Kroacia nuk i shfrytëzoi si duhet dy vjetët e parë në BE

24 Qershor 2015 - 08:19 - Augustin Palokaj      

Vërtet, Kroacinë mund ta përdorin si shembull edhe të mirë, por edhe jo të mirë për të vlerësuar ndikimin e procesit të zgjerimit në BE. Vetë procesi e ndryshoi këtë shtet sa i përket sundimit të ligjit, por dy vjetët e parë të anëtarësisë nuk i ndihmuan të dalë nga kriza ekonomike. Kroacia u bind se anëtarësimi në BE nuk i zgjidh me automatizëm problemet ekonomike dhe sociale. Por sikur të mos kishte hyrë në BE para dy vjetësh situata në Kroaci do të ishte edhe më e keqe

Më 1 korrik do të mbushen dy vjet prej anëtarësimit të Kroacisë në BE. Data 1 korrik e vitit 2013 duhet të mbahet mend mirë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, sepse është vështirë të parashikohet se kur do të mund të hyjë ndonjë vend tjetër i ri anëtar në këtë bashkësi të kombeve evropiane. Nëse i pyet dikush sot politikanët kryesorë evropianë ata privatisht do të pranojnë nëse zgjerimi është gjëja e fundit që u bie në mend. Janë të zënë me zgjidhjen e krizës në Greqi që mund të shkojë deri tek falimentimi i një shteti të eurozonës dhe të BE-së. Janë të zënë me forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së për çka disa liderë evropianë propozojnë edhe ndërtime muresh në kufijtë e jashtëm. Janë të zënë me përballjen me faktin se pas 25 vjetësh bashkëpunimi me Rusinë tash këtë shtet nuk e shohin më si partner strategjik, por si rrezik, dhe rreth raporteve me këtë shtet nuk ka as pajtim mes vetë shteteve anëtare. Janë të zënë me negociatat me Britaninë e Madhe dhe përsiatjet e saj se a do apo jo të mbetet në Bashkimin Evropian. Janë të zënë edhe me sfidën e arritjes së Marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila do të krijonte një treg më të madh në botë, diçka si një lloj “NATO tregtare”. Liderët evropianë janë të zënë edhe me ruajtjen e stabilitetit të ekonomive të tyre, me agjendën e re energjetike dhe atë digjitale.

Pra ata, së paku në nivelin më të lartë, nuk kanë shumë kohë që të merren me vendet e Ballkanit dhe të mendojnë se si t’i pranojnë në BE ashtu të varfër çfarë janë, dhe me probleme të mëdha edhe brenda vetë atyre shteteve edhe në mes të tyre. Në këto rrethana është reale të thuhet se pas hyrjes së Kroacisë në BE do të kalojnë edhe së paku dhjetë vjet derisa një shtet tjetër i rajonit të Ballkanit do të bëhet anëtar. Dhe deri atëherë nuk dihet se çfarë do të jetë BE-ja, edhe pse ajo gjithsesi do të mbijetojë.

Dhe për Kroacinë po ashtu sot duhet pranuar se kapi trenin e fundit për të hyrë në Bashkimin Evropian. Kush e di se çfarë do të kishte ndodhur sikur në vitin 2011 të mos i kishte përmbyllur negociatat dhe sikur të mos kishte hyrë në BE.

Kroacia ndoqi rrugën më të gjatë dhe më të vështirë të procesit të zgjerimit për t’u bërë anëtare e BE-së. Natyrisht këtu nuk duam ta krahasojmë me Turqinë, e cila po të njëjtën ditë kur edhe Kroacia, madje disa minuta më herët, më 4 tetor të vitit 2005, nisi negociatat e zgjerimit. Nuk mund ta krahasojmë me Turqinë, sepse sot as hipokritët politikë nuk thonë më se besojnë se Turqia do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së dhe duket gjithnjë e më shumë se dëshira për një gjë të tillë po zvogëlohet edhe në Turqi. Kroacia negocioi me kushte shumë më të vështira sesa vendet tjera të Evropës Lindore. Edhe pse në BE gjithmonë thonë se “kushtet janë të njëjta për të gjithë” në praktikë kjo nuk është ashtu, sepse secilin vit kushtet shtohen, shtohet baza ligjore e Bashkimit Evropian dhe me këtë edhe vetë procedura bëhet më e gjatë dhe më sfiduese. Duke pasur parasysh se sa larg Kroacisë janë shtetet tjera të rajonit të Ballkanit, sidomos në fuqinë e tyre ekonomike dhe me sundimin e ligjit, atëherë mund të parashihet se shteteve tjera do t’u duhet më shumë kohë sesa edhe Kroacisë e jo më pak.

Kroacinë shpesh e kanë përmendur si shembull në BE se procesi i zgjerimit funksionon, se magneti i quajtur anëtarësim në BE është shumë tërheqës dhe motiv për reforma nga vendi kandidat, por edhe se BE-ja, kur kandidati i përmbush kushtet, e mban premtimin e vet dhe e pranon këtë vend në BE. Por nuk duhet harruar edhe disa kritere tjera, më shumë joformale, që e bënë Kroacinë të jetë më shumë e pranueshme për BE-në sesa që do të jenë vendet tjera të rajonit. Kroacia edhe në ish-Jugosllavi ishte, krahas Sllovenisë, më e pasur, më e zhvilluar ekonomikisht dhe, në aspektin kulturologjik, më e lidhur me Perëndimin sesa pjesët tjera të rajonit. Kroacia ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor për të cilin shumica e qytetarëve të BE-së sipas anketave shpreheshin se do të duhej pranuar në BE. Ajo kishte shumë shtete mike që e mbështesnin pa rezervë anëtarësimin e saj, natyrisht me kushtin që të bëjë pjesën e saj të punës, sidomos Austria dhe Gjermania, për të mos përmendur të gjitha shtetet e Evropës Lindore. Kroacinë vetë zyrtarët kryesorë të BE-së më shumë e shihnin si një shtet, i cili ka rënë nga treni i zgjerimit të madh dhe duhet të hyjë sa më shpejt sesa si një shtet i cili do t’i prijë ndonjë treni tjetër.

