Evropa nuk është më e njëjtë

18 Nëntor 2015 - 08:19 - Augustin Palokaj      

Por zotimet se “terrorizmi nuk do të na ndryshojë jetën” duken vetëm si fjalë për inkurajim, sepse jeta në Evropë tashmë ka ndryshuar. Nëpër rrugët e Parisit, Brukselit dhe të qyteteve të tjera evropiane jo vetëm se janë bërë të zakonshme pamjet e policëve me jelek antiplumb, por edhe ushtarët me armatim të gjatë shihen duke ruajtur ndërtesat kryesore, përfshirë edhe ato të institucioneve të Bashkimit Evropian. Në mes të shumë shteteve evropiane tashmë janë kthyer kontrollet e udhëtarëve në vendkalimet kufitare, ndërkohë që disa prej tyre rrethojnë kufirin edhe me tela gjemborë. As sot Evropa nuk është më si dikur, ndërsa nesër do të jetë edhe më ndryshe, më e mbyllur e jo më e hapur

Ende nuk janë djegur dhe shkrirë qirinjtë e ndezur për viktimat e sulmit terrorist në redaksinë e gazetës “Charlie Hebdo”, dhe në Paris ndodhi një masakër tjetër terroriste, kësaj radhe me numër shumëfish më të madh të viktimave. Së paku 129 persona, kryesisht të rinj, që të premten donin vetëm të shikonin një koncert, të hanin darkë me shokët apo të shikonin një ndeshje futbolli, u vranë në disa sulme të koordinuara të terroristëve. Lidershipi i Francës e quajti këtë si “shpallje lufte” dhe u zotua se do të jetë i pamëshirshëm në luftë kundër atyre që janë përgjegjës për këtë masakër. Francës edhe kësaj radhe i erdhën shprehjet e solidaritetit nga mbarë bota. Këto sulme u quajtën si sulme ndaj vlerave të Evropës dhe tërë botës së qytetëruar. Sikur edhe në sulmet e ngjashme më herët, edhe kësaj radhe të menjëhershme ishin thirrjet se terrorizmi nuk duhet të ngatërrohet me islamin, sepse islami është fe e paqes. Edhe kësaj radhe u shtuan thirrjet që të mos lejohet futja e urrejtjes ndaj emigrantëve, sepse në atë rast do të mund të thuhej se terroristët kanë fituar. Edhe kësaj radhe u bë thirrje për unitet ndaj kësaj të keqeje, sepse vetëm të bashkuar mund të mposhten grupet e tilla.

Por zotimet se “terrorizmi nuk do të na ndryshojë jetën” duken vetëm si fjalë për inkurajim, sepse jeta në Evropë tashmë ka ndryshuar. Nëpër rrugët e Parisit, Brukselit dhe të qyteteve të tjera evropiane jo vetëm se janë bërë të zakonshme pamjet e policëve me jelek antiplumb, por edhe ushtarët me armatim të gjatë shihen duke ruajtur ndërtesat kryesore, përfshirë edhe ato të institucioneve të Bashkimit Evropian. Në mes të shumë shteteve evropiane tashmë janë kthyer kontrollet e udhëtarëve në vendkalimet kufitare.

Për shkak të terrorizmit, Evropa do të ndryshojë edhe më shumë. Këto sulme gjithsesi pasojat më të mëdha i kanë pasur për ata që u vranë, për familjet dhe miqtë e tyre. Ata askush më nuk mund t’i kthejë në jetë. Pos kësaj, ato do të kenë pasoja të mëdha edhe për disa procese në BE. Pasoja e parë do të jetë ndryshimi dramatik i qasjes ndaj krizës së refugjatëve. Mjaftoi lajmi se një prej atyre që mori pjesë në sulmet terroriste në Paris ishte refugjat, e që tërë debati për valën më të madhe të refugjatëve që vijnë në BE të ndryshojë. Tash edhe ata që ishin të kujdesshëm kritikojnë politikën e dyerve të hapura dhe ndryshimin e saj. E djathta ekstreme në Evropë dhe lëvizjet kundër emigrantëve kanë fituar me këto sulme edhe një argument më tepër. Për ta nuk ka shumë vlerë fakti se mbi 700 mijë refugjatë që kanë ardhur në BE këtë vit janë qytetarë të vuajtur e jo terroristë, shumë prej të cilëve kanë ikur pikërisht nga i njëjti terror i cili goditi Parisin të premten, Libanin një ditë më herët apo Bagdadin një javë më herët. E djathta ekstreme në Evropë përsëri e lidh valën e refugjatëve me ekstremizëm dhe terrorizëm dhe e paraqet atë si kërcënim të sigurisë së Evropës.

