7 Tetor 2015 - 08:24 - Augustin Palokaj
Sa herë që është përmendur procesi i integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian dhe raportet mes BE-së me këtë shtet është thënë se interesat janë të përbashkëta dhe Turqia ka një rëndësi të veçantë gjeostrategjike. Është një vend lidhje mes Perëndimit dhe lindjes, një urë mes Evropës dhe Azisë, një urë që lidh civilizimet.
Për vite, si anëtare e NATO-s, ka ndihmuar në mbrojtjen e Perëndimit si aleate në periudhën e luftës së ftohtë. Në anën tjetër, është e vërtetë se edhe standardet demokratike që ka kërkuar NATO-ja nga Turqia e deri diku edhe BE-ja kanë qenë më të ulëta dhe ato shpesh janë sakrifikuar për shkak të interesave gjeostrategjike.
Edhe sot shpesh përmendet me ironi se si nga shtetet të cilat duan t’i bashkohen NATO-s kërkohet që të kenë kontroll demokratikë ndaj ushtrisë, ndërkohë që në Turqi, edhe kur ka qenë anëtare e NATO-s ka qenë ushtria ajo e cila e ka kontrolluar demokracinë.
Para saktësisht 10 vitesh raportet mes BE-së dhe Turqisë kishin arritur kulmin dhe dukej sikur gjithçka me një inerci do të ecë deri tek anëtarësimi i plotë i këtij shteti të madh në BE. Turqia më 4 nëntor të vitit 2005 kishte nisur negociatat e anëtarësimit në BE pas shumë vitesh pritjeje.
Por përderisa Kroacia, e cila po të njëjtën ditë nisi negociatat, tashmë është bërë anëtare e BE-së, Turqia është duke ngecur dhe ka arritur për 10 vjet të hapë vetëm 14 nga 35 kapituj dhe ta mbyllë vetëm një, atë për “shkencë dhe hulumtime”, që në fakt është kapitull për të cilin as që ka diçka për të negociuar.
Turqia prej atëherë nuk ka shkëlqyer në përmbushjen e kritereve, as në respektimin e parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe lirinë e shprehjes. Por edhe sikur Turqia t’i kishte përmbushur të gjitha kushtet ajo nuk do të kishte lëvizur. Sepse në BE nuk ka më mbështetje për anëtarësimin e Turqisë dhe kjo mbështetje kishte nisur të shuhej prej kur kishin nisur edhe negociatat formale të anëtarësimit. Është vështirë të gjesh ndonjë diplomat serioz sot në Evropë, i cili beson se Turqia ndonjëherë do të bëhet anëtare e BE-së. Dhe ky besim është shuar edhe në Turqi.
Por të gjithë bëhen sikur gjithçka vazhdon me ritmin e duhur. BE-ja vazhdon ta trajtojë Turqinë si vend kandidat në procesin e zgjerimit, ndërsa edhe Turqia vazhdon të mbetet në këtë proces, me gjithë ndjenjën se është shtet i refuzuar. Asnjëra palë, me gjithë zemërimin e herëpashershëm, nuk ka guxim të bëjë thirrje për të ndërprerë procesin dhe për t’i dhënë fund iluzioneve. Thënë të vërtetën është vështirë të duhet se çfarë do të ndodhë me BE-në. Por edhe më e vështirë është të parashihet se a do të bëhet apo jo ndonjëherë Turqia vend anëtare. Madje edhe po të ketë mbështetjen e shumicës në BE anëtarësimi i Turqisë do të jetë i vështirë, sepse në procesin e zgjerimit vendimet merren me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare.
Kjo Turqi e refuzuar tash për BE-në ka rëndësinë edhe më të madhe strategjike në rrethanat e reja rajonale dhe ndërkombëtare. Vala e refugjatëve nga Siria i ka sjell pasojat e konfliktit në lindjen e mesme edhe brendës të BE-së. Turqia, si vend fqinjë i Irakut, Sirisë dhe Iranit, shihet tash si faktorë kyç i sigurisë së Evropës. Roli dhe rëndësia e Turqisë janë bërë edhe më të theksuar tash kur në kufirin e saj, që është edhe kufi ajrorë e tokësorë edhe i NATO-s po bombardojnë avionët rusë.
Kriza e refugjatëve e ka gjetur BE-në si të paaftë që të përballet me të. Për shkak të saj kërkon partnerë nga ata të cilët nuk i do shumë. Tash Brukseli e sheh presidentin Turk Erdogan si një lider që mund ta ndalë valën e refugjatëve që të vijnë në BE. Por pse do të sakrifikohej Turqia, të mbaj mbi 2 milionë refugjatë dhe t’i pengojë që të nisen drejt BE-së kur ajo BE po e mban të bllokuar procesin e integrimit të Turqisë.
Ndoshta ekziston çmimi për të cilin Ankaraja është e interesuar t’i ndihmoj BE-së kësaj radhe.
Vështirë se Turqia do të kënaqet me 1 miliardë euro ndihmë sa i ofron BE-ja për të strehuar miliona refugjatë, por me kushtin që të mos i lërë ata të nisen përtej detit Egje. Nga ana tjetër, Turqia nuk mund të llogarisë shumë as në zhbllokimin e procesit të negociatave të anëtarësimit sepse, edhe nëse ndodh, bllokimi mund të kthehet në secilin moment.
Ajo që mund të përfitojë Turqia është liberalizimi i vizave me një procedurë më të shpejtë sesa që do të ndodhte normalisht. Turqia me plot të drejtë mund t’i quajë si të papranueshme thirrjet nga BE-ja për të respektuar parimin e riatdhesimit të atyre që kalojnë përmes territorit të saj e në të njëjtën kohë BE-ja të mbajë vizat për shtetasit e Turqisë. BE-ja ka të drejtë kur thotë se “Nuk është porosi e duhur politike sikur të mos e trajtojmë Turqinë si vend të sigurt të origjinës e në të njëjtën kohë është vend kandidat për anëtarësim”.
Mund të parashtrohet dhe ndryshe pyetja: Çfarë porosie është që shtetasit e një vendi kandidat të mos kenë mundësi të udhëtojnë në BE pa viza. Prandaj nëse nuk do të ketë gatishmëri për të vepruar shpejt drejt liberalizimit të vizave me Turqinë BE-ja nuk do të ketë shumë arsye për të besuar se Turqia do t’i ndihmojë për të ndalur refugjatët.
Ajo që mund ta vërë Perëndimin në një pozitë më të pafavorshme karshi Turqisë është kërkesa eventuale që Turqisë t’i lejohet prani ushtarake në Siri dhe Irak ku do të vendosej një “zonë e sigurisë tokësore dhe ajrore” me arsyetimin e mbrojtjes së refugjatëve. Këtë Turqia do të mund ta shfrytëzonte edhe për të sulmuar pozicionet e kurdëve për të cilët dyshon se po ndihmojnë sulmet terroriste në Turqi.
Kjo do ta përshkallëzonte edhe më shumë konfliktin në Siri dhe do ta mbante këtë zonë si një burim të pashtershëm të refugjatëve që do të vazhdonin të vinin në BE.
Tash kur vërtet llogarisin në ndihmën e Turqisë koha është që edhe BE-ja ta trajtojë Turqinë me më shumë dinjitet, natyrisht pa hequr dorë nga kërkesat për ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes. Nuk mund të kërkoni ndihmë nga ata të cilët i refuzoni. Dhe ndoshta pikërisht ky refuzim i BE-së ndaj Turqisë në dhjetë vjet sa kinse negociohet anëtarësimi i saj ka ndikuar që të ketë kthim prapa në respektimin e standardeve demokratike.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...