24 Shkurt 2016 - 08:38 - Augustin Palokaj
Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, mund t’i vijë keq pse kanë dalë idetë për peticion kundër tij në Kosovë, por ai nuk do të mund të mburrej as me disa, të cilët kinse i dalin në mbrojtje. Pas përsëritjes së kritikave që ai i ka drejtuar ndaj sjelljes së opozitës së Kosovës, e cila ka përsëritur hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, lanë dalë edhe ide për peticione kundër tij e madje edhe pohime se ai “nuk e përfaqëson qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Këto reagime janë dëshmi e mosnjohjes së diplomacisë dhe naivitetit, por duhet parë edhe si një frustrim me gjendjen në Kosovë të cilën shoqëria kosovare nuk ka forcë ta ndryshojë. Jo vetëm ambasadori amerikan, por secili ambasador flet në emër të shtetit të tij. Atëherë kur ai do të fliste diçka që nuk është qëndrim i shtetit të tij, nuk do të jetë më ambasador. Ambasadori nuk ka, nëse do të shprehemi me këtë gjuhë, “liri të shprehjes” për aq kohë sa është ambasador. Natyrisht ata, sidomos në vendin ku shërbejnë, nuk është ndër prioritetet kryesore të administratës që përfaqëson, siç është tash Kosova, kanë një autonomi të madhe në mikromenaxhim, përfshirë këtu edhe mundësi që vetë në vendin e ngjarjes të formojnë qëndrimin prapa të cilit do të qëndrojë administrata e tij. Por këtë nuk duhet ekzagjeruar në atë masë saqë të mendohet se Barak Obama personalisht i ka thënë ambasadorit Greg Delawie që t’i quajë “neveritëse” sjelljet e opozitës. Ka kaluar koha kur me Kosovën në mënyrë të vazhdueshme është marrë presidenti amerikan, nga Bushi e Klintoni deri tek Bushi i Ri. Tash Kosova në administratën amerikane si temë mbërrin më së shumti deri tek zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit. Dhe në këtë situatë atë që thuhet nga ambasadori amerikan në Kosovë duhet parë si qëndrim amerikan. Kjo vlen edhe për ambasadorët e tjerë për të cilët kosovarët nuk kanë të drejtë morale që të prononcohen kundër tyre. SHBA-ja ka ambasadorë edhe në vende të cilat nuk i ka mike dhe ku populli i atyre vendeve është kundër secilit ambasador, por nuk mund të ndikojnë.
Por ka edhe përjashtime, sepse Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se di të jetë shumë e papërshtatshme ndaj disa ambasadorëve të cilët vinë nga vendet e vogla, ndonëse mike, kur thonë diçka që nuk u pëlqen atyre.
Kemi pasur shembullin me ish-ambasadorin e Kroacisë, Zlatko Kramariq, pa dyshim një ndër miqtë më të sinqertë që ka pasur Kosova. Ai në një intervistë, në një gazetë të Kroacisë, duke folur për nevojën e luftës kundër korrupsionit në Kosovë, i pati qortuar politikanët e Kosovës për trajtimin e vendit të tyre si një lopë për të mjelë për interesa personale”. Edhe pse ajo deklaratë ishte kuptuar si miqësore nga shumë qytetarë të Kosovës, Qeveria e Kosovës kishte reaguar zyrtarisht në Ministrinë e Jashtme Kroate dhe ky ambasador ishte larguar para kohe. Kramariq po ashtu vjen nga një vend i NATO-s dhe BE-së, nga një vend mik i Kosovës që ka ndihmuar, sidomos në mbrojtjen juridike të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por kjo nuk ishte mjaft për Qeverinë që të mos kërkojë largimin e tij. Sikur të ishte nga ndonjë vend tjetër, ndoshta nuk do të kishin reaguar ata që sot ftojnë që të mos kritikohen miqtë e Kosovës.
