Mbi botëkuptimet dhe keqkuptimet e një marrëveshjeje

9 Nëntor 2015 - 08:01 - Lumir Abdixhiku      

Një vështrim i dytë – dhe shtesë – mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit

-1-

Dyshoj shumë se dikush, për të mos thënë asnjëri, nga deputetët kundërshtues të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të ketë lexuar dokumentin gati gjashtëqind faqesh mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ç’është e vërteta, as votuesit pro nuk do ta kenë bërë një gjë të tillë.

Rrjedhimisht, as argumentet mbrojtëse, e edhe më pak ato kundërshtuese nuk është se bënin shumë rezon. Të parat jepeshin me domosdoshmëri mbështetjeje, të rrumbullakuara vetëm me një qëllim përfundimtar që mban diku fjalët “integrim evropian e euroatlantik”, të dytët ndërsa jepeshin me inercion dhe nevojë të domosdoshme kundërshtuese – për hidhërime partiake më shumë se sa rezonë ekonomikë e politikë. Së këndejmi, debati u vendos aty ku bëhet më lehtë në popullizmin e rrjeteve sociale. U argumentua e u kundërargumentua sërish pa përballje të fakteve e analizave ekonomike, siç do të duhej të bënte njëmend një shoqëri që ka thelb debati.

Në vazhdimësi të shkrimit të parë të publikuar në këtë kolumne një javë më parë, po provoj t’i rendis dhjetë pika – dhjetë observime – që mbështesin në parim MSA-në, por dhe që njëkohësisht theksojnë domosdoshmërinë e kujdesit edhe në trajtimin politik, por edhe në trajtimin ekonomik të procesit post-implementues. Sepse, nëse asgjë tjetër, kjo marrëveshje nuk shërben si një akti final, por shërben si një nisje e një procesi afatgjatë që definon dhe shtetësinë e Kosovës. Dhe mu mbi këtë fakt, kundërshtoj vendimin e opozitës kosovare që sërish të rreshtohet gabim në rrjedhat ndërkombëtare të Kosovës.

-2-

Së pari, tregtia e lirë me BE-në dhe anëtarësimi në BE janë të ndërlidhura – shkojnë bashkë. Nuk mund të kesh mbyllje tregtare me Evropën përderisa kërkon vend në Evropë. Prandaj, të gjithë ata që në njërën anë pretendojnë anëtarësim në BE, e në anën tjetër kundërshtojnë MSA-në mbi motivet e tregtisë së lirë me BE-në, nuk kanë ide se çfarë flasin.

Së dyti, politikisht, kishte me qenë një rast absurd pasja e tregtisë së lirë me Serbinë, Maqedoninë apo dhe Bosnjë e Hercegovinën (siç e kishim deri sot), e refuzimi i saj me vendet e BE-së. I pakuptimtë pra mbetet një orientim i tillë. Protekcionizmi në anën tjetër – ndaj të gjithëve – nuk është se do shumë logjikë për argumentim. Gjëja e fundit që ky vend meriton është mbyllja e rritja e çmimeve në pafundësi.

Së treti, pas MSA-së produktet dhe shërbimet nga BE-ja do të bëhen më të lira – sepse nuk do të paguhet doganë mbi to. Ky akt, nëse asgjë tjetër, i bën produktet evropiane më konkurruese se ato serbe e maqedonase. MSA-ja godet në radhë të parë importet nga këto dy vende. Për më tepër, kosovarët do të mund të marrin produkte shumë më kualitative – me çmime më të lira – se sa ato që i konsumonin tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Në këtë vijë, e gjithë frika mbi cilësinë e produkteve që vijnë nga fabrika e linja inferiore prodhimi mund të bien, së paku secili ka zgjedhje të lirë.

Së katërti, zbatimi i MSA-së nënkupton dhe të hyra më të pakta doganore. Por kjo nuk do të thotë humbje financiare për kosovarët. Në fund të fundit, doganën mbi produktet evropiane e paguajnë vetë kosovarët. Sot, në vend se këto para të përfundojnë në buxhet, mbesin në xhep të kosovarëve. Thënë të drejtën, dhe në një pikë argumentimi, me nivelin e tanishëm korruptues të menaxhimit të parasë publike, nuk është se bëhet ku me ditë çfarë humbjeje. Përveç kësaj, rritja e të hyrave doganore në kurriz të çmimeve më të larta është logjikë e mbrapshtë. Në këtë logjikë, duke na rritur të gjithëve çmimet, buxheti mund edhe të pesëfishohet – natyrisht të gjithë të vdekur nga uria. Fillimisht, Kosova duhet të rrisë të hyrat e brendshme e jo të mbështetet në ato të jashtme, dhe mbi të gjitha, Kosova duhet të bëjë këtë rritje jo nëpërmjet rritjes së taksave për gjithsecilin, por nëpërmjet rritjes së bazës tatimore – pra vlerës së krijuar këndej.

Së pesti, MSA-ja do të rëndojë konkurrencën për prodhuesit e krijuesit vendës. Për këtë Kosova duhet të krijojë politika ekonomike që rrisin prodhimin vendës, në të kundërtën siç është dëshmuar deri më tani, pa një ekonomi krijuese, pa një bilanc të përmirësuar tregtar, rimëkëmbja ekonomike është e pamundur. MSA-ja pra vetëm si akt përfundimtar e jo proces, është e pakuptimtë. Këto politika vendëse natyrisht se nuk ndërtohen duke shpenzuar para në autoudhë super të shtrenjta, e as duke rritur pagat për sektorin publik.

