Kosova duhet të ketë ushtri

20 Mars 2014 - 13:10 - Augustin Palokaj      

NATO-ja do të duhej të mbetej në Kosovë derisa Kosova të mos bëhet anëtare e NATO-s. Ndërkohë Kosova duhet të ndërtojë një ushtri të vërtetë jo vetëm në format e ndryshimeve të emërtimit dhe mandateve, por një ushtri profesionale. Nëse këtë nuk mund ta ndihmojë NATO-ja si Aleancë, atëherë duhet të kërkohet ndihmë bilaterale ushtarake nga ato shtete të cilat mund të ndihmojnë

Është mëkat se dhe evoluimi i Forcës Kosovare të Sigurisë në një Forcë të Armatosur të Kosovës po bëhet një temë për t’u shfrytëzuar në fushatat parazgjedhore. Krijimi i një ushtrie për një shtet të ri do të duhej të ishte një proces me interes mbipolitik dhe jopartiak rreth së cilit do të duhej të kishte konsensus. Në këtë kohë kur gjithçka ndodh në Kosovë, prej ndërtimit të rrugëve dhe rrugicave e deri tek rrogat e mësuesve dhe niveli i pensioneve, nuk është dashur që këtyre manipulimeve zgjedhore t’i shtohej edhe tema e krijimit të asaj që do të quhet “Forcat e Armatosura të Kosovës”.

Rreth kësaj force ende kanë mbetur shumë paqartësi, ndërkohë që NATO-ja me deklaratat e saj neutrale vetëm sa ka shtuar konfuzionin. Sa u përket interpretimeve të vetë përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, ato, siç na mëson edhe e kaluara, duhet të merren me rezervë. Ata edhe më parë kanë thënë se “TMK-ja është ushtri e Kosovës“ e më pas se “FSK-ja është ushtri e Kosovës”, por askush nga bashkësia ndërkombëtare, as NATO-ja e as shtetet të cilat e njohin Kosovën, nuk i kanë parë si të tilla dhe nuk i kanë konsideruar si ushtri, edhe pse kanë pranuar se për nga struktura organizative ka elemente të tilla.

Madje në NATO kanë thënë se nga liderët kosovarë në takime asnjëherë nuk kanë dëgjuar se duan ta shndërrojnë FSK-në në ushtri të Kosovës. Këtë e pati thënë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Liderët kosovarë shpesh kanë dhënë deklarata për t’ia bërë qejfin opinionit në Kosovë, ndërsa në takimet në NATO nuk i kanë shprehur të njëjtat qëllime, së paku jo deri më tash.
Tash kur Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se FSK-ja do të evoluojë në “Forcat e Armatosura të Kosovës” përsëri thuhet se kjo do të jetë ushtri e Kosovës. As fjala “forcë” e as fjala “e armatosur” nuk nënkuptojnë doemos se do të jetë një ushtri e mirëfilltë. Armë mbajnë edhe pjesëtarët e FSK-së sot, ndërsa “forcë” është një fjalë me kuptim shumë të gjerë.

Në NATO nuk merren aq shumë me atë se si do të quhet kjo forcë. Ata vetëm do të tentojnë të arrijnë një konsensus për të parë se çfarë qëndrimi mund të mbajë NATO-ja ndaj një force të tillë dhe a mund të vazhdohet bashkëpunimi me atë forcë të ardhshme, nëse do të jetë e ndryshme nga FSK-ja, sipas mandatit që ka NATO-ja sot.
Por NATO-ja nuk i është bashkuar kësaj teme. Ka shtete të cilat duan që FSK-ja, tash kur i ka përmbushur obligimet e saja dhe ka arritur kapacitetet operative, të evoluojë. Por ka shtete të cilat nuk duan që NATO-ja të ketë fare punë me një forcë të tillë. E zënë me probleme më të mëdha sesa Kosova aktualisht, siç janë raportet me Rusinë pas invazionit në Ukrainë, apo edhe tërheqja nga Afganistani, NATO-ja nuk ka zhvilluar ndonjë takim të nivelit të lartë për të diskutuar angazhimin e saj në Kosovë në rast të krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Edhe politikanët kosovarë, që thonë se kanë pasur diskutime me përfaqësues të NATO-s apo se do të ketë, e kanë bërë këtë në nivel më shumë joformal me përfaqësues të disa shteteve e jo të NATO-s si tërësi.
NATO-ja në fakt nuk e ka dhënë pëlqimin, as në heshtje e as në mënyrë të shprehur, për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. NATO-ja vetëm ka thënë se “nuk i takon NATO-s të vendosë për këtë” (që nuk është asgjë e re, sepse vetë Kosova vendos, sikurse që edhe ajo vendosi sipas propozimit të Ahtisaarit të krijojë FSK-në) dhe se “ka marrë në dijeni deklaratat e disa politikanëve në Kosovë“. NATO-ja porosit se “nëse do të ketë ndonjë ndryshim në rolin dhe mandatin e FSK-së, atëherë do të rishqyrtohet se çfarë roli mund të luajë NATO-ja në atë rast”. Pra, nuk është dhënë asnjë paralajmërim, as se NATO-ja do ta përkrahë e as se nuk do ta përkrahë.

