Zgjedhjet në Serbi do të ndikojnë edhe në dialog

20 Janar 2016 - 08:21 - Augustin Palokaj      

Tash Serbia, për shkak të fushatës zgjedhore, mund të zvarrisë edhe më shumë procesin e normalizimit të raporteve. Vuçiq është në një pozitë të favorshme, sepse nuk ka çfarë të humbë më. Negociatat janë nisur, kapitujt e parë janë hapur, ndërsa pezullimi i tyre mund të vijë vetëm në rast të ngecjeve serioze për fajin e Serbisë, dhe kjo me një kërkesë të një të tretës së vendeve anëtare të BE-së apo me propozim të Komisionit Evropian. E kjo vështirë që do të ndodhë

Se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përgatitej për zgjedhje të jashtëzakonshme ishte e qartë në disa muajt e fundit në bazë të veprimeve dhe deklarimeve të tij. Tash ai këtë e tha me gojën e vet, duke nxitur një duartrokitje disaminutëshe nga anëtarët e partisë së tij. Vuçiq thotë, e ndoshta edhe beson në atë që thotë, se Serbia në krye me të është bërë lider i rajonit, faktori kryesor i stabilitetit të këtij rajoni. Pushteti i tij në Serbi është i pakontestueshëm, besnikëria e mediave serbe ndaj tij po ashtu, popullariteti dhe mbështetja ndërkombëtare e parezervë. Të gjitha këto i krijojnë atij ndjenjën që të jetë i sigurt se në zgjedhje do të dalë me më shumë mbështetje sesa që ka tash dhe do të mund të jetë më i sigurt në periudhën e ardhshme katërvjeçare në pushtetin e tij sesa që është tani.

Por edhe rajoni e edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kenë kujdes me besimin dhe llogaritjen e madhe që kanë në Vuçiqin. Ai ka qenë padyshim një person me episode fashiste në jetën e vet në të kaluarën. Nuk mund ta demantojë këtë duke tentuar të bindë opinionin se deklarata e tij se “për 1 serb do të vrasim 100 myslimanë” është nxjerrë nga konteksti, e as ajo se qytetet “Karlovac, Karlobag dhe Virovitica janë qytete serbe” (këto janë qytete në Kroaci), që Vuçiq e ka thënë në kohën kur ishte anëtar i Partisë Radikale Serbe të Voislav Sheshelit. Por nuk ka dyshim se ai tash ka ndryshuar sjelljen, flet për paqe, thotë se “në të kaluarën ka thënë disa marrëzira”. Nuk e dimë se sa në të vërtetë ka ndryshuar ai sinqerisht e sa e ka ndryshuar sjelljen. Por ai gjithsesi ka arritur ta bindë bashkësinë ndërkombëtare se është i gatshëm të luajë një rol konstruktiv në Serbi dhe në rajon.

Edhe këtu me Serbinë dhe me Vuçiqin duhet të jetë e kujdesshme bashkësia ndërkombëtare, sidomos pjesa perëndimore e saj. Ai vërtet insiston se është i përkushtuar për integrim të Serbisë në BE, por në të njëjtën kohë luan lojën e dyfishtë duke qenë luajal edhe ndaj Rusisë. Kjo ka qenë e lehtë deri para disa vitesh kur Rusia dhe BE-ja pak a shumë ishin partnerë, por nuk është e mundur më. Serbia për momentin është duke e përdorur mirë këtë lojë të dyfishtë politike dhe ka arritur përparim të madh në rrugën e saj të integrimeve evropiane, ndërkohë që ka mbajtur lidhjet e forta me Rusinë. BE-ja e ka toleruar Serbinë edhe në rastin e mosrespektimit të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Serbia, sikur edhe secili shtet i cili me Bashkimin Evropian ka Marrëveshje Asociimi, ka obligim politik që të mbështesë qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, sidomos kur është fjala për masa restriktive. Por Serbisë po i tolerohet një sjellje e tillë, e cila e ka faktorizuar edhe më shumë atë në skenën ndërkombëtare. Përmes Rusisë ajo po arrin të pengojë përparimin e Kosovës në integrimin në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që po arrin edhe progres në integrimet evropiane edhe në thithjen e investimeve perëndimore.

