Është apo jo Kosova vend i sigurt

16 Shtator 2015 - 08:23 - Augustin Palokaj      

BE-ja e vlerëson Kosovën si “vend të sigurt të origjinës” sa i përket qasjes ndaj azilkërkuesve nga Kosova. Por BE-ja dhe shumë shtete anëtare e konsiderojnë situatën e sigurisë në Kosovë megjithatë “të brishtë”. Edhe BE-ja përballet me pyetjen logjike: “Nëse Kosova është vend i sigurt, pse atëherë ka nevojë për ushtarë dhe policë të huaj?” Por ekziston edhe argumenti tjetër: “Kosova është e sigurt pikërisht për shkak se atje ka edhe ushtarë dhe policë të huaj që garantojnë sigurinë”. Ky është edhe një paradoks tjetër për Kosovën

Kosova, sikur edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, konsiderohen nga Bashkimi Evropian si vende të sigurta të origjinës së refugjatëve nëse vendet anëtare të BE-së miratojnë një listë të përpiluar nga Komisioni Evropian. Futja e Kosovës në këtë listë ka për qëllim që të lehtësojë administratat në shtetet anëtare nga barra e madhe e numrit të madh, për shumëkë të patolerueshëm, të panevojshëm dhe të pakuptimtë, të azilkërkuesve që vijnë nga Kosova dhe kërkojnë azil në BE. Edhe pse ka rënë dukshëm numri i azilkërkuesve nga Kosova që vjen në vendet e BE-së, krahasuar me pjesën e parë të këtij viti, ky numër vazhdon të jetë ende shumë i madh për një vend ku qytetarëve nuk u kërcënohet në mënyrë direkt rreziku për jetën. Pos kësaj ka një rritje të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe Serbia. Si pasojë azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë një grup të madh dhe paraqesin një barrë që në BE e konsiderojnë të panevojshme dhe të pajustifikueshme për shtetet e BE-së. Në kohën kur BE-ja e ka identifikuar krizën e refugjatëve si sfidën më të madhe në këtë moment zvogëlimi i numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit është vënë po ashtu si një qëllim urgjent. Lista e përpiluar nga Komisioni do të duhej të lehtësonte vendet anëtare dhe do të duhej të dekurajonte azilkërkuesit që të vijnë nga këto shtete. Kështu vendet e BE-së do të kishin më shumë kapacitete që t’u ndihmonin atyre të cilët ikin nga konflikti dhe nga përndjekja. Në listën që ka propozuar Komisioni Evropian si “vende të sigurta të origjinës” janë edhe Kosova, Shqipëria, Serbia dhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka thënë qartë se vendet të cilat kanë marrë status kandidati për t’u anëtarësuar në BE, për të cilat Këshilli ka pranuar se i respektojnë standardet themelore të demokracisë dhe të drejtat e njeriut, sikur edhe kandidatët potencialë, nuk mund të konsiderohen si vende të pasigurta. Deklarata e tij është krejt e logjikshme, sepse, nëse këto vende do të konsideroheshin si jo të sigurta, atëherë do të vihej në pikëpyetje edhe sinqeriteti i BE-së për t’u dhënë statusin e vendit kandidat.

Me të drejtë Juncker edhe ka tërhequr vërejtjen se vendosja e këtyre vendeve prapë në listën e vendeve që nuk janë të sigurta atëherë do ta humbnin çdo mundësi për t’u integruar në BE, sepse kjo do të nënkuptonte se nga ato shtete njerëzit kanë të drejtë të ikin, sepse ato nuk i respektojnë parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe të funksionimit të demokracisë.

Fajin pse në numër aq të madh njerëzit ikin ende nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera, e kanë para së gjithash qeveritë të cilat me vite të tëra nuk ua kanë përmirësuar kushtet e jetës dhe nuk u kanë dhënë shpresë që të besojnë në një të ardhme më të mirë për ta, ose thënë më saktë për fëmijët e tyre. Por edhe procedurat e pakoordinuara në BE kanë ndihmuar këtë fenomen. Sipas burimeve nga Komisioni Evropian në vendet anëtare të BE-së kanë ardhur në numër i madh i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia, edhe pse e dinë se gjasat e tyre për të fituar azil janë të vogla. Ata kryesisht shkojnë në vende ku procedurat zgjasin më shumë, si Gjermania), ndërsa më pak atje nga kthehen me procedura të përshpejtuara.

