Të shpresojmë se Trump ishte joserioz dhe vetëm është tallur

16 Nëntor 2016 - 08:25 - Augustin Palokaj      

Problemi me zgjedhjen e Trumpit është se Amerika ka humbur në masë të madhe rolin e shembullit të mirë. Paramendojeni, për shembull, se si tingëllon tash thirrja e ambasadorëve amerikanë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Serbi e vende të tjera ndaj politikanëve vendës që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes, nga nxitja e jotolerancës fetare, nga ofendimi i personave në bazë të orientimeve seksuale, dhe të respektojnë barazinë gjinore. E mira e Amerikës është se asnjëherë nuk mohohet e drejta për të kritikuar presidentin

Në rajonin e Ballkanit dhe në një pjesë të Evropës Qendrore analizohen rezultatet e zgjedhjeve amerikane në mënyra të ndryshme. Këto të fundit dukeshin më shumë si një “reality show” sesa një manifestim i demokracisë në vendin më të fuqishëm të botës. Madje edhe serialet televizive si ai “House of cards” duken tepër serioze krahasuar me fushatën e fundit zgjedhore amerikane. Nuk ishte vetëm Trump ai i cili këtë fushatë e shndërroi në një zbavitje, një debat në stilin e reality show “apprentice”. Edhe zonja Clinton, duke përdorur në fushatë edhe këngëtarët dhe aktorët më të popullarizuar bëri që këto zgjedhje të jenë çfarë ishin.

Dhe kështu edhe në Ballkan reagimet e para në disa vende ishin në stilin se kush e ka mik, kush e njeh dhe çfarë do të përfitojë kush nga zgjedhja e Trumpit. Në Slloveni, natyrisht, i gëzohen faktit se dhëndri i tyre është zgjedhur president i Amerikës. Prandaj edhe është festuar në fshatin nga i cili vjen Melania Trump, sllovene, që do të jetë Zonja e parë amerikane. Në Kroaci Jutarnji list ka botuar fotografi të Trumpit me organizatorët e zgjedhjeve të miseve të ndryshme, nga Rusia e më gjerë dhe ata persona gëzohen se “miku i tyre është bërë president amerikan”. Nuk hezitojnë të thonë se ai gjatë shoqërisë me ta ka dëshmuar se i pëlqen Kroacia, sidomos femrat nga ky shtet. Në Serbi gëzohen pse Trump ka fituar, sepse ai paska pasur një zonjë serbe që ka shërbyer në shtëpinë e tij dhe se për shkak të piteve që ajo ka gatuar Trump e do Serbinë. Serbët i janë gëzuar kësaj fitoreje edhe për shkak se asaj nuk i janë gëzuar shqiptarët. Dhe, sipas kësaj logjike, nëse diçka është keq për shqiptarët, atëherë duhet të jetë mirë për ta. “Le të më ngordhë lopa nëse komshiut i ngordhin dy” i thonë kësaj logjike. Në Kosovë gjen deklarata se çfarë ka thënë ai për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, për të qetësuar ata që kanë frikë nga fitorja e tij, apo nga humbja e “familjes mike” të Clintonëve.

Por më së largu shkojnë në Shqipëri ku krerët e opozitës tash besojnë se Trump do ta heqë nga pushteti Edi Ramën për shkak se ky i fundit ishte shprehur se do të ishte e dëmshme që Trump të zgjidhej president amerikan.

Është e habitshme se si po iu vërsulen atyre që kanë shprehur frikë nga fitorja e Trumpit. Nuk duhet kritikuesit e presidentit të zgjedhur amerikan të ulin kokën për shkak se ai tash ka fituar. Është Trump ai i cili duhet të dëshmojë se ka qenë joserioz, se është tallur dhe nuk ka menduar ashtu si ishte shprehur. Problemi me zgjedhjen e tij është se Amerika ka humbur në masë të madhe rolin e shembullit të mirë. Paramendojeni, për shembull, se si tingëllon tash thirrja e ambasadorëve amerikanë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Serbi e vende të tjera ndaj politikanëve vendës që të përmbahen nga gjuha e urrejtës, nga nxitja e jotolerancës fetare, nga ofendimi i personave në bazë të orientimeve seksuale dhe të respektojnë barazinë gjinore. E mira e Amerikës është se asnjëherë nuk mohohet e drejta për të kritikuar presidentin.

