Mbi urgjencat e qeverisë së re

25 Gusht 2014 - 08:33 - Lumir Abdixhiku      

Qeveria e re, e që gjithsesi duket se do të jetë më ndryshe në kompozicion e në avaz me të vjetrën – pavarësisht interpretimeve të pleqnarëve kushtetues – do të ketë para vetes një grumbull nevojash që kërkojnë reagim të përshpejtuar e të menjëhershëm, po deshën të mos e fusin veten në kllapi. Nga të hyrat publike e deri tek luksi publik, prioritetet veçse janë përcaktuar pa qejf

-1-

Plot 598 ditë i kishte zgjatur Belgjikës koha e formimit të qeverisë së re. Gjithçka ndërkohë kishte shkuar mbarë atje. E për një vend ku sistemi qeverisës është i themeluar mirë dhe varet shumë më pak nga takimet e një grumbulli ministrash në një qeveri, në pritje e tillë mund dhe të ishte e lehtë.

Në Kosovë, ndërsa koha e ballafaqimeve të pretenduesve qeveritarë po zgjat shumë; shumë më shumë se sa nevojat emergjente që normalisht një vend i zhytur në probleme mund t’i ketë. Natyrisht se vendi ynë nuk ka as luks e nuk do të ketë as gjasë të presë gati gjashtëqind ditë rresht për formim të qeverisë; dhe natyrisht se nuk do të presë. Do të mbeste hiçgjë për të qeverisur po shkuam aq larg e po pritëm aq shumë. Ç’është e vërteta, në mungesë të një menaxhimi makro – për aq sa mund të ketë këndej kualitet – Kosova veçse ka filluar të shfaqë çarjet e para të neglizhencës institucionale dhe eventualisht ngufatjes së përgjithshme. Tek ne si duket, funksionimi i shtetit varet bukur shumë nga vullneti i centralizuar lartë.

Qeveria e re, e që gjithsesi duket se do të jetë më ndryshe në kompozicion e në avaz me të vjetrën – pavarësisht interpretimeve të pleqnarëve kushtetues – do të ketë para vetes një grumbull nevojash që kërkojnë reagim të përshpejtuar e të menjëhershëm po deshën të mos e fusin veten në kllapi. Sa për të mos mjaftuar problemet e shkuara, që në shtatë vite ish-qeverisje vetëm se ishin rënduar dhe më shumë, ka disa të reja që shpërfaqen teksa presim formimin e qeverisë; të tjerat do të dalin menjëherë pas saj, e në rastin më të keq të mundshëm, edhe më të rejat do të bëhen nëse qeverisja e re vendos akomodimin partiak para ndryshimit rrënjësor si prioritet – që duket se mund dhe ta bëjë (fatkeqësisht).

-2-

Problemi i parë dhe më imediat është stabilizimi i financave publike – pra kuletës së shtetit, vetë buxhetit. Ka disa ditë që raportimet e para veçse kanë buruar nga agjencitë që mbledhin paratë në Kosovë, se planifikimet financiare mund të mos arrihen sivjet. Ndoshta sepse ishin planifikuar shumë, ndoshta sepse periudha pa qeveri ka prodhuar dhe neglizhencë – pavarësisht të gjithave – një nënperformancë e mekanizmave mbledhës mund të prodhojë dy skenarë të mundshëm.

I pari, dhe më me shumë gjasë, në mungesë të të hyrave të mjaftueshme buxhetore, cilado qeverisje e re duhet të fillojë shkurtimet në investime infrastrukturore; rrjedhimisht të prekë të vetmin input rritës të ekonomisë që ka mbetur. Natyrisht se shkurtimi në autostradën e Shkupit as që mund të ndodhë; sepse nuk ka se çfarë të shkurtohet aty. Kujtoj se financat publike nuk kanë paraparë ndonjë financim të rrugës për vitin 2014, prandaj dhe vonesat në nisje nga kompania turko-amerikane. Për kohën ka qenë e rëndësishme vetëm hyrja në obligime kontraktuale, nga ku asnjë qeveri nuk mund të dalë.

