17 Gusht 2016 - 08:25 - Augustin Palokaj
Nëse një gjë e kanë kuptuar politikanët e rajonit të Ballkanit Perëndimor për BE-në, atëherë kjo është dobësia e saj për të vepruar në mbrojtje të vlerave të saj. Jo një por të gjitha shtetet e rajonit dhe strukturat e tyre në pushtet kanë qenë shumë më të zgjuara sesa burokratët e Brukselit, apo më të vendosur në qëllimet e tyre dhe në modusin e veprimit. E kanë kuptuar se mjafton ta luajnë në publik rolin e partnerit të devotshëm, të flasin fjalë që tingëllojnë bukur, sidomos nëse mes tyre përfshihen ato për “bashkëpunim rajonal”, “vlera të përbashkëta evropiane” “përballje me të kaluarën”, “pajtim mes popujve”, “mendim drejt së ardhmes e jo drejt së kaluarës”. Me fjalë të tillë “i kanë kallë këta të Brukselit” të cilët ua kanë hapur dyert për takime “shpesh edhe për t’i plasur ata të opozitës” dhe, pos deklarimeve sa për sy e faqe, asnjëherë nuk kanë bërë shumë zhurmë kur kanë dalë dëshmi se pikërisht partnerë të tillë të Brukselit, që “me guxim të burrë shtetasve” luftojnë për vlerat evropiane, në fakt shtypin medet e lira, kontrollojnë policinë, gjyqësorin, sistemin e edukimit, doganat, prokurimin publik, madje edhe janë të lidhura me strukturat e krimit të organizuar.
Shikojeni rajonin nga Jugu i Maqedonisë e deri te veriu i Serbisë dhe analizoni se çfarë flasin e çfarë bëjnë politikanët në pushtet. Dhe, me përjashtim të njërit, ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, i cili në një moment “nuk ka dëgjuar” që të gjithë janë aleatë të çmuar të Brukselit, e besa edhe të Washingtonit, apo së paku të ambasadave amerikane. Dhe Gruevski është dënuar duke mos i dhënë mundësi të takojë liderët evropianë, të mos ketë “foto oportunity” me liderët si Merkel, Holland, Mogherini e Hahn. Sepse fotot dhe takimet e tilla, me të cilat “mund ta plasni” opozitën duhet të meritohen.
Ja sa hipokritë kur flasin në takime ndërkombëtare janë për shembull liderët e disa shteteve. Ministri i Sportit i Serbisë u ka urdhëruar sportistëve të vendit të tij që, në rast se ndodhë që në piedestalin e fituesve të medaljeve në lojërat olimpike në Rio të jenë së bashku me sportistët nga “i ashtuquajturi shteti i Kosovës” të zbresin në shenjë proteste. Por kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrit të jashtëm, Ivica Daçiq, në samitin për Ballkanin në Paris nuk u pengoj që të bënin foto para flamurit të Republikës së Kosovës. Ka shembuj të tillë sa të duash edhe për liderët e vendeve të tjera që për vete bëjnë kompromise në dëm të qëndrimeve të shtetit e ndaj të tjerëve janë kritikë. Liderët e Kosovës po ashtu nuk kanë problem të marrin pjesë në takime ku vendi që përfaqësojnë nuk prezantohet si shtet sovran dhe i pavarur.
Por në rastin e Kosovës, BE-ja, dhe sidomos BE-ja, ka një përgjegjësi më të madhe për mënyrën se si funksionon shteti. Sidomos si funksionojnë sistemi gjyqësor, tenderimi publik, doganat, policia. Në të gjitha këto BE-ja ka qenë në tetë vitet e fundit bashkëpërgjegjëse në Kosovë. Po, e dimë se përgjegjësinë për t’i luftuar dukuritë negative si korrupsionin, krimin e organizuar, për depolitizimin e gjyqësorit e kanë, para së gjithash, vetë kosovarët. Por në rast se kosovarët nuk munden, nuk dinë apo nuk duan ta bëjnë këtë, atëherë EULEX-i ka pasur mandat ekzekutiv, apo jo, për të ndihmuar apo edhe për të ndërhyrë. BE-ja është mjaftuar me porosi parimore, me thirrje për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me thirrje për depolitizimin e sistemit gjyqësor, ndërkohë nuk ka bërë asgjë vetë në këtë drejtim, edhe pse ka mundur dhe ka pasur mandat. E dikush do të thoshte se ndoshta edhe ka ndihmuar, qoftë duke heshtur, për shkak se me strukturat e tilla, të cilat vetë BE-ja, siç po shihet, i ka përgjuar, ka mundur t’i arrijë disa qëllime të tjera politike.
Afera “Pronto 2” vetëm ka dhënë dëshmi verbale, me zë, të asaj që BE-ja në të gjitha raportet e progresit deri më tash e ka thënë, se në Kosovë emërimet në gjyqësor, shërbime publike, borde ndërmarrjesh, institucione të pavarura, bëhen sipas preferencave dhe kritereve politike e jo sipas përgatitjes profesionale. Por BE-ja asnjëherë nuk ka dhënë as edhe një shembull të vetëm se me të tillët nuk dëshiron të ketë punë. Prandaj edhe pushtetarët e Kosovës gjithmonë kanë mundur “të luajnë ko…” (të parafrazojmë këtu një prej shefave) me raportet e progresit të BE-së dhe të vazhdojnë me të vjetrën. Madje pa fije turpi edhe i kanë “përshëndetur dhe mirëpritur” raportet e tilla. E nga disa burokratë të BE-së madje edhe janë qortuar nganjëherë mediet se kanë raportuar “tepër negativisht” për raportet e progresit. E si të raportojnë mediet rreth një raporti i cili Kosovën e quan si vend ku krimi i organizuar dhe strukturat politike janë të lidhura, ku gjyqësori është nën ndikime politike, ku në shërbimet publike dhe institucionet që duhet të jenë të pavarura emërimet bëhen sipas kritereve partiake e politike e jo sipas përgatitjes profesionale. Tash po shihet se BE-ja e ka ditur mirë pse i ka shkruar gjërat e tilla. A mos duhet mediet nga raporti i progresit të nxjerrin në kryelajme se si BE-ja ka konstatuar “një lloj progresi në miratimin e kornizës ligjore”? Ndoshta në Kore të Veriut apo ndonjë vend tjetër, por jo në një vend që synon vlerat evropiane, tash apo më vonë, si Kosova mediet duhet të kërkojnë vetëm fjalë pozitive dhe t’i heshtin kritikat që në fakt pengojnë zhvillimin e vendit.
Bisedat të përgjuara të cilat tash po i nxjerr portali Insajderi, që duket se janë mbledhur vetëm për 2 muaj e jo për 10 vite, parashtrojnë pyetjen edhe për përgjegjësinë e BE-së në tërë atë që ka ndodhur në Kosovë në këtë periudhë. Prandaj qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë edhe nga BE-ja përgjigje për pyetjen se: Çka keni bërë ju për të luftuar dukuritë që kritikoni në Kosovë. Apo thjesht BE-ja dënon popullin duke mos i hequr vizat ndërkohë që vazhdon t’i mbështesë strukturat politike për të cilat vetë ka përplot kritika. Apo edhe qytetarët e Kosovës duhet të presin edhe shumë kohë për ta kuptuar se kush me kë po luan ko... në vendin e tyre.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...