27 Prill 2016 - 08:52 - Augustin Palokaj
Zgjedhjet në Serbi janë parë me interes të veçantë si nga vendet fqinje, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë interes të Rusisë për zgjedhjet në Serbi sesa për këto që u zhvilluan të dielën. Politikanët perëndimorë nuk fshehin dëshirën e tyre që nga këto zgjedhje fitues të dalë Aleksandar Vuçiq, lider i Partisë Përparimtarë të Serbisë, i cili, së paku në sjellje, ka ndryshuar krejtësisht qëndrimet që ka pasur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, qëndrime që shumë në Ballkan i kanë quajtur si “episode të qarta fashiste”, siç ka qenë edhe ajo se “për 1 serb do të vrasim 100 myslimanë”, apo edhe fjalimet për “tokat serbe” në territorin e Kroacisë. Vuçiq viteve të fundit ka qenë një politikan, i cili ka balancuar mirë. Duke shfrytëzuar presidentin Tomislav Nikoliq, në këtë drejtim duke lënë edhe përshtypjen se nuk pajtohet tërësisht me qëndrimet e tyre, ka mbajtur lidhje më se vëllazërore me Rusinë. Në anën tjetër është afruar me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka arritur të ndërtojë raporte shumë të mira me vendet fqinje, sidomos me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Pak më vështirë e ka me Kroacinë, ku i duhet shumë më shumë përpjekje për t’u dëshmuar si politikan që është i gatshëm për pajtim, sepse në Kroaci traumat nga e kaluara janë ende të freskëta. Sa i përket Kosovës po ashtu ka krijuar përshtypjen se është politikan i cili ka fuqi dhe vullnet të marrë vendime të vështira.
Por të gjitha këto pohime dhe bindje që kanë krijuar politikanët perëndimorë për Serbinë e udhëhequr nga Vuçiq duhet marrë edhe me një dozë të rezervës. Serbia nën drejtimin e Vuçiqit ka bërë disa hapa për t’u afruar me Bashkimin Evropian, por nuk ka bërë asnjë hap për t’u distancuar nga Rusia. Nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, edhe pse një gjë e tillë është detyrim politik i vendeve që kanë MSA, ka ftuar Putinin dhe ushtrinë ruse në paradën ushtarake në Beograd, është rreshtuar me Rusinë kundër pranimit të Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare ku kanë mundur, me Rusinë kanë parandaluar edhe miratimin e Rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë. Vështirë që Vuçiq do të distancohet më shumë nga Rusia pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa rreth Kosovës nuk pritet ndryshim dramatik i politikës, sepse, si duket, të gjithëve u konvenon që gjërat në Kosovë të shkojnë ngadalë, të vazhdohet status quoja për vite me radhë.
Vuçiq, e para tij Daçiq, edhe pse kanë rënë dakord për disa marrëveshje me “autoritetet e shqiptarëve të Kosovës”, siç u referohen ata përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, por në asnjë nga ato marrëveshje në asnjë mënyrë nuk është vënë në pikëpyetje qëndrimi i Serbisë se Kosova nuk është shtet. Në një mënyrë edhe zhvillimi i zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës e dëshmon se Serbia edhe si shtet është e pranishme në Kosovë. Jo vetëm se nuk e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por kundërshtimin e ka bërë edhe duke e quajtur Kosovën si “krijesë e ngjashme me ISIS-in”, siç ka qenë rasti gjatë lobimit të suksesshëm të Serbisë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Dhe ndaj sjelljes së tillë të Serbisë nuk ka pasur shumë reagime as në Kosovë e gjithsesi jo në BE. Edhe pse në Bruksel vazhdojnë gjithmonë të përdorin emërtimin “normalizim” raportet mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë në nivelin që mund të quhen normale.
