16 Qershor 2014 - 08:55 - Lumir Abdixhiku
Zgjedhjet
Do të ketë qenë hera e parë që kosovarët dolën në numër kaq të madh; plot 750 mijë u tha. Opozita, siç ndodh dhe rëndom, kur po kuptonte rezultatet e para zgjedhore, provonte ta shpërfaqte daljen si të ulët – por nuk ishte. Në të vërtetë, numri rekord prej 750 mijësh po u vu në relacion me votuesit nga regjistri civil – e që janë rreth 1.1 milionë banorë – del të jetë rreth 68%; një normë jashtëzakonisht e lartë për secilin vend demokratik. Tjetër çka që listat tona zgjedhore përmbajnë rreth gjysmë milioni votues nga diaspora – ndonëse u certifikuan vetëm tri mijë për votim; e përmban të vdekur, serbë të larguar nga Kosova dhe çka jo tjetër – për të dalë kështu në fund me një numër ridikuloz prej 1.7 milionë votuesish, në 1.7 milionë banorë.
Sido që të jetë, procesi qe i qetë, i pastër dhe pa ndonjë ekses – në përmasën sa që në Skenderaj, në paraqitjet televizive, militantët mburreshin se kishin votuar – besoni ose jo – vetëm një herë. Hallall! Raportimet për korrektësi nga partitë politike vetëm se po i jepnin vulë një procesi që dukej si nata me ditën po u krahasua jaka-jak me katër vjet më parë. Kishim ecur shumë në katër vjet sa i përket respektimit të vullnetit të tjetrit; kjo vetvetiu na tregon se në çfarë halli e derexheje kemi qenë katër vjet më parë dhe me çfarë kuti masim suksesin katër vjet më pas.
Pra, një dalje e madhe, një proces i mirë, një vlerësim korrekt – një numërim i qetë. Rezultatet domosdo do të duhej të jepnin verdiktin më të qartë të mundshëm dhe ashtu u bë.
Rezultatet
Verdikti mund të ishte befasues për shumëkënd – jo për shkak të renditjes, por për shkak të një ngecjeje enorme të opozitës për katër vjet rresht; kjo ishte e papritur, gjithsesi me shumë brumë për mendësinë dhe pritjet e votuesve. Në të vërtetë, votat e PDK-së dhe të NISMA-s, që deri dje ishin në pushtet – në bashkësi – kishin shënuar rritje; ato të LDK-së, VV-së e AAK-së që deri dje ishin në opozitë – në bashkësi – kishin shënuar ngecje. Katër vjet opozitëbërje për hiçgjë?!
Pavarësisht ndarjes, konsumit e degradimit partiak, PDK-ja kishte arritur me shumë sukses të mbante përqindjen e njëjtë me të katër vjetëve të mëparshëm – merrte rreth 31% të votuesve. Në të vërtetë, një llogaritje e shkëlqyer matematikore e kryeministrit në ikje rreth koalicioneve kishte bërë amortizimin e – deri dje – bashkëpartiakëve, sot – kundërshtarëve – të grupuar rreth NISMA-s. Shto kësaj dhe një fushatë brilante përballë një pasiviteti enorm opozitar rreth fushatëbërjes dhe ke një shpjegim të përafërt prapa këtij numri.
Në anën tjetër, LDK-ja me vetëm 179.000 votat e marra, jo më shumë se 7 mijë krahasuar me katër vjet më parë; dhe VV-ja me 94.000 vota, jo më shumë se 6 mijë krahasuar me katër vjet më parë, nuk arrinin të kapnin as normën natyrore të rritjes së popullsisë. Kujtoj se në krahasim me katër vjet më parë, sipas regjistrit të votuesve, në Kosovë ishin shtuar rreth 150.000 votues të rinj. Me 7, respektivisht 6 mijë vota shtesë, dy partitë kryesore opozitare, si LDK-ja e VV-ja, nuk kishin arritur të mbanin veten në stade konstante me rritjen e popullsisë; pra në terma relativë të dyja as që kishin rritje. Për të komplikuar rezultatin opozitar dhe më shumë, deri dje gjysmë pozitë gjysmë opozitë, partia e AAK-së kishte rënë nga 11% në 9.6%. Natyrisht se lajmi më i mirë i këtyre zgjedhjeve ishte pensionimi nga politika i hajgare-partisë së AKR-së, britmat, talljet e idetë banale të së cilës nuk ndezën për të mirë.
