Domosdoshmëria e mbrojtjes së Republikës

22 Shkurt 2016 - 08:50 - Lumir Abdixhiku      

Pra Republika sot rrezikohet nga të dyja palët; rrezikohet edhe prej atyre që kapin, vjedhin e krijojnë ndarje etnike, por edhe prej atyre që serbizojnë Ditën e Pavarësisë, që ofendojnë identitetin e shtetit e që promovojnë zhbërjen e saj nesër. Dhe kosovarët nuk kanë pse të zgjedhin alternativën më pak të keqe. Janë të dyja të këqija; dhe dy të këqija nuk bëjnë një të mirë.

-1-

“Profestë” ishte termi që më ra në vesh më së shumti nga komentuesit socialë Ditën e shënimit të Pavarësisë. Kështu portretizohej dyzimi i përjetimit të ditës, pra diçka në mes të “festës” dhe “protestës”.

Pakkush nga ne do të kishte menduar tetëvjetorin e shënimit të Pavarësisë në një polarizim kaq të theksuar shoqëror. Por atëherë pakkush nga ne do t’i kishte menduar gjithë marritë, hajnitë, kapjet e uzurpimet e Republikës për këta tetë vjet. Gjërat pra, për fatin tonë të keq, nuk kanë ecur mbarë e mirë siç i kishim pritur tetë vjet më parë. Nga mosformësimi i plotë i shtetësisë deri tek moskrijimi i mirëqenies minimale në arsim, shëndetësi e gjyqësi – kosovarët mund të gjejnë një mijë e një arsye për dëshpërim.

Këto arsye për dëshpërim, të prodhuara e të faturuara ekskluzivisht me pushtetet në vend, fatkeqësisht, janë ndërlidhur me vetë shtetin. Kështu, tetë vjet më pas, për shkak të kapësve në pushtet e antirepublikanistëve në opozitë, averzioni ndaj pushtetit është shkrirë në averzion ndaj shtetit. Rrjedhimisht, Dita e shënimit të Pavarësisë së shtetit, ditëlindja e Republikës pra, konsiderohet nga një pjesë jo e vogël masash si diçka e parëndësishme; shpeshherë e asociuar me kapësit e pushtetit. Sikur i dhurohet një arritje historike, me plot përpjekje dhe e papërsëritshme, një pale tjetër politike e partiake. Në këtë frymë trajtuese bien dhe ato pak arritje të shtetit; nga konsolidimi e anëtarësimi ndërkombëtar, deri tek simbolet përfaqësuese të tij. Duke urryer pushtetet, qytetarët janë shtyrë nga forcat destruktive antirepublikane të urrejnë edhe vetë shtetin. E trishtueshme.

-2-

Protesta ishte masive. Masive edhe për nga pjesëmarrja e qytetarëve, por edhe për nga mënyra e zhvillimit të saj. Një grumbull kaq i madh njerëzish, si asnjëherë më parë, ishin mbledhur e shpërndarë tërësisht paqësisht. Organizatorët ishin përkujdesur që me qëllim, në Ditën e Republikës, të vendosnin sa më pak simbole të saj; për çfarë mbesin të pakuptimtë e patriotë hipokritë gjithsesi; por le të jetë kjo pjesë e trajtimit qytetar kur të vijë koha e zgjedhjeve. Pavarësisht të gjithave, sa më shumë të ketë paqe e elemente republikane në një mbledhje të tillë, aq më e fortë do të bëhet kauza e ngritur nga organizatorët e saj – diçka madje e vërtetuar edhe nga reagimi faqezi i “qyqanëve” për të cilin do të flas më vonë.

Pra protesta ishte e shkëlqyeshme për nga forma dhe mbarëvajtja e saj. Por çfarë ishte larg të shkëlqyeshmes – saktësisht çka ishte e frikshme dhe e gërditshme – ishte platforma e shtruar aty. Si asnjëherë më parë, kjo platformë ishte shfaqur para një mase qytetare që po manipulohej lehtë.