Problemi me NATO-n në këtë rast qëndron se vendimet merren me konsensus të të gjitha shteteve anëtare dhe janë disa të cilat kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë angazhim të NATO-s në krijimin e “kurrfarë ushtrie të Kosovës”. Atyre shteteve më shumë u pengon numri i pjesëtarëve, sesa emërtimi i tyre.
Sido që të jetë përgjigjja e NATO-s, Kosova në ndërtimin dhe forcimin e shtetësisë së saj duhet të krijojë ushtrinë e saj, një ushtri të vërtetë, jo vetëm në format e ndryshimeve të emërtimit dhe mandateve, por një ushtri profesionale. Nëse këtë nuk mund ta ndihmojë NATO-ja si Aleancë, atëherë duhet të kërkohet ndihmë bilaterale ushtarake nga ato shtete të cilat mund të ndihmojnë.

Edhe ashtu shumë shtete të NATO-s në mënyrë individuale ose përmes nismave në bashkëpunim me ndonjë grup shtetesh ndihmojnë ushtarakisht vendet e rajonit.
Është e vërtetë se rajoni sot ka sfida, të cilat nuk janë të natyrës ushtarake dhe se nuk pritet realisht ndonjë konflikt i karakterit të gjerë ushtarak. Por duke pasur parasysh se të gjitha shtetet e rajonit kanë ushtritë e tyre, këtë duhet ta ketë edhe Kosova. Ajo forcë nuk do të jetë, e as që Kosova ka kapacitetet për ta bërë një të tillë, ndonjë ushtri e cila mund ta kërcënojë ndonjë shtet fqinj, por duhet të jetë një lloj garantuesi sado i vogël i integritetit territorial të Kosovës që do të ishte në shërbim në të ardhmen edhe për veprime të përbashkëta rajonale dhe më gjerë, qoftë përmes NATO-s apo Bashkimit Evropian.

Një demilitarizim i plotë i Kosovës, me ndonjë zotim që Kosova të mos e ketë ushtrinë e saj, do të kishte kuptim vetëm sikur edhe Serbia të demilitarizohej. Mund të besojmë në këtë moment se falë bashkëpunimit të dy kryeministrave, Hashim Thaçit nga Kosova dhe Ivica Daçiqit nga Serbia, janë ulur tensionet në një masë. Po ashtu fakti se Serbia ka nisur rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE, është një lloj argumenti për të besuar se Beogradi nuk do të ndërmarrë ndonjë aventurë ushtarake kundër Kosovës. Por është po ashtu fakt se Serbia, duke e mbajtur Kosovën si pjesë të saj, sipas Kushtetutës, dhe duke e kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, haptas shpreh aspirata territoriale ndaj Kosovës.

Prandaj edhe nëse nuk besohet se do të ndodhë, për çdo eventualitet duhet të ketë përgatitje të duhura edhe në rast se ndonjë kokë e nxehtë në Beograd vendos që “ushtria të mbrojë Kushtetutën në tërë territorin e vendit”.
Planet për krijimin e ushtrisë së Kosovës duhet të vazhdojnë pa ndonjë pompozitet, apo zhurmë parazgjedhore dhe pa politizime të panevojshme. Në to duhet të përfshihen gjithsesi edhe përfaqësuesit e pakicave në Kosovë. Por kjo nuk do të duhej të bëhej përmes pazareve politike, sepse fjala është për një çështje me rëndësi historike, e cila i tejkalon ndasitë dhe konfliktet e sotme mes forcave politike në Kosovë.

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...