Një mërgatë e re shqiptare në botën e re

9 Korrik 2014 - 08:26 - Augustin Palokaj      

Kosova dhe Shqipëria janë përgatitur për sezonin turistik, i cili, në fakt, shënon ardhjen masive të mërgatës për të pushuar në vendlindje. Ata e mbajnë gjallë turizmin në Shqipëri dhe ngjallin për disa muaj ekonominë në Kosovë. Sa për “turistë të huaj“, plazhet shqiptare do të mbeteshin të zbrazëta. Ka ardhur koha që, pos si turistë, këto dy shtete të shfrytëzojnë edhe potencialet e tjera që ka kjo mërgatë tashmë moderne në një botë moderne.

Një llogaritje bazuar në shifrat e Entit të statistikave të Bashkimit Evropian nxjerr se në shtetet e BE-së dhe në Zvicër jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Kosovë. Pra një komunitet shqiptarësh, në numër më i madh sesa Kosova, tashmë është integruar në BE në kohën kur Shqipëria sapo është nisur në këtë rrugë, ndërsa Kosova mbetet në pamundësi për të shkuar edhe në stacion nga do të nisej treni në këtë rrugëtim.

Këta shqiptarë, të cilët jetojnë në shtetet evropiane, nuk janë më vetëm punëtorë krahu, njerëz që nga pak e flasin gjuhën e vendit ku jetojnë dhe punojnë, të cilët tërë vitin kursejnë për të ndërtuar ndonjë shtëpi në vendlindje, për të ndihmuar familjarët apo për të financuar ndonjë dasmë. Ata sot janë pjesëtarë të barabartë të shoqërive të vendit ku jetojnë. Kjo vlen sidomos për mërgatën e Kosovës në vendet e Evropës Perëndimore, e cila në numrin më të madh është më e vjetër sesa ajo e Shqipërisë në Itali e Greqi. Dhe mërgata e sotme dallon shumë nga ajo e mëhershme.

Të rinjtë shqiptarë janë edhe gjermanë, edhe zviceranë, edhe suedezë dhe kjo nuk i bën më pak shqiptarë. Ata ndihen të barabartë në vendet ku jetojnë dhe nuk kanë komplekse ndaj të tjerëve, siç kishin dikur prindërit e tyre. Dhe pikërisht ky integrim i ka bërë që të jenë tash në gjendje t’i ndihmojnë edhe më shumë vendlindjes së tyre apo të prindërve të tyre. Ky nuk është asimilim por është integrim. Kjo nuk vlen vetëm për mërgatën shqiptare, por edhe për ato të kombeve të tjera. Sidomos në Evropë ka ndryshuar shumë roli i tyre dhe karakteristikat. Edhe ata i pranojnë ndryshe shoqëritë ku jetojnë e edhe ato shoqëri tashmë i kanë pranuar si të barabartë.

Shikojeni skuadrën kombëtare të Gjermanisë, e cila përsëri është në krye të botës. Në televizionin shtetëror gjerman komenton Mehmet Sholl, ndërsa për skuadrën luajnë tuniziani Khedira, ganezi Boateng, turku Ozil, shqiptari Mustafi, polakët Podolski dhe Miroslav Klose. Të gjitha ata janë gjermanë sot dhe askush nuk i sheh më si „auslandera“. Zvicra është një shembull tjetër me pesë shqiptarë, dy kroatë, një boshnjak, një turk dhe të tjerë. Pos në Kombëtaren e Kroacisë në këtë botëror ka pasur lojtarë me prejardhje kroate së paku edhe për një skuadër me hiq më pakë se shtatë kroatë, duke luajtur për Australinë. Gati gjysma e lojtarëve të skuadrës së Francës agjëron Ramazanin. Kjo është bota e re ku tashmë janë integruar të huajt, duke u bërë vendorë, por duke ruajtur edhe lidhjet me vendin e origjinës.

Por shembulli i futbollit na tregon edhe një fakt. Kemi edhe të rinj, profesionistë, të cilët janë rritur dhe zhvilluar jashtë dhe tash kontribuojnë për vendin e tyre. Shumë kombëtare tashmë përbëhen nga „diaspora“. Shumica e lojtarëve të Kroacisë janë zhvilluar dhe luajnë jashtë shtetit. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa një numër i madh i lojtarëve të Algjerisë edhe kanë lindur në Francë. Kjo është ajo bota moderne ku edhe mërgata nuk është sikur dikur. Është edhe më e lidhur me vendin e origjinës sesa ishin prindërit e tyre.

