Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

15 Shkurt 2017 - 08:22 - Augustin Palokaj      

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se nuk është e vërtetë një gjë e tillë nga zyrtarët e BE-së dëgjohet se “BE-ja është neutrale ndaj statusit dhe nuk e konsideron Kosovën si shtet”. Nga zyrtarët e angazhuar në dialog diplomatëve u thuhet se “fakti se BE-ja është e ndarë në qëndrime rreth statusit është përparësi e jo dobësi e BE-së, sepse kështu ajo është në pozitë të jetë lehtësuesi më i mirë në dialog”. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se “nuk besojnë se në BE kanë një qëndrim të tillë, sepse asnjëherë nuk ua kanë thënë”. Mënyra më e mirë, e ndoshta edhe e vetme, që kjo të dëshmohet është që Federika Mogherini dhe zyrtarët tjerë të thonë se do të preferonin që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të sigurohet që edhe për këtë BE-ja flet me një zë

Kanë kaluar nëntë vjet prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe ende numërojmë shtetet të cilat e kanë njohur këtë pavarësi. Ky numërim nuk do të ishte aq i rëndësishëm sikur mungesa e njohjeve nga disa shtete të mos paraqiste pengesa serioze, shpesh edhe të pakapërcyeshme për faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për realizimin e aspiratave të saj të integrimit në organizmat ndërkombëtarë.

Kosova llogarit numrin e njohjeve për të dëshmuar se si shtet njihet nga shumica e botës. Serbia thirret në madhësinë territoriale dhe numrin e banorëve të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën për të pohuar se “shumica e botës nuk e ka njohur”, pasi në mesin e shteteve që nuk e njohin Kosovën janë edhe shtetet me numër të madh banorësh si Kina, India, Brazili, Meksiko dhe shtetet me territor të madh si Rusia. Por fakti është se shumica e shteteve anëtare të OKB-së, shumica e madhe e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së e kanë njohur Kosovën. Problem për Kosovën është kundërshtimi dhe pengesat që i bën Rusia Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku ajo, krahas Kinës, që është më pak e interesuar, ka të drejtë vetoje.

Në dy organizatat tjera që Kosova synon një ditë të anëtarësohet, NATO dhe Bashkimi Evropian, nuk ndihmon shumë fakti se Kosovën e kanë njohur pothuajse të gjitha shtetet anëtare (në NATO 24 prej 28, ndërsa në BE 23 prej 28), pasi në çështjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në BE, e në rastin e NATO-s në të gjitha çështjet, vendoset me konsensus. Madje fitohet përshtypja se më aktive janë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën sesa ato që e kanë njohur. BE-ja ia përmend Kosovës emrin me fusnotë, ndërsa NATO heziton madje edhe emrin t’ia përmendë Kosovës dhe kur përmend liderët politikë ata i përmend me emra e jo me funksione që kanë. Pa njohje nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së Kosova nuk mund të anëtarësohet në këto shtete.

Kosovën deri tash e kanë njohur 113 shtete nga 193 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky numër nuk është i vogël, por as i madh nëse krahasohet me periudhën nëntëvjeçarë sa ka kaluar nga shpallja e Pavarësisë.

Para një muaji Kroacia dhe Sllovenia shënuan 25-vjetorin e njohjes së tyre nga ana e Bashkimit Evropian që e shënojnë edhe si “ditën e njohjes ndërkombëtare”. Dhe me atë rast në Kroaci doli lajmi se edhe 14 shtete nuk e kanë njohur Kroacinë si shtet dhe nuk kanë lidhur marrëdhënie diplomatike. Edhe më interesant është se shumica e atyre shteteve që nuk e kanë njohur Kroacinë e kanë njohur Kosovën. Si për shembull Butani, Gjibuti, Liberia. Ishujt Mareshal. Swaziland, Tonga dhe Tuvalu. Për disa nga këto shtete vështirë se do të kishim dëgjuar sikur të mos ishin në listën e vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Shpesh në Kosovë bëhen debate rreth njohjeve. Por ky debat është i shtrembëruar për shkak të egos së politikanëve që të marrin meritat për njohje, ndërsa të mos ndiejnë kurrfarë përgjegjësie për dështimet në rritjen edhe më të madhe të numrit në njohjes. Përderisa në Kosovë shpesh politikanët përmendin veten e tyre si meritorë për njohje, në Kroaci përmendin vetëm politikanët e huaj që kanë ndihmuar në këtë proces.

E fakt është se shumica e madhe e njohjeve të Kosovës janë bërë falë punës dhe insistimit të shteteve sponsorizuese të Pavarësisë së Kosovës dhe atyre që mbështesin këtë shtetësi që nga fillimi i procesit të caktimit të statusit. Nëse shihet harta e botës me shtetet që e kanë njohur Kosovën vërehet qartë se fjala është për shtete ku ndikim të madh kanë fuqitë perëndimore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Deri diku ka ndihmuar edhe Turqia. Njohjet kanë munguar nga vendet ku kanë ndikim Rusia dhe Spanja. Rusia tek vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në disa vende islamike, të cilat kanë qëndrim antiperëndimor, ndërsa Spanja në disa vende të Afrikës së Veriut dhe të Amerikës Latine. Politikanët nga Kosova, ose kanë vendosur kontakte formale kur një shtet na ka njohur, pasi puna ishte kryer nga dikush jashtë Kosovës, ose prisnin që të shpallej njohja e pastaj të mundoheshin të merrnin meritat për vete. Një sjellje e tillë, pos që ka qenë manipuluese, ka qenë edhe jokorrekte ndaj shteteve diplomacia e të cilave ka investuar shumë në njohjen e Kosovës. Dhe një sjellje e tillë e marrjes së meritave ka ndikuar edhe në zbehjen e vullnetit te këto shtete që të vazhdojnë me nivelin e njëjtë të lobingut për njohje me të cilin kishin filluar në fazën e parë pas shpalljes së Pavarësisë.

