17 Shtator 2014 - 08:51 - Augustin Palokaj
Baronesha Catherine Ashton, nëse procedurat në BE shkojnë sipas planit, do të jetë vetëm edhe 45 ditë përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Ajo në këtë post do të zëvendësohet nga ministrja e tashme e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini. Këtë ndryshim e shohin me kureshtje në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare, por edhe në vendet ku politika e jashtme e BE-së ka ndikim.
Përshtypja e parë e Mogherinit është se ajo do të jetë më e hapur për komunikim sesa që ishte Ashton. Baronesha Ashton konsiderohet nga gazetarët në Bruksel, por edhe nga disa diplomatë, ai arrogante dhe jo shumë e interesuar në punën e saj. Të pakta janë sukseset për të cilat do të mbahet mend pos për ndërtimin e strukturave të Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), gjë të cilën do ta kishte bërë kushdo që të ishte në vendin e saj. Por të gjithë pajtohen se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e arritur mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit është njëri ndër sukseset më të mëdha të saj. Ajo e përmend këtë edhe vetë. Madje shpesh ka thënë se këta të dy i konsideron edhe miq. “Nuk kam mundur as ta paramendoj ndonjë shoqëri më të mirë për ta festuar ditëlindjen”, pati thënë ajo në një prej paraqitjeve shumë të rralla që pati gjatë dialogut.
Nuk e dimë a do t’i ftojë Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiqin tash në festën e ditëlindjes së saj, ose kur të dalë në pension, ose kur ta ketë një profesion tjetër ajo. Por e dimë se pasardhësja e saj do të insistojë që të vazhdohet dialogu, të zbatohen të gjitha marrëveshjet të cilat janë arritur deri tash dhe të ecet drejt marrëveshjeve tjera. Këtë Mogherini e ka bërë të qartë në një paraqitje në Parlamentin Evropian. Edhe pse doli në cilësinë e shefes së diplomacisë italiane, shtet i cili e ka Presidencën e radhës së BE-së, ajo nga deputetët më shumë u pa si shefe e ardhshme e politikës së përbashkët të jashtme të Bashkimit Evropian.
Në fakt normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe kushte të cilat Serbia si shtet dhe Kosova si territor për BE-në pa status, duhet t’i përmbushin për të ecur në procesin e përafrimit me BE-në. Për Serbinë kjo është më e rëndësishme, sepse ajo tashmë i ka filluar negociatat e anëtarësimit, ndërsa Kosova ka sigluar një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit, e cila nuk hap rrugën drejt integrimeve në BE, sepse nuk e trajton Kosovën si shtet e vetëm shtetet mund të negociojnë për anëtarësim.
BE-ja pret vazhdimin e dialogut dhe i ka parametrat e saj. Ata parametra janë që të ketë një normalizim praktik, por të ruhet, së paku tash për tash, neutraliteti i Bashkimit Evropian ndaj statusit të Kosovës. Disa herë kemi shkruar këtu se është iluzion të pritet që për shkak të dialogut 5 shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo ka qenë e qartë, duke parë sjelljen e ekipit të baroneshës Ashton që thoshin se është mirë që 5 shtete anëtare nuk e kanë njohur Kosovën i ndihmon dialogut. “Fakti se 23 shtete njohin Kosovën e 5 nuk e njohin është një koincidencë shumë pozitive për politikën e BE-së ndaj Ballkanit.
Kjo na mundëson që shqiptarëve të Kosovës t’u themi se puna është e kryer, sepse shumica e vendeve anëtare u ka njohur, ndërsa serbëve u themi se përderisa ka ende shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, BE-ja është neutrale ndaj statusit. Kjo pra neve na bën ndërmjetësues më të mirë të mundshëm në dialog”, kanë sqaruar disa herë privatisht bashkëpunëtorët e baroneshës Ashton, duke mos e fshehur se cili ka qenë “modus operandi” i tyre. Ka qenë naivitet i ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe kryeministrit nëse kanë besuar se vërtet dialogu do të ndihmojë të na njohin 5 shtetet ose nëse kanë besuar në sinqeritetin e zyrës së baroneshës Ashton në rast se kanë pasur ndonjë premtim se do të angazhohen për njohje. Njohjet vetëm do t’u prishin punë në dialog e për ta asnjë prioritet tjetër nuk është më i rëndësishëm sesa dialogu.
Serbia po ashtu pret vazhdimin e dialogut, sepse kjo do t’i ndihmojë vazhdimin paralel të procesit të negociatave të anëtarësimit. Serbia po ashtu është e kënaqur me arritjet e dialogut. Ajo tash e sa vite e ka liberalizuar regjimin e vizave me BE-në. Ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ka marrë statusin e kandidatit dhe tashmë ka nisur negociatat e anëtarësimit. Serbia tashmë i ka tejkaluar shumë vende të rajonit në këtë proces si Shqipërinë e Maqedoninë e për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën të mos flasim. Dhe krejt këtë e ka arritur duke siguruar një rol vendimtar të qeverisë së Serbisë në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.