Në këtë platformë u dhanë tri elemente të rrezikshme, puro kundër republikane. Pra, paradoksalisht, në Ditën e shënimit të Republikës, nën moton për mbrojtjen e Republikës, platforma e shtruar – me grusht lart – ofronte antirepublikanizëm. Elementi i parë, dhe më i pahijshmi, ishte serbizimi i Ditës së Pavarësisë. U tha se kushdo që feston këtë pavarësi – të Ahtisaarit i thanë – është me Zajednicën. Qasja “ja me ne, ja kundër nesh” është tipike e regjimeve jodemokratike. Është mendësi e të vegjëlve; dhe të vegjël ishin promovuesit e platformës aty. Të vegjël jo vetëm që ofendonin shënuesit e ditës më të rëndësishme të kosovarëve në histori, por se këtë mendim të tyre e paketonin në ditën e lindjes së kësaj Republike. Arsyetimet e mëpasshme të keqkuptimeve tanimë janë bërë të rëndomta për ta.

Elementi i dytë ishte ofendimi i simboleve të Republikës; sërish në Ditën e Republikës. Pasi kishin shpërndarë me qindra flamuj kombëtarë, u thanë “shihni çfarë populli ka zgjedhur për flamur”. Duke quajtur simbolet e shtetit “lara-lara”, të njëjtit ofenduan edhe ata qytetarë që iu kishin bashkangjitur protestës në fjalë me flamuj republikanë. Por këtu ofendimi nuk ndalet pra. Duke sharë e fyer flamurin e shtetit që u jep paga të njëjtëve politikanë e deputetë, ata fyen edhe sportistët që bëhen sot kampionë nëpër botë e shohin flamurin e shtetit të tyre të mohuar nga brenda e jashtë teksa ngrihet lart; fyen dhe artistët që me filmat e tyre përfaqësojnë Kosovën në “Oscar” , fyejnë dhe gjithë ata ushtarë të Kosovës që me mburrje plot mbajnë të njëjtin simbol në krah. Fyen secilin qytetar që ka zgjedhur të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës.

Ne mund të kemi mospajtime rreth dukjes së një flamuri. Nesër dhe mund ta ndryshojmë atë madje. Do ta bëjmë gjithsesi të gjithën bashkë – siç e bënë banorët e Zelandës së Re ditë më parë. Por ama, përderisa kemi një flamur që është përqafuar nga deputetët e zgjedhur të Kosovës tash e 8 vjet, përderisa i njëjti flamur mbetet i Republikës, dhe, mbi të gjitha, përderisa ky flamur është komplementar me flamurin kombëtar – pra nuk janë përjashtues të njëri- tjetrit, pra plotësues të plotë – i njëjti duhet trajtuar me respekt; përndryshe të parespektuar mbesin ofenduesit hipokritë të tij.

Dhe elementi i tretë, më i theksuari pra, ishte kërkesa për zhbërje të Republikës. Sërish, nën sloganin e mbrojtjes së Republikës, këta hipokritë promovonin shkatërrimin e saj; zhbërjen e saj fillimisht dhe bashkimin me një shtet tjetër më pas. Ky shtrim i platformës është rrëshqitje nga kauza fillestare e protestës, rrjedhimisht manipulim i pastër i masave dhe njerëzve që kishin zgjedhur atë ditë për të protestuar kundër marrëveshjeve në fjalë. Nëse kauza e këtyre aktorëve është zhbërja e Republikës, atëherë të kërkojnë protestë për të. Por kalimi nga kundërshtimi i marrëveshjeve me Serbi e Mal të Zi, në një platformë kundërrepublikane është tipik mashtrim.

-3-

Përveçse është mashtrim i paketuar nën thirrjet për mbrojtje të Republikës, kjo platformë mbetet edhe e rrezikshme për Republikën, por edhe – po u shtrua si kërkesë – e parealizueshme në paqe. Është e rrezikshme për Republikën, për vetë faktin sepse kërkon zhbërjen e saj. Me këtë kërkesë palët kërkojnë edhe ndërprerjen e përpjekjeve shtetformuese e forcuese, edhe ballafaqimin me aktorët kryesorë të jashtëm, shtetndërtues në Kosovë, me të cilët është lidhur edhe kontrata e Pavarësisë së Kosovës dhe kompromiseve në Pakon e Ahtisaarit. Këtu vjen më pas edhe shpjegimi i ballafaqimit të kundërshtuesve të projektit Republikë me gjithë përkrahësit tanë. Sepse, në këta përkrahës, të njëjtit shohin edhe pengesën e jetësimit të projektit të tyre shkatërrues të Republikës. Prandaj këta janë plot vrer e ofendim ndaj ndërkombëtarëve, në veçanti ndaj politikës zyrtare të SHBA-së. Për dikë që pretendon zhbërjen e Republikës, natyrisht se përkrahësit më të mëdhenj të saj janë armiq.