Vuçiq javëve të fundit ka drejtuar disa kritika kundër Kroacisë, duke kërkuar nga ajo që të heqë dorë nga pajisja me raketahedhës amerikanë me kapacitet të largët. Vuçiq, duke pritur në Beograd zëvendëskryeministrin e Rusisë, Rogozin, ka thënë se “nëse Kroacia nuk heq dorë nga pajisja me raketahedhës amerikanë, atëherë Serbia do të jetë e detyruar të kundërpërgjigjet”, ndërsa Rogozin i ka premtuar se Rusia do ta pajisë me sistemin mbrojtës kundërraketor. Në shikim të parë kjo “garë në armatim” do të dukej e logjikshme, sepse Kroacia dhe Serbia kanë qenë në luftë, por tash nuk duket e kuptimtë një gjë e tillë, pasi që Kroacia është anëtare e BE-së dhe e NATO-s, nuk e pyet më askënd në rajon a duhet dhe si të armatoset, ndërsa Serbia, ndonëse nuk dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s, është duke negociuar për anëtarësim në BE. E Kroacia është anëtare e BE-së, në të cilën Serbia do të anëtarësohet. Si mund të ketë frikë Serbia nga një vend i BE-së në të cilën vetë dëshiron të anëtarësohet. Prandaj ashpërsimi i deklaratave ndaj Kroacisë është më shumë në shërbim të fushatës zgjedhore në Serbi sesa që ka të bëjë me frikën e vërtetë se Kroacia do të mund të sulmonte me raketa Beogradin.

Lojë të dyfishtë Serbia luan dhe në dialog me Kosovën falë të cilit po ashtu ka arritur suksese të mëdha, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë lëshim nga qëndrimi i saj kundërshtues ndaj statusit të Kosovës, përfshirë këtu edhe pretendimet territoriale se Kosova është pjesë e saj.

Serbia ka arritur të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ka nisur edhe negociatat, ndërsa para disa javësh edhe hapi kapitujt e parë në këto negociata. Ndërkohë nuk ka hequr dorë nga asnjë qëndrim rreth Kosovës. Të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash kanë të bëjnë me çështje të brendshme të Kosovës dhe nuk e obligojnë juridikisht Serbinë. Ndoshta në të ardhmen do të jetë ndryshe dhe nga Serbia vërtet do të kërkohet që edhe në mënyrë formale ta njohë Kosovën si territor të veçantë dhe në një moment si shtet. Por ky moment duket larg.

Ndërkohë ndaj Kosovës Serbia aspak nuk është duke u sjellë në frymën e dialogut dhe normalizimit të raporteve. Kjo më së miri u pa në rastin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, gjë që Serbia arriti të pengojë.

Tash Serbia, për shkak të fushatës zgjedhore, mund të zvarritë edhe më shumë procesin e normalizimit të raporteve. Vuçiq është në një pozitë të favorshme, sepse nuk ka çfarë të humbë më. Negociatat janë nisur, kapitujt e parë janë hapur, ndërsa pezullimi i tyre mund të vijë vetëm në rast të ngecjeve serioze për fajin e Serbisë, dhe kjo me një kërkesë të një të tretës së vendeve anëtare të BE-së apo me propozim të Komisionit Evropian. E kjo vështirë që do të ndodhë.

Në rastin më të mirë për Kosovën, Vuçiq, nëse vërtet do t’i japë përparësi anëtarësimit në BE ndaj raporteve më të mira me Rusinë, mund të jetë pas zgjedhjeve edhe më i gatshëm të pranojë realitetin se Kosova është shtet. Por kjo është vetëm një parashikim i cili është i vështirë të bëhet tani. Vuçiq ka qenë i paparashikueshëm edhe në të kaluarën, ndërsa forcimi i pushtetit mund ta ndryshojë edhe më shumë. Në cilin drejtim nuk dihet. Ai në njërën anë flet për normalizim me Kosovën e në anën tjetër bën çmos që të pengohet përparimi i Kosovës. Flet për respektimin e integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës, ndërkohë që merr pjesë në shënimin e ditës ilegale të Republika Srpskës. Flet për raporte të mira me Kroacinë dhe e kërcënon atë me garë në armatim. Flet për integrime evropiane dhe vazhdon lojalitetin ndaj Rusisë. Kështu Rusia është duke vazhduar ndikimin e saj në rajon pikërisht përmes Serbisë. A do të ndryshojë kjo pas zgjedhjeve është vështirë të thuhet tash, sepse, siç pamë nga deklaratat e partive tjera në Serbi, edhe tema “BE apo Rusia” do të jetë temë e fushatës.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...