Së gjashti, në ndihmë të këtyre politikave shërbejnë disa masa të parapara me vetë marrëveshjen – që duket se është lexuar pak nga shumë kundërshtues të saj. Së pari, implementimi i MSA-së është gradual; pra heqja e doganës për shumë produkte bëhet nëpër vite – jo menjëherë. Kjo jep kohë. Së dyti, janë plot produkte kosovare që mbesin të mbrojtura nga importet e parapara edhe pas marrëveshjes. Përfundimisht, BE-ja ndan plot 650 milionë euro ndihmë për bizneset kosovare. Pra secila humbje eventuale mund të kompensohet njëtrajtësisht, po ditëm. Tjetër çka se a do të dimë a jo të bëjmë një gjë të tillë.

Së shtati, shkon pa u thënë, se MSA-ja hap një treg të ri për ndërmarrjet eksportuese kosovare, pa doganë në gjithë Evropën. Ndonëse një treg i tillë ka qenë i hapur dhe më parë – me masa preferenciale vjetore – nënshkrimi e sigurimi afatgjatë i së drejtës mbi eksport të lirë jep siguri për shumë investime. Sërish, tjetër çka se a dimë apo jo t’i sjellim e ndërtojmë këto investime.

Së teti, pika më e dobët e marrëveshjes mbetet trajtimi i BE-së pa paragjykim ndaj statusit – as njohje e as mosnjohje. Ky fakt fatkeq ka kohë që nuk bën më risi, por megjithatë mbetet jashtë kontrollit tonë. Janë pesë shtete që nuk na njohin. Dhe përderisa ka vetëm një shtet në BE që nuk njeh Kosovën, BE-ja do ta ketë të pamundur trajtimin e Kosovës si shtet.

Së nënti, alternativa e mosnënshkrimit të MSA-së, se pse BE-ja nuk na gjykon statusin tonë, ka qenë refuzimi i secilës marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Refuzimi dhe pritja derisa Spanja – për shembull – të zgjidhë problemin në Katalonjë, nëse e zgjidh ndonjëherë gjithsesi, kishte me qenë shumë i kushtueshëm dhe i pakuptueshëm. Pritje e pafundme.

Së dhjeti, MSA-ja natyrisht nuk na bën më pak neve shtet, përkundrazi, shfrytëzimi i mirë i saj veçse na forcon. Shtet mbesim pranoi apo nuk pranoi Spanja me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë e Qipron. Shtet mbesim sepse e kemi shpallur veten si të tillë dhe sepse shumë vende më të rëndësishme na njohin si të tillë. MSA-ja është një mekanizëm që na afron me BE-në, dhe për secilin pretendues që pranon BE-në si shtëpinë tonë përfundimtare është e paalternativë.

-3-

Për fund, ka dhe një ndërlidhje të MSA-së me respektimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në shumë nuanca kjo ndërlidhshmëri për secilin kundërshtues të marrëveshjeve mund të shpërfaqë një lajm jo të mirë. Por, në një dozë të lehtë optimizmi, duhet thënë se marrëveshja nuk nënkupton me automatizëm shkëputjen e relacioneve BE-Kosovë po nuk u respektuan marrëveshjet Kosovë-Serbi. Ajo lë mundësinë e shkëputjes, por dhe lë mundësinë e moshkëputjes. Në të vërtetë, ky relacion mund të marrë forma të ndryshme në të ardhmen, varësisht prej zhvillimeve politike në Kosovë e rajon. Por refuzimi i marrëveshjes nga frika se refuzohet – sërish më mbetet i pakuptimtë. Ti kërkon një anulim, për shkak se ke frikë nga anulimi.

Për Kosovën – dhe rajonin njëkohësisht – duhet bërë e qartë se me të gjitha zhvillimet politike e ekonomike në BE, anëtarësimi është një ëndërr e largët. Jo vetëm se ky vend yni është larg, por sepse dyert evropiane për zgjerim janë mbyllur kaherë. Në BE nuk flitet për zgjerim, flitet për mbijetesë të unionit, mbi mundjen e euroskepticizmit e mbi amortizimin e lëvizjeve ekstreme, herë të krahut të majtë e herë të atij të djathtë. Në rrethana si këto ecja jonë evropiane është e largët. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ndërtojmë institucione demokratike, ekonomi të qëndrueshme apo dhe shoqëri të hapur. Përkundrazi. Këtë hapësirë të mbylljes së dyerve për zgjerim ne duhet shfrytëzuar për të kapur trenin e ikur kaherë të vendeve në rajon, të cilat po ashtu mbesin në qorrsokakët e premtimeve evropiane. Deri në bërjen njëmend të shtetit - secilën pengesë burokratike, të cilën nuk e kontrollojmë dot, duhet kaluar. Çfarë s’duhet kaluar assesi është ndërtimi ynë i brendshëm shkel e shko. I njëjti mbetet armiku më i madh i shtetësisë sonë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...