4 Mars 2015 - 08:18 - Augustin Palokaj
Lexova dje në gazetën kroate “Jutarnji list” një reportazh nga rajoni i Suboticës në Vojvodinë dhe fshatrat në anën tjetër të kufirit në Hungari. Gazetari në një shkrim shumë të gjatë përshkruante se si jetojnë emigrantët. Jo ata nga Kosova, por ata nga Afganistani dhe Somalia, të cilët për të ardhur deri aty kanë ecur më shumë së gjashtë muaj dhe tash u mbetet vetëm edhe hapi i fundit për të hyrë në territorin e BE-së në Hungari. Thotë se në kohën kur ishte aty nuk kishte as edhe një emigrant të vetëm nga Kosova. Citon taksistët që thonë se u ka rënë shumë puna, sepse nga shqiptarët e Kosovës fitonin shumë. Thonë se vinin në mënyrë të organizuar, me mijëra në ditë, dhe konstatojnë se “ashtu si erdhën në mënyrë të papritur në numër të madh, ashtu përnjëherë u zhdukën”. Përcjell edhe njoftimin nga një hotel i afërt, i cili është mbyllur dhe ku, përpos në gjuhën serbe, në derë njoftimi për “Godišnji odmor” ishte shkruar edhe në shqip “Pushim vjetor”. Jo gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në këtë qytet afër kufirit me Hungarinë, por kjo për shkak se aty bëhej biznes me shqiptarët. Numri i madh i atyre që në muajin dhjetor të vitit të shkuar dhe në janar të këtij viti bëri që të alarmohej e tërë Evropa. Ministra të brendshëm të disa vendeve të BE-së vajtën në Kosovë, nga Brukseli u kërkua që edhe Kosova, edhe Serbia të ndërmarrin diçka që kjo valë të ndalet.
Por në Kosovë pjesëtarët e Qeverisë dhe këshilltarët e tyre kishin një qasje tjetër. Në fillim mohonin ekzistimin e problemit, sepse, mendojnë ata, në Kosovë është jeta aq e mirë, saqë askush nuk do ta lëshojë vendin. Pastaj bënin llogaritje për të dëshmuar se kinse ky numër është i fryrë e nuk është i madh. Dhe kur edhe BE-ja doli me shifrat se kosovarët ikin nga vendi i tyre në numër më të madh sesa qytetarët e Afganistanit dhe Sirisë së bashku, se kosovarët paraqesin mbi 40 për qind të të gjithë atyre që në BE hynë ilegalisht në këta muaj, atëherë ishte e qartë se diçka duhet ndërmarrë. Pas angazhimit ndoshta edhe të policisë gjermane, e cila u vendos në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, numri së pari u zvogëlua dhe tashmë duket se fluksi është ndalur. Tash me shkrirjen e dëborës do të fillojë një proces i kthimit të atyre që u larguan, dhe ky proces do të jetë i dhimbshëm po aq sa ishte edhe vetë largimi i tyre.
Dhe tash BE-ja do të donte që debati në Kosovë dhe angazhimet të jenë në dy drejtime. E para, që sa më parë të bëhet kthimi i atyre që kanë kërkuar azil në BE dhe nuk do t’u jepet, përfshirë edhe angazhimin e autoriteteve në riatdhesimin e tyre. E dyta, në adresimin e arsyeve që çuan deri te një largim aq masiv në një kohë aq të shkurtër, fluks të paparë ndonjëherë në ndonjë vend i cili nuk është në luftë.
Por a mund të pritet nga politikanët e Kosovës të ndërmarrin diçka konkrete për të adresuar problemet që çojnë deri te dëshira për t’u larguar. Jo, nëse gjykojmë në bazë të veprimeve dhe deklarimeve të tyre. Sepse udhëheqësit politikë në Kosovë mendojnë se ata nuk kanë pasur arsye për të ikur, apo mendojnë “u qoftë rruga e mbarë nëse nuk u pëlqen këtu!” Problemi me Kosovën qëndron edhe në faktin se politikanët në pushtet nuk shohin ndonjë problem. Hendeku mes tyre dhe qytetarëve të vuajtur është aq i madh, saqë ka humbur empatija për qytetarët. Kjo shihet edhe në gjuhën që ata përdorin kur flasin për problemet e qytetarëve. Dikush i porosit ata që të mos bëjnë aq shumë fëmijë nëse nuk kanë mundësi t’i mbajnë. Të tjerët ua lënë fajin serbëve edhe atëherë kur ata nuk kanë faj. Korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, shpenzimi i pakontrolluar i parasë publike, mungesa e perspektivës në Kosovë dhe humbja e besimit tek elitat politike nuk i përmend askush nga partitë në pushtet, por vetëm opozita. E qytetarëve gjithnjë e më pak u intereson se kush thotë çka, sepse nuk durojnë më t’i shohin as në ekranet televizive ata politikanë që u flasin për progres dhe suksese, sepse u duket se kur anëtarët e Qeverisë së Kosovës flasin për vendin e tyre sikur janë duke folur për Danimarkën apo Norvegjinë.
