E vërteta të çliron

11 Janar 2016 - 08:29 - Lumir Abdixhiku      

“Stupcat” pra, në atë përrallën e mbretit lakuriq, bënin fëmijën e vogël që thotë me zë – këta madje e bënë dhe bukur – atë që secili tjetër e dinte dhe shihte qartë e kaherë

-1-

Shoqëria kosovare po çlirohet. Po çlirohet nga frika e trajtimit dhe e përballjes me rrahagjoksit, dje çlirimtarë, sot kapës – natyrisht konsideratë për të gjitha përjashtimet. Dhe ky çlirim nuk u vu në pah nga një proces gjyqësor, as nga ndonjë kritikë shkrimi, por nga një skeç humori – nga vetë satira. “Stupcat”, një grup i mirënjohur satirik kosovar, kishte prodhuar në natën festive të Vitit të Ri një pamje sa komike, aq edhe tragjike të rrjedhave postçliruese në vend. Komike për mënyrën e portretizimit të ngjarjeve këndej, tragjike për vërtetësinë e tyre. Në një skenë lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy ushtarë bënin betejën, ndërsa dy të tjerët bënin planet e uzurpimeve pas përfundimit të luftës. “Stupcat” pra, në atë përrallën e mbretit lakuriq, bënin fëmijën e vogël që thotë me zë – këta madje e bënë dhe bukur – atë që secili tjetër e dinte dhe shihte qartë e kaherë.

Shpërfaqja e anës më të errët të shoqërisë sonë në këta 16 vjet liri, pra kapjen nga çliruesit, nxiti një valë debatesh këndej. Në njërin krah u shfaqën gulçuesit e zakonshëm tashmë, të cilët, siç dhe ndodh zakonisht kur preket në thelb ana e zezë e tyre – e që praktikisht është e gjithë veprimtaria e tyre postçliruese – i cilësuan portretizimet si tradhti, blasfemi, serbonostalgji, e çka jo tjetër. Disa, madje, dhe këtu fillon trishtimi i trajtimit të lirisë nga ta, filluan linçimin publik ndaj autorëve. Pra liria, sipas tyre, është liri përderisa nuk prek percepcionin e tyre mbi të drejtën e shprehjes. Për ta i lirë mund të jesh për aq sa ata të japin të drejtën e shprehjes dhe lirisë. Për ta, dhe rrjedhimisht secilin tjetër, trajtimi i tyre nuk guxon të bëhet asnjëherë, sepse ata janë të shenjtë.
Të tjerët gulçues shkumues, analizuan satirën e shfaqur në krahasimin e vërtetësisë së saj, duke aluduar se gjatë luftës nuk është menduar për zaptime. Të tillët pra ngatërronin një simbolikë satire me një “reality show” apo film dokumentar, ku faktet portretizohen me përpikëri. Skeçi natyrisht ishte simbolikë, e menduar jashtëzakonisht mirë madje, me shije plot, e që përfundimisht nxjerr në pah të vërtetën e vetme – se mbreti ishte lakuriq.

Komandantët dhe plot çlirimtarë të tjerë – sërish konsideratë shumë për përjashtimet – kishin shfrytëzuar luftën dhe kontributin e tyre për të kapur e përvetësuar për veten, familjen dhe rrethin e tyre, pasuri enorme në Kosovë. Me përvetësimin e pothuajse gjithçkaje për vete, ata kishin kapur dhe humbur edhe ardhmërinë e një shteti që tetë vjet më parë kishte lindur me plot shpresë.

Ky dhe ishte argumenti i anës tjetër të debatuesve. Dhe për rëndësinë më të madhe të përplasjes, këta përbënin shumicën, së paku kështu të jepej përshtypja nga aktiviteti diskutues social. Trajtimi qytetar i skeçit në fjalë sikur shpërfaqte një shpërthim të grumbulluar kaherë. “Stupcat”, me skeçin e tyre, kishin folur për të gjithë.

