Mbi varësinë e shtetit të pavarur

21 Shkurt 2014 - 17:58 - Lumir Abdixhiku      

Nëse duhet të ketë ndonjë akt patriotik që duhet dhuruar një shteti kaq fragjil në ditëlindjen e gjashtë të tij, atëherë nuk ka si të jetë ndryshe veçse pavarësimi nga varësuesit tanë; pavarësimi nga zaptuesit e paditur dhe nga injorantë të tjerë në shërbim të të paditurve e zaptuesve që marrin në qafë një popull të tërë tash e gjashtë vjet

-1-
Gashtë vjet kohë janë të mjaftueshme për të bërë një shikim prapa; në gjuhën ekonomike gjashtë vjet kohë është veçse periudhë afatgjatë. Gashtë vjet kohë janë shumë më shumë se ç’na duhet për të parë se çfarë shkoi ters e çfarë shkoi mbarë – jo se ka shumë të mbarë gjithsesi. E fakti që nuk gjej dhe mbarësi shumë në këta gjashtë vjet ecje, më bën të ndihem restriktiv në rikujtimet e ditëve historike, jo sepse dita nuk ishte historike – s’ka e s’do të ketë ditë më historike – por se bëj pishman secilën mundësi të humbur gjatë gjashtë vjetëve të parë, sepse nuk u pavarësuam nga varësuesit tanë.

-2-
Do ta kemi menduar shumë më ndryshe perspektivën tonë gjashtë vjet më parë. Sepse për nëntë vjet të tjerë para tyre ne kishim dëgjuar fjalët e njëjta të kompetencave, statusit të padefinuar, imazhit të pasigurt e prioriteteve politike si arsyetime të ngecjes sonë. Atëherë çfarë ka më pak sot se gjashtë vjet më parë?

Varësia ndërkombëtare në secilin hap tonin mbetet po aq e njëjtë; madje kjo varësi e përkthyer në një lloj miqësie profetike është bërë edhe platformë standarde e arsyetimeve çmendarake të secilit “dua të jem lider” të vendit; që në përpjekje për të mbuluar defiçencat e shumta, në shprehje e mendje, përdor vend e pa vend udhëzimin e miqve ndërkombëtarë, të ambasadorëve, diplomatëve e teknikëve tjerë që kalendarojnë edhe orarin e shkuarjes ose jo në tualet të përfaqësuesve tanë parlamentarë.

Miqtë megjithatë mbesin miq, e për telashet që kanë ata vetë nuk na bëhen prindër asnjëherë. Rrjedhimisht në vend të ecjes ne pas tyre do të duhej të ecnim vetë e ata të ecnin pas nesh. Po nuk ecëm para hiç; në të vërtetë ecëm shumë pak. Gjashtë vjet më pas, pasi kishim shterur çdo argument se nuk do të kalojmë mbi sakrificën e fundit tonën – atë të Pakos së Ahtisaarit – ne gjejmë veten duke kërkuar ndryshime kushtetuese përtej premisave të Pakos, duke ofruar e negociuar autonomi financiare, gjyqësore e territoriale në veri, e duke harruar të zhdukurit, dëmet e luftës, kërkimfaljen e plaçkitjet e pensioneve të pesëmbëdhjetë vjetëve më parë.

E për secilin që do të ketë menduar ndryshe procesin – dhe kuantitetin – e njohjeve bashkë me
konsolidimin tonë ndërkombëtar, asgjë nuk ka shkuar mbarë. Në të vërtetë, kur përjashton topitjen e marrë gjashtë vjet rresht me lajme të njëjta që na humbin dhe sensin e gjykimit të drejtë, e kupton se gjashtë vjet më parë sikur të na thoshin se do të njihemi me zor nga 106 vende, se rrugëtimi drejt BE-së do të ishte pa fund të qartë, se liberalizmi i vizave nuk do të ndodhte ende, e se ndeshjen e parë miqësore në futboll do ta zhvillonim vetëm gjashtë vjet më pas – pasi të kemi marrë pëlqimin nga Serbia gjithsesi – do t’i mbesnim në qafë; në qafë shumë.

Dhe fatkeqësia më e madhe buron nga ideja se ne u besojmë arsyetimeve të dhëna mbi paaftësinë për të ndikuar politikat e jashtme. Aftësia e ndikimi i politikave të jashtme është humbur në momentin që të jashtmit kanë parë vrullin e të pangopurve politikë tanë për të zaptuar e marrë gjithçka nga shteti ynë në bërje.

-3-
Dert i vogël do të ishin njohjet e ngadalta, sikur standardi social të ishte në rritje të shpejtë; por nuk është. Në të vërtetë, problemet e thella sociale kanë prodhuar tri efekte të tmerrshme në vend e të cilat nuk i kishim gjashtë vjet më parë. I pari, dhe më i rëndësishmi, ka të bëjë me emigrimin ilegal të kosovarëve. Në një rreth ku vetëm një nga tre të rinj është i punësuar – dhe atë me një pagë që mban atë e familjen e tij pak mbi pragun e varfërisë – ikja është i vetmi përfundim logjik, sado që i dhimbshëm shumë.

