Brukseli nuk do ta ketë më normalitetin që pati deri më 22 mars

30 Mars 2016 - 08:11 - Augustin Palokaj      

Fakti që pothuajse tërë ditën e kaloj, sikur edhe shumë gazetarë të tjerë në Bruksel, pikërisht rreth stacionit të metrosë, ku është bërë sulmi më i përgjakshëm terrorist në historinë e Brukselit, ku kanë gjetur vdekjen 20 persona dhe janë lënduar me qindra, nuk është e vetmja arsye pse disa ditë pas kësaj ngjarjeje shpesh në mendje më sillet thënia “çdokush ka mundur të ishte aty, edhe unë, edhe bashkëshortja ime, edhe djali im, edhe shumë kolegë të mi, edhe fëmijët e tyre”...

Jam rritur nën masa të jashtëzakonshme në Kosovë, kam jetuar luftën në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, si student dhe si gazetar, nga Brukseli kam jetuar luftën e Kosovës, duke raportuar nga NATO-ja. Por nuk më ka shkuar mendja se biri im do të rritet në Bruksel nën masa të jashtëzakonshme, me policë dhe ushtarë para shkollës, me frikën se mos mami apo babi kanë qenë afër apo brenda stacionit të metrosë, kur ka shpërthyer bomba. Dhe ai e di se në atë stacion mami është së paku dy herë në ditë dhe babi ka kaluar nëpër të jo më pak se një mijë herë. Dhe shkolla e tij është vetëm disa qindra metra nga ai stacion. Dhe shumica e fëmijëve që shkojnë në shkollën e tij jetojnë afër këtij stacioni, sepse jetojnë afër shkollës. Dhe shumë prindër duhet të kenë qenë afër stacionit të martën rreth orës 9 të mëngjesit, sapo i kanë lënë ata në shkollë.

Fakti që pothuajse tërë ditën e kaloj, sikur edhe shumë gazetarë të tjerë në Bruksel, pikërisht rreth stacionit të metrosë, ku është bërë sulmi më i përgjakshëm terrorist në historinë e Brukselit, ku kanë gjetur vdekjen 20 persona dhe janë lënduar me qindra, nuk është e vetmja arsye pse disa ditë pas kësaj ngjarjeje shpesh në mendje më sillet thënia “çdokush ka mundur të ishte aty, edhe unë, edhe bashkëshortja ime, edhe djali im, edhe shumë kolegë të mi, edhe fëmijët e tyre”. Ata janë të shumë kombeve, të disa feve, të lloj-lloj profesionesh, moshash, bindjesh. Sikur shpërthimi të kishte ndodhur dy minuta më herët dikush tjetër do të kishte pësuar, po ashtu edhe sikur të kishte ndodhur tre minuta më vonë. Viktimat, në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve, janë të së paku 40 kombeve të ndryshme.

Atë ditë shumë njerëz kanë pasur fatkeqësi, por shumë kanë pasur fat në këtë fatkeqësi që të shpëtojë gjallë. Një shok shqiptar vetëm një orë pas shpërthimeve në Aeroportin e Brukselit është dashur të nisë punën në atë aeroport atë ditë. Kur i telefonova për ta pyetur se ku është, ishte i përgjumshëm, sepse sapo po zgjohej për t’u përgatitur për të shkuar në punë. U trondit, sepse shokët dhe kolegët i punojnë atje. Një shok tjetër, që po ashtu punon në aeroport, atë ditë kishte marrë pushim për të rregulluar syzet. Një shoqe në atë kohë brenda disa sekondave ka vendosur të mos hyjë në metro, por ta shfrytëzojë rastin që të rregullojë flokët. Dhe kjo mund ta ketë shpëtuar. Një fqinj që jeton në apartamentin në ndërtesën time ka qenë në aeroport dhe ka mbijetuar sulmin. Ka qenë në hollin e mbërritjeve e jo të shkuarjes, ku ka ndodhur sulmi, i kanë rënë mbi trup copat e tavanit, por ka shpëtuar. Një koleg turk është vonuar në aeroport dhe kjo e ka shpëtuar. Dhe numërimi i rasteve të njerëzve që njoh do të mund të shkonte deri në fund të gazetës.

