19 Tetor 2016 - 08:41 - Augustin Palokaj
Problemet në Ballkan nganjëherë duken të thjeshta e nganjëherë shumë të komplikuara. Nganjëherë fitohet përshtypja se do të mjaftonte një vullnet politik, guxim personal dhe përgjegjësi për t’i zgjidhur problemet më të mëdha. Por shpesh duket se problemet janë aq të mëdha saqë nuk ka fuqi që ato të mund t’i zgjidhë për një kohë. Kur duan të qortojnë në mënyrë diplomatike popujt e Ballkanit për opsesionin e tyre me histori, diplomatët perëndimorë shpesh përmendin thënien e njohur se “Ballkani ka krijuar më shumë histori sesa që mund të konsumojë”. Shpesh u bëjnë thirrje njerëzve nga Ballkani që të mendojnë për të ardhmen dhe të mos humbin kohë rreth së kaluarës. Në këtë lojë janë përfshirë edhe politikanët e Ballkanit, përfshirë edhe ata të cilët edhe vetë kanë qenë aktorë në krijimin e asaj historie jo të largët që do të duhej ta harronin njerëzit nga Ballkani.
Në një përmbledhje shumë të shkurtër mund të thuhet se historia në Ballkan ka krijuar një konstelacion real, ku ekzistojnë shtetet me kufi të përkufizuar dhe ekzistojnë popujt të cilët jetojnë kryesisht në më shumë se një shtet. Kjo nga pothuajse të gjithë popujt, sidomos nga tre më të mëdhenjtë (shqiptarët, serbët dhe kroatët) konsiderohet si padrejtësi historike. Shqipëria është bërë shtet që në vitin 1912, Kroacia në vitin 1991, ndërsa Serbia e sotme, ndoshta i vetmi shtet që është bërë shtet i pavarur pa kërkuar asnjëherë një gjë të tillë, pas shkëputjes së Malit të zi.
Kosova, si shteti i dytë në rajon ku shqiptarët përbëjnë shumicën e madhe të popullatës, është shpallur e pavarur në vitin 2008. Krahas këtyre shteteve ekzistojnë edhe dy shtete me përbërje shumetnike si Bosnjë-Hercegovina, ku myslimanët boshnjakë, serbët dhe kroatët janë popuj konstitutivë të shtetit, dhe Maqedonia, ku komuniteti shqiptar ka një përqindje shumë të madhe, ndërsa në një pjesë të madhe të konsiderueshme të shtetit përbën shumicën. Nuk është etnikisht shumë i pastër si shtet as Mali i Zi, ku tashmë më shumë se 30 për qind e qytetarëve deklarohen me përkatësi etnike serbe. E pos kësaj një përqindje jo të vogël në Mal të Zi e përbëjnë edhe shqiptarët e boshnjakët.
Pra, Ballkani ka një realitet në të cilin kufijtë e grupeve etnike nuk janë edhe kufij të shteteve. A është kështu mirë apo keq, e drejtë apo e padrejtë, e qëndrueshme apo jo, është temë tjetër rreth së cilës, sikur edhe rreth cilësdo temë tjetër, mund të zhvillohet debat. Por ky është realiteti dhe ky realitet është marrë parasysh kur bashkësia ndërkombëtare ka vendosur të mbështesë shtetformimin e njësive federale që përbënin ish-Jugosllavinë.
Ishte pikërisht politika serbomadhe e Milosheviqit dhe nacionalistëve serbë që dolën me idenë që “popujt e jo republikat dhe krahinat socialiste kanë të drejtë në vetëvendosje dhe shkëputje”. Ata edhe nisën luftën për të siguruar që serbët, si popull në ish-Jugosllavi, të jetojnë në një shtet. Dhe kur Kroacia, duke u bazuar në të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje, shpalli pavarësinë e saj, Beogradi u përgjigj se këtë nuk mund ta bëjë duke i përfshirë edhe serbët në atë shtet, sepse serbët si popull kanë të drejtë në vetëvendosje kudo që jetojnë.
E dimë se mbi këtë bazë u nisën dhe u zhvilluan luftërat agresive në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, dhe gjatë asaj lufte edhe u krijua një territor i lidhur nga Kraina e Knini në Kroaci, përmes një pjese të madhe të Bosnjë- Hercegovinës i lidhur me Serbinë. Shqiptarët natyrisht, sipas interpretimit të Serbisë, nuk kishin të drejtë në vetëvendosje, sepse ata, për dallim nga serbët, nuk ishin “popull”, nuk ishin “komb” por “kombësi”. Termet “kombet dhe kombësitë”.
Kosova pra konsiderohej si pjesë e Serbisë dhe prandaj prapë, sipas Beogradit, nuk kishte të drejtë në vetëvendosje, ndërsa shqiptarët, të cilët e kishin shtetin amë Shqipërinë, ishin pakicë në ish-Jugosllavi dhe edhe në Serbi dhe me këtë nuk kishin të drejtë të kërkojnë pjesën e tyre në procesin e shkëputjes së ish-Jugosllavisë. Shefat e tyre që sot janë në Beograd në pushtet porosisnin shqiptarët se nëse nuk u pëlqen ky “realitet” le të shkojnë përtej Bjeshkëve të Nemuna në shtetin e tyre, Shqipëri.
