1 Qershor 2016 - 08:22 - Augustin Palokaj
Një gazetare amerikane, e njohur për punën e saj në Ballkan dhe në Kosovë në periudhat e luftës, dhe e njohur sidomos në mesin e kolegëve të cilët në atë kohë kanë bërë karrierë në këto hapësira, ka shkruar një shkrim hulumtues për Kosovën, i cili ka zgjuar shumë reagime jo vetëm në Kosovë, ndërkohë që ka ndikuar që në Evropë edhe më shumë të rritet vigjilenca për rrezikun që paraqet Kosova për sigurinë e brendshme të BE-së. Karlota Gall ka parë një Kosovë ndryshe nga ajo që e ka menduar në verën e vitit 1999, kur Kosova u çlirua. Dhe kosovarët duhet t’i kuptojnë ata të cilët nuk kanë qenë në Kosovë me vite dhe i shohin ndryshe ndryshimet kur vijnë nga ata që përditë i jetojnë ato ndryshime. Kur ndryshimet i sheh ngadalë, atëherë edhe më pak i sheh ato. Por kur pas disa vjetësh kthehesh në një vend, atëherë i sheh më shumë dhe përshtypjet janë më të fuqishme. Dhe do të ishte katastrofë sikur Kosova të mos kishte ndryshuar nga viti 1999 deri me sot. Problemi qëndron se disa nga ndryshimet kanë shkuar jo në atë drejtim që kanë dashur qytetarët dhe miqtë e saj.
Ku do dëshmi më të madhe se as qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur me jetën në vendin e tyre 17 vjet pas çlirimit, sesa largimin e gati 100 mijë njerëzve në muajt e fundit të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015. Vërtet shkrimi në gazetën “New York Time” me titull “Si u shndërrua Kosova proamerikane në tokë pjellore të ISIS-it” është përplot fakte, të cilat shihet se gazetarja në mënyrë profesionale i ka mbledhur. Fundi i fundit, të gjitha ato pohime, e edhe të dhëna, mund të gjenden edhe në raporte të Bashkimit Evropian, të Departamentit Amerikan të Shtetit, Europolit, EULEX-it, KFOR-it, NATO-s dhe shumë e shumë organizatave që gjithsesi mund t’i quajmë si mike të Kosovës e jo si qarqe që ia duan të keqen këtij vendi. Së fundi, edhe në raportin e Komisionit Evropian, që shoqëronte propozimin pozitiv për heqjen e vizave, kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun që Kosova paraqet për sigurinë e brendshme të Bashkimit Evropian, si për shkak të krimit të organizuar, ashtu edhe për shkak të radikalizmit islamik dhe numrit të “luftëtarëve të huaj” që u janë bashkuar grupe terroriste në Siri dhe Irak dhe që tash disa janë kthyer në Kosovë.
Është fakt se Kosova, krahasuar me numrin e saj të banorëve, ka pasur numrin më të madh të qytetarëve të saj që kanë shkuar në luftimet në Siri dhe Irak. Fat i keq është edhe fakti se ka pasur më së shumti fëmijë, më së shumti gra, që kanë bërë një gjë të tillë. Dhe kësaj nuk ka çfarë t’i shtohet, por ka shumë hapësirë për të studiuar shkaqet dhe pasojat. Pse ka ndodhur kjo dhe çfarë duhet ndërmarrë që fenomenet e tilla të mos përsëriten, së paku në përmasa të tilla, sepse do të ishte naive të mendohet se ekstremizmi mund të ndalet tërësisht.
Por Kosova zë vendin e parë edhe për një dukuri tjetër. Për nga numri i atyre që kanë ikur për të kërkuar azil në vendet e BE-së, Kosova pa krahasuar me numrin e banorëve, ua ka kaluar të gjitha shteteve të tjera, madje edhe Sirisë e Irakut ku ka luftime. Nga Kosova vetëm për disa muaj janë larguar, sipas disa llogarive sipërfaqësore, më shumë se 5 për qind e popullsisë së saj. Edhe kjo ka qenë një fenomen që ka shokuar Evropën, e cila pyetej: “pse po ikin këta, e ne kemi ndihmuar të çlirohen dhe tash ta kenë shtetin e tyre të pavarur”.
