Si e gjeti BE-ja formulën për Maqedoninë

22 Korrik 2015 - 08:24 - Augustin Palokaj      

Në BE besojnë se kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Maqedoni duke i bindur katër liderët politikë që të arrijnë marrëveshjen. Besojnë se kësaj radhe liderët politikë e kuptuan se sa dëm do t’i bëjnë vendit të tyre dhe rajonit nëse nuk merren vesh. Por BE-ja tash ka pritje nga kjo marrëveshje, të cilat nuk do të jetë lehtë të realizueshme. Njëra prej tyre ka të bëjë me punën e një prokurori special të pavarur që duhet të hetojë aferën e përgjimeve.

Bashkimi Evropian situatën e deritashme në Maqedoni e ka konsideruar jo vetëm si të tensionuar por edhe të rrezikshme. I është frikësuar një destabilizimi më të gjerë të këtij shteti dhe si pasojë edhe të rajonit më të gjerë.

Kriza politike në Maqedoni, shikuar nga Brukseli, ka qenë pasojë e konfliktit politik mes dy partive politike, VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe Socialdemokratëve në opozitë, ndërsa partitë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë qëndruar anash. Dhe kjo krizë në këtë mënyrë nuk ka pasur karakter etnikë.

Por rreziku ka qenë që kriza të merr edhe karakter të tillë dhe atë jo vetëm për shkak të ngjarjeve në Kumanovë. E edhe në rajon rreth Maqedonisë situata nuk është shumë e qetë. Kosova nga Brukseli tash kryesisht shihet si vend me potencial të madh të emigrimit masivë si pasojë e mungesës së perspektivës ekonomike. Po ashtu nga Kosova, sikur edhe nga Sanxhaku, Bosnja e Hercegovina e pjesërisht edhe nga Maqedonia e Shqipëria, ka një numër të konsiderueshëm të atyre që u janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak. Greqia ndihet në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale, pothuajse sikur të ishte një vend i botës së tretë e jo vend anëtar i Bashkimit Evropian. Bullgaria, sikurse dhe Greqia, Maqedonia e Serbia, përballet me valë të refugjatëve nga Afrika. Në Serbi pushteti aktual luan me fqinjët një lojë “ftohtë-ngrohtë”, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë entiteti Republika Srpska thërret referendum për të bërë hapa drejt ndarjes nga Bosnja e Hercegovina duke rrezikuar kthimin e konfliktit në këtë vend.

Në rrethana të tilla Bashkimi Evropian ka vendosur që të bëjë gjithë atë që është e mundur për të parandaluar ndezjen e zjarrit aty ku është e mundur. Dhe besojnë se e kanë bërë këtë në Maqedoni ku javën e shkuar katër liderët politikë u morën vesh për një marrëveshje e cila, nëse zbatohet, do të duhej të zgjidhë jo vetëm këtë krizë politike, por do të vendosë një modus për të parandaluar krizat e tilla të ngjashme.

Janë të kuptueshëm entuziazmi dhe kënaqësia që kanë në Bruksel ata të cilët në emër të BE-së u angazhuan në ndërmjetësimin e zgjidhjes së krizës në Maqedoni. Thonë se nuk ishte lehtë, se në BE kishte të tillë që thoshin “pse të përzihemi në një vend të vogël, të pashpresë, në punë të tyre të brendshme”. Në anën tjetër, rikujtojnë se për liderët politikë në Maqedoni krenaria e tyre personale ishte në pikëpyetje dhe nuk donin të lëshonin pe.

Këtu mendojnë kryesisht në kryeministrin Nikola Gruevski dhe për shefin e opozitës Zoran Zaev, sepse për Shefin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi, thonë se “ishin jashtëzakonisht konstruktivë”. Madje pranojnë se kërcënimi i Ali Ahmetit se BDI-ja do të dalë nga qeveria nëse nuk arrihet marrëveshja ishte një element i rëndësishëm në arritjen e saj.

Për liderin e opozitës, Zaev, thonë se ishte “kokëfortë” dhe nuk e kuptonte se për të është një kompromis i mirë nëse ka marrëveshje, sipas së cilës qeveria aktuale duhet të largohet në gjysmë të mandatit. Për Gruevskin thonë se ishte kokëfortë, sepse nuk donte ta pranonte se nuk mund të ketë zgjidhje të krizës nëse ai nuk pranon të largohet për të mundësuar zgjedhje të reja.

