16 Mars 2016 - 08:39 - Augustin Palokaj
BE-ja është një kombinim i proceseve politike dhe i procedurave burokratike. Këto të dyja mund të ndikojnë në njëra-tjetrën. Dhe sa herë që ndikojnë e zvogëlojnë besueshmërinë e njëra-tjetrës dhe e nxjerrin BE-në si një organizatë, e cila jo gjithmonë bën atë që predikon. Mund të gjenden shembuj të shumtë, por për opinionin e Kosovës ndoshta më i afërt për ta kuptuar është procesi i zgjerimit të BE-së, përafrimit me BE-në dhe procesi i liberalizimit të vizave. Sa herë që për këto procese në BE pohojnë se “respektohen parimet” mund të gjejmë shembuj për të dëshmuar se jo gjithmonë ka qenë ashtu.
Le të shikojmë procesin e zgjerimit dhe çfarë ka ndodhur në të. Greqia ishte pranuar pa siguruar se i kishte përmbushur të gjitha kriteret. Qiproja ishte pranuar në BE pa pasur kontroll ndaj tërë territorit të saj, pra si një shtet i ndarë. Polonia dhe Hungaria i kishin përmbushur të gjitha kriteret, por sot këto shtete akuzohen edhe nga vetë Brukseli se me ndërhyrjet në media dhe në sistemin gjyqësor dhe atë bankar janë duke u sjellë në kundërshtim me parimet e BE-së. Sikur sot Hungaria dhe Polonia të ishin kandidate vështirë që do të hynin në BE.
Rasti i fundit sesa BE-ja insiston në parimet janë raportet me Turqinë. Ky shtet ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me BE-në. Si anëtar i NATO-s ka shërbyer në luftën e ftohtë si një partner strategjik. Kur është dashur BE dhe NATO kanë toleruar që në Turqi armata të ketë nën kontroll sistemin politik, edhe pse si parim në BE dhe NATO duhet të jetë e kundërta. Kur u është dashur, Turqisë i kanë dhënë statusin e vendit kandidat, por jo edhe nisjen e negociatave të anëtarësimit. Dhe kur i kanë nisur negociatat është thënë se ato janë “me një përfundim të hapur, të cilit nuk i dihet epilogu” dhe se “Turqia mund të jetë një partner i ngushtë pa u anëtarësuar tërësisht në BE”.
Në procesin e liberalizimit të vizave Turqia ka qenë prapa, shumë më prapa se Kosova dhe shumë-shumë më prapa se Ukraina e Gruzia. Ka pasur shumë kushte teknike pa i përmbushur, dhe keqësimi i situatës sa i përket lirisë së mediave dhe lirive qytetare e kishte rënduar edhe më shumë këtë situatë. Niveli i atyre që arrijnë të marrin azil në vendet e BE-së dhe janë shtetas të Turqisë është relativisht i lartë, mbi 20 për qind.
Por, çfarë ndodhi? E vetëdijshme sesa e nevojshme është për BE-në, Turqia vuri kushte për një marrëveshje me BE-në për menaxhimin e krizës së refugjatëve. Njëri prej tyre ishte që liberalizimi i vizave të ndodhë jo më larg se në qershor të këtij viti. Pra, për tre muaj. Dhe ky premtim u dha nga niveli më i lartë i BE-së, nga Këshilli Evropian pas takimit të shefave të shteteve apo qeverive të BE-së. Pra u dha nga Merkel, Hollande, Juncker, Tusk dhe liderë tjerë evropianë. Kritikat se “sulltanit po i jepen çelësat e dyerve të Evropës” që i ka bërë lideri i liberalëve evropianë, Verhofstadt, apo kritikat për dhunën ndaj mediave, janë lënë anash. Tash burokratët e Komisionit Evropian duhet përnjëherë të gjitha ata dokumente që i kishin përgatitur më parë për të dëshmuar se sa shumë kushte duhet t’i përmbushë Turqia, t’i grisin dhe ta bëjnë një raport tjetër ku do të dëshmojnë se “Turqia i ka përmbushur të gjitha kushtet” dhe të nisë procedurën supersonike të shpejtë për të hequr vizat. Në BE duhet ta dinë se kur bëjnë pazar me Turqinë atëherë kjo e ka një çmim.
