31 Gusht 2016 - 10:29 - Augustin Palokaj
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duket të jetë liderja e vetme e BE-së që mbi supet e saja ka marrë përgjegjësinë për të bërë tentime që të krijojë një unitet brenda Bashkimit Evropian rreth temave kyç, të cilat e presin këtë vjeshtë. Ajo tashmë në këtë drejtim ka zhvilluar takime të ndara me hiç më pak se 15 kryeministra apo presidentë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Të gjitha këto në kuadër të përgatitjeve për Samitin e 27 vendeve të BE-së që zhvillohet në Bratislavë të Sllovakisë, më 16 shtator. Ky do të jetë takimi i parë i liderëve të shteteve anëtare pa praninë e Britanisë së Madhe. Edhe pse ishte thirrur pikërisht për të folur për Brexitin, problemet me të cilat po përballet BE-ja kanë bërë që kjo të mos jetë e vetmja temë, por vetëm njëra prej tyre.
Merkel si duket dëshiron që të evitohet situata në të cilën, në takim, në vend të një përgjigjeje të përbashkët rreth temave kryesore të ketë përsëri 27 qëndrime dhe të dalin në shesh ndasitë e pakapërcyeshme. Kjo do ta dëmtonte edhe më shumë BE-në në kohët kur ajo duhet të dëshmojë unitet. Për unitet është lehtë të flitet në mënyrë simbolike, por ai duhet të dëshmohet edhe kur hapen temat e vështira, si ndarja e barrës për strehimin e refugjatëve, solidariteti në ruajtjen e politikës së kohezionit në BE dhe ruajtja e parimeve në raportet me shtetet e tjera, edhe nëse një gjë e tillë shkakton dëme ekonomike.
Një rol i tillë i kancelares gjermane nuk shihet me shumë simpati nga disa qarqe, disa druajnë se kjo është shenjë se Gjermania po merr rolin e udhëheqjes së BE-së sipas interesave të Berlinit, por në të njëjtën kohë janë të gjithë të vetëdijshëm se nëse jo Merkel, atëherë kush mund të ndërtojë unitet në BE rreth problemeve kyç.
BE-ja po hyn në sezonin e vjeshtës me aq shumë sfida dhe probleme, saqë edhe një herë zgjerimi do të jetë tërësisht jashtë fokusit. Rreziku nga kthimi i krizës së migracionit, thyerja e unitetit të BE-së, negociatat për daljen e Britanisë së Madhe nga anëtarësia, raportet me Rusinë, janë tema rreth së cilave liderët e BE-së do të kërkojnë unitet, por do ta kenë shumë vështirë për shkak të ndasive evidente në qëndrime.
Sllovakia, e cila në këtë moment ka kryesimin e radhës së BE-së dhe do të duhej të punonte në ndërtimin e qëndrimeve të përbashkëta, nuk është në pozitën më të mirë për ta bërë një gjë të tillë. Sidomos jo në çështjet që janë të lidhura me refugjatët. Liderët e këtij shteti janë deklaruar publikisht se nuk duan të pranojnë refugjatë sipas kuotave obliguese që i ka caktuar BE-ja. Në disa raste disa politikanë të Sllovakisë kanë përdorur edhe gjuhë të papranueshme për të tjerët, sidomos pohimet se nuk do të pranojnë refugjatë të besimit mysliman. Sllovakia sikurse edhe Hungaria kanë paditur BE-në edhe në gjykatë për shkak të vendimit për kuotat, për strehimin e refugjatëve nëpër vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në ndërtimin e unitetit të BE-së nuk mund të japë rezultat, ndonëse mund të japë kontribut në këtë drejtim, as presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker. Ai dhe qëndrimet e tij janë të papranueshme për disa shtete anëtare dhe disa diplomatë madje kanë përmendur edhe dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Komisionit. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, edhe pse ka rol në koordinimin e punës së Këshillit, nuk ka as të drejtë vote në vendimet kryesore. E pos kancelares Merkel nuk ka shumë liderë sot në Evropë, të cilët kanë guximin e mjaftueshëm për të dëshmuar lidership, edhe atëherë kur veprimet shkojnë kundër asaj që në momentet e caktuara mendon opinioni publikë. Merkel ka dëshmuar se ruajtjen e parimeve, e që janë parime themelore edhe Evropiane, e sheh si më të rëndësishme sesa rejtingun në opinionin publik, e kjo është veti e liderëve të vërtetë. Liderët e vërtetë udhëheqin, drejtojnë, prandaj edhe quhen liderë, e nuk shkojnë prapa valëve popullsitë.
Kjo vjeshtë nuk do të jetë e lehtë për Bashkimin Evropian. Turqia ka ripërsëritur kërcënimet e saja se nëse nuk do të ketë liberalizim vizash për shtetasit e saj, nuk do ta zbatojë Marrëveshjen për menaxhimin e krizës së refugjatëve, që mund të thotë se dhjetëra mijëra, apo qindra mijëra, e ndoshta edhe më shumë se një milion refugjatë përsëri nga Turqia do të mund të nisen drejt BE-së, përsëri përmes rrugës ballkanike. Raportet me Turqinë, sidomos në situatën kur lideri i këtij vendi, Erdogan, ndihet i fyer, dhe jo sa duhet i mbështetur nga Perëndimi, mund të përshkallëzojnë në çdo moment dhe në këtë rast as BE-ja nuk do të jetë pa pasoja. Por nëse lëshon pe dhe Turqisë ia heq vizat pa i përmbushur ajo kërkesat e BE-së, pasoja do të ketë për imazhin e Bashkimit Evropian. Prandaj në këtë çështje nuk do të ketë vendim të lehtë dhe secili vendim do të ketë pasoja, në njërin apo tjetrin drejtim.
Madje në këtë situatë çështjet e lidhura me Brexitin mund të duken edhe më të lehta. Procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja gjithsesi është problemi më i madh i BE-së, por jo edhe më urgjenti. Sepse këtu po hyhet në një proces për të cilin dihet se do të zgjasë disa vjet, dhe rreth kësaj do të jetë më lehtë të arrihet uniteti i BE-së. Një unitet i tillë është i nevojshëm vetëm në çështjet parimore, si qasja në tregun e përbashkët. Këtu të gjitha shtetet anëtare do të pajtohen se, nëse dëshiron të ruajë qasjen në tregun e BE-së, Britania e Madhe do ta ketë të obligueshme të respektojë dhe katër liritë themelore të këtij tregu, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes së punëtorëve. Pas reagimeve të para, me shumë elemente të dëshpërimit, edhe në BE e kanë pranuar se nuk mund të ketë kthim prapa. Prandaj edhe procesi po hyn në një fazë më racionale. Fundi i fundit, Britania e Madhe po del nga BE-ja, sepse një gjë e tillë është e mundur, dhe kjo mundësi është përfshirë edhe në Traktatin e BE-së. Prandaj, edhe të dyja palët, Britania e Madhe, në njërën anë, dhe 27 shtetet e tjera anëtare, në anën tjetër, do të duan që të arrihet një marrëveshje për raportet e ardhshme, në mënyrë që pasojat për të dyja palët të jenë sa më të vogla, sepse pa pasoja nuk mund të mbetet.
Edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë të vetëdijshëm se në kohën kur BE-ja ka aq shumë probleme të saja, nuk do të ketë shumë energji për t’u marrë me problemet e Ballkanit. Kjo do të jetë për BE-në njëra prej vjeshtave më sfiduese për Bashkimin Evropian.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...