6 Korrik 2016 - 08:09 - Augustin Palokaj
Në kryeqytetin e Francës, Paris, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë edhe një rast për të bërë foto me disa nga liderët kryesorë të vendeve të BE-së. Do të bëjnë foto me presidentin e Francës, Hollande, me kancelaren gjermane, Merkel, me kryeministrin e Italisë, Renzi, dhe me shumë të tjerë. Secili nga liderët do të mundohet opinionit të tij t’ia shesë interpretimin se pikërisht ai ka qenë kryesori nga shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit dhe pikërisht për vendin e tij ka pasur më së shumti interes. Këtë takim do ta quajnë si “edhe një dëshmi për rrugën e sigurt të integrimeve evropiane” dhe se nga niveli më i lartë u dëshmua edhe një herë interesi i BE-së për të avancuar procesin e integrimit.
Vërtet samiti i Parisit, si vazhdim i nismës gjermano-austriake të pagëzuar si “Iniciativa e Berlinit”, ka një rëndësi të madhe. Është një rast edhe për BE-në që të japë dëshmi se e konsideron si të rëndësishëm një rajon të Evropës që ende është i brishtë. Të dëshmojë se problemet dhe sfidat e brendshme që kanë edhe BE-ja e edhe shtetet kryesore të angazhuara për jetësimin e kësaj nisme nuk do t’i pengojnë ato që të ecin përpara në zbatim. Dhe nuk janë pa probleme as BE-ja e as Franca, as Gjermania apo Austria. Në këtë të fundit përsëri është shfaqur frika se një radikal i djathtë mund të bëhet president pasi gjykata ka anuluar rezultatet e zgjedhjeve dhe ka kërkuar përsëritjen e votimit. Në Francë presidenti Hollande e ka të vështirë, nëse jo edhe të pamundur, të rizgjidhet president, madje duke pasur popullaritet edhe më të vogël sesa liderja e radikalëve të djathtë, Marine Le Pen. Punët nuk po i shkojnë si më par as Kancelares Merkel në Gjermani. Ajo, edhe pse ende me mbështetje çfarë liderët tjerë evropian vetëm mund të ëndërrojnë, po përballet me zvogëlimin e popullaritetit të saj. Dhe BE-ja tashmë ka hyrë në një proces të panjohur pas vendimit të qytetarëve të Britanisë së Madhe që të largohen nga BE-ja. Kjo është kriza më e madhe për BE-në dhe të ardhmen e saj, edhe më e madhe sesa kur Holanda dhe Franca në referendum kishin refuzuar ratifikimin e Kushtetutës evropiane. Prej atëherë BE-ja kishte filluar të merrej më shumë me vetveten dhe për këtë shkak pësoi shumë dëme edhe procesi i zgjerimit. Kroacia ishte i vetmi shtet që arriti të bëhet anëtare e BE-së prej atëherë dhe madje me shumë mundime. Tash situata është edhe më pak e parashikueshme.
Në këto rrethana të gjejnë kohë dhe vullnet që të takojnë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor është domethënëse. Por liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbahen dhe të mos shfrytëzojnë takimet e tilla si ky i Parisit për të krijuar përshtypje në opinion se është afër anëtarësimit në BE, apo se rruga drejt realizimit të këtij qëllimi është e sigurt dhe e garantuar. Asgjë të garantuar nuk ka as për vetë BE-në dhe të ardhmen e sajë e lëre më për anëtarësimin e ndonjë nga këto vende në BE. Duhet lexuar me kujdes porositë që vijnë nga BE-ja dhe nga Berlini e sidomos Parisi. Tash nuk flitet aq shumë për “anëtarësim” në BE, por për “përafrim” të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Edhe nëse një ditë ndonjëri nga vendet e Ballkanit Perëndimor i realizon qëllimet dhe me sukses i përmbyll negociatat e anëtarësimit, dhe pas kësaj nënshkruan Traktatin e anëtarësimit, atëherë së paku në Francë do të ketë referendum për pranimin e atij shteti në BE. E nëse diçka nuk ndryshon pak a shumë mund të parashihet se qytetarët e Francës nuk do të votonin në favor të zgjerimit për asnjë shtet të Ballkanit.