Serbia nën udhëheqjen e Vuçiqit ka bërë edhe disa hapa në përmbushjen e standardeve evropiane, madje edhe për t’u përballur me një pjesë të së kaluarës. Këtë e ka bërë edhe duke vizituar Srebrenicën ku në vitin 1995 forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë kryer gjenocid ndaj më shumë se 8.000 myslimanëve të Bosnjës. Por edhe këtu Vuçiq nuk ka gjetur fuqi të pranojë se ajo që ka ndodhur është gjenocid. Prandaj ende ekziston dilema se cila Serbi është e sinqertë: ajo që shpreh keqardhje për viktimat e Srebrenicës apo ajo që feston dështimin e Rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë. Ajo Serbi e cila normalizon raportet me Kosovën apo ajo që e krahason Kosovën me ISIS-in, krijesën më të rrezikshme në botë sot.
Do të ishte mirë për të gjithë që Serbia të jetë vërtet në rrugën e integrimeve evropiane, por jo vetëm duke hapur dhe mbyllur kapituj në negociata, por edhe duke ndryshuar nga brenda. E për popujt e rajonit të cilët ishin viktimë e politikave agresore të Serbisë ky ndryshim do të shihej më së shumti përmes pranimit të përgjegjësisë për të kaluarën dhe dënimin pa rezerva të asaj politike. Ajo që është parë në fushatën zgjedhore, sidomos nga disa parti, përfshirë edhe nga Partia Socialiste e Serbisë, parti të cilën e ka krijuar Slobodan Milosheviqi dhe tash e udhëheq Ivica Daçiq, tregohej tendenca për ta arsyetuar dhe madje glorifikuar politikën e Milosheviqit. Edhe nga Vuçiqi janë dëgjuar deklarata, të cilat, edhe nëse kanë pasur qëllim të distancohen nga politikat e Milosheviqit, kanë lënë përshtypje se nuk janë aq shumë kundër qëllimeve të Milosheviqit, por më shumë janë të dëshpëruar se ai i humbi luftërat dhe nuk i arriti ato qëllime.
Edhe kur një lider duket se është shumë i gatshëm të zbatojë kërkesat e BE-së për demokracinë është shumë e pashëndoshë dhe madje edhe e rrezikshme që ai të këtë pushtetin absolut. Vuçiç edhe i provokoi këto zgjedhje për të fituar edhe një mandat para se të skadojë mandati që ishte në vazhdim e sipër, dhe të forcojë madje pushtetin duke krijuar rrethana në të cilat ai mund të jetë fitues absolut. Mund të dëshmohet si gabim nëse mendojnë se me të, si sundimtar absolut të Serbisë, do të mund ta kenë më të lehtë që të arrijnë qëllimet e tyre. Sidomos duke parë sesa i shkathtë është Vuçiq të ndryshojë diametralisht qëndrimet dhe qëllimet e tij. Këtu BE-ja sidomos duhet të jetë e kujdesshme, sepse ajo, edhe ashtu, nuk ka shumë për t’i ofruar Vuçiqit në një të ardhme të afërt, pasi që në BE nuk ka shumë gatishmëri për t’u zgjeruar. Dhe në atë rast Vuçiq, nëse vlerëson se është në interes të tij, nuk do ta ketë problem të afrohet edhe më shumë me Rusinë.
BE-ja edhe vetë e ka përjetuar në lëkurën e saj sesi ata që janë konsideruar aleatë të BE-së janë konvertuar. BE-ja me të gjitha mjetet në vitin 2000 kishte ndihmuar që në pushtet të vijnë “proevropianët” që rrëzuan nga pushteti Slobodan Milosheviqin me bashkëpunëtorët e tij nacionalistë Vuçiq, Nikoliq dhe Daçiq, ndërsa në pushtet sollën Vojislav Koshtunicën. Në zgjedhjet e fundit edhe politikanët evropianë e quajnë tash opozitën ndaj Vuçiqit si “nacionaliste” dhe proruse, edhe pse në mesin e tyre është edhe vetë Vojislav Koshtunica dhe partia e tij, Partia Demokratike e Serbisë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...