6 Janar 2016 - 08:49 - Augustin Palokaj
Se Bashkimi Evropian sot ka një mungesë të lidershipit këtë e kanë thënë shumë njerëz. Këtë së fundi e tha dhe Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ministër i jashtëm i Kosovës, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-udhëheqës i ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi konstatimin e tij e ka bërë për shkak se BE-ja edhe një herë dëshpëroi kosovarët dhe nuk dha rekomandim për liberalizimin e vizave. Kështu Thaçi këtë akt e sqaroi me “mungesë të lidershipit politik në BE”. Ndoshta Thaçi i ka marrë tepër seriozisht lëvdatat që atij dhe kryeministrit të tashëm Mustafa, ua ka shprehur Bashkimi Evropian, duke i quajtur veprimet e tyre si “guxim I madh politik që dëshmon lidership”. Ndoshta Thaçi mendon se, sikurse ai dhe Mustafa i bëjnë marrëveshjet me Serbinë në bazë të “lidershipit politik” se edhe në BE vendimet për liberalizim vizash mund të bëhen vetëm në bazë të ndonjë “lidershipi politik”. Çfarë guximi politik dhe ndaj kujt do të tregonin ata zyrtarë të BE-së në Bruksel, të cilët ende e masin progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për vizat. Ndaj qytetarëve të Kosovës? E çfarë obligimesh kanë ata ndaj qytetarëve të Kosovës?. A mos do të dalin në zgjedhje për të kërkuar votën e kosovarëve? Jo. Prandaj me vizat për kosovarët nuk merret kurrfarë “lidershipi evropian”, sepse procesi është ende në dorë të burokratëve, të cilët kryejnë punën e vet.
Por, për dallim nga hallet e Thaçit, ka shumë tema të tjera ku BE-ja ka dëshmuar se ka mungesë lidershipi. Kjo sidomos nëse krahasohet me liderët nga e kaluara. Sot në BE mungon një faktor bashkimi, mungojnë liderë të guximshëm, të cilët nuk do të kufizohen në interesa të ngushta nacionale, por do të merrnin rrezik për një kauzë madhore evropiane. Edhe Angela Merkel, një prej liderëve të rrallë që tregon guxim dhe lideriship, ka filluar të humbë mbështetjen që ka pasur. Edhe reputacioni, e me këtë edhe fuqia e saj, janë dëmtuar.
BE-ja nuk ka qenë asnjëherë më e ndarë sesa që është sot. Vitin 2015 që la pas e mbijetoi disi dhe mbijetesa kuptohet si sukses, sepse për herë të parë u përmend se vetë ekzistenca e BE-së është në rrezik. Nisi dhe mbaroi me sulmet terroriste në Paris. Këto sulme erdhën në emër të një ideologjie radikale, por u kryen nga evropianë, nga njerëz të lindur dhe të rritur në territorin e Bashkimit Evropian. Kërcënimi i terrorizmit pati ndikim në funksionimin e BE-së dhe nxiti shtetet anëtare që, pasi treguan së pari solidaritet dhe ngushëllim për viktimat, nisën të drejtojnë gishtin për dështime ndaj njëra-tjetrës.
Pastaj ishte kriza greke. Ajo lëkundi ekzistencën e Eurozonës e më pas edhe të vetë BE-së. Shtetet filluan të bëjnë gara se kush më shumë do të akuzojë palën tjetër; kush po paguan më shumë taksa dhe kush po përfiton më shumë. Pastaj erdhi kriza e refugjatëve. Ajo më shumë se gjithçka tjetër krijoi hendek mes shteteve të BE-së. Shtetet që më së shumti përfitojnë nga politika e kohezionit, ajo sipas së cilës shtetet më të pasura japin më shumë në favor të atyre më pak të zhvilluara në mënyrë që të zvogëlohen sa më shumë dallimet, dolën kundër politikës së përbashkët të migracionit. Ky është parimi i solidaritetit, themel mbi të cilin është ndërtuar i tërë projekti i Bashkimit Evropian, Dhe kur shemben themelet, atëherë mund të shembet i tërë projekti.