Po ku mbetet Kosova, a mund të ketë ajo përfitim për arsye politike në procesin e liberalizimit të vizave? Në një mënyrë, mund të përfitojë, sepse do të duket qesharake që për afër 80 milionë shtetas të Turqisë të hiqen vizat, ndërsa për më pak se dy milionë kosovarë jo. Por problemi qëndron se Kosova nuk ka shumë aleatë politikë për t’i përdorur për qëllime që të përfitojnë qytetarët. Liderët kosovarë më shumë kërkojnë favore personale. Dhe për to bëjnë kompromise në dialog. Në anën tjetër, Kosova nuk ka kurrfarë fuqie, as politike e as ekonomike, e as morale, që të kërkojë favore nga BE-ja. Madje është pikëpyetje se a ka elita politike kosovare kredibilitet që së paku të kërkojë nga BE-ja të jetë e drejtë dhe korrekte ndaj Kosovës. Me nivelin e korrupsionit dhe me dështimin e sistemit të drejtësisë, jo. Prandaj procesi i liberalizimit të vizave është aty ku është me Kosovën, në pritje dhe pa afate se kur mund të ndodhë.
Para tre muajsh, nga mesi i dhjetorit të vitit të shkuar, Komisioni Evropian kishte nxjerrë raportin e fundit për përparimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve nga procesi i dialogut për liberalizimin e vizave. Në atë raport ishin identifikuar edhe tetë kushte që Kosova nuk i kishte përmbushur. Të njëjtën ditë Komisioni kishte konfirmuar se dy shtete tjera të përfshira në procesin e liberalizimit të vizave, Gjeorgjia dhe Ukraina, i kanë përmbushur të gjitha kriteret. Javën e shkuar në Bruksel Komisioni Evropian edhe formalisht dha propozimin për miratimin e ndryshimeve ligjore që Gjeorgjia të përfshihet në listën e vendeve për të cilat nuk do të ketë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen. Nëse gjithçka shkon sipas planit, shtetasit e Gjeorgjisë që nga vera do të mund të gëzojnë lëvizjen pa viza në këto shtete të BE-së dhe tri shtete tjera të cilat nuk janë në BE, por bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë të Schengenit, e që janë Norvegjia, Islanda dhe Zvicra. Edhe pse edhe Ukraina i kishte përmbushur të gjitha kushtet në dhjetor dhe këtë e kishte konfirmuar edhe Komisioni Evropian, për këtë shtet nuk është nisur procedura formale.
Sa i përket Kosovës, nga një përgjigje e komisarit për Punë të Brendshme dhe Migrim, Dimitris Avramopoulos, kuptohej se gjendja është sikur që ka qenë edhe në dhjetor, që do të thotë se Komisioni ende nuk është në gjendje të konfirmojë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. I pyetur rreth fazës në të cilën gjendet Kosova në procesin e dialogut të liberalizimit të vizave, Avramopoulos përsëriti atë që kishte thënë në dhjetor se, sapo Kosova të përmbushë kushtet e mbetura, Komisioni do të jetë i gatshëm të propozojë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai po ashtu konfirmoi se në pjesën e dytë të këtij muaj një ekip ekspertësh të Komisionit Evropian do të shkojë në Kosovë për të monitoruar në terren situatën dhe për të dhënë udhëzime sesi të përmbushen kushtet e mbetura. “Unë mbetem ende i gatshëm të vizitoj Kosovën”, ka thënë Avramopoulos.
Në dhjetor ai kishte thënë se “në fillim të vitit 2016 do të vizitoj Kosovën për të konfirmuar përmbushjen e kushteve të mbetura”, por deri tash një vizitë e tillë nuk është realizuar edhe pse tashmë jemi në muajin e tretë të vitit.
Disa burime diplomatike në Bruksel pohojnë se arsyeja pse Avramopoulos nuk e ka vizituar ende Kosovën, siç ishte paralajmëruar, qëndron në faktin se Kosova nuk i ka përmbushur ende kushtet dhe në rast të tillë është më mirë të shtyhet për më vonë një vizitë e tillë sesa që ajo të realizohet dhe që komisari të mos jetë në gjendje të konfirmojë përmbushjen e të gjitha kritereve.
Sipas procedurave të vendimmarrjes në BE, pasi Komisioni të nisë procedurën e ndryshimeve ligjore, siç ka bërë të mërkurën për Gjeorgjinë, atëherë pëlqimin duhet ta japë Parlamenti Evropian dhe vendimin përfundimtar ta marrin shtetet anëtare me shumicë të kualifikuar votash në Këshillin e Bashkimit Evropian.
Pra, në rastin më të mirë, nëse misioni i paralajmëruar i ekspertëve të BE-së edhe konfirmon se janë përmbushur kriteret e mbetura, përfshirë edhe rezultatet konkrete në kufijtë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, atëherë mund të vijë në prill apo në maj komisari Avramopoulos dhe pas kësaj edhe mund të jepet rekomandimi. Dhe, prapë në rastin më të mirë, procesi mund të përmbyllet me heqjen e vizave në fillim të vitit që vjen. Por, duke pasur parasysh se Kosovës nuk i është dhënë asnjë premtim politik nga ndonjë nivel i lartë, dhe se në BE nuk ndiejnë se i kanë ndonjë gjë borxh Kosovës, edhe ky parashikim mund të mos realizohet.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...