Shumë njerëz duhet të kenë shpëtuar për shkak se vozitësi i taxit i ka njohur tre persona të regjistruar me kamerat e sigurisë në aeroport dhe ka shkuar me urgjencë në polici për t’u treguar se ai i ka marrë me taksi në mëngjes. U ka treguar se ata kishin ardhur me tri çanta të mëdha dhe të rënda. Pasi dy kishin shpërthyer ata e gjetën të tretën dhe e detonuan, duke shpëtuar shumë njerëz. Në shtëpinë ku ai i kishte marrë në lagjen Schaerbeek, e njohur si lagje ku jeton pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar në Bruksel, gjetën një lloj laboratori ku ata kishin përgatitur eksplozivin. Gjetën shumë kemikalie, eksploziv dhe material tjetër terrorist.

Situata në atë javë kur ndodhën sulmet ishte e tmerrshme, shpesh me lajme shokuese, edhe pse sulmet nuk ishin diçka e papritur. Nga Brukseli ka pasur aq shumë terroristë që kanë marrë pjesë nëpër sulmet e ndryshme terroriste në botë, nga Kabuli e deri në Paris, kështu që shumë njerëz thonë se ka qenë vetëm çështje e ditës se kur do të ndodhë edhe këtu. Brukseli tashmë edhe para sulmeve e kishte epitetin, pos si kryeqytet i Evropës, edhe si “çerdhe e xhihadizmit në Evropë”. Lagjet e Brukselit nëpër mediat e botës, nga CNN e BBC deri në Al Arabia, po bëhen të njohura sikur dikur fshatrat e Kosovës apo Bosnjë e Hercegovinës gjatë luftës. Kudo zbulohej ndonjë i dyshuar për terrorizëm, para asaj shtëpie si kërpudhat dilnin kamionetat televizive dhe nga aty gazetarët lajmëroheshin live.

Derisa përjetoja të gjitha këto, sikur të ishte një gjendje e luftës, pasi nuk punonte trafiku urban, u desh të marr edhe djalin tetëvjeçar në shkollë. Dhe ai e dinte se çfarë ka ndodhur, sepse u tregojnë në shkollë. Sepse nuk mund të mos u tregojnë kur i shohin policët rreth shkollës, dëgjojnë tërë ditën duke kaluar automjetet e ndihmës së shpejtë dhe policisë, ndërkohë që dëgjojnë edhe zhurmën e helikopterëve. Por edhe frika, edhe kureshtja i nxisin të bëjnë shumë pyetje. Dhe sapo mendoja se çfarë të përgjigjem në radio dëgjoj një psikolog duke u dhënë rekomandime prindërve në temën “Si të veprosh kur nuk ke përgjigje logjike në pyetjet logjike të fëmijëve?” Dhe ai psikolog thoshte se fëmijëve duhet treguar se çfarë ka ndodhur, nuk duhet ngurruar që me ta të ndizen qirinjtë për respekt të viktimave. Më mirë është ta dinë. E vetmja që duhet evituar është të mos u tregohen pamje me gjak, sepse atëherë traumat mund të jenë më të mëdha.

Nuk janë vetëm fëmijët që parashtrojnë shumë pyetje në të cilat nuk mund të ketë përgjigje logjike. Pse ndodhi kjo? Pse ata që janë lindur dhe rritur në këtë qytet e urrejnë aq shumë këtë civilizim, saqë janë në gjendje të vrasin edhe veten, edhe njerëz, përfshirë edhe ata të cilët e kanë edhe të njëjtën fe të tyre. Pse këtë e kanë bërë ata të cilët kanë qenë në listën e policisë si kriminelë, si delikuentë, si terroristë të dyshuar, si radikalë. Pse kanë qenë të lirë. Pse nuk është bërë asgjë për t’i ndalur. Pse është toleruar aq shumë predikimi i urrejtjes, pse këtë shpesh edhe e ka financiar vetë shteti belg? Pse policia me vite nuk ka bastisur disa shtëpi në lagjet ku është ditur se sa janë të izoluara disa komunitete emigrantësh. Pse nuk është bërë më shumë që ata të integrohen më shpejt? Pse është lejuar që aq shumë njerëz nga Brukseli të shkojnë në Siri? Pse po lejohet që aq shumë të kthehen pa pengesa?

Është lehtë tash pas tragjedisë që ka ndodhur në Bruksel të parashtrohen shumë pyetje, është lehtë edhe të akuzohet pushteti se nuk ka bërë sa duhet, dhe ka bërë edhe gabime. Por është vështirë të gjendet një zgjidhje e thjeshtë për këtë kërcënim të terrorizmit, që në shumicën e rasteve është i frymëzuar dhe i përgatitur nga njerëz që kanë lindur dhe janë rritur në BE.

