Plaçka nacionale

5 Maj 2014 - 09:32 - Lumir Abdixhiku      

Refuzoj që kursimet e mia individuale të vihen në dispozicion të kujtdo tjetër pa pëlqimin tim. Një gjë e tillë veçse do të rrumbullakonte themelet e një plaçke nacionale si asnjëherë më parë. Pensioni im nuk është taksë; për qëllime të shoqërisë e të mirësisë së Kosovës unë dhe të tjerët paguajmë taksa. Pensionet i paguajmë për veten tonë

-1-

Mëngjesi i së mërkurës i erdhi Kosovës me një nismë arrestimesh dhe përndjekjesh rreth – potencialisht – institucionit më të korruptuar të Kosovës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ç’është e vërteta, mëngjese të tilla rreth AKP-së do të mund t’i ndodhnin Kosovës për dhjetë vjet të tjerë rresht; por nuk u bënë asnjëherë. Nuk u bënë as kur u falën pronat e Kosovës, as kur u dogjën dokumentet e shitjes, e nuk u bënë as kur pjesëmarrësit në krim – si viktimë apo si nxitës të tij – u deklaruan publikisht për krimbërje.

E siç ndodh rëndom këndej sa herë që bëhet fjalë për arrestime e përndjekje, në listë të emrave doli të jetë dhe një deputet. Tashmë listat e krimit pa një emër deputeti në to nuk janë më as lista të zakonshme. Ndonjëherë nuk arrij të dalloj se a bëhen kriminelë këta para se të marrin pushtet, apo vijnë në pushtet si krimbërës. Jo se ka dallim në të dyja rastet; veçse nëse del të jetë e para, atëherë del të kemi një pushtet të tërë krimbërës; nëse del e dyta, atëherë del të jetë se kemi një milet që nuk i dallon krimbërësit, andaj i promovon. E deputeti i përndjekur del të jetë nga opozita në kërkim pozite, pra LDK-ja, e cila në vend se të pastrojë partinë nga mangupë të tillë që i di e i njeh gjithkush gjithandej, promovon alternativë me hajna. Nëse hajnat e krimbërësit si ky janë alternativë e këtij vendi, e Kosovës së vitit 2020, jo më 1990, atëherë preferoj të mbesë me këtë qeveri dhe me hajnat e sotshëm. Së paku këta gjatë rrugës kanë mësuar edhe zanatin e punës aty-këtu.

-2-

Më 21 mars të këtij viti, në një kolumne të përjavshme të titulluar “Ku është opozita?”, kisha shkruar kështu: “Goditje antikriminale LDK-ja do të marrë edhe nga EULEX-i, që duket se më në fund po bën punën që është dashur ta bënte kaherë. Në LDK ka shumë ish-pushtetarë e individë të tjerë që kanë fjetur me krimin gjerë e gjatë; e të cilët në vend se të largohen nga partia janë mbajtur e kamufluar diku mes gjithë të tjerëve. Kostoja e kamuflimit do të paguhet megjithatë nga të gjithë – kurdo që antikrimi të shpërthejë”. LDK-ja sot duhet ta kuptojë se antikrimi sapo ka shpërthyer dhe se grimcat e shpërthimit të ndryrë do të bien të gjitha në oborr të saj. I gjithë çmimi i mosreagushmërisë dhe i mospastrimit të partisë nga individë të tillë – mangupë, hajna e dallaverexhinj superprofesionalë – tashmë do të paguhet nga të gjithë në parti; shumë shtrenjtë madje.

-3-

Nëse AKP-ja është krim, tentimkrim është fondi i programuar për punësim i Qeverisë në ikje e në kërkim të mandatit të tretë, i njohur si Fondi i Punësimit. Për secilin me jo shumë dije për idenë e përgjithshme të Fondit, fjala është për mbledhjen e parave të privatizimit dhe të Trustit në një vend dhe kështu dhënien e tyre si kredi për bizneset kosovare.

