Mësime nga projektet kapitale në Kosovë

18 Prill 2016 - 08:29 - Lumir Abdixhiku      

Mbi jotransparencën, kostot e transaksioneve, mungesën e studimeve, mosmonitorimin dhe papërgjegjësinë korporative

-1-

Ka mbi një vit që në kuadër të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) janë bërë analiza, studime e investigime të disa prej projekteve më me rëndësi në Kosovë. Në ciklin e parë të këtyre studimeve, pjesë e të cilave isha dhe unë, ishin vënë në pah katër projekte: ai i autostradës për Maqedoni dhe Shqipëri, koncesionimi i Aeroportit, privatizimi i KEDS-it, dhe tentimprivatizimi i dështuar, dy herë madje, i PTK-së.

Autorët e katër raporteve në fjalë kishin gjetur pesë faktorë të përbashkët të këtyre projekteve, faktorë që në rrethana normale do të duhej të shërbenin, nëse asgjë tjetër, për përmirësimin e menaxhimit të këtyre aseteve dhe për nxjerrjen e mësimeve në të ardhmen.

Në këtë shkrim do të përmbledh disa nga gjetjet kryesore të këtyre raporteve, të gjitha të elaboruara më pas në detaje në studimet e Institutit “Riinvest” dhe “Çohu”.

-2-

Emëruesi i parë i përbashkët i të katër investimeve është mungesa e transparencës. Te rasti i autostradës, moshapja e kontratës së nënshkruar në mes të “Bechtel-Enkas” dhe Qeverisë së Kosovës, përbën ndër rastet më të mbyllura e më jotransparente të regjistruara në vend. Shpenzimi i rreth 1.5 miliardë eurove të taksapaguesve kosovarë – përkatësisht 850 milionë në Rrugën 7 dhe 650 milionëve në Rrugën 6 – vazhdon të mbetet i mbyllur me arsyetimin e mbrojtjes së sekreteve afariste. Dhe po aq e mbyllur vazhdon të mbetet vetë kompania kontraktuese edhe sot. Ajo vazhdon të jetë pak e pranishme në publik, dhe me vështirësi e qasshme madje edhe për media, për hulumtues e të interesuarit e tjerë.

Tek rasti i aeroportit, procesi i përzgjedhjes së fituesit në garën për koncesionim është shoqëruar me pakënaqësi e akuza për korrupsion nga pjesëmarrësit – akuza që nuk janë shqyrtuar e adresuar kurrë. Njëra nga kompanitë konkurruese “Bouyges Batiment – Egis” kishte cilësuar procesin si jotransparent dhe të manipuluar, kurse fituesin “LIMAK – Aeroport de Lyon” si të papërvojë në fushën e koncesionimit. Ajo ishte tërhequr nga gara tërësisht.

Te rasti i KEDS-it, i gjithë procesi i privatizimit të distribucionit dhe furnizimit të KEK-ut ishte karakterizuar nga mungesa e hapjes për publikun dhe nga mungesa e debateve gjithëpërfshirëse. Organizata të ndryshme kishin kërkuar në vazhdimësi qasje në dokumente publike. Kërkesat, të gjitha, ishin refuzuar. Mbyllja për publikun kishte rezultuar me vendimmarrje jo të hapur të Komisionit Qeveritar për Privatizim dhe Njësisë për Zbatimin e Projektit. Mungesa e transparencës gjatë gjithë procesit ka nxitur dyshime për mbarëvajtjen dhe keqmenaxhimin e privatizimit të KEDS-it.

Mungesa e transparencës ka qenë trajtë përshkruese gjatë dy fazave të procesit të privatizimit të PTK-së. Gjatë gjithë procesit publiku asnjëherë nuk ka pasur qasje në dokumentet bazike, posaçërisht në dokumentacionin që është përpiluar nga Këshilltarët e Transaksionit, kostoja e të cilëve ishte rreth 4.2 milionë euro.