-2-

Shoqëria kosovare bën mirë që ngre debat mbi një temë tashmë të diskutuar nëpër vite. Bën mirë që guxon të trajtojë historinë e saj të para gjashtëmbëdhjetë vjetëve. Bën mirë pra që të flasë për të vërtetën, sepse e vërteta çliron. E çlirimi nga çlirimtarët e transformuar në kapës është domosdoshmëri e prosperitetit tonë.

Kosovarët pra duhen të çlirohen nga mitet fals. Nga vetë ideja e çlirimit madje. Shihni për pak Ditën e Çlirimit të Prishtinës vetëm gjashtëmbëdhjetë vjet pas saj, ne ende vazhdojmë të sillemi në një refuzim kolektiv, e festojmë Ditën e Çlirimit një ditë para hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ç’është e vërteta, as Prishtina e as Kosova – dhe për këtë janë mbi 1.7 milionë kosovarë dëshmitarë – nuk është çliruar nga të vetët. As nga lëvizjet pacifiste e as nga lëvizjet militare. Kosova, dhe qytetarët e saj, janë çliruar nga një intervenim – më i madhi në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, të vet NATO-s pra. Shtatëdhjetë e kusur net bombardimesh, të njëzet e kusur shtetesh më të fuqishme ushtarake, kishin detyruar regjimin e Milosheviqit të nënshkruajë kapitullimin dhe tërheqjen e forcave ushtarake nga Kosova. Pse një njësit militar i kosovarëve ishte futur një natë më parë në një fshat diku në rrethinë të Prishtinës, nuk e bënë çlirimin nga ne. Kjo farsë kolektive jona, e ditur nga të gjithë, është ushqyer megjithatë e vërtetë.

Me të njëjtën recetë është ushqyer edhe ekskluziviteti i kontributit shoqëror këndej. Thuajse nuk ka pasur asnjë përpjekje tjetër para luftës e çlirimit. Kjo e pavërtetë e shitur nga vetë çlirimtarët e transformuar në kapës, është bërë me të vetmin qëllim të lartësimit sa më të madh të vet tyre. Ç’është e vërteta, sado që lufta çlirimtare mbetet përpjekja më e rëndësishme, shumë herë më e rëndësishme se secila përpjekje tjetër pra, ajo megjithatë nuk është e vetme. Paralel me të, e para saj, kishte një makineri të tërë kontribuuesish. Ishin mësuesit e arsimit publik që me nga njëzet marka gjermane në muaj – aq sa të siguronin mbijetesën në varfëri të skajshme për familjet e tyre – mbanin sistemin arsimor këndej për vite. Ishin qytetarët që kishin lëshuar shtëpitë e tyre për mbajtje mësimi. Apo ishin mjekët e organizatave humanitare që kishin krijuar një sistem paralel të kujdesit shëndetësor. Apo ishin mërgimtarët tanë që me mundin më të madh të mundshëm mbanin me vite një shoqëri të tërë. Pra çlirimi, si akt përfundimtar, do të kishte qenë i pamundur pa një mbështetje të përvitshme, të mundimshme – por me plot ideal – të kontribuuesve të tjerë.

Si e vërtetë është ushqyer edhe paprekshmëria e çlirimtarëve. Pra me idenë se ne ju çliruam dhe asgjë tjetër para nesh nuk ka vlerë, ata kishin blerë një paprekshmëri të tyre. Thuajse kontributi i tyre, individual apo familjar, u jep të drejtë secilit të bëj çfarë të dojë, sa herë të dojë, kur të dojë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Thuajse jeta e kontributi i secilit është lojë bilancesh – bën një të mirë madhore një herë, je i titulluar për plot të zeza minore përherë.

Natyrisht, në këtë paprekshmëri kishte elemente të mjaftueshme të kërcënimit, shantazhit e çka jo tjetër. Vrasjet e kundërshtarëve politikë menjëherë pas luftës, rrahjet e haraçvëniet biznesmenëve kosovarë, uzurpimet e pompave të benzinës, hoteleve nëpër qendra e lokaleve më të shtrenjta gjithandej - disa madje edhe sot mbesin të uzurpuara - ekzistimi i shërbimit kriminal partiak ( i vërtetuar tashmë nëpërmjet disa proceseve gjyqësore të rastit “Bllaca”) i kishin shpërfaqur rrahagjoksit si të “armatosur e të rrezikshëm”, gangsterë modernë.

