E kujt është Republika?

23 Shkurt 2015 - 08:21 - Lumir Abdixhiku      

Republika nuk është parti e pushtet ndaj të cilëve duhet të mbajmë inat; e nuk mbetet as shtet po nuk u mbrojt prej – fillimisht – të tanëve, e më pas dhe të huajve. Republika, miq e armiq të saj, na mbetet megjithatë atdhe. Ky atdhe, për fatin tonë të keq, merr sot mbi shpinë gjithë ligësinë, mjerimin, zaptimin, dhunimin, këmbjen e nëpërkëmbjen, ditë e natë nga lakmitarë e të pangopur, mosmirënjohës të hurit e të konopit, shërbëtorë të dreqit e të birit, e nga kush jo tjetër – të tillë, të njëjtë, gjithkah e gjithandej

-1-

Do të ketë qenë dita më e zymtë festive – nga të shtatat – kjo e fundit për Pavarësinë. Alamet ngjarje për mosvet ndjesi; hiç e habitshme ç’është e vërteta. E pritshme. Dy mandate të uzurpimit e zaptimit e kanë bërë të veten tashmë; i treti – me të njëjtët – veçse ka shtyrë një shtet në gjysmëgjunjëzim të gjunjëzohet plotësisht. Dhe ka një ftohtësi që përcjell pushteti sot sa herë që provon të komunikojë me kosovarët – provon sepse komunikim nuk bën dot; herë duke treguar neglizhencë, e herë duke humbur rezon në konkluzione mosvet. Relacion më steril nuk mbaj mend të kem parë kaherë. Dhe në këtë mungesë energjie lind dhe diferenca mes qytetarit dhe shtetit; ajo po ushqehet pra.

Ç’është e vërteta, kosovarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem diferencimin me shtetin; e kanë bërë lehtë, sepse shteti, për fatin e tyre të keq, nuk ka qenë i tyri asnjëherë. E kur u bë – me shpallje pra – ai u kap. Kapja e largoi sërish shtetin prej qytetarëve, e bashkëdyzoi atë, fatkeqësisht, me pushtet. Rrjedhimisht, në shtatë vjet shtetësi u bë më së paku për shtet, e gjitha për pushtet.

Për të bërë bilanc nuk kam ndërmend. Por sikur të provoja nuk do të duhej dhe shumë. Të gjithë argumentuesit militantë, qatipë qeveritarë, të cilësdo palë, le t’i shfletojnë netët e fundit të ikjeve për të parë mjerimin që mendja dhe insistimi i tyre kanë sjellë tash e shtatë vjet. Të gjitha thirrjet për ekonomi në vend të kontabilitetit; për republikanizëm në vend të etnicizmit; për shoqëri në vend të klanizimit – kanë shpërthyer tashmë. Dhe ky shpërthim ishte alamet i madh; i trishtë patjetër. Të shohësh kosovarët e vitit 2015 nëpër gjurmët e ikjes, poshtërimit e humbjes së dinjitetit – në gjunjë e në lutje e në përlotje – nuk është lehtë. Hiç ditën e Shpalljes së Pavarësisë, me çfarë do të mburremi për këto shtatë vjet?

-2-

Me rrugët miliardëshe – plot korrupsion – që nuk i hap kush sot? Me faljet allishverishe tek akrabatë gjysmëdiktatorialë të Turqisë? Me bilancin tregtar tre-katërqindmilionësh për në Serbi? Me mëditjet sa paga mesatare në vend? Me veturat e zeza, mbushjet e pafundme, darkat e drekat që s’ngopin barkun e të pangopurve dot? Me pjesëtim e shpjesëtim statistikor për ulje të papunësisë pa ulur fare vetë numrin e të papunëve – çfarë do të bëjnë me numra tash? Me planet bullgare prej “power-point”? Me universitetin që prodhon analfabetizëm modern? Me propagandën mediale që na shurdhon me kapës gjithandej – dhe na kushton madje?

Apo ndoshta duhet mburrur me skenën teatrale politike në vend; që në njërën anë na servon anonimë deri në presidencë, e në anën tjetër shthur secilin prag moraliteti në pakurrizorizëm; sa kalojnë këndej e sa andej. Ata që kanë pështyrë dje, puthin nesër. Çfarë papërgjegjësie e ndytë kjo.

Të provojmë mburrjen me të tjerët që na thirrin për Republikë, por s’respektojnë asnjë element të naltëruar të saj; as himn, as flamur, as Kushtetutë as hiçgjë – asgjë prej asgjëje që provojmë të ndërtojmë me zor tash e shtatë vjet. Janë të tonat për atë dreq; kur do ta përfundojnë këtë çmenduri fëmijërore; çfarë keni kështu? E kuptojnë, paradoksalisht, identitetin e shtetit tim të ri, si antidot herë-do-kurdo i një identiteti themeltar që ka prodhuar këtë shtetëzim – ndjenjën e të qenit shqiptar. Në thirrje për mosrespektim të Republikës, të njëjtët janë po aq antirepublikanë sa dhe ata më sipër. Bien nga provimi të gjithë kur flasim për Republikën sa herë që nuk ngrihen në këmbë për të. Pallavra fjalësh të tjerat më janë.

-3-

Republika nuk është parti e pushtet ndaj të cilëve duhet të mbajmë inat; e nuk mbetet as shtet po nuk u mbrojt prej – fillimisht – të tanëve, e më pas dhe të huajve. Republika, miq e armiq të saj, na mbetet megjithatë atdhe. Ky atdhe, për fatin tonë të keq, merr sot mbi shpinë gjithë ligësinë, mjerimin, zaptimin, dhunimin, këmbjen e nëpërkëmbjen, ditë e natë nga lakmitarë e të pangopur, mosmirënjohës të hurit e të konopit, shërbëtorë të dreqit e të birit e nga kush jo tjetër – të tillë, të njëjtë, gjithkah e gjithandej.

Republika sot është vetë dhe pa të zotë. I hipin në qafë gjithandej, zaptuesit të parët, mohuesit të dytët, copëtuesit veriorë të tretët; dhe ndonjë diplomat aty- këtu nga i katërti tek i katërqindti – rend e pandërprerë.

Prandaj dhe sot ndiejmë më së paku për Republikën; ajo s’është më e jona. Është e gjithkujt dhe e askujt; është e bastorexhinjve politikë që marrjen e primatit e shohin si tiketë fituese lotarie; po ua kapi – të lumtë, në përjetësi, ata; dhe është e një grumbulli shërbëtorësh trushpëlarë e truppalarë që u rrinë pranë. Sepse po ua kapi, do të rehatohen vetë, të tjerët afër tyre dhe në dreq të mallkuar me gjithkënd tjetër; derisa të vijë dikush tjetër për t’i hequr këta.

E nëse ka një mision idealizmi që duhet ndjekur sot, atëherë duhet nisur nga rikthimi i Republikës; duke bërë normalen e jo skajin, duke pranuar Republikën siç është; derisa të bëhet ndryshe (nëse duhet bërë ndryshe gjithsesi).

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...