Bashkësia ndërkombëtare që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë i është qasur këtij procesi me parimin se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve me dhunë. Gabimisht këtë qasje disa e kanë kuptuar se thënia “nuk mund të ketë ndryshim kufijsh” do të thotë se nuk mund të krijohen shtete të reja. Por ajo që në fakt synohej ishte që krijimi i shteteve në territorin e ish-Jugosllavisë duhet të jetë në kufijtë e ish-njësive federale. Që nga Sllovenia e Kroacia, e deri tek Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Kosova, shtetet janë krijuar brenda kufijve që kanë pasur si njësi të ish-Federatës jugosllave.
Të vetëdijshëm se thyerja e këtij parimi në një vend do të shkaktonte domino-efekt në tërë rajonin, nga bashkësia ndërkombëtare u dërguan porosi të ashpra se nuk mund të ketë ndarje të Bosnjë-Hercegovinës, nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. E dinin se nëse ndahen Bosnja e Hercegovina dhe Kosova do të ishte shumë e vështirë që të ruheshin kufijtë e shteteve të tjera. Kjo do të hapte edhe opsionet e bashkimit të shumë kombeve dhe të krijimit të shteteve në luftëra etnike. E kur të hapen këto opsione, atëherë lindin mospajtime edhe më të mëdha se ku ndodhen ata kufij. Dhe kjo do ta bënte këtë rajon edhe ashtu jostabil dhe më të rrezikshëm.
Sot edhe Bosnja, edhe Kosova janë pak a shumë të ndara, edhe pse kjo nuk pranohet e as që do të pranohet formalisht as nga Kosova e as nga bashkësia ndërkombëtare. Kur Serbia thotë se është kundër ndarjes së Kosovës, ajo nuk mendon se i tërë territori i Kosovës duhet të jetë i bashkuar, por mendon se Kosova nuk mund të ndahet nga Serbia. Në fakt, të vetëdijshëm se nuk mund ta kenë Kosovën më nën kontroll, në Beograd vazhdojnë të punojnë në ndarjen e Kosovës duke besuar se kur të bëhet një gjë e tillë “realitet në terren”, atëherë edhe do të pranohet si akt i kryer. Serbët madje shpesh nëpër takime thonë se “kemi dy realitete në Kosovë” dhe se ato janë se “shqiptarët nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Beogradit, por as serbët në veri nuk duan të jetojnë nën qeverisjen e Prishtinës”.
Kryeministri i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur para disa vjetësh një proces të normalizimit të raporteve me shqiptarët. Jo me Kosovën, por me shqiptarët. Dhe pasi që shteti i shqiptarëve është Shqipëria, ai këtë normalizim e sheh pikësëpari mes Beogradit dhe Tiranës. Dhe Vuçiq mendon se nëse do të ketë mirëkuptim, bashkëpunim dhe raporte normale mes serbëve dhe shqiptarëve, për të cilët vetë ai thotë se janë dy popujt më të mëdhenj në rajon, atëherë kjo do ta stabilizonte rajonin dhe do të zgjidhte shumë probleme. Por druajmë se Beogradi parimin me Shqipërinë e bën jo vetëm për shkak të dëshirës për raporte të mira me Tiranën sa për të injoruar faktin se Kosova është shtet. E Kosovën si subjekt Beogradi nuk e pranon as në skenën ndërkombëtare e as në atë rajonale. Prandaj të gjitha kontaktet i bën duke iu dhënë epitetin etnikë e jo subjektivitet territorial. Pra, ata të cilët në emër të Kosovës bëjnë dialog dhe kompromise me Beogradin janë “përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës”.
Sfidë për stabilitetin e rajonit nuk janë më raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, por raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Pa hyrë shumë në teoritë rreth definimit të “popujve”, duhet thënë se shumë popuj të Ballkanit jetojnë në më shumë se një shtet. Askush nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, e këtu përfshihet edhe Shqipëria, nuk duhet “të pajtohen se kanë mospajtime” me Serbinë rreth Kosovës. Sepse Serbia jo vetëm se nuk e njeh Kosovën si shtet, por e konsideron atë pjesë të saj, pra ka pretendime territoriale dhe kjo është sfida më e madhe e sigurisë në rajon.
Është gabim të krahasohet mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë me mosnjohje nga 5 vendet e BE-së. Këto pesë shtete të BE-së nuk kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës, ndërsa Serbia i ka. Gjithsesi normalizimi i raporteve mes shteteve, që nuk është i mundur nëse një shtet e mohon ekzistimin e një shteti tjetër, do ta ndihmonte edhe normalizimin e raporteve mes popujve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...