Demarkacioni i kufirit, kusht i shpikur dhe i padrejtë Kosovës

23 Nëntor 2016 - 08:30 - Augustin Palokaj      

Komisioni Evropian duket qesharak kur mundohet të arsyetojë pse i ka vënë si kusht Kosovës ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Në vetë dokumentet e Komisionit mund të gjejmë dëshmi të shumta se Kosova, në mënyrë drastike po diskriminohet. Në rastin e Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës në raportet e progresit konstatohet se „çështja e demarkacionit të kufirit mbetet e hapur“ ose se „nuk ka progres në çështjen e demarkacionit“. Nuk mund t’i ikim përshtypjes se ky kusht i shpifur është bërë me qëllim që t’i dilet në ndihmë koalicionit qeverisës në Kosovë që të arsyetojë ratifikimin e një marrëveshje jo të popullarizuar me liberalizimin e vizave dhe me bindjen se „kjo është vetëm çështje teknike“ dhe koalicioni pa problem do t’i sigurojë votat

Në verën e vitit 2015, në Vjenë, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit, u deshën disa shembuj pozitivë të bashkëpunimit rajonal, dëshmi se si vendet e rajonit zgjidhin problemet me marrëveshje dhe si në këtë proces të pajtimit dhe të bashkëpunimit rajonal perspektiva evropiane ndihmon. Krahas fotove dhe videove se si udhëheqësit politikë të rajonit luajnë futboll, sa të relaksuar janë në bisede me njëri-tjetrin, u deshën edhe foto se si ata edhe nënshkruajnë diçka. Donin edhe shembuj se si zgjidhen çështjet e hapura bilaterale.

Ndër çështjet e hapura bilaterale, të cilat janë të hapura tash e 25 vjet, janë edhe ato të demarkacionit të kufirit. Në prag të samitit, organizatorët menduan të përmendin shembullin e Kroacisë dhe Sllovenisë se si në „frymën evropiane“ dhe „të fqinjësisë së mirë“ zgjidhen çështjet e tilla të hapura. Ideja ishte që marrëveshja e Kroacisë dhe Sllovenisë për mënyrën e zgjidhjes së mospajtimeve për kufirin në det të përmendet si shembull i mirë. Sllovenia për disa vite kishte bllokuar përparimin e Kroacisë në negociatat e anëtarësimit në BE, sepse donte ta shfrytëzonte anëtarësinë e saj si mjet për të bërë presion ndaj Kroacisë. Kjo bllokadë u hoq kur dy vendet, me ndihmën e BE-së, më saktësisht të Presidencës suedeze të asaj kohe, arritën marrëveshjen për të zgjidhur këtë çështje përmes arbitrazhit ndërkombëtar. Ato nuk arritën marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes, por për mënyrën se si ajo të zgjidhej. Kroacia më pas vazhdoi negociatat, i mbylli ato dhe u bë anëtare e Bashkimit Evropian. Dhe vetëm disa ditë para samitit të Vjenës ndodhi një incident. Mediat në Kroaci botuan audio-incizime të bisedave të diplomatëve sllovenë me anëtarë të arbitrazhit, gjë e cila është rreptësisht e ndaluar, dhe Qeveria kroate i shfrytëzoi ato incizime si arsyetim për t’u larguar nga arbitrazhi, për të thënë se „ai është në mënyrë të pakthyeshme e komprometuar“ dhe se nuk do të pranojë kurrfarë vendimi të tij. Dhe kështu në Vjenë Kroacia dhe Sllovenia mund të paraqiteshin vetëm si një shembull i keq, negativ e kurrsesi jo si një shembull i mirë.

Por u gjetën shpejt „shembuj të mirë“ për ta bërë atë samit të suksesshëm. Mali i Zi do të nënshkruajë gjatë asaj konference dy marrëveshje të demarkacionit, njërën me Bosnjë e Hercegovinë dhe tjetrën me Kosovën. Dhe kështu ndodhi nënshkrimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi në Vjenë, për të cilën opinioni i Kosovës u njoftua për herë të parë nga gazeta “Vijesti” e Podgoricës. Nuk pati debat para se ajo të nënshkruhej. Por debati filloi pas nënshkrimit. Nënshkruesit u gjetën në hall se si ta arsyetojnë nënshkrimin e tyre, sepse nga opozita, nga banorët e zonave të Rugovës dhe të pjesëve të tjera të rajonit të Pejës, madje edhe nga vetë disa pjesëtarë të partive në pushtet, erdhën kundërshtime dhe akuza se me atë marrëveshje Kosova dëmton interesat e saj. Në BE fillimisht nuk kishte interes të madh për këtë temë. Dhe kjo ishte e natyrshme, sepse në Evropë ka qindra „çështjesh të hapura“ rreth demarkacionit dhe nuk ia vlen të merren me to, pos në mënyrë parimore duke porositur që të zgjidhen me mjete paqësore e të evitohen konflikte. Dhe për habi, diku në muajin maj të vitit 2016, kur Komisioni evropian konstatoi se Kosova i ka përmbushur kriteret nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, u dha rekomandimi për heqjen e vizave por u përmend si kusht ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi deri në ditën e liberalizimit të vizave. Sikur të mos kishin mjaftuar 95 kriteret, shumë më shumë sesa për të gjitha shtetet e tjera, Kosovës iu shtua edhe ky. Krahas tij, u përmend edhe se duhet dhënë më shumë dëshmi për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dhe në fillim, kur ratifikimi i kësaj marrëveshjeje u vu si kusht, nga Qeveria e Kosovës nuk kishte kritika ndaj Komisionit Evropian. Madje menjëherë filluan ta përdorin si argument kundër opozitës dhe fajin pse Kosova tash e sa vite ndodhet e izoluar sa i përket lirisë së lëvizjes t’ia hedhin opozitës e cila kundërshton ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Këtu edhe lindi dyshimi se ky kusht ishte vënë për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës, e disa madje shkuan aq larg sa të thonë se „vetë qeveria ka kërkuar nga Brukseli që kjo të përmendet si kusht“. Në Bruksel thonë se „qeveria nuk ka kërkuar që kjo të vihet si kusht, por nga Qeveria e Kosovës janë zotuar se i kanë votat dhe se është çështje teknike ratifikimi“.

