8 Shkurt 2016 - 08:22 - Lumir Abdixhiku
-1-
Do të ketë qenë ndër rastet e rralla, ndoshta edhe të pandodhura ndonjëherë, relacioni që një sindikatë shëndetësore kishte ndërtuar me kryeprokurorin e vendit javën që shkoi. Po e ftonin, sindikata pra, kryeprokurorin në paraqitje sqaruese për ta – fiks në ora dymbëdhjetë i thanë. Konsideratë për përjashtimet, por një relacion i tillë, ndoshta dhe tregon thjesht e nëndije nivelin perceptues që mjekët kanë rëndom këndej për veten. E shohin veten mbi të gjithë; pa qoftë dikush edhe kryeprokuror i shtetit. Mund dhe t’i kuptoj ndoshta, s’i mirëkuptoj hiç ama, se trajtimi i përditshëm i hallexhinjve që struken e tkurren për kujdes mjekimi, u ka dhënë të njëjtëve ndjenjë paprekshmërie. Sjelljet e tyre, pra, sërish konsideratë për përjashtimet, janë gjithçka veçse korrekte në shumicën e raportimeve të pacientëve kosovarë. Por kjo ka pak rëndësi për problemin që dua ta trajtoj sot.
Rëndësi ka, gjithsesi, niveli i papërgjegjshmërisë që një repart i tërë provonte të tregonte ndaj një pale të tretë, tërësisht të pafajshme e të papërfshirë në incident – pacientëve pra. Si përgjigje ndaj hetimeve të Prokurorisë dhe rrjedhës së një liste me emra mjekësh nga ky proces hetimi, Reparti i kardiologjisë kishte vendosur të futej në grevë dhe të mos i trajtonte rastet e pacientëve kosovarë. Kërkesa ishte, dhe këtu fillon paradoksalizimi, ndërprerja e hetimeve dhe mosnjollosja e emrave të tyre. Në të kundërtën, ata s’do të punonin fare – në spitale publike natyrisht, se privatet i mbanin hapur gjithnjë; për shkak të grevës madje, kishin kohë atje edhe më shumë.
Kauza e mosnjollosjes për dikë mund të duket e drejtë. Ta themi madje për një moment se në mesin e mjekëve të repartit në fjalë ka mjaft të tillë që punën e bëjnë mbarë, mirë e pa hile. Sigurisht se ka. Por edhe kur ka, e kundër të tillëve bëhet – le ta themi për një moment – një e padrejtë, dënimi i një pale krejt tjetër me mostrajtim mbetet i pakuptimtë dhe përlyes edhe për të mirët.
Bëhet ashtu, sepse për një moment, pra për një problem hetimi, kardiologët kanë vendosur të vënë në pazar kërcënimi jetën e kosovarëve me probleme me zemër. Për ta, rrezikimi i jetës së njerëzve ishte i vlefshëm mjaftueshëm për kërcënim ndaj Prokurorisë. Punë e madhe se dikush mund të pasonte nga një kërcënim i tillë. Punë e madhe se refuzohej për mjekim një taksapagues i pagës së të njëjtit mjekues.
-2-
Më 4 gusht të viti 1981, presidenti amerikan Ronald Reagan, në një paraqitje gjithënacionale, kishte kërcënuar me pushim nga puna të 13000 kontrollorët ajrorë të SHBA-së nëse nuk paraqiteshin në punë brenda 48 orëve. Kontrollimi i hapësirës ajrore konsiderohej asokohe si akt që nuk kishte alternativë; fushë, pra, në të cilën nuk mund të bëhej grevë. Greva ishte ndërprerë atje menjëherë.
Në Kosovë greva ishte ndërprerë gjithashtu shpejt. Jo sepse pati ndonjë kërcënim, as ndoshta sepse kishte ndërgjegje mjaftueshëm për hallin e ri në të cilin ishin futur hallexhinjtë kosovarë, por sepse greva nuk kishte ndikim në hetimin prokurorial. Paramendoni konsekuencat e ndërprerjes së hetimeve për shkak të kërcënimit e shantazhit. Në gjithë ndërprerjen e grevës, them unë, kishte ndikuar edhe një revoltë e përgjithshme qytetare që shpërfaqej gjithandej – në veçanti nëpër diskutimet sociale. Ishte me siguri greva më e papranueshme që kosovarët kishin parë ndonjëherë.
Për t’iu kthyer problemit sërish, hetimi prokurial kishte nisur një vit më parë. Një vit nga sot, mesazhet komunikuese ndër mjekët që referonin me ose pa nevojë pacientë në spitale private, ishin bërë publike. Në një transkript të publikuar nëpër medie nacionale, komunikimi i mjekëve ishte pak a shumë kështu: Mjeku A: “A ka ndonjë hat-trick sonte a jo?”; Mjeku B: “Një stentë deri tash; loja vazhdon. Dy të tjerë hala nuk i binda. Gjithë ditën jam mundu". Mjeku A: “Mos harro, 500€ për pacient janë tuajat”. Pra, kështu diskutonin në mes vete mjekët kasapo-biznesmenë derisa dërgonin pacientë hallexhinj për stenta zemre nëpër spitale private. Me apo pa nevojë për stentë, pak kishte rëndësi për ta. Rëndësi kishte bërja e hat-trickut atë natë, pra dërgimit të tre fatkëqijve për kasapizëm; dhe kështu sërish nesër.
