të zëvendësojnë njerëzit që drejtojnë mekanizmin, por jo vetë mekanizmin – e që është mu problemi, dhe e dyta që ta “majtojnë” më shumë mekanizmin duke e bërë më publik, më progresiv më antiprivat. Në këtë rrethanë ne do të kishim dy alternativa, një të majtë dhe një më të majtë. Kjo, fatkeqësisht, përbën dhe gjendjen e tanishme në vend.
Pra, ne sot nuk kemi një ide të djathtë që promovon zvogëlimin e Qeverisë në dy drejtime; në madhësinë dhe ndikimin e saj, por kemi një të djathtë që rrit madhësinë dhe rrit ndikimin. Të majtët nuk kërkojnë zvogëlimin e qeverisë – të madhësisë dhe ndikimit – sepse do të bëhej kundërperceptive për ta – por kërkojnë njerëz më të mirë në një organizëm të tillë gjigant. Pra ne sot kemi një mekanizëm të majtë, të drejtuar nga një organizëm i djathtë. Ec e bjeri në fije!
Ne sot kemi po ashtu një sektor publik që ushqehet majmë – dhe nuk ngopet madje – me rritje të vazhdueshme të pagave, saqë sektori privat, pra kontribuuesi i vet taksave pra, mbetet dyfish prapa në termat e shpërblimit. Kështu, një pagë publike bëhet dy herë më e madhe sesa ajo private, e një vend pune privat bëhet shumë herë më i pasigurt sesa ai publik. Dhe në gjithë këtë pabarazi të ngjizur e shtyrë nga “majtizmi i djathtë”, ne ende flasim se si duhet rritur më tutje pagat e sektorit publik – të financuar nga sektori privat. Çfarë ka më të majtë se kaq?
Më të majtët se të majtët – që megjithatë janë më të majtë se kaq, kërkojnë më tepër progresivitet, taksa shtesë, kontribute pensionale për të tjerët shtesë, kontribute shëndetësore shtesë, hiperinspeksione shtesë, kontribute të lindjes shtesë, kontribute të pushimit shtesë e çka jo tjetër shtesë. Këta kërkojnë më shumë rëndesë për të ushqyer e mbajtur majmë një aparat të tërë të majtë.
E djathta kosovare, e vetëdeklaruar si e tillë pra, përveç rritjes së luksit të mekanizmit publik, ka kaluar dy mandatet e shkuara – dhe sipas të gjitha gjasave do të kalojë edhe këtë tani – në herë në fuqizim të publikes e herë në degradim të saj, gjithsesi me marrje të publikes, por jo me privaten
Menaxhimi publik pra, si dëshmi e alternativës tjetër (minus resurse humane brilante – hipotetikisht) është në të shumtën e rasteve më shumë dëshpërues edhe se vetë privatizimi i stilit allishverish kosovar. Merrini të gjitha ndërmarrjet publike – ato ekzistojnë vetëm falë një monopoli të garantuar nga një mekanizëm i majtë i drejtuar nga të djathtët e vetëdeklaruar. Hiq monopolin dhe jep konkurrencën – në gjithë kuptimin e saj – dhe ke një pasqyrë të qartë të derexhesë gjithënacionale që ky vend do të merrte sikur majtizmi të ishte gjithëpërfshirës.
Merreni edukimin dhe të gjitha universitetet publike që mekanizmi i majtë ka prodhuar. Ato jo vetëm që janë shndërruar në vende të prodhimit të antidijes – së kompensuar me para të sektorit privat pra – por janë shndërruar në mbajtëse dhe ushqyese të zaptuesve; problematikëve kryesorë të shoqërisë sonë. Pra mekanizmi i majtë jo vetëm që prodhon defekte dhe humbje financiare (çfarë mund të jetë në rastin më të keq edhe defekti i një politike të djathtë privatizuese), porse prodhon edhe ushqim sistematik për degraduesit, pra shkon një nivel më shumë për nga rëndesa.
Mekanizmi i majtë i drejtuar nga të djathtët e vetëdeklaruar ka prodhuar anomali edhe në shëndetësi, gjyqësi, siguri dhe përkujdes social. Ka prodhuar më shumë anomali në mediet publike, shërbime publike e çka jo tjetër publike.
E djathta kosovare duhet të çlirohet nga beteja me të majtën. Fillimisht jo duke bartur betejën mbrojtëse te denigruesit e së djathtës që kanë prodhuar një mekanizëm të majtë – pra që nuk dinë çfarë e djathta vërtet është – por duke u distancuar nga idetë frankenshtajne të shitura si të djathta. I vetmi argument automativ që lidh klasën tonë politike, pra me të djathtët, është vetëm vetëdeklarimi. Pra i faturojmë dëmet nga e djathta për shkak të vetëdeklaruarve të tyre si të djathtë; pavarësisht se s’janë fare si të tillë.
E djathta më pas duhet të shtrojë para vetes një platformë të ideve konsensuale të djathta; duke nisur nga tërheqja automative nga sektori i biznesit me logjikën se shteti është faktor, por jo aktor në treg, pra shteti bën politikë e jo biznes në treg. Duke vazhduar më pas me politika të sheshta fiskale, me lehtësime e hiperlehtësime fiskale, me zvogëlim të mekanizmit në madhësi e prezencë, me forcim të rendit dhe rregullimit – si motor të ruajtjes të së drejtës autoriale e shtimit të konkurrencës.
E djathta pra duhet të ketë guxim të besojë në principet e veta, jo pse janë më pak populliste, por sepse janë të drejta dhe sepse sjellin – si të vetme – alternativën e daljes nga kjo ngufatje e majtë. Tek pasi të kenë besuar, sepse binden jo sepse duhet, atëherë e djathta kosovare do të ketë zërin e vet të merituar në Kosovë. Jo duke u përfaqësuar nga të majtët e natyralizuar, nga të paditur të kamufluar, por nga ndjekës e promovues njëmend, që dinë çfarë flasin dhe dinë çfarë bëjnë.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...