Edhe më lehtë, por e pavend është të akuzohet komuniteti i besimit islam. Të thuhet se “shumica e myslimanëve nuk janë terroristë, por shumica e terroristëve janë myslimanë” siç thonë disa të mllefosur sot në Evropë. Por me pyetje të tilla nuk do të zgjidhet problemi, i cili është shumë më i thellë. Sepse feja nuk flet për veten, por për të flasin njerëzit. E njerëzit e interpretojnë atë sipas qëllimit të tyre, shumë herë edhe duke e shtrembëruar mesazhin e saj. Sepse shumica e luftërave dhe sulmeve terroriste janë konflikte në mes të njerëzve të së njëjtës fe, nëse kjo ka rëndësi për dikë e jo njeriu si njeri. Sepse nëse nuk janë të fesë tjetër kundërshtarët e fesë së njëjtë nuk janë sa duhet fetarë, ose nuk e interpretojnë fenë si duhet, ose nuk e jetojnë si duhet. Kush kundër kujt po lufton në Siri dhe Irak? Të gjithë myslimanë. Njëlloj edhe në Pakistan. Kush kundër kujt po bën sulme terroriste në Turqi? Të gjithë myslimanë. Kush kundër kujt ka luftuar në Ukrainë? Të gjithë të krishterë ortodoksë. Është e kotë madje edhe të diskutohet kjo, sepse të thirresh në fe për të vrarë është aq e pakuptimtë.

Sulmet në Bruksel gjithsesi kanë qenë të koordinuara, duke goditur në dy pjesë vitale të qytetit, ku është ditur se do të ketë viktima nga radhët e kombeve dhe feve të ndryshme, kanë pasur qëllim shkaktimin e frikës te një pjesë sa më e gjerë. Përkundër betimit që po japin liderët e Belgjikës, Evropës dhe botës se “nuk do të lejojmë të frikësohemi” frika ka ndryshuar jetën në Bruksel. Për shkak të frikës u shty edhe marshi kundër frikës i planifikuar për të dielën e Pashkëve në Bruksel. Dhe kjo tashmë është bërë një lloj lufte. E në këtë luftë njerëzit nuk duhet të ndahen në “Ne” dhe “Ata”, sipas feve, nëse me “Ne” dhe “Ata” nuk mendojnë në botën e lirë dhe civilizuese kundër terrorizmit. Por ndryshimi i jetës nuk do të thotë kurrsesi dorëzim ndaj terrorizmit. Sepse Brukseli është qytet simbol i lirisë, multietnicitetit, tolerancës, bashkimit. Mjafton të shohësh vetëm flamujt dhe gjuhën e mesazheve në sheshin e Burzës, në qendër të Brukselit, dhe të kuptosh se uniteti është më i fortë se urrejtja. Kjo thënie nuk është patetike, por është e vërtetë. Problemi qëndron se për akte të tilla terroriste mjafton të këtë vetëm disa persona që t’i bëjnë ato, ndërsa për të luftuar atë dukuri duhet shumë më tepër sesa që bota ka bërë deri tash. Prandaj ajo që deri dje e kemi kuptuar si normale në Bruksel vështirë se do të kthehet më pas 22 marsit. Kontrollet policore në hyrje të metrosë, aeroporteve, shkollave, dyqaneve do të bëhet një lloj ”normaliteti i ri”. Së paku për një kohë. Por gjatë luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit duhet të luftohet edhe pengohet rritja e ekstremit të djathtë në Evropë. Ata tashmë kanë filluar të përfitojnë nga tragjedia dhe ta lidhin terrorizmin madje edhe me ardhjen e madhe të refugjatëve. Edhe para valës së fundit të refugjatëve ka pasur terrorizëm sikur që ka pasur valë të refugjatëve edhe para sulmeve terroriste. Radikalët, çfarëdo qofshin ata, nuk kanë nevojë për argumente, logjikë dhe fakte. Sepse logjika e tyre është manipulimi. Dhe kundër kësaj duhet të gjithë të luftojnë dhe t’i parandalojnë ata që manipulojnë, që shpërlajnë trurin, qofshin ata në Kosovë, Gjermani, Siri apo lagje të Brukselit.  

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...