8 Korrik 2015 - 08:22 - Augustin Palokaj
Shumica e qytetarëve të Greqisë, pa marrë parasysh se a e mbështesin qeverinë komuniste të ekstremit të majtë të Syrizës apo janë kundër saj, besojnë se fajtore kryesore për problemet e sotme të tyre sociale janë Gjermania dhe disa teknokratë në Komisionin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ata besojnë se kanë pasur një jetë të mirë deri më tash dhe në gjashtë vjetët e fundit. Për inat dikush në Gjermani ka vendosur që grekët duhet të vuajnë. U kanë imponuar atyre masa të ashpra të kursimeve, detyra që të kthejnë borxhin dhe ua kanë ndaluar t’i rrisin rrogat në administratë dhe pensionet.
Problemi me këtë qëndrim të shumicës së qytetarëve të Greqisë është se ka qytetarë edhe në shtetet e tjera të BE-së dhe të Eurozonës, të cilët mendojnë se grekët me vite kanë jetuar mbi mundësitë e tyre, nuk kanë paguar taksa, kanë shkuar shumë herët në pension dhe i kanë pensionet shumë të larta krahasuar me mundësitë që krijojnë rrethanat reale ekonomike të këtij shteti. Dhe të tillë janë qytetarët në të gjitha 18 shtetet e tjera anëtare të Eurozonës. Për shembull, ndihmën për shpëtimin e Greqisë nga bankroti e financojnë taksapaguesit nga tri shtete baltike që janë anëtaret më të reja të Eurozonës, pastaj edhe ata të Sllovenisë dhe Sllovakisë. Në të gjitha këto shtete rrogat në administratë dhe pensionet janë shumë më të vogla sesa në Greqi. Dhe këtu qytetarët nuk duan që të paguajnë për shpëtimin e Greqisë, së paku nuk duan ta bëjnë këtë në mënyrë të pakusht. Qëndrim edhe më të prerë kanë qytetarët apo, më mirë të themi, taksapaguesit, në vendet e zhvilluara të Eurozonës, si në Gjermani, Holandë, Luksemburg dhe Finlandë. Kështu problemet e sotme të Greqisë janë grumbulluar me vite. Sot nuk dallohet se kush kujt i ka borxh dhe kush kujt i ndihmon. Por asnjëherë nuk ka ndodhur që brenda BE-së të gjithë të bashkohen kundër një qeverie, siç ka ndodhur tash me qeverinë e kryeministrit Cpras. Mosbesimi dhe akuzat kanë shkuar aq larg saqë ministra të Qeverisë greke akuzojnë institucionet evropiane për hiç më pak se “terrorizëm”, sepse, duke mbyllur gypin e financimit të bankave greke nga Banka Qendrore Evropiane, kanë detyruar grekët që të kalojnë shumicën e ditës duke pritur në radhë për të nxjerrë maksimumin e lejuar nga bankomatët. Në anën tjetër, nga nëpunësit teknokratë e deri në kreun e Komisionit Evropian, Jan Claude Juncker, janë dëgjuar akuza ndaj Qeverisë greke se “kanë gënjyer” dhe “kanë tradhtuar” partnerët dhe po ia bëjnë këtë edhe popullit, duke mos ia treguar të vërtetën.
Problemet e sotme të Greqisë nuk i ka shkaktuar Syriza. Ato janë grumbulluar me vite nga qeveritë e mëparshme. Syriza është treguar naive dhe vazhdon të jetë e tillë duke besuar se mund të krijojnë në Evropë një “revolucion të ri komunist” kundër “kapitalizmit”. Në premtimet e tyre për sigurimin e pensioneve në nivelin në të cilin janë dhe rrogat në administratën publike, ata kanë hasur në pyetjen e thjeshtë: kush do t’i paguajë? Ekonomia e Greqisë nuk po gjeneron rritje për t’i mbajtur ato në atë nivel. Madje mungesa e një rritjeje më të madhe ekonomike e ka lënë shtetin pa para në buxhet për të kthyer borxhet dhe Greqia është teknikisht në bankrot. Në rrethana të tilla nuk mund të marrë më borxh, sepse të bakrotuarit dikush mund t’i japë ndonjë ndihmë, por jo edhe kredit.