Kosova nuk duhet ta kuptojë si turp kur për të shkruhet se është bërë vend ku rriten ekstremizmi dhe radikalizmi islamik. Këtë dukuri duhet shikuar nga aspekti i sigurisë e jo nga ai i imazhit. Nuk ka dyshim se Kosova është ende proamerikane dhe proevropiane. Por ka shumë adresa në të cilat duhet kërkuar përgjigjësinë pse në Kosovë edhe pas 17 vjet çlirimi lulëzon krimi i organizuar, korrupsioni, ekstremizmi fetar dhe rritet pakënaqësia qytetare. Pos politikanëve të Kosovës, shërbimeve të zbulimit, paralele apo zyrtare, përgjegjësisë nuk mund t’i ikin as NATO-ja, as BE-ja, as Amerika, as KFOR-i e as EULEX-i. Korrupsioni dhe krimi i organizuar i kanë hapur në Kosovë rrugë ekstremizmit më shumë sesa ideologjia.
Të gjitha organizatat ndërkombëtare që tash e sa vjet janë në Kosovë, kryesisht për të ndihmuar që të bëhet shtet ku sundon ligji, ku luftohen dukuritë, si krimi i organizuar dhe korrupsioni, nuk mund të fshihen pas thënieve se “korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet t’i luftoni ju vetë”. Nëse kështu mendojnë, atëherë praninë e tyre dhe të gjitha shpenzimet që kanë bërë në Kosovë i bëjnë të paarsyeshme. Edhe ata, e jo vetëm qytetarët e Kosovës, duhet të pyeten se pse Kosova sot vazhdon të jetë vend ku lulëzon krimi i organizuar, trafikimi i armëve, i drogës, qenieve njerëzore,i radikalizmi fetar e korrupsioni politik deri në nivelin më të lartë. A mos edhe ata me sjelljen e tyre, me flirtimin me elitën politike që e ka udhëhequr Kosovën në këto 17 vjet, e kanë ushqyer krijimin e një situate të tillë.
Një gjë mund ta themi me bindje sa i përket radikalizmit islamik në Kosovë, e ajo është se nuk ka ndodhur asgjë e papritur. Për të gjitha këto kanë tërhequr vërejtjen shërbimet e zbulimit që nga vitet e para të pasluftës. Për të gjitha këto e kanë ditur edhe ambasadat e huaja, edhe misionet e KFOR-it e të UNMIK-ut, e edhe vetë organet e Kosovës.
Mirë është se në reagimet e politikanëve të Kosovës ndaj këtyre shkrimeve nuk ka pasur tentime për të akuzuar gazetat dhe gazetaren, siç ndodh nganjëherë. Por ajo që duhet thënë për atë shkrim është edhe ajo që në të nuk thuhet. E ai është fakti se Kosova vazhdon pa asnjë dyshim të jetë edhe proamerikane e edhe proevropiane. Nganjëherë shprehja e këtij orientimi merr edhe elemente patetike. E sa i përket rrezikut që paraqet Kosova për sigurinë e BE-së duhet thënë se rrezik më të madh paraqet Belgjika dhe vetë kryeqyteti i Evropës, kryeqendra e NATO-s dhe e BE-së, Brukseli. Ashtu sikur që për Belgjikën mediet amerikane tashmë përdorin pa ngurrim termin “shtet i dështuar”, kjo mund të thuhet edhe për Kosovën. Ashtu sikur Belgjika po paguan çmimin e mosveprimit me kohë ndaj paralajmërimeve për rreziqet nga radikalizmi, ashtu kjo i ka ndodhur edhe Kosovës.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...