-3-

Emëruesi i dytë i përbashkët i katër investimeve është kostoja e transaksionit. Një kilometër rrugë i autostradave kosovare është ndërtuar me çmim mesatar prej mbi 11 milionë eurove. Ky çmim, krahasuar me terrenet e ngjashme nëpër Evropë, tejkalon dukshëm mesataret e regjistrua atje. Sipas hulumtimit në fjalë, vetëm në Austri kostoja e ndërtimit të rrugëve është e afërt me koston e ndërtimit të një kilometri autostradë në Kosovë. Në shumë vende të tjera evropiane – që kanë terrene të ngjashme me të Kosovës – janë shënuar mesatare të kostove të ndërtimit nga 7 deri në 8 milionë euro për kilometër.

Te rasti i aeroportit, ndërlidhja e përfitimeve të Kosovës me qarkullim – dhe jo rëndom siç ndodh me aksionarët në fitim – ndonëse në dukje të parë si marrëveshje shumë e mirë, ka nisur një trend të ri kontraktimi – rrjedhimisht dhe uljes së qarkullimit. Sipas studimit, koncesionari qëllimshëm dhe me plot vetëdije kishte provuar zvogëlimin e qarkullimit përmes nënshkrimit të kontratave fiktive e me çmime minimalisht të arsyeshme me palët e treta – e që, gjithmonë sipas raporteve, dalin të jenë ngushtë të ndërlidhura me koncesionarin. Ky transferim i aseteve ul vlerën e pjesëmarrjes së Qeverisë së Kosovës domosdoshmërisht.

Te rasti i KEDS-it, vlera e shitjes së rrjetit të Distribucionit – prej 26.3 milionë eurove – është vlerësuar si joproporcionale me vlerën e aseteve, vlerën e investimeve të mëparshme e me vlerën e gjeneruar nga shitjet e ngjashme në rajon. Mbi të gjitha, nga hulumtimi i dokumenteve zyrtare rezulton se KEDS-i ka përfituar një shumë rreth 20 milionë euro prej arkëtimeve. Mbi të gjitha, privatizimi i katër hidrocentraleve në pako të njëjtë – dhe pa diskutim publik – mbetet ndër rastet më të rënda të transformimit në fjalë. Ky fakt është bërë publik krejt së fundmi.

Te rasti i PTK-së, më 2010, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për fillim të procesit të privatizimit dhe njëkohësisht kishte pezulluar të gjitha investimet kapitale. Për më shumë se tre vjet, PTK-ja ishte sfiduar nga mungesa e tërësishme e investimeve kapitale, gjë që ka ndikuar negativisht në performancën e gjithëmbarshme të ndërmarrjes dhe posaçërisht në ruajtjen dhe rritjen e tregut të telefonisë mobile. Nga mbi 70% të tregut të përdoruesve të telefonisë mobile që PTK-ja mbante më 2010, ajo sot mban pak më shumë se 53% të këtij tregu. Përderisa më 2010, PTK-ja kishte gjeneruar mbi 151 milionë euro të hyra bruto, më 2014 ajo ka arritur të gjenerojë vetëm 99.5 milionë euro, pra një rënie mbi 50 milionë apo rreth 34%. Natyrisht, një nga kontratat më kontroverse, të operatorit virtual “Z-Mobile” ka dëmtuar rëndë vlerën e asetit.

-4-

Emëruesi i tretë i përbashkët i katër investimeve mbetet mungesa e studimeve dhe anashkalimi i Kuvendit. Para nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e Rrugës 7, nuk kishte asnjë studim fizibiliteti që do të mund të shfrytëzohej si bazë për diskutim ekonomik. Mungesa e diskutimit/debatit publik ishte rezultat i argumentimit (nga ana e Qeverisë) se projekti ishte me rëndësi të lartë politike për Kosovën, sepse lidhte Kosovën me Shqipërinë, dhe në këtë formë u krijua një disponim automatik pozitiv lidhur me projektin. Në rastin e ndërtimit të Rrugës 6, pavarësisht zhvillimit të studimit të fizibilitetit ai nuk është bërë publik dhe nuk është diskutuar me opinionin e gjerë publik.