Prandaj marrëveshja, sipas së cilës, në shtator opozita do të kthehet në Parlament, se do të ketë një ministër të Punëve të Brendshme, të cilin do ta propozojë opozita, dhe të emërohet me mbështetjen e të gjithëve, se do të japë dorëheqjen qeveria 100 ditë para zgjedhjeve, shihet si ideale në rrethanat ekzistuese në Maqedoni. E gjithë kjo do të mundësojë përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve në kushte shumë më të favorshme sesa më parë, sepse Qeveria e cila do të jetë në ushtrim të detyrës 100 ditë para zgjedhjeve nuk do të mund të instrumentalizohet për nevoja të fushatës zgjedhore dhe manipulim të zgjedhjeve.

Bashkimi Evropian, e në një masë edhe NATO-ja, përmes diplomatëve nga shtetet e veta kryesore anëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë “krejtësisht jodiplomatike” ka bërë presion ndaj liderëve të Maqedonisë. Sipas burimeve në Bruksel atyre u është thënë se “do të mbajnë përgjegjësi personale për dështimin e shtetit, për daljen e plotë nga binarët e integrimeve euroatlantike dhe për krizën e madhe sociale dhe ekonomike që do të pasojë”.

“Mos harroni se që nga fillimi i krizës politike në Maqedoni kanë filluar të bien investimet e huaja. Investitorët nuk shkojnë aty ku nuk ka stabilitet politik”, thonë në Bruksel. Një kërcënim tjetër nga Brukseli ka qenë se do t’i bëj publikë emrat e atyre që i konsiderojnë fajtorë për dështim të procesit të negociatave për arritjen e marrëveshjes.

Prandaj, në BE besojnë se kësaj radhe liderët politikë e kuptuan se sa dëm do t’i bëjnë vendit të tyre dhe rajonit nëse nuk merren vesh. Ky kombinim i presionit duket se ka dhënë rezultate kësaj radhe. Së paku ashtu besojnë në Bruksel.

Por BE-ja tash ka pritje nga kjo marrëveshje, të cilat nuk do të jetë lehtë të realizohen. Njëra prej tyre ka të bëjë me punën e një prokurori special të pavarur që duhet të hetojë aferat që kanë dalë nga përgjimet. “Këto janë gjëra shumë serioze. Prandaj ato duhet të sqarohen mirë nga një prokuror special i pavarur”, thonë burimet në Bruksel dhe janë të sigurta se “liderët politikë nuk do të kenë guxim as të tentojnë që të ndikojnë në punën e Prokurorit special”.

Ky besim i BE-së mund të duket në të ardhmen të ketë qenë paksa naiv sepse do të ishte vërtet një revolucion në Ballkan që liderët politikë, sidomos nëse edhe vetë përmenden në disa afera që duhet të hetohen, të mos bëjnë përpjekje për të ndikuar në hetime.
Një element i cili mund të dëshmohet si i vështirë për BE-në në formulën e saj për Maqedoninë është pjesa që ka të bëjë me integrimet euroatlantike. Maqedonia tash e shtatë vite po i përmbush të gjitha kriteret për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe të nisë negociatat e anëtarësimit në BE, por bllokada greke po e lë të vendnumërojë.

Është i kuptueshëm se në rast të mosarritjes së marrëveshjes BE-ja dhe NATO-ja do të mundë të mos e përsërisnin më as konfirmimin për ftesën për anëtarësim në NATO sapo të zgjidhet çështja e emrit me Greqinë dhe rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por nuk dihet se çfarë mund t’i ofrojë Maqedonisë si shpërblim. Asgjë, nëse nuk do të ketë presion ndaj Greqisë që të heqë bllokadën.

Në BE besojnë megjithatë se në rast të zbatimit të marrëveshjes në fjalë, Greqia do ta ketë tash më vështirë të vazhdojë bllokimin e Maqedonisë. Dhe integrimin në BE dhe NATO Brukseli tash e shesh edhe si një kusht për ruajtjen e bashkëpunimit ndëretnik në Maqedoni. Në Bruksel pranojnë tash se e kanë kuptuar se shqiptarët e Maqedonisë mbështesin rendin kushtetues të vendit më së shumti për shkak se besojnë në perspektiven e integrimeve euroatlantike.

Dhe prandaj duhet të bëhet më shumë që edhe në këtë drejtim të ketë lëvizje. Vetëm atëherë mund të thuhet se angazhimi i BE-së kësaj radhe ka dhënë më shumë fryt e jo vetëm se e ka shtyrë për një moment tjetër shpërthimin e një krize të re.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...