“Dhomat e specializuara të Kosovës” si pranim i dështimeve

21 Shtator 2016 - 09:32 - Augustin Palokaj      

“Dhomat e specializuara të Kosovës” është një emërtim i cili, me apo pa dashje, do të mbetet në histori si një njollë e zezë për Kosovën. Kosova është i vetmi shtet i ish-Jugosllavisë për të cilin edhe pas Gjykatës për Krime të Luftës në Hagë ka nevojë që të ketë seanca jashtë territorit të saj për krime “sensitive”. Themelimi i këtyre që po i quajnë “dhoma të specializuara” është pranim i dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe pranim i dështimit kolosal të EULEX-it. Çdo lëvdatë që BE-ja apo Kosova i japin vetes, apo njëra-tjetrës, bie në ujë me krijimin e kësaj Gjykate Speciale, që kanë vendosur ta quajnë “dhoma të specializuara”

Në Hagë të Holandës ka nisur, së paku në kuptimin administrativ, punën Gjykata Speciale për të gjykuar krimet e dyshuara të ish-zyrtarëve më të lartë të UÇK-së, të cilat i ka përmendur në Raportin e tij para pesë vjetësh senatori nga Zvicra, Dick Marty, e më pas janë përmendur edhe në Raportin e Këshillit të Evropës, dhe pas tre vjet hetimesh, pak a shumë, i ka quajtur si të bazuara edhe një hetues special amerikan, me seli në Bruksel, që udhëhoqi një task forcë speciale të krijuar dhe të financiar me vendim të BE-së.

Javën e shkuar në Hagë u promovua nisja e komunikimit me gazetarët dhe me opinionin e kësaj Gjykate Speciale, e cila nuk quhet ashtu. Në fakt nuk e dimë se si quhet. E dimë se çfarë është formalisht, por edhe nuk e dimë saktësisht. Nuk është Gjykatë Speciale Ndërkombëtare, sepse nuk e ka themeluar OKB-ja. Nuk është as Gjykatë. E ka krijuar Kosova, do të veprojë sipas vendimeve të Kosovës, me ligje të Kosovës, dhe, me gjasë, me të akuzuar nga Kosova dhe me dëshmitarë e si duket edhe me viktima nga Kosova. Por në të nuk do të ketë prokurorë e as gjykatës nga Kosova, dhe ata që do të jenë atje nuk do të duhet t’ia japin betimin presidentit të Kosovës. As rrogat nuk do t’i marrin nga Kosova, por afro 200 prej atyre që do të gjejnë punë në të, si në administratë ashtu edhe në Prokurorinë Speciale, do të paguhen sipas standardeve ndërkombëtare, me para të BE-së, Norvegjisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është krejt një gjë shumë e çuditshme, që nuk është ndier deri më tash. Dhe gjithsesi do të jetë një gjë që do ta studiojnë në të ardhmen ekspertët e ndryshëm të ligjeve ndërkombëtare, ligjeve penale, rasteve të krimeve të luftës.

Në Hagë, kur u prezantua nisja e punës, në një projektor ishte shkruar në pëlhurën e bardhë emri i asaj që prezantohej si “dhomat e specializuara të Kosovës”.

Po të mos e dinin gazetarët se për çfarë ishte fjala, nga logoja do të mund të fitohej përshtypja sikur këtu prezantohej ndonjë ofertë turistike e Kosovës, për “dhoma të specializuara”. Por fjala është për një lloj hibrid gjykate, e cila, sipas ligjeve të Kosovës, me vendime të Kosovës, do të ndjekë disa nga ish-zyrtarët e lartë të UÇK-së për krimet që dyshohet që i kanë kryer e të cilat janë përmendur në Raportin e Dick Martyt, e më pas edhe në Raportin e Këshillit të Evropës.

“Dhomat e specializuara të Kosovës” është një emërtim i cili, me apo pa dashje, do të mbetet në histori si një njollë e zezë për Kosovën. Kosova është i vetmi shtet i ish-Jugosllavisë për të cilin edhe pas Gjykatës për Krime të Luftës në Hagë ka nevojë që të ketë seanca jashtë territorit të saj për krime “sensitive”. Themelimi i këtyre që po i quajnë “dhoma të specializuara” është pranim i dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe pranim i dështimit kolosal të EULEX-it. Çdo lëvdatë që BE-ja apo Kosova i japin vetes, apo njëra-tjetrës, bie në ujë me krijimin e kësaj Gjykate Speciale, që kanë vendosur ta quajnë “dhoma të specializuara”.

Ja përgjigjet në të cilat më së shpeshti hasim në Bruksel kur pyesim se pse ka pasur nevojë të krijohet kjo që me të drejtë mund ta quajmë si Gjykatë Speciale, për të gjykuar krimet e individëve nga UÇK-ja.

Së pari, thonë se “janë raste specifike” ku përmendet edhe nxjerrja e dhunshme e organeve. Prandaj kjo kërkon një qasje unike.

Por kjo përgjigje nxit pyetjen tjetër: pse nuk ka mundur Gjykata e Hagës ta bëjë këtë? Në BE përgjigjen se “Gjykata e Hagës ka pasur kufizime kohore (përfshirë vetëm luftën) dhe gjeografike (vetëm territorin e ish- Jugosllavisë)”.

Por këtu ka edhe një kundërargument: në Kosovë ka pasur mandat EULEX-i që të merret me krime të tilla, edhe nëse ato përfshijnë periudhën që mbulon “dhomat e specializuara të Kosovës” prej fillimit të vitit 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Për kriterin gjeografik, se disa krime supozohet të jenë kryer në territorin e Shqipërisë (rasti i së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”) ky problem nuk do të duhej të ekzistonte. Kjo ka mundur të zgjidhej në bashkëpunim me Shqipërinë. Si një shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet i cili është në rrugë të integrimit evropian, nuk do të mundë të refuzonte kërkesën për bashkëpunim me EULEX-in. Edhe ashtu Shqipëria ka pranuar se do të bashkëpunojë dhe po bashkëpunon në këtë rast.

Pastaj na thonë se “në Kosovë nuk ka mbrojtje të duhur të dëshmitarëve”. Pse nuk ka? Çfarë ka bërë EULEX-i në këto më shumë se tetë vjet sa është atje që mbrojtja e dëshmitarëve të jetë e duhur.

Gjithmonë na thonë se “gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë janë të ndikuar politikish dhe nuk janë të paanshëm”. A po a?!!! E bash ashtu. A mos keni dështuar rastësisht ju të EULEX-it që të na ndihmoni ta krijojmë një sistem të pavarur të drejtësisë, të papolitizuar. Sa e dimë këtë e keni pasur në përshkrim të mandatit tuaj? Mund të pyesin kosovarët.

E në Bruksel tash na e përmendin edhe aferën “Pronto 2” si dëshmi që prokurorët, shefat e policisë e të tjerët, që duhet bërë edhe hetime dhe ngritur aktakuza dhe bërë gjykime, janë të emëruar sipas lidhjeve dhe preferencave politike e jo të atyre profesionale. Po pse e ka lejuar EULEX-i këtë? Nuk mjafton që EULEX-i të përgjojë aktorët politikë e t’i lëshojë ato në opinion, pa bërë asgjë.

Prandaj duhet thënë se kjo Gjykatë është një epitaf i tërë përpjekjesh të përbashkëta të qeverive të Kosovës së pasluftës dhe EULEX-it që të ndërtojë një sistem të pavarur të drejtësisë dhe një sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë. Të ketë nevojë për “dhoma speciale” pas të gjitha këtyre investimeve është dëshmia më e mirë e këtyre dështimeve.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...