Fjalët si “dinjitet”, “krenari kombëtare”, “djep i demokracisë” mund të tingëllojnë si parulla të qëlluara në rrugët e Greqisë, por në Evropën Perëndimore ato duken patetike. Edhe qeveritë në 18 shtetet e tjera të Eurozonës, që kanë refuzuar t’ia zgjasin ndihmën Greqisë pa kushte, janë të zgjedhurit e popujve të tyre dhe edhe ata duhet të japin llogari para tyre. Në Letoni dhe Irlandë katër a pesë vjet të rëndë me masa shtrëngimi është tejkaluar kriza dhe tash kanë një rritje të mirë ekonomike. Pse ata të pranojnë që nga grekët të mos kërkohen masa të tilla.
Por edhe BE-ja tash po e ndien një pjesë të fajit. Për vite jo vetëm në rastin e Greqisë ka toleruar qëllimisht që një shtet të bëhet anëtar i BE-së dhe i Eurozonës pa marrë parasysh se a i ka përmbushur tërësisht kushtet e kërkuara apo jo. Ideja që të gjithë në BE janë të barabartë dhe një herë kur të bëhen anëtarë nuk mund të dëbohen, ka krijuar rrethana që disa shtete anëtare të bëhen agresive dhe kokëforta.
Procesi i zgjerimit të BE-së, i thellimit të integrimeve brenda saj, ka qenë aq i suksesshëm, saqë nuk ka dashur askush të besojë se mund të paraqitet nevoja që të mendohet edhe për një proces në drejtim të kundërt, që disa shtete ose të dalin, ose të përjashtohen nga BE-ja nëse në një moment nuk i plotësojnë më kushtet. Nga 6 shteteve themeluese numri a+i anëtarëve të BE-së ka ardhur në 28. Është krijuar zona e tregtisë së lirë, zona e lëvizjes së lirë, valuta e përbashkët. Janë bashkuar Perëndimi dhe Jugu, Veriu dhe Lindja e BE-së. Dhe gjithçka është dukur mirë dhe ka qenë mirë. Të gjitha shtetet e BE-së kanë përparuar, kanë pasur rritje ekonomike, rritje të standardit jetësor, ndërsa kanë qenë demokraci funksionale. Sot ka raste të cilat janë shqetësuese. Edhe BE-ja më nuk duket si një union ku gjërat janë “të sigurta” dhe “të pakthyeshme”. Sot një vend i BE-së teknikisht ka bankrotuar, sepse nuk ka paguar këstin e borxhit ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtarë (Greqia). Për herë të parë një vend i rëndësishëm anëtar (Mbretëria e Bashkuar) po mendon të kërkojë dalje nga BE-ja, për herë të parë një vend kandidat, i vetmi me gjasa që shpejt të hyjë në BE (Islanda) ka vendosur të tërhiqet dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim. Vetëm shtetet e varfra dhe gjysmëfunksionale të Ballkanit Perëndimor duan të anëtarësohen në BE.
Supozimit se integrimet evropiane janë proces “i pakthyeshëm” dhe se të gjithë në BE janë të barabartë po i vjen fundi. Në të ardhmen do të jetë shumë më vështirë që një shtet i ri të bëhet anëtar, ndërsa do të vendosen edhe procedura për të mundësuar dëbimin e një shteti nga ky bllok. Të gjitha këto duhet t’i kenë parasysh në vendet e Ballkanit, të cilat mendojnë se i pret një integrim i sigurt në BE. Sepse rreth BE-së asgjë më nuk është e sigurt dhe e garantuar. BE-ja me Traktatin e Lisbonës për herë të parë ka vendosur mundësinë që një shtet të mund të dalë nga BE-ja, por vetëm vullnetarisht dhe me kërkesë të veten, me kushtin që me këtë të pajtohen edhe shtetet e tjera. Kjo mundësi është vendosur për shkak të Britanisë së Madhe e jo Greqisë. Dhe Greqia sot me të drejtë u thotë të tjerëve në BE: “Nuk mund të na përjashtoni as nga BE-ja e as nga Eurozona, sepse një mundësi e tillë nuk ekziston”. Por edhe pse nuk ekziston një mundësi e tillë formale rrethanat në terren mund ta bëjnë realitet edhe daljen praktike të Greqisë edhe nga Eurozona e ndoshta edhe nga BE-ja. Proceset në BE më nuk mund të kuptohen si krejtësisht të pakthyeshme.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...