Skenari i dytë, më fatkeq, përkon me një precedent të vitit 2011, kur qeveria e asaj kohe, si rezultat i prishjes së marrëveshjes me FMN-në, kishte humbur financimin e 10% të buxhetit të vendit, për të nisur në këmbim një fushatë represive ndaj bizneseve vendore – tatime ad-hock, dënime e parapagime të tjera ishin bërë gjithandej. Bizneset – ku gjendeshin e ku jo – paguanin “haraç institucional”, siç dhe quhej asokohe ofensiva nga përfaqësuesit e ndërmarrësve kosovarë. 0000 Një rëndesë e tillë në mbledhjen e të hyrave kishte prodhuar rekord të inflacionit në vend. Dënimet, parapagimet e çka jo tjetër tek bizneset kosovare, kishin rritur eventualisht çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre; Kosova atë vit shënonte inflacion rekord, prej plot 8%.

Qeveria e re, kushdo qoftë ajo, do të ketë prioritet rregullimin pra të parasë së shtetit. Nga të dy skenarët eventualë, gjithsesi, produkti final do të jetë më pak i pëlqyeshëm. Një kombinim i shkurtimit me presion mbledhës e të padrejtë do të prodhojë veçse rëndesë ekonomike, nënperformancë biznesi e trajtim tjetër të pabarabartë.

-3-

Përtej shkurtimeve infrastrukturore e presioneve eventuale tek bizneset, kur bëhet fjalë për paranë publike – qeveria e re mund ta ketë para vete një opsion bukur kreativ; shkurtimin dhe zvogëlimin drastik të luksit publik.

Mëditjet, veturat, telefonat, drekat e darkat – dhe çka jo tjetër – kanë qenë gjithmonë të shtuara, të zmadhuara dhe, siç ndodhi këtë herë me qeverinë në ikje, të shtuara në ditët e fundit të saj. Kosovës gjithmonë i është dashur një intervenim radikal në mënyrën e shpenzimit të parasë publike – nga vetë administrata publike. Anglia, për shembull, tre vjet më parë kishte nisur një reformë rrënjësore të zvogëlimit të administratës dhe kostos së saj. Kishte shkurtuar plot një të tretat e shpenzimeve të luksit publik. Çfarë kemi ne që, me gjithë këtë hall e fukarallëk nuk e shkurtojmë atë?!

Luksi publik tek ne është formë e bërjes së punëve publike. Është edhe burim i utilitetit të vendimmarrjes për pjesëmarrje në punë publike. Për shkak të veturave, telefonave, mëditjeve, drekave e darkave – përveç pagës së madhe për punë pak – pjesëmarrësit në administratë publike gjithmonë kanë parë punën e shtetit me sy më racionalë se gjithçka tjetër. Këto, dhe shumë të tjera, mund të shkurtohen menjëherë. Do të duhej ta bënte secila qeveri; një e gjendur në nevojë emergjente për sanim të parasë publike do të duhej ta bënte dy herë.

-4-

Urgjenca në sanimin e rrjedhës së parasë publike është një gjë – gjithsesi shumë e rëndësishme madje. Por nisja e projekteve për stabilitet energjetik është pa të shoq. Kosova gjendet pranë varësisë së plotë dhe destruktive të një termocentrali dyfish më të vjetër se mosha mesatare e kosovarëve; në Kosovën A.

Projekti për nisjen e termocentralit të ri, me siguri 600 megavatësh, nuk ka qenë prioritet asnjëherë. Në raste madje, i njëjti u është lënë në diskutim aventuristëve të shoqërisë civile që për punë pak hobi e shumë badihava prodhonin ide të një energjie të rigjenerueshme nga panelë kalefornianë e hollivudianë– gjithsesi të pamjaftueshme – por aq dinin e donin të dinin ata.

Qeverisa e re duhet të nisë projektin e ri menjëherë. Një paketë serioze, që largon situatat monopole në tregun e energjisë një herë e mirë, që largon idetë kuazi-ambientaliste (që megjithatë nuk janë) dhe joserioze pa shumë kohë për harxhim, e që largon ndikimet politike-private për mega termoplant, do të duhet të vihej në rend menjëherë. Nëse asgjë tjetër, një qeverisje e re, pavarësisht sa kohë ka, do të duhej të mbahej mend për këtë investim kapital. Së paku do të na jepte e siguronte pak dritë pas përfundimit të mandatit të saj. E po patën pak vullnet e pak mend, në këtë proces do të sjellin edhe një investitorë me emër serioz; jo dhëndër të Erdoganit, tyxharë të tjerë orientalë, por një emër që sjell siguri, imazh të mirë e mendim pozitiv për vendin – diçka që nuk patëm asnjëherë.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...