Është i parealizueshëm në paqe, sepse kushdo që kërkon zhbërje të Republikës e bashkim me një vend tjetër, nuk mund ta bëjë nëpërmjet mënyrës institucionale këtë. Pra, për shkak të natyrës formuese të Kosovës, bashkimi me një shtet tjetër është i ndaluar me Kushtetutë; dhe se secili ndryshim i kësaj ndalese kërkon aprovim të grupeve të tjera etnike në Kosovë – aprovim që natyrisht s’ka për të ardhur asnjëherë. Të vetëdijshëm për këtë, promovuesit e platformës kundërrepublikanë, nuk kanë synim transformimin paqësor të zhbërjes së Republikës – sepse nuk e arrijnë dot – por shpresojnë në një transformim radikal e revolucionar, ku populli në rrugë prish gjithçka të nisur deri më tani, për të krijuar një, siç i thanë ata “Republikë të tretë”, që ikën pra nga parimet e kufizimet e tanishme kushtetuese.

Nëse ky është qëllimi i tyre, atëherë palët dhe dashamirët e Republikës – këtë që kanë pra – nuk kanë vend për ulje e kompromis. Kanë vend për nënshtrim ndaj kërkesave të tyre; ose për ballafaqim. Natyrisht se e shoh absurde marrjen tani me zhbërje të kësaj Republike e nise një të re. Jo sepse është e pamundur, e palejueshme nga secili, porse është edhe e panevojshme dhe e rrezikshme për çfarë kemi arritur deri më tani. Nuk ka Republikë të parë, të dytë e të tretë të Kosovës, ka veç një Republikë; ajo është Republika e Kosovës. Këtë Republikë duhet mbrojtur edhe nga këta promovues të zhbërjes së saj, por edhe nga kapësit, hajnat e zaptuesit që kanë ngufatur atë për tetë vjet rresht.

-4-

E kapësit e ngufatësit prodhuan edhe më shumë skandal. Qytetarët që ishin mbledhur dhe shpërndarë të qetë i quajtën “qyqarë që ikin me bisht nën shalë”. Kështu, pretendenti për pozitën unifikuese të vendit, për president pra, bëhet arroganti më i madh i këtij vendi. Sipas tij dhe mendësisë së tij, protestuesit do të ishin “trima” sikur do të kishin zemër e t’i vërsuleshin objektit të Qeverisë; ani pse, sipas tij, aty i priste një përgjigje meritore.

Një deklaratë e tillë skandaloze është tipike jo për një burrështetas serioz e që i afron qytetarët e tij, por të një kapadaiu që kërkon vrasje të brendshme në shtetin e vet. Si e tillë ajo largon edhe më shumë mundësinë për gjetje zgjidhjeje në mes palëve tani. Si duket, në fund të ditës, shumë palë këndej nuk duan zgjidhje. Shumë palë këndej, siç dhe shihej nga dëshpërimi i pretendentit për president, kur kuptoj paqen në protestë, kërkojnë përplasje. Sepse në përplasje ata rrisin pazarin e vet. Jo përballë kosovarëve, por përballë ndërkombëtarëve dhe hetimeve speciale që u bëhen atyre.

Dhe pikërisht ky grup i njerëzve, i kapësve e kërkuesve të dhunës, bën edhe grupin më të rrezikshëm të Republikës. Përderisa promovuesit e zhbërjes së Republikës, ata që ofendojnë shtetësinë e simbolet tona, janë të rrezikshëm potencialisht nesër, këta kapësit e tanishëm janë rrezikues permanentë të Republikës sot.

Është mu për shkak të tyre se konsolidimi i Kosovës ka ngecur pas shpalljes së Pavarësisë. Një klasë politike e korruptuar, e paditur dhe kapëse, nuk mund të prodhojë alternativë bindëse për përcaktuesit e fateve në rajon. Në rastin më të mirë, ata mund të shërbejnë si pazarxhinj fatesh të tyre. Do të japin gjithçka nga vendi për të ruajtur privilegjet që kanë.