Me të gjitha peripecitë që pati Kroacia u bë anëtare e BE-së më 1 korrik të vitit 2013, pa ndonjë eufori as në Kroaci e as në BE. Dy vjet më vonë Gjermania ka vendosur të mos e zgjasë kufizimin për shtetasit kroatë për qasje në tregun gjerman të punës. Pas hyrjes së një shteti të ri në BE vendet e vjetra anëtare kanë të drejtë deri në shtatë vjet ta mbajnë tregun e tyre të punës të mbyllur për shtetasit e rinj të BE-së. Gjermania e ka bërë këtë gjithmonë deri në maksimum, ndërsa ka vendosur që për kroatët të liberalizojë tregun e saj vetëm pas dy vjetësh. Kjo do të thotë se prej 1 korrikut të këtij viti shtetasit e Kroacisë do të mund të shkojnë në Gjermani dhe të punojnë pa pasur nevojë për leje pune, me të gjitha të drejtat e njëjta sikur vetë gjermanët.

Ky vendim i Gjermanisë tashmë ka hapur debate në Kroaci, ku për shkak të gjendjes së vështirë sociale, shihet si lajm edhe i mirë, por edhe i keq. I mirë, sepse Kroacia ka papunësinë e madhe prej 18 % dhe shumë të rinj do të mund të zgjidhnin problemet e tyre socialen duke gjetur punë në Gjermani. Të tjerët e shohin këtë si një paralajmërim se Kroacia do të vazhdojë të zbrazet nga të rinjtë sikur ishte zbrazur në periudhën e shkuarjes masive të gastarbajterëve në kohën e Titos. Por atëherë shkonin kryesisht punëtorë krahu, ndërsa tash shkojnë shtresat më të shkolluara. Regjistrimi i popullsisë në Kroaci vazhdimisht dëshmon se po zvogëlohet numri i banorëve të saj, deri tash për shkak të natalitetit të ulët, ndërsa kohëve të fundit edhe për shkak të emigrimit. Me heqjen e kufizimeve për qasjen në tregun e punës në vendet e pasura të BE-së numri i atyre që do ta lëshojnë Kroacinë do të jetë edhe më i madh.

Por këto dilema që i ka Kroacia sot, dy vjet pas hyrjes në BE, vendet tjera të Ballkanit do të dëshironin t’i kishin po ashtu, sepse për to ato duken si brenga të këndshme. Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi janë shumë larg Kroacisë.

Vërtet Kroacinë mund ta përdorin si shembull edhe të mirë, por edhe jo të mirë për të vlerësuar ndikimin e procesit të zgjerimit në BE. Vetë procesi e ndryshoi këtë shtet sa i përket sundimit të ligjit, por dy vjetët e parë të anëtarësisë nuk i ndihmuan të dalë nga kriza ekonomike. Kroacia u bind se anëtarësimi në BE nuk i zgjidh me automatizëm problemet ekonomike dhe sociale. Por sikur të mos kishte hyrë në BE para dy vjetësh situata në Kroaci do të ishte edhe më e keqe.

Nëse për dy vjetët e parë të Kroacisë në BE dhe mund të thuhet se ishte një rast i pashfrytëzuar si duhet, periudhë në të cilën Kroacia nuk ishte e gatshme t’i shfrytëzojë si duhet as fondet e mëdha kohezive të BE-së, padyshim periudha e ardhshme do të jetë më e mirë, sepse Kroacia, falë edhe fondeve të BE-së dhe faktit se është anëtare, do të dalë nga recesioni tetëvjeçar, do të shënojë sado pak rritje ekonomike. Por, edhe në BE gjërat nuk shkojnë shpejt dhe Kroacisë do t’i duhet dhjetë vjet për të ardhur në nivelin e BDP-së që e kishte para hyrjes në recesion në vitin 2008. Sado që është më e zhvilluar se vendet tjera të rajonit, Kroacia megjithatë është e treta më e varfra në BE, pas Bullgarisë dhe Rumanisë. Dhe në BE po mendojnë se, përderisa mund ta absorbojnë disi Kroacinë, vështirë mund ta paramendojnë që BE-ja t’i pranojë edhe gjashtë shtete tjera të rajonit të Ballkanit që janë të varfra me standardet e Bashkimit Evropian. Kjo nuk do të duhej t’i dekurajonte këto vende, por t’ua bëjë të qartë se nuk mund dhe nuk kanë kohë për të pritur që integrimi në BE t’ua zgjidhë problemet. Nuk mund të presin se kjo do të zgjasë shumë dhe, siç na mëson shembulli i Kroacisë, edhe kur të përmbyllet një ditë me aderimin në BE nuk do t’i zgjidhë menjëherë të gjitha problemet e qytetarëve.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...