Si problem Komisioni prandaj ka identifikuar edhe dallimet që ekzistojnë mes shteteve anëtare në procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil dhe në listat e vendeve të sigurta të origjinës. Shumica e vendeve as që kanë pasur deri tash lista të tilla, ndërsa ato që i kanë pasur kanë qenë individuale dhe jo të koordinuara. Prandaj edhe kanë dalë me një propozim të listës unike të përbashkët evropiane. Si pasojë e kësaj liste shtetasit nga këto vende do të mund të kthehen me procedurat e përshpejtuara. Kjo megjithatë nuk ua mohon atyre të drejtën që të kërkojnë azil në vendet e BE-së, por shpejtësia me të cilën do të kthehen do të jetë një lloj dekurajimi që të nisen në atë rrugë.

Sipas shifrave të Komisionit Evropian afër 20 % e azilkërkuesve në BE vijnë nga vendet që tash janë futur në listën e vendeve të sigurta. Nga Kosova niveli i kërkesave të bazuara për azil ka qenë 6,3%, ndërsa nga Shqipëria 7,8 % nga numri i azilkërkuesve nga këto shtete. Nga Serbia përqindja e suksesit në kërkim të azilit ka qenë 1,8%. Për dallim nga vendet si Siria, Iraku dhe Eritreja numri i aplikimeve të suksesshëm ka qenë në nivelin mbi 75 %. Prandaj në BE kanë tërhequr vërejtjen se tash ka një fenomen ku shumë shtetas të vendeve tjera deklarohen se kinse janë nga Siria e madje edhe pajisen me pasaporta të falsifikuara të Sirisë. Ky fenomen ishte regjistruar edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë, kur shumë shtetas të vendeve fqinje për të fituar statusin e refugjatit të pranuar paraqiteshin se janë nga Kosova.

Përqindja e atyre nga Shqipëria dhe Kosova që arrin të marrin azil nuk është edhe aq e vogël dhe disa njerëz mund të llogarisin se “ia vlen të rrezikosh”. Por tash gjërat do të ndryshojnë dhe autoritetet që merren me këtë çështje do të jenë më të kujdesshme kur dikush nga Kosova ose Shqipëria kërkon azil duke përmendur si arsye se janë të përndjekur, për shkak se janë homoseksualë, apo se rrezikohen nga gjakmarrja (që duket sipas disa burimeve të jetë ndër arsyet e shpeshta sipas të cilave disa kanë marrë strehim në BE”). Nëse dëshmojnë se janë të rrezikuar prapë do të fitojnë azilin, por nëse gënjejnë mund edhe t’u ndalohet hyrja në BE për disa vjet.

Por futja e Kosovës në listën e vendeve të sigurta ka hapur një dilemë tjetër. BE-ja vlerëson Kosovën si “vend të sigurt të origjinës” sa i përket qasjes ndaj azilkërkuesve nga Kosova. Por BE-ja dhe shumë shtete anëtare e konsiderojnë situatën e sigurisë në Kosovë megjithatë “të brishtë”. Edhe BE-ja përballet me pyetjen logjike: “Nëse Kosova është vend i sigurt pse atëherë ka nevojë për ushtarë dhe policë të huaj”. Por ekziston edhe argumenti tjetër: “Kosova është e sigurt pikërisht për shkak se atje ka edhe ushtarë dhe policë të huaj që garantojnë sigurinë”. Ky është edhe një paradoks tjetër për Kosovën. Ky paradoks në fakt dëshmon se për situatën e sotme në Kosovë pos autoriteteve të Kosovës përgjegjësi duhet të mbajë edhe vetë Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare. Ndërhyrja e tyre në Kosovë i kishte dhënë fund luftës dhe kishte hequr arsyet për të ikur, Kjo e kishte ndalur valën e refugjatëve. Madje e kishte kthyer kahen, sepse me dhjetëra e mijëra refugjatë pas luftës u kthyen në Kosovë edhe nga vendet e BE-së. Shumë prej tyre sot duket sikur janë penduar pse janë kthyer. Por e gjithë koha e pasluftës nuk ka mjaftuar që përsëri të mos krijohen kushte që shumë njerëz të duan të ikin. Ndryshimi është se ata sot nuk kanë simpatinë e qytetarëve të Evropës dhe gjasat e tyre për të fituar strehim në BE janë shumë-shumë të vogla.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...