Liria e lëvizjes në UEFA dhe në BE

11 Maj 2016 - 08:16 - Augustin Palokaj      

Një vendim dhe një rekomandim që ndodhën javën e shkuar sollën gëzim për qytetarët e izoluar të Kosovës. Pranimi në UEFA jo vetëm që do të mundësojë që edhe Kosova të përfshihet në garat ndërkombëtare të futbollit, por që nga izolimi të dalin edhe skuadrat dhe lojtarët. Hapi që është bërë drejt liberalizimit të vizave po ashtu sjell shpresën që kosovarët, duke përfshirë edhe futbollistët, të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Evropës Perëndimore, qoftë edhe për të luajtur futboll. Dhe vërtet edhe pranimi në UEFA, edhe rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave janë një vendim i vonuar për qytetarët e Kosovës, për fajin edhe të atyre politikanëve që tash duan t’i marrin meritat

Një koleg imi serb, para shumë vjetësh, derisa bisedonim sesa do t’i duhet popullit serb që të shohë realitetin dhe ta kuptojë se Kosova është shtet, pati thënë se kjo do të ndodhë atëherë kur do ta shohin skuadrën kombëtare të Kosovës duke luajtur futboll me një skuadër tjetër kombëtare. Natyrisht se futbolli nuk do të duhej të përzihej me politikë, por në afirmimin e një shteti ky sport më i popullarizuar në botë gjithsesi ka një rol të madh. Trajneri legjendar kroat, Miroslav “Qira” Blazheviq, i mirënjohur edhe për kosovarët, sepse një periudhë udhëhoqi edhe Prishtinën, në vitet e famshme të këtij klubi, shpesh përmend rëndësinë e medaljes së bronztë, vendit të tretë, që Kroacia mori në Botërorin e vitit 1998 në Francë. Deri në atë kampionat pak njerëz në botë kishin dëgjuar për Kroacinë si shtet, ndërsa pas këtij botërori emri i këtij shteti u bë shumë i njohur. Lirisht mund të thuhet, sidomos në kontekstin evropian, se pos himnit, flamurit, ushtrisë, pasaportës dhe simboleve tjera të një shteti, edhe skuadra kombëtare e futbollit është një dëshmi e identitetit dhe ekzistimit të një shteti. Ka gjithsesi edhe skuadra dhe anëtarë të UEFA-s dhe të FIFA-s që nuk janë shtete të pavarura, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e këtij fakti.

Prandaj të shpresojmë se edhe Serbia, edhe serbët si popull, edhe përmes anëtarësimit të Kosovës në UEFA ta kuptojnë realitetin sa më parë. Dhe sa më parë të ndodhë kjo aq më mirë do të jetë për të gjithë, sepse do të mund të fokusohen në përpjekje për përmirësimin e jetës së njerëzve e jo në angazhime për të penguar në mënyrë destruktive anëtarësimin e Kosovës, siç ishte përpjekja për ta parandaluar këtë në UEFA. Dhe këtu duhet thënë se Kosova vërtet pati fat. Mori pikërisht minimumin e pikave që ishte i nevojshëm, 28 nga 54. Nga Serbia përsëri dëgjuam sesi ky ka qenë një “vendim politik”. Por nuk ishte ashtu. Së pari, po të mos ishin pengesat politike, Kosova qëmtoi do të ishte pjesë edhe e FIFA-s e edhe e UEFA-s. Së dyti, nëse pranimi në UEFA ishte një vendim politik i atyre shteteve që e kanë mbështetur Pavarësinë e Kosovës, atëherë Kosova në atë votim është dashur të merrte së paku 37 vota. Kaq është numri i anëtarëve të UEFA-s që vijnë nga shtetet të cilat e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe 5 anëtarët nga Mbretëria e Bashkuar (Anglia, Skocia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Gjibraltari) dhe Ishujt Faroe që janë rajon autonom i Mbretërisë së Danimarkës.

Por, për llogari të ndryshme, duke shfrytëzuar edhe votimin e fshehtë, shumë shtete anëtare të UEFA-s votuan kundër dhe pak mungoi që në vend të gëzimit Kosova të përjetojë ndoshta edhe zhgënjimin më të madh që nga shpallja e Pavarësisë, madje edhe më të madh sesa që ishte zhgënjimi pas dështimit që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s. Dhe kështu edhe ky votim në UEFA dëshmoi se ende në Serbi suksesi i Kosovës kuptohet si dështim i Serbisë dhe anasjelltas. Kjo dëshmon se as ai dialogu i Brukselit, me të cilin në takime ndërkombëtare i thurnin lavde njëri-tjetrit dhe vetvetes liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë, nuk i ka relaksuar raportet as mes dy vendeve, as mes dy popujve. Sikur të ishte ky dialog aq i suksesshëm, Serbia do ta ftonte Kosovën që të luanin një ndeshje miqësore futbolli për të përdorur sportin si një gjë që bashkon e jo që ndanë njerëzit, siç do të duhej të ishte.