Siç ndodh gjithmonë me ata të cilët janë në pozitë të caktojnë kushte, kur ato përmenden nuk hiqet dorë nga to. Tash pra, pasi është përmendur si kusht, demarkacioni edhe është kusht. Pa ratifikimin e Marrëveshjes nuk do të ketë liberalizim vizash. Por mbështetja për Kosovën është zvogëluar aq shumë saqë, edhe po të ketë ratifikim të kësaj Marrëveshjeje, kjo nuk garanton se do të hiqen vizat, sepse mund të përmenden kushtet të tjera. Disa diplomatë që tash tërheqin vërejtjen se edhe pse nuk është i shkruar, edhe krijimi i „Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe“ është kusht për Kosovën. E kushti i dhënies së dëshmive për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit lë shumë hapësirë për ta përdorur që Kosovës edhe për vite të mos i hiqen vizat. Shpesh në Bruksel rasti „Azem Syla“ dhe ai „Ukë Rugova“ përmenden si „dëshmi se në Kosovë askush nuk është mbi ligjin“ dhe edhe këto raste „dëshmojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash“. Por në Bruksel e shohin si „shqetësues“ sjelljen e autoriteteve të Kosovës në rastin „Drenica“. „nuk e dimë se kur janë të sinqertë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës: Kur në Bruksel përmendin këtë rast si dëshmi të funksionimit të ligjit apo kur në Kosovë i kritikojnë vendimet në këtë proces“ thonë disa diplomatë në Bruksel. Kjo dëshmon se, po të duan, mund të përdorin edhe një kohë të gjatë korrupsionin, ndërhyrjen politike në gjyqësor, në administratën publike, si dëshmi për ta mbajtur Kosovën pa liberalizim vizash, edhe nëse plotësohet kushti i ratifikimit të Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

Komisioni Evropian duket qesharak kur mundohet të arsyetojë pse i ka vënë si kusht Kosovës ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Në vetë dokumentet e Komisionit mund të gjejmë dëshmi të shumta se Kosova në mënyrë drastike po diskriminohet. Në rastin e Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, në raportet e progresit konstatohet se „çështja e demarkacionit të kufirit mbetet e hapur“ ose se „nuk ka progres në çështjen e demarkacionit“. Nuk mund t’i ikim përshtypjes se ky kusht i shpifur është bërë me qëllim që t’i dilet në ndihmë koalicionit qeverisë në Kosovë që të arsyetojë ratifikimin e një marrëveshjeje jo të popullarizuar me liberalizimin e vizave dhe me bindjen se „kjo është vetëm çështje teknike“ dhe koalicioni pa problem do t’i sigurojë votat.

Në Raportin e progresit të këtij viti për Serbinë, te pjesa e raporteve me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal, shkruan: “Demarkacioni i kufirit me Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kroacinë mbetet çështje e hapur”. Në raportin e progresit për Malin e Zi shkruan se “demarkacioni i kufirit me Serbinë dhe Kroacinë është ende çështje e hapur” ndërsa me Bosnjë e Hercegovinën “Marrëveshja ka hyrë në fuqi në muajin prill”.

Në raportin e progresit për Bosnjë e Hercegovinën shkruan se në raportet me Kroacinë “Nuk ka progres në çështjen e demarkacionit të kufirit”.

Të gjitha këto shtete tash e sa vite gëzojnë liberalizimin e vizave. Marrëveshjet për demarkacionin e kufirit nuk kanë qenë kushte për liberalizim vizash. Ato nuk kanë qenë kushte për asgjë. Nuk kanë qenë kushte as për dhënien e statusit të kandidatit, as për nisjen e negociatave të anëtarësimit, madje, në rastin e Kroacisë, as për vetë anëtarësim në BE.

Të mos shkojmë më larg sesa vet rajoni ku ndodhët Kosova. BE-ja ka mundësi të caktojë kushte. Është e drejtë e saj të vendosë kushte. Por ajo që nuk do të duhej të na thotë është se Kosova nuk po diskriminohet. Diskriminim është kur nga një vend kërkohet diçka që nuk është kërkuar nga të tjerët dhe kushti i ratifikimit të marrëveshjeve për demarkacion nuk i është vënë askujt tjetër, pos Kosovës. Por fajin kryesor e kanë ata të cilët e kanë nënshkruar në emër të Kosovës duke besuar se nuk e kanë problem ta ratifikojnë në Kuvend. Prandaj edhe është i kuptueshëm zemërimi i kryeministrit Mustafa me ata të cilët nuk po ia japin votat për ratifikimin e saj.
 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...