As procesi i koncesionimit të ANP-së nuk është paraprirë asnjëherë me ndonjë studim fizibiliteti mbi transformimin e pronësisë, mbi kushtet negociuese – dhe përfundimisht – mbi formatin e kapacitetet e ndërtimeve të reja në ANP.

Te rasti i KEDS-it, vendimi për privatizimin e të dy divizioneve dhe dhënia e tyre një kompanie të vetme nuk ishte paraprirë me ndonjë studim të mirëfilltë dhe shterues lidhur me skenarët e mundshëm sesi ky proces mund të përmbyllet. Vlen të rikujtohet se studimi i fizibilitetit ka qenë kusht i vënë nga Parlamenti.

Që nga fillimi i procesit të transformimit të pronës së PTK-së, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ofrojë shpjegime të domosdoshme rreth vendimit të saj për t’i privatizuar 75% të aksioneve të ndërmarrjes. Qeveria e Kosovës, gjatë gjithë procesit të privatizimit të PTK-së, ka tentuar vazhdimisht ta anashkalojë Kuvendin e Kosovës nga vendimmarrja, edhe pse roli i këtij organi ka qenë vendimtar për t’i dhënë dritën jeshile privatizimit të ndërmarrjes. Kujtoj se gjatë fazës së parë të privatizimit Qeveria tentoi pa kuorum në Kuvend ta kalojë Strategjinë për privatizimin e PTK-së, përderisa gjatë fazës së dytë në vitin 2011, Qeveria ndërmori një hap shumë të paprecedent duke përfshirë privatizimin e PTK-së në kuadër të nenit 4 të Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

-5-

Emëruesi i katërt i përbashkët i katër investimeve është mungesa e monitorimeve. Tek autostradat, Qeveria e Kosovës në të dyjs rastet ka angazhuar kompaninë ndërkombëtare “Hill International” në mbikëqyrje të projekteve. Mbikëqyrja dhe raportet e “Hill International”, dorëzuar Qeverisë, kanë qenë në vazhdimësi jashtë diskutimit publik. Sipas kompanive vendore të intervistuara në studimet në fjalë, institucionet e Kosovës nuk e kanë mbikëqyrur kontratën në masën e duhur, dhe si rezultat i kanë dhënë liri të plotë kontraktuesit kryesor që të eksploatojë resurset vendore.

Tek aeroporti, sipas marrëveshjes së PPP-së, autoriteti kontraktues – Qeveria e Kosovës pra – duhej të formonte Njësinë për Menaxhim të Projektit” (NJMP) që së paku njëherë në muaj të inspektojnë librat, planet, regjistrimet financiare dhe dokumentet tjera me qëllim të implementimit të projektit. Fatkeqësisht – dhe për habinë më të madhe – NJMP nuk është themeluar dhe nuk ka funksionuar asnjëherë siç është paraparë me kontratë. Në vend të saj, mbikëqyrjen e implementimit të kontratës e kanë bërë vetë zyrtarët ekzistues të Njësisë së PPP – një konflikt i pastër i interesit. Përtej konfliktit të interesit, ku kontratëdhënësi mbikëqyr kontratëmarrësin, dhe për më tepër edhe procesin e iniciuar nga vetja, Njësia për PPP ka marrë detyrat mbikëqyrëse pa pasur kapacitet të nevojshëm për mbikëqyrjen e kontratës dhe me personel jo të dedikuar profesionalisht.

