Ata nuk besojnë

17 Mars 2014 - 10:59 - Lumir Abdixhiku      

Rreth 35.5% e bizneseve kosovare nuk besojnë në Qeveri fare; 22.6% të tjerë besojnë jo shumë. Thënë ndryshe, gjysma e bizneseve kosovare, rrjedhimisht gjysma e taksapaguesve kryesorë kosovarë kanë relacione mosbesimi me institucionet publike

-1-

Përgjatë katër-pesë vjetëve të shkuar ekonomia kosovare ka pasur një rritje ekonomike tejet simbolike. Ndonëse e njëjta është trumbetuar si më e madhja në rajon e për më tepër si ndër të rrallat e Evropës, ajo nuk ka arritur asnjëherë e në asnjë vit të akomodojë nevojat zhvillimore të Kosovës. Thënë ndryshe, rritja ekonomike e Kosovës nuk ka gjeneruar vende të reja pune mjaftueshëm.
Gjenerimi i vendeve të reja të punës, përndryshe, do të duhej të ishte matësi kryesor i performancës së secilës qeveri e qeverisjeje.

Matës nuk do të duhej të konsiderohej asnjëherë përpjeka e tyre – që na shfaqet rëndom nga paraqitjet publike të qeveritarëve; do të ishte njësoj sikurse vlerësimi i një nxënësi jo në bazë të dijes së tij apo saj, por në bazë të tendencës për të bërë diçka – çfarëdo qoftë ajo. Në raste të tilla e tëra çfarë vlerësuesi mund të japë në kthim është simpati dhe mirënjohje për përpjekjen – nëse e njëjta do të ishte e sinqertë gjithsesi.

Në Kosovë, me shkallën e parregullsive ekonomike e korruptuese në rritje, shpreh bindjen e plotë për mossinqeritet në përpjekje. Pra të tanët as nuk përpiqen e as nuk arrijnë rezultate.
Për të rifreskuar memorien e të interesuarve, rritja ekonomike jona ka pasur luhatjet e veta gjithandej. Pas një hiperzhvillimi të pasluftës, e që ndërlidhej kryesisht me fluksin e madh të investimeve private në shtëpi banimi, si dhe me fluksin e madh të donacioneve ndërkombëtare atëherë, vendi ishte futur gradualisht në një cikël rritjesh normale.

Në vitin 2003 ne kishim shënuar rritjen ekonomike prej 5.4%, për të vazhduar me 2.6% në vitin 2004, me 3.8% në vitin 2005, 6% në vitin 2006 e 6.3% në vitin 2007. Në vitin e shpalljes së Pavarësisë, pra 2008, Kosova kishte shënuar rritje ekonomike prej plot 6.9% pra gati 7%. Ishte një numër impresiv.

Që nga atëherë e këndej, rritja ekonomike ishte simbolike. E ndikuar pak nga kriza financiare ndërkombëtare dhe, siç argumentoj unë, shumë nga politikat e asfaltit, politikat kundër sektorit privat dhe politikat populiste të pagave artificiale që nuk mbështeten në produktivitet por në akomodime votash, ajo u rrumbullakua në 2.9% në vitin 2009, në 3.9% në vitin 2010, 5% në vitin 2011, në 2.1% në vitin 2012 e 2.4% këtë vit, pra në vitin 2013.

Dy vjetët e fundit madje janë të vetmet që nga përfundimi i luftës që në vazhdimësi nuk arrijnë 3%. Në asnjë periudhë më parë ne nuk kishim dy vjet radhazi me rritje kaq simbolike. Trendi nuk është fare i mirë.

-2-

Lajmi i keq për të gjithë është se kjo rritje do të mbetet e njëjtë përderisa sektori privat nuk gjeneron vende të reja të punës. Në një ekstrapolim të thjeshtë të logjikës, do të ishte korrekte të thuhet se sektori privat nuk do të gjenerojë asnjëherë vende të reja të punës përderisa ballafaqohet me barrierat e listuara dhe të komentuara në njërën prej shkrimeve të kësaj kolumne në shtator të vitit të shkuar, me titull “Çfarë i mundon bizneset”.

Asokohe kisha prezantuar se konkurrenca e padrejtë (e shkaktuar nga evazioni dhe informaliteti), korrupsioni, krimi e hajnia, të kombinuara të gjitha me mosfunksionim të gjyqësorit, sigurisë politike e burokracisë, ishin shfaqur si pengesat kryesore të bizneseve kosovare përgjatë një anketimi me 600 sosh.
Në këtë kolumne nuk do të flas për barrierat e bizneseve kosovare; është thënë mjaft kam përshtypjen, ndonëse në vend të adresimit të tyre institucionet tona qenë dalldisur mbas një liste irrelevante të rangimit biznesor në kontekstin kosovar, që në fund nuk përmbante asnjërën nga pengesat në fjale.

