Pse Juncker nuk ishte i pranueshëm për Britaninë e Madhe

2 Korrik 2014 - 08:22 - Augustin Palokaj      

Kundërshtimin që kryeministri i Britanisë, David Cameron, ia bëri në samitin e BE-së kandidimit të ish-kolegut të tij nga Luksemburgu, Jean Claude Juncker, nuk duhet parë si personale, por si pozicionim të ri të Londrës në BE. Në shikim të parë Cameron duket si humbës i madh, por në afat të mesëm ai mund të përfitojë në përpjekjet për të ndalur rritjen e kompetencave të institucioneve qendrore të BE-së. Juncker gjithsesi është një politikan karizmatik, i cili do të mund të bëhej një kryetar shumë i suksesshëm i Komisionit Evropian në 5 vjetët e ardhshëm

Para dhjetë vjetësh, kur Luksemburgu kishte kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian, isha në Luksemburg së bashku me disa kolegë gazetarë për të ndjekur takimin të cilin në cilësinë e të parti të BE-së kryeministri i këtij vendi, Jean Claude Juncker, e kishte me ish-kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte.

Kjo e fundit, me vlerësimet e saja, shpesh edhe të pavërteta, e kishte në dorë fatin e nisjes së negociatave të anëtarësimit të Kroacisë, sepse pa konstatimin se ky shtet po bashkëpunonte me zyrën e saj nuk do të mund të niseshin këto negociata. Takimi u zhvillua në zyrën e kryeministrit, ndërsa ne gazetarët prisnim para derës së kësaj zyre. Mbaroi takimi diku rreth orës 19:00. Në atë kohë nuk kishte lidhje Wi-Fi në secilën kafeteri sikur ka sot. Nuk kishim as ku të shkruanim raportet dhe t’i dërgonim në redaksi.

Problemin e zgjidhi kryeministri Juncker. Duke ecur nëpër korridor drejt banjës, një koleg ia shprehu hallin që kishim dhe i tha se nuk kemi ku të shkruajmë e as nga të dërgojmë tekstet. “Ja e keni zyrën time. Hyni aty dhe punoni. Vetëm punoni“, i tha ai dhe na i hapi dyert e zyrës së tij shumë modeste. Ai vetë shkoi në shtëpi, ndërsa pastruesen e luti të na sillte nga një lëngë për të pirë. Duhet thënë po ashtu se në atë kohë për të hyrë në ndërtesë nuk kaluam përmes asnjë kontrolli të sigurisë.

Një kolegu gazetar nga Kroacia, i cili në kohën kur bënte intervistë me Junckerin e mori lajmin se i kishte vdekur i ati, Juncker ia ofroi avionin zyrtar nëse do të shkonte shpejt për Zagreb.

I tillë, modest dhe i hapur, miqësor dhe konkret, pa rezerva dhe shpesh ironik, ka qenë gjithmonë kryetari i ardhshëm i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i cili për këtë post mori të premten e kaluar mbështetjen e 26 nga 28 vende anëtare të BE-së, ndërsa u kundërshtua vetëm nga kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban.

Për gati 20 vjet, ky 59-vjeçar ka qenë kryeministër i Luksemburgut, duke e mbajtur madje edhe rritur primatin e këtij shteti të vogël si shtetin më të pasur në Evropë në llogaritje për kokë banori. Sa modeste ka qenë qeveria e tij dëshmon edhe fakti se shpesh një ministër, e edhe vetë kryeministri, mbajnë përsipër disa resorë për të pasur sa më pak ministra. Jo që nuk kanë mjete financiare për të pasur administratë edhe më të madhe, por në shtete serioze edhe kur ka para ato nuk shpenzohen kot.

Britania e Madhe ka insistuar të premten që për herë të parë të votohet për kandidatin për kryetar të Komisionit Evropian. Kjo është diçka që e mundësojnë rregullat sipas Traktatit, por që kurrë më parë nuk ka ndodhur, sepse zakonisht konstatohet se ekziston shumica e nevojshme dhe nuk ka nevojë të votohet. David Cameron ka insistuar që kjo të ndodhë, duke e ditur se do të humbte, dhe kështu ndodhi kur u pa se në favor të Junckerit ishin 26 shtete, ndërsa kundër vetëm 2. Kundërshtimin që kryeministri i Britanisë, David Cameron, i bëri në samitin e BE-së kandidimit të ish-kolegut të tij nga Luksemburgu, Jean Claude Juncker, nuk duhet parë si personale, por si pozicionim të ri të Londrës në BE.

Në shikim të parë Cameron duket si humbës i madh, por në afat të mesëm ai mund të përfitojë në përpjekjet për të ndalur rritjen e kompetencave të institucioneve qendrore të BE-së.

Cameron ka thënë se e njeh rezultatin dhe do të bashkëpunojë me Junckerin. Por me gjithë këtë e ka quajtur vendimin për kandidimin e tij si “një lajm i keq për Evropën“. Nuk ka pasur ai problem me figurën e tij sa me parimin që të mos i jepej mundësia Parlamentit Evropian për të kandiduar kryetarin e Komisionit gjatë zgjedhjeve evropiane siç u bë këtë rast. Cameron mendon se në këtë mënyrë, „prapa shpine“, siç thotë ai, një kompetencë e qeverive nacionale po i bartet praktikisht Parlamentit Evropian.

