Shëndeti para rrugëve

28 Mars 2016 - 08:23 - Lumir Abdixhiku      

Vetëm 20 kilometra autostradë më pak, me kosto 12 milionë euro për kilometër, do të mjaftonin për të nisur mbarë e vënë në binar përkujdesjen shëndetësore në vend

-1-

Javë më parë kisha shkruar për “Shërimin e shëndetësisë”, në përpjekje për të trajtuar një nga problemet më thelbësore të shoqërisë kosovare tash e shtatëmbëdhjetë vjet. Thelbësore jo vetëm për shkak të natyrës së saj – e që në thelb përbën më të rëndësishmen e secilit qytetar këndej; por edhe për shkak të derexhesë në të cilën ky sektor është lënë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Këtë javë shëndetësia u kthye sërish si problem. U kthye si problem i ikjes së kosovarëve – këtë herë rastisi të jetë familjar i kryeministrit – për në vendet perëndimore në kërkim të shërimit që nuk e gjen këndej.

Ikja për qëllime shëndetësore, ç’është e vërteta, nuk është fare risi këndej. Sipas një studimi e ankete të publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur vitin që shkoi, rreth 13% e kosovarëve që lëshuan vendin në dy valët e shkuara e bënin atë për qëllime shëndetësore; pra për kërkim trajtim të shërimit jashtë. Përkthyer pra në numra, përafërsisht 13 deri në 15 mijë kosovarë kanë lëshuar Kosovën përgjatë dy vjetëve të shkuar në kërkim të përkujdesjes shëndetësore më të mirë jashtë.

Përveç ikjes, sipas vlerësimeve të ndryshme në vend, nga 70 deri në 100 milionë euro, çdo vit, kosovarët i dërgojnë në spitalet rajonale – përkatësisht në ato të Shkupit, Beogradit e Stambollit. Trajtimet e kërkuara nisin nga më të thjeshtat – pra kontrollet rutinore – deri tek intervenimet e përkujdesjet më të shtrenjta.

-2-

Ikja e kërkimi për përkujdes jashtë pra nuk bën një risi në vend. Sepse, secili që ka pasur një përvojë minimale me përkujdes shëndetësor në vend, krahasuar hiç më larg se me rajon, ka vërejtur një diskrepancë të theksuar trajtuese. Kjo diskrepancë është shtrirë edhe në sjellje të kujdestarëve, por edhe në kushtet e trajtimit.

Natyrisht, se si me çdo disiplinë tjetër, edhe në shëndetësi, ngecjet e vendit tonë janë evidente. Pra, të njëjtat ngecje i kemi edhe në ekonomi, edhe në biznes, edhe në edukim, edhe në teknologji, edhe në medie – rrjedhimisht edhe në shëndetësi. Diferenca është, megjithatë, se po pate një defekt në, le të themi, infrastrukturë, dëmi mbetet më pak i rëndësishëm. Po pate një defekt në shëndetësi, dëmi është njerëzor.

Pra për dallim nga vendet e tjera, tek ne, shëndetësisë i është dhënë shumë më pak rëndësi. Sektori publik është trajtuar si i parëndësishëm – deri vonë madje ministrat u jepeshin partnerëve më të vegjël të koalicionit; ndërsa sektori privat nuk ka shpërthyer asnjëherë. Si kthim, kosovarët në hall, janë detyruar të trajtohen në kushtet më të rënda të mundshme; aspak të denja për përmbushjen e të drejtave minimale humane. Çfarë mund të pritet kur në shumë qendra trajtuese as penj e shiringa nuk kishte?

Por pavarësisht problemeve të shumta, zgjidhjen e shoh në trajtimin e sektorit në rindërtimin dhe funksionimin e tij sipas modelit biznesor. Jo si model korporativ e privatizues – siç e trajtojnë shpesh analfabetët e fushës që janë të zëshëm për protesta koti sindikaliste por kurrë për ngritje të kualitetit e punës aty – por si model funksionimi organizativ e kompensues biznesor. Në fund të ditës, modele të tilla funksionimi janë implementuar gjithandej në botën perëndimore. Në vijim do të provoj të shpjegoj konform hapësirës së një kolumne principet e tij.

-3-

Nën trajtimin e modelit biznesor, shpërfaqen dy probleme me sektorin në fjalë. I pari, dhe më i rëndësishmi mbetet financimi. Pra, për të rindërtuar e mbajtur mirë përkujdesjen shëndetësore, duhen mjete të vazhdueshme e të qëndrueshme që e sigurojnë këtë. Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e rralla në botë që nuk ka një sistem të kontributeve shëndetësore. Të punësuarit e vetëpunësuarit nuk kontribuojnë pra siç kontribuojnë – le të themi – në sistem pensional. Dhe, pa themelimin e një fondi të tillë shëndetësor, ky sektor do të shpenzojë para nga buxheti e kurrë s’do të jetë në gjendje të përmirësojë – së paku jo për këtë gjeneratë – as kushtet fizike e as sjelljet humane të aktorëve në fjalë.

Për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore vlerësimet e para kërkonin një kontribut fillestar nga 250 deri në 300 milionë. Kaq do të duhej pra që të niste mbledhja e fondeve nga kontribuuesit më pas. Mbledhja nënkupton inicim fillestar – një lloj kapitali themeltar – nga qeveria. Pas themelimit, do të nisej mbledhja e kontributeve mujore, të rregullta pra, nga 3 deri në 5% të të ardhurave të kosovarëve.