Ky samit i Parisit ka një rëndësi edhe për shkak se po e angazhon Francën krahas Gjermanisë në realizimin e qëllimeve të nismës që kishte ndërmarrë para dy vitesh kancelarja gjermane, Merkel. Deri tash Berlini për shumë nisma në rajon si partner të përbashkët e ka pasur Londrën. Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të krijohet një boshllëk dhe tash kjo duhet disi të plotësohet.
Roli i Britanisë së Madhe në Ballkan, si fuqi jashtë BE-së, do të jetë shumë i kufizuar. Për shkak të kërkimit të identitetit të ri për vetveten Britania e Madhe nuk do të ketë as kapacitete, as dëshirë e as mundësi që në një të ardhme të afërt të merret me Ballkanin. Roli i saj edhe në KFOR është shumë i kufizuar. Deri sot Britania ishte ndër shtetet më të interesuara për angazhimin e BE-së në Ballkan. Tash në rast të zvogëlimit të angazhimit të BE-së ka aktorë tjerë që janë të interesuar për të shtuar influencën në këtë rajon.
Ballkani sot duket stabil në sipërfaqe, por ky stabilitet është shumë i brishtë. Nuk ka as stabilitet të garantuar të brendshëm politik në shumë shtete e as raportet mes disa shteteve nuk janë aq të mira sa tentojnë të lënë përshtypje liderët e këtyre vendeve kur vijnë në Bruksel. Po të besohej në atë që thotë, për shembull, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel, atëherë raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë “më të mira sesa që paraqiten në opinion”. Por nuk është fshehtësi se në raportet mes Kosovës dhe Serbisë ka shumë probleme, se ato që janë arritur si marrëveshje në Bruksel në dialog nuk po zbatohen, se Serbia kudo ku ka mundësi, në mënyrën më brutale dhe me një fjalor më të ashpër që është e mundur, pengon pjesëmarrjen e Kosovës. Ndoshta Thaçi di diçka që nuk e di opinioni, por kur Serbia e krahason Kosovën me ISIS-in, kur vazhdon të thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk shihet shumë hapësirë për të thënë se raportet na qenkan shumë të mira.
Situata e brendshme politike në Maqedoni, vazhdimi i grindjeve politike në Shqipëri, ku duhet po ashtu të ndërhyjnë ambasadorët e huaj për të mundësuar miratimin e një ligji për dekriminalizim, i cili i duhet shtetit për të vendosur funksionimin e rendit dhe ligjit, pamundësia e Qeverisë së Kosovës të bindë opinionin, e besa edhe të sigurojë votat, për të ratifikuar një marrëveshje për kufirin me Malin e Zi, që e kishte nënshkruar pikërisht gjatë një takimi në Vjenë vitin e shkuar, sikur që është ky i Parisit sivjet, fakti se Serbia nuk e ka krijuar ende qeverinë, gjuha që përdor Serbia për të akuzuar Kroacinë për pengesat në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, rritja e kërcënimit nga radikalizmi islamik në Bosnjë e Hercegovinë, sfida që kanë edhe Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia me këtë fenomen të radikalizmit, janë vetëm disa shembuj pse Evropa nuk duhet të jetë neglizhente ndaj rajonit të Ballkanit.
Gjermania dhe Franca duhet ta kompensojnë së bashku mungesën e Britanisë që pa dyshim do të ndihet në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendin e vet dhe e kanë rolin e vet. Ai do të ishte mirë sikur të rritet. Por për të mbajtur një angazhim më të madh të Bashkimit Evropian, nevojitet një angazhim i vendeve të saj kryesore e anëtare e këto janë dhe do të mbetet Franca dhe Gjermania.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...