Te PTK, politizimi i skajshëm i strukturave drejtuese të PTK-së ka bërë të pamundur një monitorim të mirëfilltë të performancës së PTK-së nga institucionet e Kosovës. Që nga shpallja e Pavarësisë së vendit, kur PTK-ja kalon në pronësi publike me Qeverinë e Kosovës aksionarin e vetëm të saj, në krye të strukturave drejtuese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të vendosur anëtarë aktivë të partive politike. Ky politizim në fakt ka pamundësuar funksionimin e mekanizimit të llogaridhënies edhe pse ndërmarrja ka pësuar rënie të vazhdueshme në të hyra nga viti 2007. Në anën tjetër, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, asnjëherë nuk ka ushtruar monitorim cilësor mbi ndërmarrjet publike, e veçmas të PTK-së, kryesisht për shkak të mungesës profesionale të resurseve njerëzore, por edhe për shkak të numrit të vogël të të punësuarve aty.

-6-

Emëruesi i pestë dhe i fundit i përbashkët i katër investimeve është papërgjegjësia korporative e investitorëve. Tek autostrada, kompania fituese, me gjithë kontraktimin e 1.5 miliardë eurove, ka bërë shumë pak, për të mos thënë fare, në drejtim të përgjegjësisë sociale – përkatësisht përgjegjësisë korporative. Për dallim nga shumë korporata serioze – në Kosovë dhe më shumë – “Bechtel-Enka” nuk ka bërë as edhe një investim social në rrethin e punimeve. Kompania “Bechtel-Enka” është sjellë gjithashtu, në mënyrë të papërgjegjshme edhe ndaj kompanive vendore të angazhuara në projektet e rrugëve. Në mungesë të alternativave për negocim, ato janë detyruar të ulin çmimet nën çmimet e tregut dhe nën çdo nivel të arsyeshëm financiar. Sipas studimeve në fjalë, punëtorët e “Bechtel-Enkas” detyrohen të punojnë punë të rënda fizike nga 12 orë në ditë, ndërsa një orë pune u paguhet vetëm 1.35 euro. Kushtet e rënda e të padinjitetshme të punëtorëve janë konfirmuar edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës (BSPK).

Një fushë tjetër kontroverse që shpërfaqet pas koncesionimit të ANP-së, përfshin praktikat e procesit të prokurimit, i cili, pas koncesionimit, është mbështetur kryesisht në negocim individual e jo në procese të hapura e transparente. Deri më sot, koncesionari nuk ka bërë asnjëherë shpallje për kërkim të shërbimeve.

Sipas legjislacionit në fuqi, KEDS-i, edhe pse është një ndërmarrje në pronësi private, obligohet që të veprojë në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik (Nr. 04/L-042) të Kosovës për shkak se ofron shërbime publike dhe operon në një treg të rregulluar. Përderisa nuk ekziston një mbikëqyrje adekuate e kontratës së privatizimit, entiteti privat thjesht bën edhe injorimin/anashkalimin e Ligjit për Prokurim Publik. Përderisa KEDS-i operon në një treg të rregulluar si furnizues publik, është qenësore që të sigurohet zbatimi i një standardi të tillë të transparencës që si burim ka dispozitat ligjore dhe jo hapjen vullnetare të ndërmarrjes. Papërgjegjësi korporative mbetet edhe moslëshimi i kuponëve fiskalë – një rast i paprecedent në Kosovë e gjithandej në rajon.

Duke mos u bazuar në asnjë dokument strategjik apo plan të biznesit, më 2008, dhe gjatë dy vjetëve në vijim, në PTK u punësuan më shumë se 820 individë. Raporte të ndryshme të mediave kishin vënë në pah punësimet politike e partiake. Krahas punësimit të paplanifikuar dhe të panevojshëm, strukturat drejtuese në PTK, më 2010, kishin rritur pragun e pagave bazë për veten e tyre, dhe gjatë viteve 2009-2012, kishin ofruar benefite të ndryshme në formë të bonuseve dhe honorarëve. Sipas raportit të auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), të vitit 2014, PTK-ja, nuk ka arritur asnjëherë që të vendosë kritere të matshme në deklaratat e kompensimit përmes të cilave do të bëhej vlerësimi i performancës mbi bazën e të cilave do të përfitohej e drejta në bonuse.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...