Në vazhdim të hetimeve, mjekët kishin gjetur në njërën nga spitalet private një listë kontabiliteti, në të cilën shfaqeshin barazimet e mjekëve të kardiologjisë me spitalin privat. Lista mbante shënime për barazime, nga 80 euro deri në 7 mijë e kusur euro. Kjo e kishte shtyrë Prokurorinë të zgjeronte hetimet tek emrat e shpërfaqur aty. Dalja e emrave nga ajo listë, në një proces hetimi gjithsesi, kishte nxitur reagimin me grevë të kardiologëve kosovarë. Megjithatë, një pjesë jo e vogël e grevistëve ishin mu në atë listë.
-3-
Listat korruptuese, gjithmonë dhe jo pa qëllim – konsideratë shumë për përjashtimet – nuk bëjnë problemin e vetëm të shëndetësisë kosovare. Natyrisht se korrupsioni, mungesa e etikës e keqsjellja në shumë raste bëjnë në thelb kalbjen e kujdesit shëndetësor këndej. Ato paraqesin një krizë morali që ka kapur vendin tonë; e që nuk dallon as në edukim, as në gjyqësor, as në polici e hiç se hiç në politikë. Rasti i Kardiologjisë është vetëm një rast që shpërfaq në formën më gjithëpërfshirëse njërën anë të problemit – atë të mjekëve në këtë rast.
Ana tjetër e problemit, mbesin megjithatë paratë – fondet. Kosova ka shpenzuar shumë më shumë në asfalt, dreka e darka, se ka shpenzuar në shëndetësi. Infrastruktura e spitaleve publike mbetet e vjetër; aparaturat e reja mbesin të papërdorura – herë sepse nuk mbajnë specialistë të tyre, herë sepse nuk blejnë materiale harxhuese për to, e shpeshherë sepse – siç ishte raportuar nëpër media – prishen qëllimshëm në mënyrë që kosovarët në hall të shpenzojnë nëpër spitale private.
Kosova vazhdon në ndërkohë të mbetet i vetmi vend pa një sigurim shëndetësor. Fondi i sigurimeve shëndetësore, që kërkon jo më shumë se 200 milionë euro investim të parë (vlerësuar kohë më parë nga Banka Botërore) nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverive. Themelimi i tij dhe kontributi vijues i të punësuarve në të, do të nisnin një cikël të ri gjenerimi mjetesh për kujdes shëndetësor.
Paratë e fondit do të përdoreshin edhe për paga më të mira për mjekët në fjalë – mjekët e mirë gjithsesi – por edhe për shërbime falë e me kosto të ulët për taksapaguesit kosovarë.
Kosova natyrisht se ka pasur mjaftueshëm mjete për të nisur fondin e sigurimeve shëndetësore. Kosova nuk ka pasur asnjëherë vullnet për të bërë një gjë të tillë. Vetëm njëzet kilometra më pak rrugë do të bënin këtë fond. Për kaq e kemi lënë veten nën trajtim mjerues.
-4-
Kujdesi shëndetësor, pra, nuk ka qenë asnjëherë prioritet këndej. Shëndeti i kosovarëve ka qenë i vënë në rend të dytë; do të duhej të ishte, pa fije dyshimi pra, i pakonkurrencë në vend të parë. Para rrugëve, drekave e darkave.
Mungesa e mjeteve, rrjedhimisht, ka nisur një cikël disfunksional shëndetësie këndej. Pagat e ulëta të mjekëve në vend i kanë shtyrë ata njerëz të shohin rrugë alternative për punë. Pjesa më e madhe e tyre kanë hapur ordinanca private – duke zvogëluar domosdo energjinë e potencialin në institucione publike; të tjerët kanë ikur nga vendi përgjithmonë. Me nivelin e dijes, shumë nga ta janë sot super të kërkuar nëpër Evropë.
Hallexhinjtë në anën tjetër, ata që kanë, kishin zgjedhur spitalet në rajon. Shkupi kishte qenë përfituesi më i madh i tyre, plot 70 milionë euro në vit shkonin e shkojnë andej përvjet. Beogradi, Tirana e Stambolli merrnin gjithashtu vëmendjen e kosovarëve vazhdimisht. Kosovarët, pra, nga lindjet deri tek intervenimet kirurgjike, onkologjike, radiologjike e çka jo tjetër, i bënin të gjitha jashtë. Ata që nuk kishin, e që përbëjnë fatkeqësisht një pjesë të madhe në vend, bashkëjetonin me këtë cikël jofunksional shëndetësie tash e gjashtëmbëdhjetë vjet. Shëndetësia kosovare, për tragjedinë më të madhe këndej, nuk u ofron atyre as shërbime penjsh, gjilpërash e tretësish – se të mos flasim për shërbimet më të shtrenjta e marramendëse.
Ky cikël disfunksional duhet të ndërpritet shpejt. Ndërprerja e tij do të bëjë rastet e të papërgjegjshmëve minore; do t’u jepte një trajtim më korrekt mjekëve për shërbimin publik; e pacientëve shërbime më të denja e të lira. Gjithsesi, nëse asgjë tjetër, një cikël i tillë do të mbante ata milionat e shpenzuar në regjion brenda në Kosovë. Mbajtja e tyre rrjedhimisht do të niste një cikël të ri, përmirësimi e kontribuuimi në vend.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...