Nga politikanët në pushtet në Kosovë, dhe nga këshilltarët e tyre që duket se vetëm marrin rroga për t’i mbrojtur shefat në “facebook”, duke sulmuar kritikët, kemi dëgjuar shumë arsye pse në numër aq të madh kosovarët duan të lëshojnë vendin e tyre. Ata kanë përmendur se “këtë e bëjnë, sepse janë prindër të pandërgjegjshëm”, se “janë të pashkollë” se “janë të manipuluar nga Serbia” e deri tek ajo se “nuk duan të jetojnë në Kosovën ku nuk janë të barabartë me serbët që janë të privilegjuar” (ani pse këtë “privilegj” nëse e kanë e ka bërë po e njëjta Qeveri ku ulen ata që flasin kështu”.
Në të njëjtën kohë nga politikanët evropianë kemi dëgjuar vetëm për një arsye të mundshme për largimin masiv të kosovarëve: mungesën e perspektivës në Kosovë. Politikanët në Kosovë nuk kanë më asnjë empati (bashkëndjenjë) për qytetarët ndërsa fjalori i udhëheqësve politikë u ngjan llafeve të çajtoreve apo shkëmbimeve në “facebook”.
Është e pabesueshme qetësia me të cilën politikanët kosovarë kritikojnë ata të cilët me fëmijë të vegjël nëpër borë kalojnë kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. Ose me përmendjen e argumentit se “ata kanë Iphona” ose “kanë ikur edhe njerëz që kanë rrogë 700 euro në muaj” si arsye se nuk është dashur të largohen nga Kosova. Gjithsesi është një debat jo i lehtë si për nga aspekti moral e po ashtu ai ekonomik e social. Nuk duhet t’ia zënë për të madhe as dikujt që ka rrogë 700 euro në muaj, por do të largohet, sepse nuk sheh perspektivë për fëmijët e vet. As fakti që përmend gazetari kroat, gjithnjë duke i cituar taksistët serbë se “shqiptarët kishin mjaft veshmbathje, ishin përgatitur mirë për dallim nga ata nga Afganistani që me muaj nuk i kanë ndërruar teshat” nuk mjafton për të thënë se ata që kanë ikur janë kriminelë apo njerëz që ia kanë kthyer pa arsye shpinën vendlindjes.
Kam biseduar me “bashkatdhetarë” në diasporë shumë për ata që këta muaj po largohen nga Kosova, si dhe për ata që do të largoheshin po të kishin mundësi. Pothuajse të gjithë në diasporën e sotme i kuptojnë ata. Me lot në sy u kujtohet përvoja e tyre para njëzet vjetësh. Situata ka qenë ndryshe dhe për këtë edhe kanë gjetur strehim në vendet e BE-së. Por tash janë integruar, kanë krijuar familje dhe mbajnë edhe familjet e tyre në Kosovë dhe nuk do të ktheheshin. Gjejnë aty këtu ndonjë shqiptar pa empati edhe në diasporë: “A janë normalë ata. Ku po dojnë me shku. Le të rrinë në Kosovë, çka kanë me lyp këtu”, thonë të tillët. Kur ua kujtojmë se edhe ata dikur kishin ikur maleve për të ardhur ku janë sot, thonë: “E atëherë ka qenë Milosheviqi!”. “Por tash nuk është, Pse nuk ktheheni?” u përgjigjet tjetri.
Politikanët në Kosovë, e sidomos ata që janë në pushtet, duhet të kenë kujdes se çfarë flasin. Ata pikërisht për faktin se janë në pushtet nuk e gëzojnë të njëjtin nivel të lirisë së shprehjes sikur “analistët e pavarur” dhe duhet të mbajnë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Prandaj ishte më se e qëlluar thirrja që u bëri një javë më herët zëvendëskryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila tha se shpreson se fluksi i madh i atyre që u larguan nga Kosova do të shërbejë si “alarm për t’u zgjuar nga gjumi”. Si duket, gjykuar në bazë të deklaratave të tyre, që nga kryeministri e teposhtë, ata ende janë duke folur në gjumë.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...