Ka siguruar status special për veriun e Kosovës dhe ka siguruar që në strukturat e Kosovës do të mund të integrohen vetëm ata të cilët i cakton Beogradi. Po ashtu Serbia ka siguruar që në tërë këtë proces të mos vihet në dyshim në asnjë mënyrë kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës. Ka arritur madje që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës pa pasur fare nevojë të kenë shtetësinë e Kosovës. Serbia e di se në fund të procesit, për shkak të insistimit të Gjermanisë dhe të disa shteteve tjera, do të duhet ta njohë Kosovën nëse do të hyjë në BE. Por në rastin më të mirë kjo mund të ndodhë diku pas 8 deri 10 vjetësh. Prandaj edhe Serbia është në një pozitë shumë komode karshi dialogut me “autoritetet e krahinës jugore”, si i referohen Qeverisë së Kosovës.
E Kosova është në një pozitë ende të paqartë. Jo vetëm se nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me dialogun dhe me rrugën e saj drejt “integrimeve evropiane”, por nuk e ka të qartë as çfarë është arritur deri tash në dialog. Kosova për vite ka shkuar në dialog e papërgatitur, me kokë të ulur në Bruksel dhe me deklarata pompoze në Prishtinë. Pjesëmarrësit kosovarë në këtë dialog kanë tentuar të manipulojnë opinionin, edhe pse nuk kanë arritur shumë sukses, duke premtuar gjërat të cilat shumë shpejt kanë dalë të mos kenë qenë të sakta.
Prej kryeministrit Thaçi, zëvendëses së tij, Edita Tahiri, e deri te presidentja Jahjaga me muaj kanë thënë se “kurrë me Beogradin nuk do të bisedohet për veriun”, e presidentja, sikur të ishte e hipnotizuar, midis Brukselit thoshte se “çështja e veriut nuk ekziston”. E nëse shikohen temat e dialogut shumica e tyre kanë të bëjnë me veriun. Në fund edhe u dëmtuan serbët e Kosovës, të cilët tashmë ishin integruar në strukturat e Kosovës dhe u favorizuan ata të cilët ende refuzojnë të pranojnë se Kosova ekziston si shtet. Prandaj rezultati i dialogut edhe në këtë aspekt mund të kuptohet më shumë si hap drejt segregimit etnik sesa integrimit të serbëve në institucionet kosovare.
E sa për premtimet për “liberalizim vizash” dhe premtime të tjera faktet flasin ndryshe: Kosova mbetet e izoluar pa liberalizim vizash, MSA-ja nuk i hap rrugën për të kaluar në fazën e vërtetë formale të integrimeve në BE, ndërkohë që, si rezultat i dialogut, Lista Serbe, që do të thotë praktikisht Beogradi, vendos për proceset politike në Kosovë.
Për këtë sjellje Qeveria e Kosovës e ka pasur mbështetjen e parezervë të Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt, pra të LDK-së dhe AAK-së, më shumë për shkak të frikës nga “miqtë ndërkombëtarë” sesa për shkak se vërtet kanë besuar se Kosova po përfiton ndonjë gjë nga ky dialog.
Prandaj tash Kosova duhet të sqarojë qasjen e saj ndaj dialogut dhe të mos sillet e tërë jeta e Kosovës rreth tij, në vitet e ardhshme.
Kosova, me probleme të mëdha të sajat, nuk e ka luksin që gjithçka në jetën e saj të sillet rreth dialogut me Serbinë. Interpretimet se a i ka sjellë dobi apo dëm dialogu deri tash janë të ndryshme. Mund të gjinden argumente për dhe kundër. Por, kushdo që të jetë në Qeverinë e ardhshme nuk do të mund t’i ikë zbatimit të obligimeve, të cilat Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij i kanë marrë nga dialogu me Serbinë. Por askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka të drejtë ta pengojë Kosovën që me kujdes shumë më të madh sesa deri më tani t’i qaset vazhdimit të dialogut.
Nëse BE-në nuk e ka penguar që pas qeverisë “proevropiane” të Boris Tadiqit udhëheqjen e dialogut ta marrin përsipër “nacionalistët” e Ivica Daçiqit dhe Aleksandër Vuçiqit, atëherë nuk do ta pengojë që në Kosovë në dialog të përfshihet, e ndoshta edhe ta udhëheqë, “Vetëvendosje”. Madje, me apo pa ironi, disa diplomatë në Bruksel thonë se “nëse “Vetëvendosje” përfshihet në dialog do të kemi konsensus të plotë rreth dialogut, sepse nuk do të ketë më asnjë parti politike e cila do të jetë kundër”. Presin që PDK-ja, nëse do të jetë në opozitë, rreth dialogut të jetë shumë konstruktive, sepse ajo e ka nisur këtë dialog.
BE-ja ka vendosur që të mos përzihet në procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës. Edhe nuk munden, sepse e kanë të vështirë të jenë pjesëmarrës të asaj që vetë diplomatët evropianë e shohin si një lojë bizare politike, nga e cila tashmë nuk shohin rrugëdalje, dhe e cila do t’ua ruante fytyrën të gjithë aktorëve. Por do të përzihen rreth dialogut, sepse asgjë më shumë në Kosovë nuk u intereson sesa dialogu. Një qasje e tillë e BE-së, sado egoiste të duket, është e kuptueshme.
Prandaj Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të caktojë prioritetet e saj, duke ua përshtatur nevojave të Kosovës e jo vetëm të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Dialogu gjithsesi duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë, por ka prioritete tjera të cilat për Kosovën janë shumë më të rëndësishme. Edhe BE-ja për vete ka vendosur se në 5 vjetët e ardhshëm zgjerimi i saj nuk do të jetë prioritet.
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...