18 Janar 2017 - 08:28 - Augustin Palokaj
Në Lubjanë dhe Zagreb po festohet një përvjetor shumë i rëndësishëm për këto dy shtete anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Shënohet 25-vjetori i njohjes ndërkombëtare të tyre. Ndonëse shumë shtete kishin njohur pavarësinë e Sllovenisë dhe të Kroacisë edhe para edhe pas kësaj date, 15 janari shënohet si “dita e njohjes ndërkombëtare” për shkak se këtë ditë u bë njohja kolektive nga Bashkimi Evropian.
Dhe nuk ishte lehtë. Kjo njohje kishte ardhur gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Në fillim atë pavarësi vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hezitonin ta njihnin. Insistonin që Lubjana dhe Zagrebi te merreshin vesh me Beogradin, më saktësisht me regjimin e Slobodan Milosheviqit, i cili tashmë në Kosovë, e më vonë edhe në Kroaci, kishte nisur instrumentalizimin e serbëve lokalë për të shkaktuar konflikte, ndërkohë që ajo e cila ende quhej “Armata Popullore e Jugosllavisë” ishte vënë nën shërbim të politikës së tij të krijimit të Serbisë së madhe”.
Bashkësia ndërkombëtare në fillim mendonte se mund ta parandalonte shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Nuk e shihte si diçka të mirë një proces të dezintegrimit të një shteti për të cilin ata mendonin se ishte i suksesshëm. Nuk e kuptonin qëllimin e politikës së Milosheviqit. Prandaj edhe këto dy republika të ish-Jugosllavisë që u shkëputën të parat nga shteti i përbashkët. Këto dy shtete megjithatë kishin mbështetjen e Gjermanisë dhe të Vatikanit. Gjermania priti një kohë përderisa vendet e tjera të BE-së të binden, sidomos Franca dhe Britania e Madhe, dhe në dhjetor u shpreh se do t’i njohë Kroacinë dhe Slloveninë. Pasi një kohë kritikuan sjelljen e tillë të Gjermanisë, madje duke thënë se “Gjermania e bashkuar përsëri dëshiron t’i diktojë Evropës” më 15 janar BE-ja në mënyrë kolektive njohu Slloveninë dhe Kroacinë. Por menjëherë pas njohjes bashkësia ndërkombëtare vendosi embargo për importin e armëve në tërë territorin e ish- Jugosllavisë. Ishte e qartë se me këtë dënoheshin Kroacia dhe Sllovenia, sepse ato nuk kishin armë, ndërkohë që Armata jugosllave, tash në shërbim të projektit të Serbisë së Madhe, ishte e armatosur maksimalisht, madje vlerësohej të jetë diku ushtria e katërt në Evropë për nga forca. Sllovenia i shpëtoi luftës së madhe, pati vetëm pak të shtëna diku dhjetë ditë, por Milosheviqi nuk kishte shumë interesa për të vazhduar konfliktin. Nga Sllovenia u tërhoqën tanket dhe u stacionuan në Kroaci ku lufta e përgjakshme zgjati deri në verën e vitit 1995. Pasuan luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, ndërkohë që në Kosovë ushtrohej politika represeive që po ashtu kulmoi me luftë të hapur pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në shërbim të politikës së Slobodan Milosheviqit ishin edhe tre persona, të cilët sot janë në krye të shtetit të Serbisë; Presidenti Tomislav Nikoliq, kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministri Ivica Daçiq.
Në kohën kur Sllovenia dhe Kroacia kremtojnë 25-vjetorin e kësaj dite “të njohjes ndërkombëtare” këto dy shtete mbeten të vetmet në ish-Jugosllavi me status të qartë dhe stabilitet të qëndrueshëm. Ato janë anëtare të NATO-s dhe e kanë të garantuar mbrojtjen e Aleancës në rast të sulmit nga ndonjë fuqi e jashtme. Janë edhe anëtare të Bashkimit Evropian, dhe përderisa të ekzistojë BE-ja, dhe derisa ato duan të mbeten anëtare, do të ketë një perspektivë më të madhe ekonomike, shoqërore dhe kulturore. E nga Serbia, sikur edhe në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, kemi një retorikë nxitëse ndaj pothuajse të gjithë fqinjëve. Sikur para 25 vitesh BE-ja është e pavendosur dhe nuk e vëren këtë sjellje të Serbisë, madje e quajnë si “sjellje konstruktive”.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, para disa ditëve ka kërcënuar Malin e Zi dhe Maqedoninë për shkak të mbështetjes që ato i kanë dhënën Kosovës. Kroacinë vazhdojnë ta kërcënojnë shpesh. E bëri këtë kryeministri Vuçiq kur nga Rusia mori donacion avionët luftarakë Mig. “Po t’i kishim këto më herët nuk do të ndodhte Oluja” pati thënë Vuçiq duke iu referuar operacionit ushtarak kroat me të cilin e çlirua ky shtet në vitin 1995. I dërguari i posaçëm i Vuçiqit në një manifestim të pakicës serbe në Kroaci për nder të krishtlindjeve ortodokse u kërcënua me fjalorin e kohës së Milosheviqit, duke thënë se “Serbia do të mbrojë serbët në Kroaci me të gjitha mjetet e mundshme”. Pas provokimit me “Trenin Rus” apo me “Trenin Manastir” siç e quajnë në Serbi, përsëri kërcënohet edhe Kosova. Për kërcënimet ndaj Bosnjë e Hercegovinës mjafton të përmendim festimin e “Ditës së Republikës” në Banjallukë, festë e cila është shpallur ilegale nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës dhe konsiderohet ilegale edhe nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe pse në këtë manifestim morën pjesë krerët shtetërorë politikë, ushtarakë dhe ai kishtarë serbë. Nga ai u paralajmërua shkëputja e këtij entiteti serb nga Bosnja e Hercegovina.
Ikonografia që u pa në “Trenin Rus”, gjuha kërcënuese për kinse “mbrojtjen e serbëve të kërcënuar me të gjitha mjetet”, kujton kohën e Milosheviqit dhe thënien e tij në Fushë-Kosovë “Niko ne sme da vas bije” (Askush s’guxon t’ju rrahë) pas së cilës pasoi tragjedia për tërë rajonin. Të gjitha agresionet serbe, edhe në Kosovë, edhe në Kroaci, edhe në Bosnjë e Hercegovinë kanë nisur kinse për t’u dalë në mbrojtje “serbëve duarthatë” ndaj të cilëve ishin “vërsulur terroristët shqiptarë” apo “ustashët kroatë” apo “muxhahedinët boshnjakë”. Prandaj edhe thirrjet e këtyre ditëve kujtojnë atë kohë. Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, më së miri e ka përshkruar fatin e serbëve që jetojnë jashtë Serbisë dhe kinse brengën e Beogradit për ta. “Sa herë që Beogradi ka vendosur për serbët jashtë Serbisë, kjo në fund ka shkuar në dëm të vetë atyre serbëve”. Edhe tash sjellja e Beogradit nuk është duke shkuar në favor të pozitës së serbëve as në Kosovë e as në Kroaci. Pasi edhe Rusia është duke u përfshirë tash në skenarët e Serbisë situata përsëri po bëhet e rrezikshme dhe e paparashikueshme.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...