Në proporcione të tilla zgjedhore, gjithçka dukej e qartë; PDK-ja si fituese do t’ia bënte një ofertë të këndshme AAK-së, e cila nga presioni i rënies do të merrte çfarëdo që i jepej me dy duar. LDK-ja do të futej në rrugë të paqartë pas humbjes së dytë radhazi në zgjedhje nacionale, e VV-ja do të mbyllej diku për reflektim – enorm madje. Por nuk ndodhi kështu.
Shah-mat
Në një shkrim me argumente boll, Veton Surroi mëngjesin e parë të paszgjedhjeve po i sugjeronte opozitës bashkim. Ishte hera e parë – kam përshtypjen – që dikush në Kosovë filloi të mendojë një ide kaq të pamundur në dukje, por kaq logjike në rrjedhje. Logjika unifikuese prapa shkrimit të tij ishte e thjeshtë; votuesi kishte zgjedhur opozitën, porse, dallimet e mëdha opozitare kishin bërë që kjo votë e pakënaqësisë të ndahej në katër taborë opozitarë. Rrjedhimisht, pavarësisht ndarjeve e çarjeve partiake, partitë mund të jetësonin zërin antipushtet të qytetarëve nëse bashkoheshin.
Dhe kush do ta mendonte bashkimin për një ditë?! Në diçka që filloi si takim i rastit, përfundoi shpejt – shumë shpejt madje – në marrëveshje opozitare. Pra, në një lëvizje të shpejtë, të papritur, e gjithsesi të urtë (dhe të mençur) ata ia dhanë së bashku një shah-mat kryeministrit në momentin kur ai e priste atë më së paku! Për hakmarrje individuale ose jo, për interes nacional ose jo, për pazare të pozitës ose jo, kishte pak rëndësi; në fund u krijua një output i ri që largonte nga skena idenë e vazhdimit të zaptimit.
Të zënë ngushtë, sikurse inatçinjtë që thyejnë e përplasin figurat e shahut pas humbjes, partia fituese (e zgjedhjeve jo dhe shumicës parlamentare) provoi të lëshonte një ide – të re – se marrëveshjet e koalicioneve paszgjedhore nuk ishin kushtetuese; pa e kuptuar të shkretët e të mjerët se në dy mandatet e shkuara ata vetë kishin mandatuar kryeministrin me koalicione paszgjedhore e jo parazgjedhore. Të njëjtit pra filluan referimin në nenin 95 të Kushtetutës. E neni 95, pika 1, thoshte: “Pas zgjedhjeve presidenti i Republikës së Kosovës ia propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.” Askund, asnjë fjalë, para ose paszgjedhore.
Pra, mjafton të dish shkrim-lexim në gjuhën shqipe – dhe jo shumë madje – për të kuptuar se partia ose koalicioni “që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë” është e mandatuar për të dhënë emrin e kandidatit për kryeministër. Pyetja që duhet bërë pra është se a i ka partia fituese (e zgjedhjeve) shumicën e nevojshme “në Kuvend për të formuar Qeverinë”?
Për më tepër, neni 84, i cili përcakton kompetencat e presidentes, e qartëson mjaftueshëm çështjen e shumicës. Pika 14 e këtij neni thotë se: “(presidentja) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”; më qartë se kaq nuk ka si të shkojë. Pra, bëhet fjalë për koalicionin që përbën “shumicën e Kuvendit”; jo për partinë që fiton zgjedhjet, jo për të parin – domosdo të zgjedhjeve – por për “shumicën e Kuvendit”.
Status quo
Partia fituese e pa shumicë parlamentare nuk do të bëhej e para që del në opozitë – përkundër pra fitores. Raste të tilla ka gjithandej nëpër botë. Në fund të fundit, logjika se vetëm partia fituese mund të nxjerrë një vendim parlamentar – siç është ai i formimit të Qeverisë – do të nënkuptonte se Parlamenti nuk mund të nxjerrë asnjëherë vendime pa pëlqimin e partisë fituese. Absurde!
A është marrëveshja opozitare moralisht në rregull? Kjo mund të jetë çështje tjetër – por as Kushtetuta e as ligjshmëria nuk bëjnë përcaktime morale, bëjnë përcaktime të rregullave; pra të gjërave siç janë dhe siç do të duhej të rregulloheshin.