Kosova është në një gjendje skizofrenie dhe në këtë mënyrë në një masë po sillet edhe bashkësia ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë nga përfaqësues ndërkombëtarë dëgjohen edhe thirrje për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të thirrur në përgjegjësi politikanët, por në të njëjtën kohë dëgjohen edhe deklarata mbështetëse për pikërisht ata që janë përgjegjës për gjendjen e tillë. Fitohet përshtypja se përfaqësuesit ndërkombëtarë, për hir të ruajtjes së një lloj “stabiliteti politik” vetëm “në parim” flasin për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër keqpërdorimeve dhe nepotizmit e sa herë që të ketë raste specifike atëherë ose heshtin, ose me prononcime të tyre u japin argumente dhe i fuqizojnë përgjegjësit. Sepse fuqia e politikanëve në Kosovë më shumë sesa nga vota e popullit buron nga mbështetja ndërkombëtare.
Nuk është problem pse përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve mike, e qortojnë sjelljen e opozitës. Nuk është vështirë të pajtohemi me qortime të tilla. Por problem është kur ata heshtin ndaj gabimeve po aq të rënda edhe të pushtetit. Kosovarët nuk mund të votojnë për ambasador të ndonjë vendi në Kosovë. Por edhe ata ambasadorë duhet të ndiejnë një përgjegjësi më të madhe ndaj popullit të Kosovës sesa që do të ishte normale për një ambasador i cili përfaqëson vetëm vendin e tij, pikërisht duke pasur parasysh ndikimin e fjalës së tyre. Fundi i fundit, e kemi parë se edhe në zgjedhjen e presidentit qëndrimet e ambasadorit amerikan tejkalojnë rëndësinë e çfarëdo qëndrimi tjetër. Prandaj edhe zëvendëskryeministri Thaçi, në kohën kur vazhdon përpjekjet për t’u bërë president i Kosovës, dëshiron që debatin ta zhvendosë në temat rreth kërkesave bizare për largimin e ambasadorit amerikan.
Aty ku kanë dështuar ambasadorët e huaj, me përjashtim të ambasadorit britanik, ishte mungesa e reagimeve ndaj protestave paqësore të organizuara nga opozita. Pa marrë parasysh mospajtimin me kërkesat e opozitës është dashur të shprehin mirënjohje për mirëvajtjen e tyre. Dhe, aq më tepër, është dashur të dalin publikisht me kritika ndaj prononcimeve nxitëse të zëvendëskryeministrit Thaçi, i cili me reagimet e tij la përshtypjen se po i pengojnë protestat paqësore më shumë sesa ato të dhunshme.
Natyrisht, privatisht, shumë diplomatë nga Prishtina e deri tek Brukseli pranojnë se “Thaçi e ka tepruar dhe tash do ta kenë më të vështirë ta mbështesin për president, sidomos kur dihet roli unifikues dhe pajtues që duhet të ketë presidenti”, por hezitojnë ta thonë këtë publikisht nga frika se mos do ta destabilizojnë edhe më shumë këtë qeveri edhe ashtu me stabilitet të brishtë në Kosovë.
Dy ngjarjet e javës së shkuar i dhanë një mësim edhe opozitës. U pa se kundërshtarëve të opozitës më shumë u pengojnë kërkesat e tyre sesa sjellja e dhunshme. Në fakt sjellja e dhunshme u jep argumente që të mos pranojnë as të diskutojnë për kërkesat e tyre, të cilat shpesh duken logjike dhe legjitime. Shumë më tepër kishte nervozizëm nga Qeveria pas protestave paqësore sesa pas gazit lotsjellës në Kuvend. Sepse protestat paqësore, sidomos kur ato janë të mëdha, ndihmojnë që edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët të dëgjojnë edhe zërin e opozitës, ndërsa sjellja e dhunshme e opozitës shihet si arsye për përforcimin e lidhjeve të pushtetit me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët e vendeve mike.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...