Të mendojmë vetëm për një çast se çfarë do të ndodhë nëse Trump ka menduar seriozisht në atë që ka thënë dhe të nisë të zbatojë. Apo më mirë të mos mendojmë fare. Në rastin e zgjedhjeve amerikane nuk vlen parimi për politikanët nga vendet e tjera të botës që të mos përzihen në këto zgjedhje. Natyrisht me “përzierje” këtu mendohet në prononcime për to. Mund t’i kritikojmë udhëheqësit në Shqipëri dhe Kosovë për shumë gjëra. Mund t’i kritikojmë pse përzihen ku duhet e ku nuk duhet, nga sporti e deri tek filmi e muzika. Por nuk mund t’i kritikojmë pse kanë anuar që Trump të mos fitojë.

Le të mendojmë për një çast që Trump të zbatojë premtimin e tij që “myslimanëve t’u ndalohet hyrja në SHBA”. Natyrisht që një deklaratë e tillë e Trumpit është dashur të ketë hasur në reagim nga kryeministri i Shqipërisë, i cili, me sa dihet, nuk është mysliman personalisht por është në krye të një qeverie të një shteti me shumicë myslimanë. Ta zëmë që Rama do të donte ta bënte Sali Berishën ambasador në SHBA dhe nga administrata amerikane të refuzohet sepse, në bazë të emrit, “dyshohet se është mysliman!”. Por më mirë të mos mendojmë fare, sepse do të dukemi joseriozë. Të shpresojmë se Trump ka qenë joserioz, sepse këtu qëndron shpresa më e madhe për Amerikën, Evropën dhe botën.

Dhe të shpresojmë se Amerika do të mbetet serioze. Që politika e vërtetë dhe veprimet e Amerikës të jenë serioze dhe në përputhje me fuqinë dhe përgjegjësinë që ky shtet ka për botën. Të shpresojmë se Trump do të jetë i rrethuar me staf të përgjegjshëm dhe që administrata e re të ushtrojë me përgjegjësi detyrën. Fundi i fundit Trump nuk është zgjedhur president i Koresë së Veriut dhe ai vet nuk mund të veprojë sipas qejfit të vet. Është një sistem i kontrollit dhe i balancave të pushtetit dhe një shoqëri ku nuk e përulin kokën para shefit të gjithë.

E sa për Ballkanin qëmoti kjo zonë nuk ka qenë më fokus me të cilën është marrë presidenti amerikan. Por kur japin kredenciale për ambasadorë nga vendet e Ballkanit, nuk janë parë që nga koha e Bushit, kur u pavarësua Kosova dhe u anëtarësuan Kroacia e Shqipëria në NATO, të jenë marr me Ballkanin presidentët amerikanë.

Edhe ashtu niveli në Washington i cili merret me Ballkanin nuk ka qenë as ai i presidentit, as i sekretarit të Shtetit, por i zëvendësndihmësit të sekretarit të Shtetit. Në këtë mënyrë një autonomi e madhe për mikromenaxhim u është dhënë ambasadave përkatëse amerikane në Prishtinë, Beograd, Tiranë, Shkup e gjetiu. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë kapacitete të mjaftueshme për ta mbajtur praninë diplomatike në këto vende, dhe ajo prani, sado e vogël të jetë, dhe sado i vogël të jetë niveli i interesit në Washington, do të ketë ndikimin më të madh.

Tash të gjithë duhet të presim veprimet e para të Trumpit. Duket se as ai vetë nuk kishte besuar se do të bëhej president amerikan. Por tash pasi po bëhet, sepse kështu vendosi populli amerikan, është ai i cili tërë kohën do të duhet të dëshmohet duke u distancuar nga deklaratat e tij të mëparshme. Nëse nuk e bën këtë, do t’i thellojë ndarjet në vendin e tij dhe do ta bëjë Amerikën edhe më pak të madhërishme sesa që është. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...