Arsyetimet e deritanishme, paradoksalisht, theksonin mungesën e mjeteve për këtë kapital fillestar. Them paradoksalisht sepse Kosova dhe qeveritë e saj – të gjitha njëra pas tjetrës – kanë qenë të gatshëm të gjejnë mjete për trajtim të secilës fushë tjetër, por asnjëherë të shëndetësisë. Për ta marrë një shembull të thjeshtë, nga buxheti i vendit çdo vit ndahen 70 milionë euro për shëndetësi, por plot 210 milionë euro për rrugë. Pra, shteti ynë ka vendosur të bëjë rrugë super të mira për vetura e spitale, mos vet, për vete. E vetëm 20 kilometra autostradë më pak, me kosto 12 milionë euro për kilometër, do të mjaftonin për të nisur mbarë e vënë në binar përkujdesjen shëndetësore në vend.

Mjetet fillestare kanë mundur të gjenden lirisht edhe me kursime të tjera. Për shembull, në vend të ngritjes së pagave, që ishin bërë 70 milionë në vitin 2014, do të mund të ofrohej përkujdesja shëndetësore. Për vetëm tre vjet shtyrje do të mblidheshin fondet. Në xhepin e kosovarëve do të ishte njëjtë si ofrimi i parave të gatshme, si ofrimi i një mbështetjeje esenciale.

Kursime të tjera mund të bëheshin gjithandej. Tek financimi i televizionit publik, që na merr nga 10 milionë euro secilin vit, e tash madje kërkon ta rrisë atë deri në 20 milionë kontribut në vit. Nga sistemi i ambasadave, strehuese të familjarëve e akrabave – me nga 15-20 milionë kosto vjetore. Nga shkurtimi i mëditjeve, prej 200 eurove për një shëtitje turistike-diplomatike në Shqipëri. Nga ndalimi i drekave, darkave, xhipave e “iphonëve” më të rinj; nga shkurtimet ministrore të Qeverisë më të madhe në rajon, me përplot zëvendësministra, këshilltarë, shoferë e asistentë badihavxhinjë.

Po dhe mos të dilnin asnjëra, Kosova ka plot 600 milionë euro para të privatizimit. Ku ka më mirë se përdorimi i tyre për shëndet të kosovarëve. E nëse dhe ato do të ishin të pamundura për zhbllokim, pse të mos merrej një kredi. Ne kemi marrë borxh për gjëra koti; pse nuk e kemi bërë një gjë të tillë për më të çmueshmen tonë – vetë jetën?

-4-

Financimi është një problem. Problemi i dytë, më vështirë i zgjidhshëm, mbetet ndërlidhja e ofruesve të shërbimeve shëndetësore me fondin e sigurimeve shëndetësore. Sepse ofrues, kur diçka mbulohet falas (pas kontribuimeve natyrisht) mund të jetë edhe një operator publik, por edhe një operator privat. Kjo ndërlidhje është e vështirë, por, siç dëshmon përkujdesja falas britanike e ajo amerikane, nuk është e pamundur.

Për ta thjeshtëzuar konceptin; në momentin e parë që ne ndërtojmë një fond shëndetësor, dhe në momentin e parë që ky fond përcakton kostot e shërbimeve dhe mbulueshmërinë e tyre, do të krijohet një hapësirë e re për futjen e konkurrencës në mes të ofruesve të shërbyesve; në mes të atyre privatë dhe publikë; dhe me këtë edhe krijohet një treg i ri i rregulluar. Vetë përcaktimi i çmimeve nënkupton pra rregullim.

Natyrisht konkurrenca do të jetë më e theksuar në përkujdesjet më pak të komplikuara, por, mbi të gjitha, do të nxiste investime enorme në sektorin privat shëndetësor si konkurrues i atij publik. Dhe nëse përkujdesja për një trajtim është e mbuluar, falas pra nga fondi i sigurimeve, për kosovarin mbetet e parëndësishme se ku do ta pranojë atë përkujdes, në spital publik apo privat. Ta zgjedhë atë vetë ai. Të shkojë pra ku trajtohet më mirë.

E shkuarja ku trajtohet më mirë, pra futja e konkurrencës për shërbime falas, pra, do të vinte në presion edhe ofruesit publikë për ndryshim të qasjes. Sepse, në fund të ditës, të ardhurat e tyre do të vareshin ekskluzivisht nga performanca e tyre. Le të sillen më pas si të duan me trajtuesit që u vinë.

Për të bërë një gjë të tillë të mundshme do të duhej një riorganizim i qendrave ofruese të trajtimit publik. Pra, do të duhej zbërthimi i një trupi të madh në copëza të vogla, të vetëmenaxhueshme e prej aty edhe të vetëqëndrueshme. Në krye të secilit trup do të kishte drejtues jo domosdo profesionistë, por menaxherë të zotë që dinë si të udhëhiqet një qendër e si trajtohet një pacient – në këtë rast një klient. Mbi të gjitha, do të duhej një reformë në staf profesionist dhe administrativ për t’i bërë këto qendra rrjedhimisht moderne dhe të qëndrueshme.

Rruga e përkujdesjes shëndetësore nuk është fare e lehtë. Është, përkundrazi, jashtëzakonisht e vështirë. Por nuk është e pamundur. Modelet e suksesit janë gjithandej në botë. Princip kryesor në riorganizimin tonë duhet të jetë sigurimi i financimit (e një gjë e tillë bëhet vetëm nëpërmjet themelimit të fondit shëndetësor) dhe mbulueshmëria e pjesës më të madhe të shërbimeve – për të gjithë. Fondi natyrisht se vetvetiu nuk do t’i mbulojë të gjitha problemet. Sepse përveç parave do të duhet më shumë resurse humane, më shumë teknologji, më shumë objekte. Të gjitha do të mbesin probleme evidente. Fondi dhe riorganizimi ama do të nisin zgjidhjen e problemit të shëndetësisë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...