Në harresë e indiferencë

22 Qershor 2015 - 08:57 - Lumir Abdixhiku      

Rasti i Sllovenisë është produkt tipik i neglizhencës dhe harresës që Kosova ka ndërtuar me jashtë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të zënë e të dhënë mbas banesave, zaptimeve, tenderëve, mashtrimeve, madje dhe selfieve me ta, ne kemi qëndruar indiferentë përballë angazhimit insistues të Serbisë kundër nesh – derisa u ndërruan rolet në tërësi; agresori u bë persekutues, e viktima i persekutuar

-1-

Nuk e kuptoj për çfarë, nuk e kuptoj pse, një vend evropian si Sllovenia duhet t’i bëjë asistencë një fletarrestimi të lëshuar nga një qeveri që sheh gjithë përpjekjen e Kosovës si kriminale; vazhdimësi e politikës së Milosheviqit. Nuk ka rëndësi kush ishte këtë herë, mund të ishte politikan, mund të ishte biznesmen, turist e çka jo tjetër – por ndalesa e një qytetari kosovar mbi bazat puro politike të një shteti tjetër, jep shije të tmerrshme të dinjitetit tonë shtetëror përballë të gjithëve.

Jep fillimisht shije të tmerrshme në relacion trajtimi me një vend evropian, që preferon të shkelë mbi relacionet tona shtetërore, për të nderuar padrejtësisht të tjerat – duke ditur në plotëni e mirëfilli tendencat çmendurake të të fundit. Sepse, një vend evropian, siç dhe duhet të jetë, e ka fare të lehtë të pastrojë thirrjet për arrest të individëve që shëtitin lirshëm gjithandej nëpër Evropë; dhe mbi të gjitha, të individëve që për qëllime politike janë listuar nga secili regjim neomilosheviqian.

Në të njëjtën logjikë do të arrestoheshin e mbaheshin gjysma e kryeministrave të Kosovës, ndaj të cilëve Serbia ka ngritur përndjekje tash e sa kohë. Në të njëjtën logjikë, Sllovenia nuk do të duhej ta njihte Kosovën në rend të parë. E kur ka vendosur ta njohë atë, është dashur që për këto shtatë vjet shtetësi të konsultojë me autoritetet kosovare vërtetësinë e natyrën e arresteve politike për qytetarët e saj. Është dashur të sillej tamam si evropian; siç dhe janë sjellë të gjitha vendet e tjera nëpër të cilat kanë kaluar individët e listuar tash e sa vjet.

-2-

Por problemi i ndalesave mbi bazat e regjimeve serbe, milosheviqiane e postmilosheviqiane, shpërfaq sysh një të vërtetë krejt tjetër, shumë më fatkeqe se kjo. Në fakt, ndalesat e tilla janë vetëm konsekuencë e një procesi të tërë neglizhence e tolerance të pakuptimtë ndaj agresorit që ka ngjarë këndej.

Rasti i Sllovenisë është produkt tipik i neglizhencës dhe harresës që Kosova ka ndërtuar me jashtë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të zënë e të dhënë mbas banesave, zaptimeve, tenderëve, mashtrimeve, lukseve, mëditjeve, drekave e darkave – madje dhe selfieve me ta, ne kemi qëndruar indiferentë përballë angazhimit insistues të Serbisë kundër nesh – derisa u ndërruan rolet një ditë; agresori u bë persekutues, e viktima i persekutuar.

Kështu, përkundër të gjitha gjasave, një shtet i bombarduar nga i gjithë civilizimi perëndimor, i përlyer me ditët më johumane të mundshme të historisë moderne, me vrasje fëmijësh, grash e pleqsh gjithandej, me brutalitet në mendje dhe kurrë me pendesë, për pak vjet ka arritur të ndryshojë gjithçka, ka arritur të ngrejë një perde jokredibiliteti për ne gjithandej. Ne në mbrojtje, ata në sulm – sërish, si gjithherë.

-3-

E çfarë kishim bërë ne?! Të zënë me hallakamën e parë të pasluftës, të ndjekur me apetitet për fuqi menjëherë më pas, të dashuruar në tenderë në gjithë këtë kohë, e përfundimisht të rehatuar në shtet e pushtet mirë e majmë – me mend se shtetësia e diplomacia janë përjetësisht statike – për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht, ne lejuam që gjithçka të kthehet mbrapsht.

As nuk i regjistruam të vrarët, as nuk i regjistruam të dhunuarat (madje i fshehëm ato si të turpshme), as nuk i matëm dëmet e luftës e as nuk i shpallëm si vrasës vrasësit. Imazhin dhe përkrahjen e ditëve të para e morëm si të qenë, për më tepër, si të përjetshëm. Bota, menduam ne, do të bënte punën për ne.

Për të mos mjaftuar kjo, kur u kërkua nga ne të uleshim në tavolinë me ta, me vetë vrasësit e trashëgimtarët që nuk dinë ende për pishman, ne nuk kishim asgjë për t’iu thënë; as numra, as emra, asgjë. Rrjedhimisht u ulëm si inferiorë, as të kërkojnë një gjysmë falje nuk u thamë.

Ata, ndërsa, kishin gati gjithçka. Kur ne i lamë të lirë të hynin në Kosovë, ata refuzuan tanët të futeshin në Serbi. Kur ne nuk dërguam asgjë për përndjekjet në Perëndim, ata bënë profile e argumente shpifëse që i ndanë gjithandej. Kur ne nuk ditëm numrin e emrat e të vrarëve civilë këndej, ata na i shtruan të tyret thuajse janë të vetëm. Kur ne nuk bëmë gjë, ata bënë gjithçka.

“Modelin e Krushës” – që Kosova duhet ta ndërtonte në këto gjashtëmbëdhjetë vjet, dhe “Modelin e Kosovapetrolit” që e ka ndërtuar në vend, mund ta gjeni të elaboruar e shtruar me brilancë e mendjehapje në librin e fundit të Surroit, “Ambasadori i Melkizedekut”.

-4-

Rasti i Sllovenisë, pra, është vetëm produkt i një neglizhence tonë ndaj gjërave që meritonin përkushtim e zmadhim të vazhdueshëm – historisë sonë të fundit; të tmerrit pra. Rasti është pasojë e rezultat i ecjes së jashtme të Kosovës nëpër vite, dhe kështu, lejimit të transformimit të agresorit në palë më kredibile sesa ne.

Sepse ne, për shkak të gjithë angazhimit të pafund për hajni, krim e budallaki – nga më të çuditshmet madje – kemi humbur secilin kredibilitet jo vetëm para qytetarëve të këtij vendit, por edhe para secilit shtet tjetër. Natyrisht se Sllovenia meriton trajtim keqardhës që shndërrohet në vegël të tillë. Për këtë, natyrisht, relacionet tona diplomatike do të duhej të tregonin reflektim.

Por mbi të gjitha, nëse duhet gjetur arsyen njëmend, e kemi këtu në mes nesh. Tek të njëjtët që tash e sa kohë vazhdojnë të trajtojnë gjithçka me indiferencë e pa dinjitet. Që kanë shndërruar këtë vend dhe përfaqësimin shoqëror të tij në gjë tërësisht të pavlerë; e që kanë lejuar, paradoksalisht, ndërrimin e roleve me të njëjtët që – me gjithë horrorin – sot ende sillen pa pendesë. Mjeshtëria e mbajtjes së shtetit, megjithatë, është shumë më e rëndë sesa këta kanë aftësi ta kuptojnë.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...