Rrjedhimisht, nga një nismë e mirë pas Pavarësisë, procesi ynë shtetformues është shndërruar në pazar tavoline me Serbinë. Nga një fitore e jashtëzakonshme e njohjeve të mëdha e nga një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ecja shtetndërtuese e Kosovës është bërë temë periferike e fusnotave, barrikadave në Veri, kompromiseve për hir të Serbisë e refuzimeve në UNESCO e gjetiu. E gjithë kjo është mu për shkak të klasës kapëse politike që Kosova ka. Kjo klasë pra e ngufat konsolidimin e Republikës sonë.

Dhe është mu për shkak të tyre pse Kosova nuk ka as mirëqenie ekonomike e integrim evropian. Këta nuk kanë për ta dërguar Kosovën asnjëherë përpara. Nuk ka mirëqenie ekonomike, sepse për një gjë të tillë na duhet rend dhe ligj fillimisht. E ndërtimi i rendit e ligjit s’bëhet nga këta, sepse po u bë, të parët e trajtuar nga rendi e ligji do të jenë mu këta. Pra, kërkimi i rendit e ligjit nga kapësit është njëlloj si kërkimi i ndërtimit të një burgu nga zullumqarët. E përderisa këta s’kanë për të ndërtuar asnjëherë rend e ligj, as procesi integrues evropian s’ka për të ecur mirë kurrë. Prandaj sot Kosova është gjysmake në integrimin e saj dhe sukses potencial më të madhin të saj do ta konsiderojë lëvizjen e lirë – të fundit në rajon. Prandaj dhe Kosova sot është shumë larg fqinjëve në rajon – është larg edhe prej Malit të Zi të vogël që sapo ka marrë ftesë anëtarësimi në NATO. E ne as ushtrinë tonë gati për ta bërë s’e kemi.

-5-

Pra, Republika sot rrezikohet nga të dyja palët; rrezikohet edhe prej atyre që kapin, vjedhin e krijojnë ndarje etnike, por edhe prej atyre që serbizojnë Ditën e Pavarësisë, që ofendojnë identitetin e shtetit e që promovojnë zhbërjen e saj nesër. Dhe kosovarët nuk kanë pse të zgjedhin alternativën më pak të keqe. Janë të dyja të këqija; dhe dy të këqija nuk bëjnë një të mirë.

Dhe për këtë kosovarët të mos ndihen keq. Më llogari kemi të kërkojmë ndryshimin e ideve që na marrin në qafë, sesa ndryshimin e qafëmarrësve. Në fund të ditës, nëse të dy rezultatet janë theqafje, si qytetarë kurrfarë interesi nuk kemi të eksperimentojmë me vizionet e trishta të palëve në fjalë.

Palët normalisht do të duhej të reflektonin kaherë. Humbësit të ndryshonin platformën, programin e ekipet sa herë që qytetarët i kanë refuzuar ata; dhe këtë refuzim e kanë bërë shpeshherë. Fatkeqësisht, në vend të ndryshimit, ata ende na flasin për programe të njëjta, ide të njëjta dhe vizione të njëjta. E bëjnë këtë dhe na thonë se janë shkollë edukuese e emancipuese e kosovarëve. Ky stil absurd nuk ka vend në politikë. Në vendet demokratike, refuzimi i ofertës nuk përcillet me riciklim të saj, por me ndryshim radikal të zgjidhjeve e ideve – si refleksion i kërkesave pra. Fituesit, në anën tjetër, për aq sa u zgjat, mund dhe të mos kenë motiv për ndryshim. Ani pse të mbrapshtë ata vazhdojnë të ecin si të parët. Por mos të harrojmë, se kjo ecje e tyre është vetëm falë refuzimit të alternativës që qytetarët kosovarë kanë bërë vazhdimisht. Duke refuzuar alternativën, të njëjtit kanë mundësuar vazhdimin e kapjes.

Përfundimisht, refuzimi i të dyve nuk është neutralitet. Është zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë rreth. Duke refuzuar të dytë, ne krijojmë natyrshëm kërkesën për zë e alternativë të re. Të shëndoshë e të qëndrueshme. Qoftë nëpërmjet transformimeve të alternativave aktuale, qoftë nëpërmjet krijimit të tyre të ri.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...