Në këtë kolumne do të flas për relacionin biznese me institucione publike dhe një dozë diskrepancë në këtë relacion një analizë modeste e të dhënave të anketës së “Riinvestit” ka gjetur këto ditë.

-3-

Kjo diskrepancë fillon nga një trajtim i pabarabartë i institucioneve publike drejt bizneseve, duke ngjirë kështu konkurrencën e pabarabartë; si dhe nga një observim gjeneral drejt bizneseve nën thjerrëzën e gjeneruesit të taksave dhe vetëm aq. Pra, politikat tona publike nuk i shohin ende bizneset si burime të vendeve të punës, por i shohin vetëm si burime të mjeteve të financimit – pra taksave.
Për të kuptuar diskrepancën e qeverisë me biznese, mjafton një zbërthim i trendit të rritjes së tyre në Kosovë.

Përgjatë vitit të shkuar – pra vitit 2013 – sipas anketës së “Riinvestit”, rreth 54% e bizneseve kosovare kanë shënuar rënie; sa për të dëshmuar kështu një vit të rëndë ekonomik mbarësisht. Kjo rëndesë gjithsesi se rikonfirmohet nga rritja e ulët ekonomike e prodhuar në dy vjetët e fundit, e që, siç thamë më parë, nuk kalonte dot 2%. Numrat e anketës së njëjtë tregojnë gjithashtu se rreth 25% e bizneseve nuk kanë shënuar fare ndryshim, ndërkaq vetëm 21% e tyre kanë shënuar rritje.

Në një vështrim gjeneral bëhet e qartë se mbi dy të tretat e bizneseve kanë stagnuar ose janë tkurrur këtë vit.
E në vijë me diskrepancën e proklamuar më parë, të dhënat tregonin se bizneset që treg kishin qeverinë dhe institucionet e tjera publike po performonin shumë më mirë. Për dallim nga trendi gjeneral rreth 38% e bizneseve që bëjnë punë me qeveri kanë shënuar rritje, 33% nuk kanë pasur ndonjë ndryshim. Thënë ndryshe, për të pasur një stabilitet biznesor duhesh të kesh një tender.

E është mu pasja e tenderit – në koekzistencë me nivelin enorm të korrupsionit – që prodhon diskrepancën në treg. Pra kemi një përzierje enorme të politikave publike në ciklin biznesor dhe nga këtu një përcaktim i fatit të bizneseve mu nga këto politika.

-4-

Burimi i dytë i diskrepancës së relacionit shtet-biznes ka kah të kundërt; pra fillon nga bizneset si reflektim i politikave publike. Ky reflektim është bukur i rëndë. Për shembull rreth 35.5% e bizneseve kosovare nuk besojnë në qeveri fare; 22.6% të tjerë besojnë jo shumë. Thënë ndryshe, gjysma e bizneseve kosovare, rrjedhimisht gjysma e taksapaguesve kryesorë kosovarë, kanë relacione mosbesimi me institucionet publike.

Nivel besimi të njëjtë tregohet edhe në relacion me pushtetet lokale. Për shembull, rreth 27.2% e bizneseve kosovare nuk besojnë fare në komunat përkatëse, e rreth 25.3% besojnë jo shumë. Treguesi më i rëndë i nivelit të besueshmërisë shfaqet në relacion me gjykatat. Rreth 40.7% e bizneseve nuk besojnë fare në gjykatat kosovare; e për më tepër rreth 21% të tjerë besojnë jo shumë. Një nivel alarmant mosbesimi si ky shpjegon gjithë kureshtjen për vështirësitë e të bërit biznes në vend. Është anarki e plotë.

Pra nga relacioni i bizneseve me qeverinë qendrore, me pushtetin lokal dhe me gjykatat, bëhet i qartë edhe jokohezioni shoqëror në vend. Në vend të perceptimit miqësor, të gjithë jetojnë në një relacion bukur armiqësor; në mosbesim, tendencë rezervimi dhe rrjedhimisht risku të lartë ekonomik – të gjitha të rrumbullakuara në një performancë simbolike biznesore dhe në një rritje edhe më simbolike ekonomike në vend.

Nivel krejt tjetër i besimit mund të gjendet në mes bizneseve kosovare dhe blerësve, furnitorëve apo stafit të tyre; sikur të njëjtit veprojnë në një treg krejtësisht paralel. Për shembull, mbi 82.9% e bizneseve besojnë shumë në stafin e tyre; vetëm 1.2% nuk besojnë fare. Apo, rreth 49% e bizneseve besojnë shumë në partnerët e tyre të parë – pra furnitorët – derisa 30% besojnë deri diku; vetëm 4% nuk besojnë fare në ta. Njëtrajtësisht, mbi 50.1% e bizneseve besojnë në blerësit e tyre shumë dhe rreth 31.3% deri diku.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net
 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...