Çka u bë me Shengenin ballkanik

2 Shtator 2015 - 08:19 - Augustin Palokaj      

Edhe Ballkani, edhe BE-ja duhet të pajtohen se kontrollet burokratike të udhëtarëve dhe dokumenteve në kufijtë mes shteteve nuk do t’i ndalin as kriminelët e as terroristët potencialë. Rreziku nga terrorizmi ka kthyer debatin për heqjen e lirisë së lëvizjes brenda BE-së, por kjo do të ishte fitore e terroristëve dhe një goditje e rëndë për qytetarët e Evropës. E në Ballkan, derisa mendojnë për lëvizje të lirë në Evropë, duhet të zbatojnë idetë për një Shengen ballkanik, në dobi të qytetarëve dhe lëvizjes së tyre të lirë

Para dhjetë ditësh, kur po kthehesha nga pushimi vjetor nga Kroacia drejt Brukselit, sapo kalova kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, u ndala të blej “vinjetën” (biletën për kalimin përmes Sllovenisë). Takova një shqiptar të Kosovës me banim në Hamburg të Gjermanisë, që po kthehej nga Kosova. Ishte shumë i lodhur, por edhe i lumtur. Ndihej sikur të kishte arritur të shtëpinë e vet në Hamburg, edhe pse llogaritur në kilometra nuk ishte as në gjysmën e rrugës. “Me rëndësi është se i kalova të gjithë këta kufij. Katër orë në kufirin e Kosovës me Serbinë, pesë orë në kufirin mes Serbisë e Kroacisë dhe katër orë në kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Pra rrafsh 13 orë pritje në pikëkalimet kufitare dhe vetëm nëntë orë vozitje deri këtu”, më thoshte ai, duke sharrë administratat nga Prishtina e Beogradi deri në Zagreb e Bruksel. “A mendojnë ata për njerëz. Çka osht kjo pun? Deri kur kështu? Ku asht qajo Evropa pa kufij që po na flasin? Qysh me shku un të hanën në pun kaq i lodhun?” ankohej ai duke i shtuar pakënaqësisë së tij dhe ndjenjën jo të këndshme që ka secili njëri, i cili kthehet nga pushimi vjetor me vetëdijen se tash duhet ta presë verën tjetër. “O, ti, gazetar, e din edhe vetë. Diqysh po e kemi ma lehtë kur po shkojmë në pushim, sepse gëzimi se po shkojmë në Kosovë, po na e heq mërzinë kur po presim në kufi. Po tash nuk është lehtë”, u bashkua në bisedë një shqiptar tjetër, duke ua shtuar vargut të atyre që duhet kritikuar edhe agjencitë e udhëtimit dhe aviokompanive, të cilat “po na shashtrisin me çmime të biletave bash në sezonë, e po na bjen ma lir me shku në New York se në Prishtinë”.

Të dy ata bashkëbisedues të rastit më nuk e bënin hesap rrugën e gjatë që ishte para tyre. E dinin se tash, nëse duan, mund të shkojnë deri në Llapland në veri të Finlandës nga, sipas përrallës, vjen Babadimri e askush nuk do t’i ndalë në asnjë kufi për t’u kërkuar dokumentet. Ata ishin shtetas gjermanë dhe, si shumë shqiptarë që jetojnë në diasporë, kanë farefis në shtetet e BE-së po aq sa edhe në Kosovë, nëse jo edhe më shumë. Si rrjedhojë gjatë vitit udhëtojnë shpesh nga një shtet në tjetrin dhe nuk e ndjejnë fare lodhjen. Rrugët janë të mira, kontrolle kufiri nuk ka. Dhe do të preferonin që kështu të jetë edhe në Ballkan, në mënyrë që të mos u shkojë edhe pushimi duke pritur në vendkalime kufitare.

Kufiri mes Kroacisë dhe Sllovenisë është kufi i jashtëm i Zonës së Schengenit, sepse Kroacia, si vend i ri anëtar i Bashkimit Evropian ende nuk është në Shengen. Kur Kroacia të bëhet pjesë e kësaj zone, atëherë ky vendkalim kufitar nuk do të ekzistojë më. Deri atëherë Sllovenia është e obliguar t’i kontrollojë të gjithë udhëtarët. E në verë vërtet janë shumë, me miliona, që kalojnë pushimin në Kroaci, me qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë që kalojnë këtej, e së fundi gjithnjë e më shumë shqiptarë të Shqipërisë. Me qindra e mijëra turq, grekë, rumunë dhe bullgarë që përdorin po ashtu këtë korridor. Pra pritjet në kufi janë të garantuara për secilin që merr këtë rrugë në kohë pushimi. Kufiri mes Kroacisë dhe Serbisë është kufi i jashtëm i BE-së dhe kroatët e kanë obligim që të kontrollojnë mirë të gjithë udhëtarët, por edhe mallrat që hyjnë në BE. E për kufirin e Kosovës me Serbinë të mos flasim fare, sepse do të duhet kohë që të ndihen lehtësimet për udhëtarët, për të cilat flitet në Bruksel.