Për motive si këto, ne nuk kemi trajtuar asnjëherë asnjë pasurim të asnjë luftëtari – komandant e kontribuues individual pa dallim. Në vendin më të korruptuar në Evropë, me pasurimet më të pashpjegueshme në Evropë, ne nuk kemi guxuar të gjykojmë as edhe një rast të vetëm – as edhe një – të komandantëve supermilionerë.

Shihni për pak trendin dhe përmasën e pasurimit të të tillëve për 16 vjet. Sot, elitat financiare në vend nuk janë biznesmenë a ndërmarrës, nuk janë as inovatorë , janë ish-luftëtarë, pothuajse të gjithë komandantët. Privatizues të pothuajse pjesës më të madhe të pasurive shoqërore, kapës të të gjitha pozitave publike, determinues të përfitimeve të tenderëve, njerëz me ndikim në punësim, kontratëdhënie e çka jo tjetër. Dhe për tragjedinë më të madhe të kësaj shoqërie, sot ata na shpërfaqen si alternativë të njëri- tjetrit. Disa në pozitë, të tjerët në opozitë. Pa fije marreje e me gojën plot, ata kapës e superpasurues na dalin si zgjidhës të problemeve korruptuese e zaptuese në vend.

-3-

Për ta vënë rekordin drejt. E para, lufta dhe përpjekja për liri e kosovarëve është produkti më i lartë që kjo shoqëri e ky popull ka krijuar ndonjëherë. Si përpjekje e luftë pra, ajo mbetet e lartësuar. Sado e lartësuar që ajo mund të jetë – si lëvizje historike – ajo mbetet megjithatë tokësore, nuk është hyjnore pra. Trajtimi për toke pra i saj, është domosdoshmëri.

E dyta, pas përfundimit të luftës, në emër të saj dhe kontributit të saj, në Kosovë ka ndodhur kapja dhe hiperpasurimi i aktorëve më të të rëndësishëm të luftës. Kosova, për ta, është shndërruar në një plaçkë lufte. Megjithatë, është e domosdoshme që pasurimin individual të disave në emër të luftës – qofshin ata dhe figura kryesore të luftës – nuk guxojmë ta asociojmë me vetë luftën e përpjekjen për liri. Pra përpjekja për liri nuk guxon as të trajtohet me indiferencë, hiç se hiç me inat e urrejtje, vetëm se disa nga aktorët e saj kanë filluar të ndjekin karrierë gangsteri. Në vija të bashkimit të trajtimit të të dyve shoh shumë debat këndej. Lufta dhe përpjekja jonë shoqërore nuk është pronë e disa individëve.

E treta, madhështia e lirisë, dhe e sakrificës së çlirimtarit rrjedhimisht, është mu në dhënien e së drejtës secilit për të menduar e shprehur lirë. Prandaj dhe i thonë liri, prandaj dhe luftëtarët e pahile sot mbesin faqebardhë. Dhe në liri, trajtimi, edhe i luftës, është e duhet të jetë i lirë. Të marrim mësim nga trajtimet komike praktikisht të gjithçkaje në Perëndim. Në këtë vijë bën pjesë dhe skeçi i “Stupcave”. Reagimet e gulçuesve janë veçse shenja të mungesës së mendimit liberal këndej, e që në vete përbën një shqetësim natyrisht aq të madh.

E katërta, lirinë dhe kontributin e luftës nuk e ka fëlliqur humori. Ajo është fëlliqur kaherë nga kapësit, hajnat, cubat, kërcënuesit, gangsterët, tenderashët e rrahagjoksit e tjerë që s'kanë lënë të zezë pa i bërë këtij vendi në emër të shenjtërisë e lirisë. Hajgarja ndaj tyre sot është përgjigjja më e denjë ndaj tragjedisë së shkaktuar për 16 vjet.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...