Nëse shikohen datat se kur cili shtet e ka njohur Kosovën shihet se procesi me kalimin e kohës është bërë më i ngadalshëm. Pra rasti më i mirë ka qenë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Më vonë, me kalimin e kohës, është bërë si një “normalitet i ri” që të numërojnë aty-këtu ndonjë njohje pas disa muajsh. Dhe në verën e vitit 2010 u paraqit një rast i jashtëzakonshëm për të siguruar njohje nga shtetet kyç, sidomos nga ato shtete të BE-së, të cilat kundërshtonin Pavarësinë e Kosovës, duke u thirrur në argumente të së drejtës ndërkombëtare. Më 22 korrik të vitit 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

U prit që BE-ja dhe NATO-ja do t’u thonë vendeve të tyre anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën që tash ta bëjnë këtë, sepse nuk vlen më argumenti i tyre, pasi organi më i thirrur në botë për të interpretuar të drejtën ndërkombëtare u shpreh se shpallja e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e kësaj të drejte. Por me përjashtim të Parlamentit Evropian asnjë organizëm tjetër i BE-së apo i NATO-s nuk bënë mundin që të rrisin presionin për njohje.

Në vend të kësaj i tërë debati dhe fokusi nga ky mendim pozitiv që dha rast për njohje u bart në organizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm se u harrua njohja nga ana e 5 shteteve të BE-së, por BE-ja filloi ta konsiderojë këtë mosnjohje nga 5 shtete të saj anëtare si një rrethanë të mirë.

Kur liderët e Serbisë nëpër takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë” si argument se nuk është e vërtetë një gjë e tillë nga zyrtarët e BE-së dëgjohet se “BE-ja është neutrale ndaj statusit dhe nuk e konsideron Kosovën si shtet”. Nga zyrtarët e angazhuar në dialog diplomatëve u thuhet se “fakti se BE-ja është e ndarë në qëndrime rreth statusit është përparësi e jo dobësi e BE-së, sepse kështu ajo është në pozitë të jetë lehtësuesi më i mirë në dialog”. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se “nuk besojnë se në BE kanë një qëndrim të tillë, sepse asnjëherë nuk ua kanë thënë”. Mënyra më e mirë, e ndoshta edhe e vetme, që kjo të dëshmohet është që Federika Mogherini të thotë se ajo do të preferonte që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të sigurohet që edhe për këtë BE-ja flet me një zë.

Rreth kësaj çështjeje shpesh në BE arsyetohen, duke thënë se “BE-ja nuk njeh shtete, por kjo është kompetencë e vendeve anëtare”. Por pse atëherë liderët politikë të BE-së së paku nuk japin deklarata politike se do të ishte mirë që të gjitha shtetet ta njohin Kosovën. Ata deklarohen shpesh për çështje tjera për të cilat nuk ka konsensus në BE dhe pse atëherë hezitojnë që të deklarohen se a do të ishte mirë apo jo të njihet Kosova. Shkak i kësaj është dialogu, sepse në BE kanë frikë se në rast të njohjes së Kosovës nga të gjitha shtetet atëherë nuk do të mundë të ishin ndërmjetësues në mes të “Beogradit dhe Prishtinës”, por eventualisht ndërmjetësues mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura.

Mosnjohja e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së ia ka vështirësuar Kosovës jetën, ia ka vështirësuar edhe BE-së realizimin e politikës së zgjerimit në rajonin e Ballkanit, e ka bërë BE-në të duket qesharake në skenën ndërkombëtare ku dëshiron të “flasë me një zë” e nuk mund të kenë unitet as rreth një çështjeje kaq të rëndësishme në vetë oborrin e BE-së, në Ballkan. Mosnjohja ia ka vështirësuar edhe Serbisë përballjen me realitetin e ri se Kosova është shtet. Këtë privatisht e kanë thënë edhe vetë disa politikanë serbë, të cilët, qysh para se të shpallej Pavarësia, kishin tërhequr vërejtjen se nëse do të ketë shtete që nuk do ta njohin Kosovën, atëherë Serbia kurrsesi nuk mund ta bëjë këtë. Në këtë pikë jemi edhe sot nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa me kalimin e kohës Serbia po inkurajohet, duke shpresuar se një ditë do të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare dhe mund të kthejnë situatën në Kosovë në favor të tyre. Kjo ndasi në BE dhe NATO rreth statusit të Kosovës është bërë edhe rrezik potencial për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, sepse kuptohet si sinjal se nuk ka përfunduar ende vizatimi i kufijve të shteteve në Ballkan. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...