I dyti, dhe më i rrezikshmi, ka të bëjë me lindjen e përçarjeve fetare në vend, të shtyra jo nga besimtarë shumicë, por nga një pakicë e të çmendurve që – besoni ose jo – adhurojnë organizata terroriste e famëkeqe nëpër botë. Një stad i ri si ky i zhvillimeve sociale do të ketë qenë i paimagjinueshëm vetëm gjashtë vjet më parë.

I treti, dhe më i përhapuri, ka të bëjë me krimin ordiner nëpër rrugë. Mjafton një vështrim i shpejtë nëpër titujt e gazetave për të parë e kuptuar përhapjen e vrasjeve nëpër shkolla, plaçkave nëpër shtëpi, e gangsterëve nëpër rrugë – të gjitha në rritje; kjo nuk është gjendje paqeje, është luftë rrugaçësh që ecin të lirë gjithandej.

-4-
Do ta kemi menduar shumë më ndryshe edhe ecjen tonë ekonomike gjashtë vjet më parë; me siguri me investitorë të shumtë, kompani telefonike me nam botëror, vende të reja pune në termocentralin e ri, apo dhe biznese vendore kreative që kalojnë imagjinatën e pompave të benzinës e pishinave verore – të hapura gjithandej.

Gjashtë vjet më pas numrat ekonomikë na thonë një storie të tmerrshme, të pabesueshme, por të vërtetë. Nëse para gjashtë vjetëve ne kishim një bilanc në mes të eksportit dhe importit në minus 1.7 miliardë euro në vit; sot të njëjtin e kemi në minus 2.3 miliardë euro në vit. Nëse para gjashtë vjetëve ne kishim vetëm 25% të kosovarëve të moshës së punës në punë, sot i kemi po aq në punë dhe plot 25.000 të tjerë që na shtohen çdo vit si të papunë.

Nëse para gjashtë vjetëve kishim rritje ekonomike – mesatare – prej 4.8%, sot rritja mesatare e vjetëve të shkuar është 4.1%. E nëse para gjashtë vjetëve ne kishim 100 euro para të vlefshme, sot i kemi vetëm 70. Pra në gjashtë vjet ecje bizneset tona nuk kane prodhuar, por kanë rënduar më shumë varësinë tregtare; punëtorët tanë nuk janë punësuar, por janë zhvlerësuar nëpër kohë; ekonomia jonë nuk është zhvilluar, pro ka nënperformuar në krahasim me ecjen tonë paraprake; dhe në gjithë këtë kohë nëse të ardhurat tona kanë mbetur konstante ne jemi varfëruar për 30% - përveç nëse janë rritur për aq sa për ta na mbajtur në stad të njëjtë.

-5-
Sepse në gjashtë vjet ecje, të pangopurit zaptues kanë ngufatur gjithçka para tyre. Kanë ngufatur paranë publike nëpërmjet prokurimit publik, duke e bërë Kosovën vendin më të korruptuar në Evropë; kanë ngufatur pasuritë publike nëpërmjet privatizimeve frankenshtajne, duke larguar përfundimisht secilin investitor serioz; kanë ngufatur sistemin gjyqësor nëpërmjet kërcënimit e shantazhit, duke bërë shtetin një minidiktaturë në rritje; kanë ngufatur sistemin e edukimit nëpërmjet politikoakademikëve të paskrupullt, duke prodhuar kështu gjenerata të tëra të paafta për punë; kanë ngufatur mediet dhe mendimin publik nëpërmjet fashistëve klientelistë, duke prodhuar kështu propagandë provinciale dhe pa takt; kanë ngufatur policinë e sigurinë nëpërmjet instalimit të institucioneve parapartiake aty, duke prodhuar kështu një shtet policor në shërbim të ngufatësve.

Në gjashtë vjet shtet, këta kanë ngufatur gjithçka; kanë varësuar një shtet të pavarur. Sot gjithçka varet nga ta. Nëse duhet të ketë ndonjë akt patriotik që duhet dhuruar një shteti kaq fragjil në ditëlindjen e gjashtë të tij, atëherë nuk ka si të jetë ndryshe veçse pavarësimi nga varësuesit tanë; pavarësimi nga zaptuesit e paditur dhe nga injorantë të tjerë në shërbim të të paditurve e zaptuesve që marrin në qafë një popull të tërë tash e gjashtë vjet. Dhe ky duhet të jetë misioni ynë në vitin e shtatë të shtetësisë, që vitin tjetër të mos kujtojmë simbolikën, por edhe procesin e ecjes në tërësi.

abdixhiku@facebook.com 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...