Një Shengen ballkanik, për të cilin tash e sa vjet flasin disa liderë politikë të Ballkanit, duke menduar se kanë zbuluar diçka të re, do të lehtësonte udhëtimin e këtyre njerëzve. Por, përkundër kuptimit se një gjë e tillë është e domosdoshme, mungon një gatishmëri politike për realizimin e një ideje të tillë. Edhe mundësia që qytetarët e disa shteteve të rajonit të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime (karta identiteti), ka lehtësuar në masë të madhe udhëtimin. Heqja e plotë e kontrolleve do të ndihmonte edhe më shumë dhe ky shembull tashmë është parë në vendet e BE-së.

Por këto ditë në Bruksel dhe disa kryeqytete evropiane kanë filluar të marrin hov ide për kthim prapa, për rivendosjen e kufijve mes shteteve të BE-së. Si arsyetim merret rreziku nga terrorizmi dhe lëvizja e pakontrolluar e emigrantëve. Qytetarët e BE-së, të frikësuar, do të mbështesnin ide të tilla. Për rishqyrtimin e rregullave të Shengenit e madje deri te suspendimi i tyre tash po flitet haptas. Para dhjetë ditësh disa ushtarakë amerikanë, të cilët ishin në pushim, arritën të çarmatosin një terrorist me prejardhje nga Maroku, i cili me kallashnikov në trenin që udhëtonte nga Parisi për Bruksel e Amsterdam kërcënonte të bënte masakër ndaj udhëtarëve. Edhe ky rast u bë shkas i takimeve urgjente të ministrave të BE-së, të cilët gjithnjë e më vështirë po u përballojnë ideve që të rishqyrtohet Shengeni. Ata që duan më shumë kontrolle të kufijve argumentojnë se si ky terrorist kishte blerë armën në Bruksel, ku edhe kishte hipur në tren. Dhe ai i papenguar, pasi nuk ka kontrolle kufijsh, mund të lëvizë nga një shtet në tjetrin. Pra liria e lëvizjes tash po shihet si një përparësi edhe për lëvizjen e lirë të terroristëve në Evropë. Edhe nga rajoni i Ballkanit, thonë ekspertët e sigurisë, pos që vjen një numër i madh kriminelësh, në Perëndim vjen edhe një arsenal i madh i armatimit për grupet e krimit të organizuar.

Por me të drejtë Komisioni Evropian tërheq vërejtjen se nuk mund të flitet për heqjen e lirisë së lëvizjes, sepse ajo është njëra ndër arritjet më të mëdha të procesit të integrimeve evropiane. Do të ishte keqpërdorim i frikës nga terrorizmi dhe i problemit të refugjatëve dhe nuk do ta zgjidhte problemin.

Rivendosja e kontrolleve në kufijtë e brendshëm të BE-së është e paimagjinueshme. Në vit bëhen më shumë se 1.3 miliard kalime të kufijve të brendshëm të Shengenit. Në Luksemburg me qindra e mijëra qytetarë të vendeve fqinje, Belgjikës, Francës dhe Gjermanisë, vijnë në ditë për të punuar. Edhe në Zvicër është një numër i madh francezësh dhe gjermanësh që punojnë atje. Të mos flasim për turistët japonezë, të cilët brenda tri ditësh vizitojnë edhe deri në gjashtë shtete të Evropës. Sikur secilën herë do të duhej të kalonin kontrollin e kufijve një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Kjo do të kishte pasoja për mobilitetin e qytetarëve dhe në fund edhe për ekonominë e shteteve.

Edhe Ballkani, edhe BE-ja duhet të pajtohen se kontrollet burokratike të udhëtarëve dhe dokumenteve në kufijtë mes shteteve nuk do t’i ndalin as kriminelët e as terroristët potencialë. Rreziku nga terrorizmi ka kthyer debatin për heqjen e lirisë së lëvizjes brenda BE-së, por kjo do të ishte fitore e terroristëve dhe një goditje e rëndë për qytetarët e Evropës. E në Ballkan, derisa mendojnë për lëvizje të lirë në Evropë, duhet të zbatojnë idetë për një Shengen ballkanik, në dobi të qytetarëve dhe lëvizjes së tyre të lirë. Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, kontrabandës dhe tregtisë me qenie njerëzore varet më shumë nga gatishmëria politike sesa nga orët që kalojnë udhëtarët duke pritur që një polic t’ua kontrollojë pasaportën në kufi.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...