Tashti ideja e vënies në shfrytëzim të parave të privatizimit është thjesht e domosdoshme; në të vërtetë, bllokimi i tyre tash e sa vjet jashtë tregut të tharë të Kosovës ishte tërësisht absurde. Por paratë e privatizimit janë vetëm gjysma e tregimit të gjithëmbarshëm mbi Fondin, sepse, paradoksalisht, propozimi parasheh edhe inkuadrimin e kursimeve individuale të kosovarëve po në këtë fond.

Unë identifikoj tri probleme me idenë e futjes së parave të pensioneve në këtë fond. Problemi i parë ka të bëjë me trajtimin e kursimit individual si para të gjithë shoqërisë – rrjedhimisht si e drejtë ekskluzive e një qeverie të bëjë çfarëdo me to. Pra, për ta vënë rekordin drejt, paratë e Trustit janë para të 300.000 kontribuuesve kosovarë – e askujt tjetër – dhe se secili ka të drejtë individuale në hisen përkatëse të tij. Qëllimi i vetëm i Fondit Pensional është rritja e profitit, vlerës së fondit dhe kështu sigurimit të një pleqërie të denjë për kontribuuesit dhe përfituesit e tjerë. Për arsye si kjo, Fondi duhet të ndjekë vetëm tregjet që ofrojnë përfitime më të mëdha dhe siguri shtesë. Çdo devijim prej këtij qëllimi është ndërhyrje flagrante në pasurinë individuale të kosovarëve kontribuues. Është njëjtë sikur ta obligosh një individ se ku duhet t’i mbajë kursimet (bankare ose kesh) e veta.

Problemi i dytë ka të bëjë me përcaktimin e të zotit të fatit të fondit; e që natyrisht se nuk është Qeveria. Nëse Qeveria beson se ka individë që preferojnë investimet e fondeve pensionale në Kosovë – për çfarëdo qëllimi – atëherë le të bëjë një portofolio opsionale ku kontribuuesit mund të zgjedhin se ku dëshirojnë paratë e tyre të jenë. Të zgjedhin se a dëshirojnë të jenë këto para nëpër tregje që sjellin fitime më të mëdha, pra kanë interes më të lartë (e më të sigurt gjithashtu) – dhe kështu gjatë pensionit të marrin më shumë para – apo dëshirojnë që nëpërmjet një qeverie afatshkurtër – si kjo ose si cilado tjetër – t’i japin fondet e veta me interes në Kosovë. Le të zgjedhin votuesit e kryeministrit investimin sipas listës së dëshirave të tij më pas; nëse bash i besojnë.

Problemi i tretë ka të bëjë me kredibilitetin e menaxhimit të 1.5 miliardë eurove nga një qeveri si kjo. Të mos harrojmë, kjo qeveri dhe kjo qeverisje njihen si më të korruptuarat në gjithë Evropën. Pasi ka shterë e tharë gjithë pasurinë publike, falë asete e shpenzuar çmendurisht gjithë buxhetin – madje pasi ka marrë dhe borxh – ajo iu është vënë kursimeve të kosovarëve si mjet i fundit i paprekur në vend – gjithmonë për të vazhduar politikat e saj të deritanishme që përveçse kanë pasuruar individë – të biznesit e politikës – të lidhur ngushtë me pushtetin kriminal, nuk ka bërë asgjë tjetër hiç.

E për arsye si këto, refuzoj që kursimet e mia individuale të vihen në dispozicion të cilido kujt tjetër pa pëlqimin tim. Një gjë e tillë veçse do të rrumbullakonte themelet e një plaçke nacionale si asnjëherë më parë. Pensioni im nuk është taksë; për qëllime të shoqërisë e të mirësisë së Kosovës unë dhe të tjerët paguajmë taksa. Pensionet i paguajmë për veten tonë.


abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...