Vendimi i UEFA-s, që pritet të pasohet edhe me anëtarësimin në FIFA këtë javë, u pasua edhe me një lajm të mirë nga Brukseli, me rekomandimin e Komisionit Evropian që edhe për qytetarët e Kosovës të hiqen vizat.

Kështu një vendim dhe një rekomandim që ndodhën javën e shkuar sollën gëzim për qytetarët e izoluar të Kosovës. Pranimi në UEFA jo vetëm që do të mundësojë që edhe Kosova të përfshihet në garat ndërkombëtare të futbollit, por që nga izolimi të dalin edhe skuadrat dhe lojtarët. Hapi që është bërë drejt liberalizimit të vizave po ashtu sjell shpresën që kosovarët, përfshirë edhe futbollistët, të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Evropës Perëndimore, qoftë edhe për të luajtur futboll. Dhe vërtet edhe pranimi në UEFA, edhe rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave janë një vendim i vonuar për qytetarët e Kosovës, për fajin edhe të atyre politikanëve që tash duan t’i marrin meritat.

Sikur të kishte munguar një votë në votimin e UEFA-s, cili nga politikanët do ta merrte përgjegjësinë. Sikur të mos ishte Komisioni Evropian nën presin që të rekomandojë heqjen e vizave për Turqinë, dhe kjo të mos e kishte shpejtuar edhe dhënien e rekomandimit për Kosovën, cili nga politikanët do ta merrte përgjegjësinë. Cili nga ta ka marrë ndonjëherë përgjegjësinë edhe për vonesat kaq të mëdha. As në afirmimin e sportit e as në heqjen e vizave nuk kanë bërë sa duhet. Por kur vijnë rezultatet, sado të vonuara, aty janë politikanët në radhë të parë për të ndarë gëzimin me njerëzit, për të postuar në ‘facebook’, dhe për të përfituar nga këto lajme të mira.

Të shpresojmë sesa i përket UEFA-s dhe FIFA-s të mos ketë më përzierje politike dhe të mos komplikohet situata me ankesa të Serbisë, që gjithsesi janë politike. Fundi i fundit edhe insistimi që për t’u anëtarësuar në UEFA duhet qenë anëtar i OKB-së, pos që nuk është i bazuar në realitet, është edhe politizim i plotë i sportit. Sepse anëtarësimin në OKB mund ta parandalojnë shtetet që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e ato janë vendet që kishin armë bërthamore, që do të thotë se posedimi i armëve bërthamore do t’i jepte një shteti mundësi që ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në një federatë sportive.

Por sa i përket liberalizimit të vizave duhet pasur ende kujdes, sepse puna nuk është kryer deri në fund, edhe pse ajo është në fazën e fundit. Duhet parë me kujdes sesi nga Komisioni Evropian u tha se Kosova i ka përmbushur “të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit”. Pra “kërkesat e udhërrëfyesit” e jo “të gjitha kushtet”, sepse janë edhe dy kushte që duhen përmbushur ndërkohë.

Presioni kohor që ka BE-ja për shkak të Turqisë mund të sjellë heqjen e vizave edhe për kosovarët më shpejt sesa që do të ishte në rrethana normale, në të cilat, pas rekomandimit të Komisionit, do të duhej rreth katër muaj. Por çfarë nëse do të ketë ndonjë befasi në raportet e BE-së me Turqinë, gjë që nuk përjashtohet, duke pasur parasysh sjelljen e paparashikuar të presidentit turk Erdogan.

Pra, siç thotë populli, të mos bëjmë hop pa e kapërcyer gardhin. Sepse, pasi bindi ekspertët e Komisionit, Kosovës tash i duhet t’i bindë të gjitha vendet anëtare. Dhe ka vende që janë skeptike. Nuk do të jenë problem ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Së pari vendimi merret me shumicë të kualifikuar dhe ajo mund të sigurohet edhe pa ato vende, dhe së dyti disa prej atyre vendeve mbështesin liberalizimin e vizave pikërisht për të dëshmuar se, ndonëse nuk e njohin Kosovën si shtet, nuk kanë asgjë kundër “njerëzve të Kosovës” dhe nuk duan që ata të kenë pasoja për shkak të mospajtimeve rreth statusit. Por ka vende që duan më shumë dëshmi për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që nuk janë vetëm “perceptim” siç mendon presidenti Hashim Thaçi, por janë realitet dhe BE-ja do më shumë rezultate në luftë kundër kësaj dukurie. Ka shtete që do të kërkojnë dëshmi të vazhdueshme edhe për përballje me ekstremizmin dhe radikalizmin fetar, që duan edhe më shumë dëshmi për pranimin dhe reintegrimin e të kthyerve, më shumë dëshmi për fushatë informuese që të mos keqpërdoret liberalizimi i ardhshëm i vizave. Pra puna duhet të vazhdohet dhe atë jo aq shumë nga ministrat, por më shumë nga prokurorët, gjykatësit dhe policët. As anëtarësimi në UEFA, as liberalizimi i ardhshëm i vizave nuk do t’u zgjidhin qytetarëve të Kosovës problemet jetësore. Por gjithsesi ato janë një lëvizje e madhe drejt daljes nga izolimi në të cilin kosovarët ishin me vite.  

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...