Edhe vendlindjen e shohin më të afërt dhe e kanë edhe fizikisht më të afërt për shkak të mundësive të reja të udhëtimit. Nuk ka nevojë të shkohet më me anije në SHBA apo Australi sikur dikur, ndërsa nga Zvicra për Kosovë mund të vish edhe për një vikend.
Kosova e ka ndoshta mërgatën më të madhe për kokë banori në Evropë dhe shumë varët nga ajo. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Dhe kjo mërgatë ende ndien lidhje të forta me këto dy shtete të prejardhjes së tyre.

Kosova dhe Shqipëria janë përgatitur për sezonin turistik, i cili në fakt shënon ardhjen masive të mërgatës për të pushuar në vendlindje. Ata e mbajnë gjallë turizmin në Shqipëri dhe ngjallin për disa muaj ekonominë në Kosovë. Sa për „turistë të huaj“ plazhet shqiptare do të mbeteshin të zbrazëta. Ka ardhur koha që, pos si turistë, këto dy shtete të shfrytëzojnë edhe potencialet e tjera që ka kjo mërgatë tashmë moderne në një botë moderne.

Mërgata sot e ka edhe një lehtësi. Ajo e ka tejkaluar angazhimin politik, i cili deri vonë ishte parë i nevojshëm për të ndihmuar vendlindjen, sidomos Kosovën. Por gjatë kësaj periudhe ajo ka ndier edhe një ankth për të cilin pak është folur. Politika ka ndarë dhe përçarë mërgatën më shumë sesa e ka bashkuar. Duke i organizuar në degë dhe nëndegë të partive politike nga Kosova, dhe duke reflektuar ndasitë dhe konfliktet politike nga Kosova dhe Shqipëria, mërgata ishte ngurruar. Tash Kosova është shtet, ndërsa partitë politike më nuk varen aq shumë nga paratë të cilat i mbledhin degët dhe nëndegët e tyre në mërgatë.

Kjo ka bërë që shqiptarët politikisht të angazhohen në vendin ku jetojnë dhe punojnë, ku paguajnë taksa dhe shkollojnë fëmijët, ku kontribuojnë dhe përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale.
Me angazhin e tyre në politikat e vendit ku jetojnë ata janë në gjendje të kontribuojnë edhe më shumë për vendlindjen e tyre. Suksesi i biznesmenëve shqiptarë në diasporë është po ashtu një potencial të cilin duhet shfrytëzuar dhe e njëjta gjë vlen edhe për profesionet e tjera.

Nëse Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë ta shohin mërgatën vetëm si potencial turistik në sezonet e verës, për festat e Bajramit dhe Krishtlindjet, atëherë rrezikohet jo vetëm që të mos përfitohet nga potenciali i tyre, por edhe të largohet ajo. Tash ka ardhur koha që mërgata edhe më shumë të shfrytëzohet si lidhje mes dy vendeve tona dhe shteteve ku ato jetojnë dhe punojnë. Nga to sot mund të marrin shumë shembuj sepse jetojnë në vendet më të rregulluara dhe më të pasura të botës (Zvicër, Gjermani, Suedi) dhe suksesi i tyre dëshmon se, kur u jepet mundësia ato edhe e shfrytëzojnë. Le të shikojmë sportin dhe të pyesim veten: a do ta kishin shfrytëzuar talentin e tyre Shaqiri, Xhaka, Berhami dhe Januzaj sikur të kishin mbetur në Kosovë apo Shqipëri. Sa të suksesshëm do të ishin sikur të mos kishin ndjekur shkollat më të mira të futbollit. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha profesionet e tjera. Dhe këtë përvojë të mirë që tashmë ka mërgata jonë moderne duhet ta bartë në vendlindje, apo vendlindje të prindërve, sepse ajo ka vlerë edhe më të madhe sesa paratë që dërgojnë apo i shpenzojnë kur vinë në vizita.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...