Tribunali jashtë Kosovës, dëshmi e dështimit edhe të EULEX-it

3 Prill 2014 - 08:50 - Augustin Palokaj      

Argumenti kryesor se pse vetëm për Kosovën duhet të ketë gjykime për krime të rënda jashtë territorit të saj duhet të jetë i turpshëm jo vetëm për Kosovën por edhe për EULEX-in. Çfarë mund të thuhet për „arritjet“ në fushën e rendit dhe ligjit nëse në këto gjashtë vite nuk është krijuar një besim se në Kosovë mund të ketë gjykime të drejta për krime të rënda në të cilat dëshmitarët do të ndihen të mbrojtur

Një grumbull çështjesh në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian kanë mbetur ende pa u sqaruar deri në fund dhe janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Madje edhe të kushtëzuara. Për to opinioni është në dijeni në mënyrë sipërfaqësore, ndërsa detajet dhe prapavija e tyre ende nuk janë nxjerrë deri në fund. Për pak ditë, apo javë, do të dihet fati i tyre. Së pari, është mandati i EULEX-it. Pastaj krijimi i një gjykate speciale, e cila do ti procesonte rastet e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo edhe krimeve të rënda të organizuara, sipas ligjeve të Kosovës por jashtë territorit të saj.

Dhe krahas këtyre dy mandateve edhe fati i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe i procesit të dialogut për liberalizimin e vizave. Në dy të parat, pa mandatin e EULEX-it dhe Gjykatat për krimet e luftës, BE-ja ka pritje nga Kosova. Në dy të tjerat, MSA dhe liberalizim vizash, Kosova ka pritje nga BE-ja. Por përderisa BE-ja mund ta kushtëzojë Kosovën nuk mund të ndodhë edhe e kundërta. Nga diplomatët e BE-së dëgjohet se „nëse Kosova nuk pranon kompromise rreth mandatit të EULEX-it dhe rreth gjykatës për krime lufte mund të harroj edhe MSA-në edhe liberalizimin e vizave“. Në anën tjetër, edhe nëse Kosova bën kompromise, dhe është duke i bërë, nuk ka asnjë garanci se për shpërblim do të fitoj diçka konkrete lidhur me MSA-në e sidomos në procesin e liberalizimit të vizave.

Për mandatin e EULEX-it palët janë afër për të rënë dakord. Kosova dhe BE-ja kanë pasur kontakte disa muaj rreth kësaj dhe i kanë afruar qëndrimet. Apo thënë më mirë Kosova u është afruar më shumë qëndrimeve të BE-së, sipas së cilave vërtet misioni i ardhshëm do të jetë më shumë këshillëdhënës, monitorues dhe asistues, sesa me kompetenca ekzekutive. Në të njëjtën kohë për gjykatësit ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë e gjykatave të Kosovës në disa rate do të ruhen kompetencat ekzekutive, ndërsa prania e EULEX-it në Kosovë do të reflektojë trajtimin special të veriut të Kosovës dhe që Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbetet baza për këtë mision.

Problemi këtu për BE-në qëndron edhe në fatin se vetë brenda saj, në mesin e shteteve anëtare, nuk është arritur pajtimi i plotë për mandatin e ri. Prandaj edhe nuk ka qenë e mundur që BE-ja të pranojë propozimin e Kosovës që transicioni të nisë tash e të përfundojë në mesin e muajt qershor kur do të niste mandati i ri i një misioni të ri. Kjo është arsyeja pse BE-ja ka insistuar që misionit të tashëm t’i zgjatet mandati deri në shtator deri kur do të kryhej transicioni dhe do të niste misioni i ri.

Edhe pse kanë marrë shumë kohë konsultimet rreth EULEX-it ato nuk kanë qenë as përafërsisht të ndjeshme sa konsultimet rreth vendosjes së një gjykate, për të cilën në BE insistojnë që të jetë jashtë territorit të Kosovës, e cila do të merrej me procesimin e rasteve për të cilat mundësisht do të ngrihen aktakuzat nga Task Forca hetuese speciale që po heton dyshimet e përmendura në raportin famëkeq të Dick Martit. Edhe pse kjo „Task focë“ nuk ka ndonjë mandat të prerë, e madje thuhet qartë se as diskutimet për mandatin e EULEX-it nuk mund të kenë ndikim në punën e saj, kjo është e lidhur edhe me BE-në, edhe me EULEX-in. Kërkesa që për Kosovën të ketë një gjykatë jashtë territorit të saj, edhe pse ajo do të vepronte sipas ligjeve të Kosovës, është një njollosje e qartë për Kosovën.

Kjo e lë Kosovën si të vetmin vend në territorin e ish-Jugosllavisë për të cilin proceset për krime lufte do të zhvillohen jashtë territorit të saj. Kjo lë përshtypjen se Kosova është i vetmi shtet, i cili, jo vetëm se nuk është në gjendje të zhvillojë gjykime të tilla, por nuk i besohet as se ka vullnet për një gjë të tillë dhe as se është në gjendje t’u sigurojë mbrojtje të duhur dëshmitarëve. Ky insistim do të duhej të kuptohej edhe si një dëshmi për dështimin e misionit të EULEX-it, mision i cili kishte për detyrë të ndihmojë autoritetet e Kosovës pikërisht në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë ku askush nuk do të ishte mbi ligjin, ku gjykatësit dhe prokurorët në mënyrë të pavarur do të mund t’i kryejnë profesionet e tyre dhe ku dëshmitarët nuk do të kishin frikë për jetën e tyre nëse dëshmojnë.