Deri tash secilin vit kemi bërë përmbledhjen e rezultateve të BE-së; zgjerimin, miratimin e traktateve, heqjen e kufijve, zgjerimin e zonës së lirisë të lëvizjes së qytetarëve, mallrave dhe punëtorëve, lirisë së ofrimit të shërbimeve, integrimeve fiskale, rritjen e partneriteteve në tregtinë e jashtme, krijimin e politikave të reja të përbashkëta. Tash gëzohemi kur në fund të një viti mund të konstatojmë se BE-ja arriti të mbijetojë krizën. Vitin 2015 BE-ja e lë si shumë e lënduar dhe hyn në vitin 2016 me imunitet dukshëm të dobësuar dhe secili virus mund t’ia dëmtojë seriozisht shëndetin, duke ia rrezikuar edhe jetën. Si e tillë, BE-ja nuk mund t’i ndihmojë shumë as Kosovës që ajo t’i shërojë sëmundjet e saj. Por shoqëria e Kosovës e ka nivelin e imunitetin shumë më të lartë sepse ajo gjithmonë ka jetuar në kriza të pandërprera.
Në Kosovë janë mësuar me vite që të shohin policë dhe ushtarë me armatim të gjatë duke patrulluar rrugëve të qyteteve të tyre. Por ja se në Bruksel nuk janë mësuar dhe prandaj edhe i ka goditur rëndë ky realitet i ri. Rrugëve të kryeqytetet të Evropës patrullojnë ushtarë në gjendje gatishmërie, para institucioneve të BE-së, por edhe qendrave tregtare dhe hoteleve, e madje edhe në tregun e Krishtlindjeve, janë vendosur automjete ushtarake. Krishtlindjet dhe viti i ri këtë vit në Bruksel janë pritur pothuajse sikur në Bagdad apo Bejrut dhe kjo është një ilustrim i krizës në të cilën është gjetur Evropa sot.
Kriza në të cilën ndodhet BE-ja do të ketë rol të madh edhe në qasjen e saj ndaj Kosovës. Kosova nuk mund të mbijetojë pa BE-në dhe Zvicrën, e cila nuk është anëtare e saj, por është pjesë e zonës së lirë tregtare dhe e zonës së lëvizjes së lirë. BE-ja për asnjë rajon në botë nuk ka dhënë më shumë ndihma financiare sesa për Kosovën. Nëse kësaj i shtohen remitencat e diasporës kosovare nga vendet e Evropës Perëndimore, atëherë ky argument bëhet edhe më i fortë. Ndihmat financiare dhe diaspora kanë qenë më të rëndësishme për Kosovën sesa prania e BE-së në Kosovë. Në fakt, nëse do të ishim realë, praninë e BE-së në Kosovë, krahasuar me pritjet, mund ta vlerësojmë edhe si të dështuar. Kjo prani, ndonëse me mandat edhe ekzekutiv, nuk ka ndihmuar shumë që Kosova të mos mbetet zonë e krimit të organizuar, korrupsionin në nivel të lartë dhe trafikimeve, vend ku gjykatat dhe shërbimet publike janë të politizuara. Këtë e thotë edhe vetë BE-ja në raportet e veta vjetore.
Në këto rrethana duhet nxjerrë mësimin kryesor Kosova. Duhet vazhduar përkushtimin për integrimet në BE, sepse, sado e lënduar dhe në krizë, BE-ja është zgjidhja më e mirë. Është e tillë për shkak të vlerave që, me gjithë të metat e shoqërisë sonë, edhe ne i synojmë. Por, duke e ditur se është vështirë të parashikohen zhvillimet brenda BE-së në të ardhmen, e aq më vështirë procesi i zgjerimit, e edhe më vështirë integrimi i Kosovës në BE, Kosova nuk mund ta ketë luksin që integrimin në BE ta shohë si prioritet kryesor. Sepse prioritet nuk mund të jetë diçka që mund të realizohet në 15 vjetët e ardhshëm. Duhet ndjekur një rrugë ndryshe që në fund mund ta çojë Kosovën në BE. Nuk duhet pritur që të integrohemi në BE për t’i zgjidhur problemet. Duhet e kundërta; të zgjidhim problemet prioritare si: varfëria, papunësia, korrupsioni dhe krimi i organizuar e kështu do të jemi më afër BE-së. Ky do të jetë një proces i gjatë në të cilin secilin vit mund të bëhet ndonjë lëvizje, por jo edhe zhvillime historike. Sidomos duke pasur parasysh se vetë BE-ja ndodhet tashmë në një lloj krize të pandërprerë nga e cila mund ta nxjerrë vetëm ndonjë super-befasi, apo paraqitja e ndonjë lidershipi të guximshëm.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...