Zgjerimi i madh i BE-së, sukses i pamohueshëm

30 Prill 2014 - 10:37 - Augustin Palokaj      

Pikërisht para 10 vjetësh, më datën 1 maj, në BE u anëtarësuan 10 shtete të reja anëtare. E tërë Evropa festonte këtë ngjarje si sukses historik të ribashkimit të kontinentit të vjetër. Numrat flasin se ky zgjerim ka qenë i dobishëm si për shtetet e saj, ashtu edhe për ato të vjetra anëtare. Por, sot, 10 vjet më vonë, BE-ja dëshiron të pushojë pak nga zgjerimi

Të enjten më 1 maj mbushen 10 vjet prej ngjarjes ndoshta më të rëndësishme në historinë e Bashkimit Evropian. Këtë ditë, të vitit 2004, 10 vende të reja u bënë anëtare të Bashkimit Evropian, duke e rritur përnjëherë numrin nga 15 në 25 anëtare.

Tetë nga dhjetë këto shtete ishin nga Evropa Lindore, shtete të cilat vetëm disa vjet më parë ndodheshin në anën tjetër të perdes së hekurt si pjesë e bllokut komunist. Ky akt i aderimit të tyre në BE prandaj edhe u quajt si ribashkim i kontinentit të vjetër, si kthim i popujve të këtyre shteteve në familjen evropiane, nga e cila, pa vullnetin e tyre, ishin shkëputur. Ky akt ishte edhe një njohje për reformat të cilat i kishin bërë këto shtete gjatë procesit të transicionit dhe për përmbushjen e kushteve që nga to i kërkonte Bashkimi Evropian.

Pos elementit simbolik dhe gjeostrategjik ky zgjerim u quajt i rëndësishëm edhe për arsye ekonomike. BE-ja u zgjerua edhe si treg, duke u bërë tregu i përbashkët më i pasur në botë. Ishte e qartë se dallimi në fuqinë ekonomike dhe në standardin e jetës ishte shumë i madh mes shteteve të reja dhe atyre të vjetrave. Por nuk pati kundërshtime ndaj insistimit të mbajtjes së politikës së kohezionit përmes së cilës nga buxheti i BE-së do të ndihmohen shtetet dhe rajonet më pak të zhvilluara, në mënyrë që të zvogëlohet hendeku mes tyre.

Kjo politikë është edhe bërthama e solidaritetit mbi të cilin edhe është ndërtuar BE-ja e sotme. Edhe tash shtetet më të pasura japin më shumë në buxhetin e përbashkët të BE-së sesa që marrin nga ai përmes projekteve. Pa këtë politikë BE-ja nuk do të ishte ajo që është.

Tash, 10 vjet më vonë, kur analizohen të dhënat statistikore shihet se sa shumë kanë përfituar shtetet e reja anëtare. Natyrisht ato që kanë qenë më mirë të përgatitura dhe kanë punuar me më shumë kujdes kanë përfituar më shumë. Sllovakia, Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe tri shtetet baltike kanë rritur shumë bruto prodhimin shoqëror për kokë banori në krahasim me mesataren e BE-së. Sllovenia, e cila ka qenë edhe më parë e pasur, ka përfituar më pak.

Rritja ekonomike në vendet e reja anëtare të BE-së ka qenë më e madhe sesa në ato të vjetra, kështu që prej 10 deri në 20 për qind në disa raste është zvogëluar hendeku i para 10 vjetësh.
Në anën tjetër pranimi i 10 vendeve të reja anëtare nuk ka shkuar as në dëm të vendeve të vjetra. Eksporti i tyre në ato vende është rritur, ndërsa as ardhja e qindra e mijëra punëtorëve nga këto vende nuk ka pasur ndikimin negativ. Në njërën anë ky fluks, i cili nuk ka qenë në përmasa të mëdha siç pritej, ka ndikuar që të zbutet problemi i papunësisë në vendet nga janë larguar (kryesisht Lituania, Polonia e më vonë edhe Bullgaria dhe Rumania) e në anën tjetër kanë kontribuar në mbajtjen e fleksibilitetit të tregut të punës në vendet ku kanë ardhur.

Por tash, edhe pse numrat flasin se ky zgjerim ka qenë i dobishëm si për shtetet e reja ashtu edhe ato të vjetra anëtare, ky proces më nuk është aq i popullarizuar dhe BE-ja dëshiron të pushojë pak nga zgjerimi.

Edhe njëri prej kandidatëve kryesorë për kryetar të ardhshëm të Komisionit Evropian, ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean Cladue Juncker, thotë se duhet të ketë pauzë në procesin e zgjerimit të BE-së.

Pse ky proces nuk është më aq i popullarizuar, sidomos në opinionin publik të shteteve të vjetra anëtare, nuk ka aq shumë argumente racionale. Partitë populliste, të cilat janë në rritje, shpesh manipulojnë opinionin me tregime se „nga shtetet e varfra vijnë personat që përfitojnë nga sigurimet sociale“ dhe se „ata i zënë vendet tona të punës“.

Në fakt që nga viti 2004 e deri më tash ka pasur rritje të skeptikëve të zgjerimit të BE-së. Ish-kryetari i Komisionit Evropian në kohën e zgjerimit, Romano Prodi, para një viti pati thënë: „Nga Evropa e shpresës të cilën e kishim në vitin 2004 kaluam në Evropën e frikës“ dhe këtë e përmendi si arsye pse gjithnjë e më pak kishte entuziazëm për këtë proces. Por ai u angazhua që procesi i zgjerimit të vazhdojë, sepse pa anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në BE procesi i unifikimit të kontinentit të vjetër nuk do të mund të quhet si i përmbyllur.

Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces teknik dhe ekonomik. Nuk është vetëm proces në të cilin mbushen formularët dhe bëhen raporte. BE-ja përmes zgjerimit ka dhënë kontributin më të madh për ndërtimin e paqes dhe kjo ishte edhe njëra prej arsyeve pse edhe fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Vendet e reja anëtare sot ndihen më të sigurta në gjirin e BE-së dhe të NATO-s. Por tash vazhdimi i këtij procesi, i cili deri tash ishte padyshim i suksesshëm, mbetet me një pikëpyetje të madhe.

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...