Nga vendet si Polonia dhe Sllovakia edhe një herë kanë ardhur arsyetime se nuk mund të pranojnë refugjatë të besimit mysliman dhe i kanë përmendur sulmet në Paris si shembull në sytë e tyre. Atyre me të drejtë iu përgjigj Jean Claude Juncker, president i Komisionit Evropian, duke thënë se “sulmet i kanë bërë terroristët dhe kriminelët e jo refugjatët dhe azilkërkuesit”. Por gjithsesi të gjitha vendet në korridorin përmes të cilit kalojnë refugjatët do të rrisin kontrollin e tyre dhe mikpritja për ta nuk do të jetë e njëjtë.

Efekti tjetër do të jetë forcimi i kufijve të jashtëm, por edhe i atyre të brendshëm në BE. Tashmë disa shtete të BE-së praktikisht e kanë suspenduar zonën e lirisë së lëvizjes duke rivendosur kontrollin e udhëtarëve në kufi. Pikërisht më 13 nëntor ka skaduar afati i lejueshëm me ligjet e Schengenit për Gjermaninë që, për shkak të “rrethanave të paparashikuara” të shfrytëzojë masat e tilla të kontrollit në kufi. Por Gjermania tashmë ka njoftuar se këtë të drejtë do ta përdorë për shkak të “rrethanave të parashikuara” edhe për tre muaj. Mbi këtë bazë këto kontrolle Gjermania do të mund t’i mbajë edhe deri në dy vjet.

Suedia ka vendosur po ashtu kontrollin e kufijve me Danimarkën e Gjermaninë, këtë më herët e kishin bërë edhe Hungaria dhe Sllovenia. Franca po ashtu për shkak të përgatitjeve për samitin kushtuar ndryshimeve klimatike që do të mbahet në Paris.

Sulmet në Paris kanë rritur numrin e atyre që fajësojnë lirinë e lëvizjes për lehtësinë me të cilën terroristët në zemër të Evropës përgatisin sulme të tilla. Në kryeqytetin e Evropës, në Bruksel, qytetin që ndoshta është edhe më i kontrolluari në botë për shkak se këtu ndodhen selitë e BE-së dhe të NATO-s, sa herë që ndodh ndonjë sulm terrorist diku tjetër gjenden persona nga Brukseli që kanë marrë pjesë në to. Edhe Franca, edhe Belgjika kanë vënë policinë në kufi dhe kontrollohen veturat që hyjnë dhe dalin në këto shtete. Tash do të jetë vërtet e vështirë që të ruhet Schengeni, që pa dyshim është një prej të arriturave më të mëdha të procesit të integrimeve evropiane.

Nëse ndonjë sulm terrorist mund të ndryshojë diçka për të mirë, atëherë gjithsesi do të ishte bashkimi i faktorëve kryesorë ndërkombëtarë për t’i dhënë fund luftës në Siri dhe për të zgjidhur problemin e Palestinës. Natyrisht se terroristët do të gjejnë gjithmonë arsye për veprat e tyre, por së paku duhet dhënë fund disa konflikteve të cilat ushqejnë propagandën e tyre dhe ndihmojnë që të rekrutojnë të rinjtë në radhët e tyre. Megjithëkëtë, politikanët, edhe pse deklarativisht shprehin solidaritet dhe bashkohen në dënimin e terrorizmit, vështirë bashkohen në veprime konkrete, sepse kanë interesa të ndryshme politike.  

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...