Nëse argumenti kryesor pse vetëm për Kosovën duhet të ketë gjykime për krime të rënda jashtë territorit të saj, atëherë ky argument duhet të jetë i turpshëm jo vetëm për Kosovën por edhe për EULEX-in. Çfarë mund të thuhet për „arritjet“ në fushën e rendit dhe ligjit nëse në këto gjashtë vite nuk është krijuar një ambient në të cilin mund të thuhet se ka besim se në Kosovë mund të ketë gjykime të drejta për krime të rënda në të cilat dëshmitarët do të ndihen të mbrojtur.

Edhe nëse e pranojmë se përgjegjësinë kryesore e kanë vetë kosovarët as EULEX-i dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të amnistohen nga ky dështim. Nëse nuk është dështim, atëherë pse ka nevojë për gjykime jashtë territorit të Kosovës.
Diplomatët privatisht përmendin si argument për gjykime jashtë territorit të Kosovës për rastet e krimeve të rënda, e me këtë kryesisht mendohet për ato të lidhura me raportin e Dick Martit, jo vetëm sigurinë e dëshmitarëve por edhe komoditetin e personelit ndërkombëtarë që do të përfshihet në këto procese, qoftë nga prokuroria qoftë edhe nga trupi gjykues. Por në anën tjetër një numër i madh i diplomatëve pranon se Kosova nuk ka dhënë dëshmi as se ka vullnet t’i mbroj dëshmitarët e as që ka krijuar kushte për një mbrojtje të tillë.

Madje thonë se në bisedat me disa zyrtarë kosovarë shpesh dëgjojnë edhe arsyetime dhe akuza ndaj dëshmitarëve duke thënë se „ata janë të motivuar për të dhënë dëshmi të rrejshme për të fituar azil në Evropë!“. Kjo sjellje e zyrtarëve kosovarë vetëm u ka ndihmuar atyre të cilët duan që ndaj Kosovës të mbetet dyshimi dhe ia kanë arritur qëllimit. Po ashtu pranojnë se, edhe pse kjo nuk do të thuhet asnjëherë publikisht, është evidente se ka dështuar edhe EULEX-i. As EULEX-i nuk është dëshmuar shumë në mbrojtjen e dëshmitarëve. Siç kanë shkruar mediat në Kosovë ka pasur raste kur edhe me fajin e EULEX-it është zbuluar identiteti i dëshmitarëve të mbrojtur. Dhe rasti i fundit i angazhimit të një ish-Prokurori të EULEX-it në Gjykatën e Serbisë shkon në favor të atyre që logjikisht kanë të drejtë të dyshojnë edhe në EULEX-in.

Ajo që do të lërë pasoja nga i gjithë ky tregim është se do të kuptohet sikur në Kosovë është fakt i pranueshëm që të mos ketë mundësi për të ndjekur rastet e krimeve të rënda. Edhe nëse do të ketë gjykatë jashtë territorit të Kosovës ajo do t’i gjykojë një numër të kufizuar të rasteve. Shumica e madhe e rasteve do të duhet edhe ashtu të gjykohen në territorin e Kosovës. E pse ato të jenë më pak të rëndësishme. Pse nuk bëhet një angazhim më i madh për të forcuar kapacitetet në Kosovë, duke i përfshirë edhe masat për mbrojtjen e dëshmitarëve, në vend që të ushtrohet aq presion i madh, madje në disa raste në nivel të shantazheve, për të pranuar që jashtë Kosovë të organizohen gjykime për të dyshuarit nga Kosova. Disa diplomatë kanë krahasuar këtë me rastin Lokerby. Në këtë rast terroristëve nga Libia, sipas ligjeve të Britanisë së Madhe, u është bërë gjykimi në territorin e Holandës.

Edhe pse këtë krahasim e kanë bërë diplomatët vetëm duke pasur parasysh precedencën juridike se si mund të zhvillohen gjykime në territorin e një shteti sipas ligjeve të një shtetit tjetër, vetë ky krahasim ka lënë një njollë edhe më të madhe ndaj Kosovës, në të cilën, me gjithë situatën e rëndë në gjykata e sidomos rrezikut për dëshmitarët, gjendja nuk mund të krahasohet me situatën në Libinë e diktatorit Gadafi.
Në fund ka shumë pikëpyetje edhe për efikasitetin e mbrojtjes së dëshmitarëve vetëm me zhvillimin fizikisht jashtë Kosove të proceseve gjyqësore. Ka pasur gjatë viteve raste që edhe dëshmitarët e mbrojtur nga Tribunali i Hagës nuk kanë arritur të ruajnë të pazbuluar identitetin.

E tërë kjo tregon edhe një herë një hipokrizi të bashkësisë ndërkombëtare në raportet me Kosovën. Në njërën anë, i lavdërojnë dhe punojnë me udhëheqësit e saj politikë, flasin për „suksese dhe përparime të mëdha“ e në anën tjetër nuk kanë as besimin më të vogël tek ata.


© KOHA.net
 

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...