Dhe këtu në këtë qëndrim Cameron gëzon solidaritet nga shumë kolegë të tij, por të cilët kësaj radhe nuk kanë dashur të hapnin frontin e një beteje të re kundër Parlamentit Evropian dhe të krijohej një krizë ndërinstitucionale e cila do ta vononte krijimin e Komisionit Evropian për mandat pesëvjeçar. Në këtë kohë kur BE-ja sapo ka filluar t’i ndjejë frytet e daljes nga kriza, në shumicën e vendeve anëtare një dramë politike nuk do të ishte e mirëseardhur. Kjo është arsyeja pse disa liderë të cilët në fillim shprehnin gatishmëri të solidarizoheshin me Britaninë e Madhe hoqën dorë dhe u pajtuan me kandidimin e Junckerit.

Juncker gjithsesi është një politikan karizmatik i cili do të mund të bëhet një kryetar shumë i suksesshëm i Komisionit Evropian në 5 vjetët e ardhshëm. Nuk është korrekte ajo që i bëjnë disa media angleze duke e quajtur alkoolik dhe njeri të së kaluarës. Nëse mendojnë në moshën e tij 59-vjeçare, atëherë duhet thënë se ai është vetëm 2 vjet më i moshuar sesa kryetari i tashëm i Komisionit, Jose Manuel Barroso.

Nëse mendohet në gjatësinë e karrierës së tij politike, secili shtet do të pranonte të kishte një kryeministër të tillë nëse do të ishte aq i suksesshëm siç ishte Juncker me qeverinë e tij. Vërtet ka shumë burime të cilat thonë se Juncker e ka në qejf aty-këtu ndonjë gotë. Por sikur të ishte vërtet alkoolik, a do të mund të ishte aq i suksesshëm si në skenën politike të vendit të tij të vogël ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Një koleg pati shkruar se britanikët, të cilët shkruajnë për Junckerin se „e fillon mëngjesin me një gotë konjak!“, si kryeministrin e tyre më të suksesshëm në histori e konsiderojnë Churchilin, njeriun i cili „nuk ka pirë konjak në mëngjes, sepse asnjëherë nuk i ka dalë gjumi për të pasur mëngjes, por nga mesdita, në pizhame, merrte gotën e tij në njërën dorë dhe cigaren në tjetrën!“, por e udhëhiqte qeverinë siç duhej.

Vërejtjet për „problemet me alkoolin“ për Junckerin kishin filluar kur ministri i Financave i Holandës, Jeoren Dijsselbloen, kryesues i eurozonës, pati thënë në një intervistë se „në mbledhjet e ministrave të financave të BE-së nuk lejohen alkooli e as duhani, por kësaj nuk i përmbahej paraardhësi im“, duke menduar në Junckerin. Pasi Juncker kishte thënë se ai “nuk ka problem me alkoolin“ me ironi apo duke bërë shaka një gazetar i moshuar nga Luksemburgu, i cili personalisht njeh Junckerin (në Luksemburg edhe qytetarët e thjeshtë nuk e kanë vështirë ta njohin personalisht kryeministrin, sidomos nëse është i njëjti për 20 vjet) ishte cituar të ketë thënë se “Jucnker nuk ka problem me alkool, por pa të!“.

Juncer para disa javësh kishte shprehur habinë e tij me sjelljen e medieve angleze, edhe pse asnjëherë nuk ka kritikuar mediet, pa marrë parasysh se çfarë shkruajnë. Ai tha se fotoreporterët po u futen në oborre edhe fqinjëve të tij për ta përcjellë edhe jetën e tij private, diçka që në Luksemburg nuk është e zakonshme.
Por tash Londra është pajtuar me fatin dhe do të orvatet të pozicionohet më mirë në BE në pesë vjetët e ardhshëm.

Për kryeministrin Cameron kjo është jetike, sepse ai ka premtuar se do ta thërras referendumin për daljen apo mbetjen e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian. Ai personalisht është për të mbetur në BE, por do të donte rinegociimin e raporteve dhe heqjen e disa kompetencave të cilat i kanë institucionet e BE-së e të kthehen nën kompetenca të qeverive nacionale. Këtë e ka pohuar si mision, përmes të cilit do të siguronte qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE, dhe nëse këtë nuk e arrin, atëherë vendimi do të jetë në duart e vendeve anëtare.

Për këtë arsye edhe izolimi që iu bë Londrës zyrtare në samitin e BE-së të premten është parë edhe si një hap i ri drejt daljes së këtij shteti nga Bashkimi Evropian. Por e ardhmja do të mund të dëshmojë ndoshta edhe të kundërtën, sepse Cameron ka dashur të dilte fitues para opinionit të tij britanik, çka edhe e ka arritur, e jo të shihet si një politikan i cili u përulet vendimeve të Brukselit.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...