Është shumë e qartë se intenca e partisë fituese pa shumicë parlamentare është tendenca për rikuperim – dhe me ngurtësimin e situatës potencialisht nxjerrja e një kompromisi të mesëm ose shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Sepse, pavarësisht se si do ta interpretojë Kushtetuesja marrëveshjen opozitare nga tash e tutje, një gjë mbetet e sigurt. Nëse opozita qëndron e bashkuar dhe e palëkundur deri në fund, Hashim Thaçi dhe PDK-ja nuk kanë asnjë gjasë të bëjnë Qeverinë, sepse nuk i kanë numrat dhe s'mund t'i kenë. Edhe sikur interpretimi kushtetues të ishte në anën e PDK-së, e që nuk është, e tëra çfarë mund të arrihet në këtë fazë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
Qeveria e kompotit
Nuk ka asnjë dyshim se bashkimi opozitar derivoi nga një panik dhe nga një humbje enorme e opozitës. Kur humbën opozitarët, hoqën dorëzat e ringut dhe ranë të gjithë në përqafim të njëri-tjetrit. Sepse në përqafim të njëri-tjetrit secili lider opozitar arsyetonte humbjen e tyre dhe të partisë së tyre. Nuk ka gjendje më të rëndë për LDK-në sesa humbja për plot 5 pikë përqindje nga PDK-ja; nuk ka gjendje më të rëndë për VV-në sesa ngecja në numra të njëjtë pas katër vjetësh opozitëbërje; dhe nuk ka gjendje më të rëndë për AAK-në sesa rënia e vazhdueshme nacionale-komunë-nacionale. Prandaj të gjithë – nga paniku e dëshpërimi – u bënë bashkë; prodhuan një ide për qeveri kompoti e mishmashi. Natyrisht se prapa një ideje të tillë qëndron motivi i parandalimit të qeverisjes së deritanishme, e cila u tregua të jetë regresive, shpërdoruese dhe zaptuese e gjithçkaje në Kosovë.
Nuk ka asnjë dyshim se qeveria e kompotit – emergjencës apo shpresës, siç e quajnë ata – është shumë e shëndoshë dhe shumë më e duhur sesa qeveria e sjellje-pështjelljes dhe e vazhdimit të avazit të vjetër. Pra në çdo rrethanë – siç edhe e kanë konsideruar shumica e votuesve preferencialë ndaj opozitës – ka një gjendje ekuilibri më të mirë sesa gjendja e mëparshme (e vazhdimit të avazit të vjetër pra), por që kjo gjendje e re ekuilibri është sërish jo e mirë dhe jo e kënaqshme po u mor si e vetme. Sepse përveç që është mishmashe, pa kredibilitet dhe në fund humbëse, është e paqëndrueshme, e papërgjegjshme dhe afatshkurtër – pra nuk është një zgjidhje afatgjate.
Kriza opozitare
Pavarësisht se si do të përfundojë saga e zgjedhjeve, rizgjedhjeve dhe e kushtetutshmërisë, një gjë mbetet e sigurt; opozita duhet të superreflektojë në vetvete. Zgjidhja afatshkurtër që do të propozohet, nëpërmjet një qeverie kompoti, do të parandalojë për pak regresin e Kosovës, por nuk do të japë progres – e ka të pamundur për shkak të mënyrës joparimore që ndërtohet.
Pra opozita dhe partitë opozitare – bashkë me liderët e tyre – duhet të kuptojnë qartë se ecja e deritanishme e tyre dhe mënyra e të bërit opozitë është e paqëndrueshme dhe jo fituese gjithsesi. Sepse me avazin e tanishëm të ngecjes ose progresivitetit të lehtë të tyre, partia fituese e zgjedhjeve (e pa shumicë parlamentare) do të mund të qëndrojë e para për shumë vjet. Sepse pa reflektim rrënjësor në përbërjen partiake të disave dhe ideologjinë e të tjerëve, ky vend do të mbetet me votë të shpërndarë opozitare dhe pa alternativë të mirë.
Në të vërtetë, me stilin dhe politikëbërjen e tanishme ne do të mbesim në vazhdimësi duke kërkuar zgjidhje më pak të këqija nga një grumbull i të këqijave; asnjëherë zgjidhje të kënaqshme e të mençur, siç dhe do të duhej të ishte.
[email protected]
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...